RISHIKONI ROLIN E SKËNDERBEUT-thotë Erdogani

RISHIKONI ROLIN E SKËNDERBEUT-thotë Erdogani

E Marte, 22 Shkurt 2005
TURQIA: RISHIKONI ROLIN E SKENDERBEUT

Sipas agjencise se lajmeve "Anadolu Agency", Erdogan ka kerkuar korrektesi historike. Kryeministri Taip Erdogan i kerkoi homologut te tij, Nano, rishikimin e teksteve te historise

Kryeministri turk Taip Erdogan gjate vizites se tij ne Tirane i ka kerkuar homologut shqiptar ngritjen e nje komisioni ekspertesh dypalesh per rishikimin e teksteve te historise. Sipas agjencise turke te lajmeve "Anadolu Agency", kerkesa e Erdogan per Nanon ishte qe "informacioni mbi marredheniet Turqi-Shqiperi duhet te reflektohet korrektesisht ne librat shqiptare te historise". Ky detaj i rendesishem ne fakt nuk u publikua nga pala shqiptare, e cila vendosi te heshte publikisht ndaj kerkeses se kryetarit te qeverise turke. Kerkesa per rishikimin e teksteve te historise nuk eshte e para qe mberrin ne adrese te shtetit shqiptar. Gjithashtu, "ne emer te fqinjesise se mire" kete kerkese e artikuloi pak kohe me pare edhe qeveria greke. Madje per kete u caktua nje grup i perbashket pune, i cili do te hiqte nga teksti i historise shqiptare ato paragrafe qe "cenojne marredheniet". Edhe ne rastin e kerkeses se kryeministrit turk, qeveria shqiptare nuk ka bere asgje publike, por gjithcka ka dale ne shesh nga autoritetet apo mediat e huaja. Kerkesa e kryeministrit Erdogan per rishikimin e historise i referohet periudhes kur Gjergj Kastriot Skenderbeu perballoi permbi 25 vjet ushtrite e drejtuara nga sulltanet turq. Ne historine boterore, Skenderbeu njihet edhe si mbrojtes i vlerave te Krishterimit, pasi nuk lejoi depertimin e ndikimit osman mbi Perendimin.

Mesazhi publik i Erdogan

Kryeministri turk gjate vizites se tij ne Shqiperi u takua me presidentin Moisiu, homologun Nano dhe kryetarin e Kuvendit, Pellumbi. Gjithashtu ai dha nje mesazh ne Kuvend ku i cilesoi si mjaft te mira marredheniet politike qe ekzistojne mes dy vendeve. "Te varrosim shqetesimet qe kemi kaluar ne Ballkan, jo me urrejtje apo meri, sepse njerezimi ka nevoje per paqe globale, pasi ne te kundert do te kishte terrorizem global", u shpreh kryeministri turk, duke bere te qarte se ajo qe mbetet e rendesishme per keto vende eshte vendosja e marredhenieve te mira. Ne kete kontekst ai e cilesoi rolin e Shqiperise si te rendesishem duke e konsideruar si "nje politike te zgjuar te Shqiperise per te gjitha rajonin e ne vecanti per Kosoven". Megjithate ai beri te qarte se nuk mjaftojne vetem marredheniet e mira politike mes dy vendeve, duke kerkuar nje rol me te madh ne fushen e investimeve, apo bashkepunimit kulturor. Nje pike tjeter qe kryeministri turk preku ne fjalen e tij ishin zgjedhjet parlamentare te ketij viti ne Shqiperi. Per te ajo qe mbetet me e rendesishme, nuk eshte se kush fiton, "por cilido qe te jete rezultati nje gje eshte e sigurte, ne Shqiperi do te fitoje demokracia". Nga ana tjeter homologu i Nanos uroi qe negociatat me BE-ne te perfundjne sa me shpejt dhe sa i perket anetaresimit te Shqiperise ne NATO, Erdogan siguroi se Turqia do te jape ndihmen dhe perkrahjen e saj maksimale. "Turqia eshte teper e vendosur te jape cdo mbeshtetje per anetaresimin e Shqiperise ne NATO, pasi kjo eshte e rendesishme dhe nje avantazh strategjik edhe per vete rajonin". Ky ishte premtimi qe beri kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, gjate takimit qe zhvilloi me kryeministrin Nano.
 

Luftar

Primus registratum
Re: RISHIKONI ROLIN E SKËNDERBEUT-thotë Erdogani

Autori i librit “Skënderbeu” dhe republikani Sabri Godo komenton deklaratën e kryeministrit turk
Godo: Tani na mbetet të fshehim Skënderbeun dhe të nxjerrin Nanon

Nevila Perndoj

Më 15 shkurt, media turke publikoi një deklaratë të kryeministrit turg Taip Erdogan bazuar në agjencinë “Anadolu” në të cilën thuhej se pas takimeve me kryeministrin Fatos Nano, kreu i ekzekutivit të Turqisë kishte deklaruar se “një universitet turk do të hapet në Tiranë. Informacioni për marrëdhëniet Turqi-Shqipëri duhet të reflektohet në mënyrë korrekte në librat shqiptarë të historisë”. Një deklaratë e tillë, që duket se përfshin edhe rishikimin e figurës dhe rolit të Skënderbeut, nuk u shoqërua me asnjë koment nga kryeministri Fatos Nano. Por nuk ka bërë të njëjtën gjë, historiani Sabri Godo, i cili mund të quhet pa mëdyshje, njeriu që njeh më mirë, figurën e Skënderbeut. Godo ka folur gjatë dje në një intervistë për “Shekullin” rreth një deklarate të tillë, ndërkohë që ka zbardhur edhe një pjesë të përshtypjeve të tij për librin, që ai do të hedhë së shpejti në treg sërish për figurën e Skënderbeut.

Z.Godo, mediat e shkruara kanë përcjellë sot një lajm ku thuhet se kryeministri turk Taip Erdogan i ka kërkuar kryeministrit Fatos Nano rishikimin e historisë. Cili do të ishte opinioni juaj rreth kësaj kërkese?

Nuk jam i sigurtë se çfarë ka ndodhur. Por duke parë lajmet që jep masmedia, duket se ka pasur një kërkesë të kryeministrit Erdogan që të rishikohet historia dhe figura e Skënderbeut. Më duket një gjë krejt e habitshme sepse nuk mund t’i kërkosh një njeriu, që të ndryshojë të kaluarën, sepse kjo është jashtë fuqive të kujtdo qoftë. Ne nuk mund të bëjmë ndryshime të sforcuara në histori, sepse nuk e kemi një mundësi të tillë. Skënderbeu ne na është dhënë fillimisht përmes Barletit. Për kontributin e vërtetë të tij kanë dhënë një numër të madh albanologësh të huaj, të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, dhe ne nuk mundet që tani ta ndryshojmë. Ashtu si nuk mund të mohojmë dokumentacionin, që është në arkivat e pothuaj tërë shteteve në Evropë, lidhur me Skënderbeun. Më në fund nuk kemi se çfarë t’u bëjmë as vetë kronistëve turq të cilët flasin për dhjetëra fushata, gati 20 fushata të pashallarëve turq kundër Skënderbeut dhe më në fund dy fushatat e mëdha të sulltanëve, Muratit të Dytë dhe të birit Mehmet Fatihut, të cilët rrethuan Krujën me këmbëngulje dhe më pas u detyruan që të tërhiqen me humbje. Ka një kronist turk që thoshte se sulltani hoqi dorë nga dëshira për të kapur nusen e fitores. Të gjithave këtyre nuk kemi se çfarë t’u bëjmë.

Z.Godo, a keni ndonjë koment për heqjen nga zyra e z. Nano të statujës së Skënderbeut gjatë takimit me kryeministrin turk, Taip Erdogan?

Thashë edhe njëherë që do të më dukej krejt e habitshme një gjë e tillë. Atëherë na mbetet që të fshehim Skënderbeun dhe të nxjerrim Nanon, dhe kjo do të ishte një gjë e turpshme. Skënderbeun nuk mund ta lëvizë nga vendi, askush. As ndonjë parti politike apo kryeministër. Kështu që, nëse kjo ka ndodhur me të vërtetë, them se i është bërë një poshtërim këtij vendi. Pastaj do të duhej, që kur të vemi ne në Turqi, të kërkonim që të hiqeshin nga galeritë e tyre portretet e sulltanëve, që kanë pushtuar këtë vend. Ajo që më bën mua më tepër përshtypje është se cilado qoftë e vërteta, (që kryeministri Erdogan ta ketë ngritur një gjë e tillë), historia që i takon Perandorisë Turke, të shtrirë në Azi, në Afrikë dhe në Evropë u mbyll me epokën e Mustafa Qemalit, themeluesit të shtetit modern turk dhe nuk besoj se ndokush të dalë në Turqi dhe të mbrojë agresionet dhe fushatat e përgjakshme, që bënë sulltanët turq njëri pas tjetrit për gati 5 shekuj. Ndaj dhe them se edhe në Turqi zor se ndokush do të pranonte që të ribëhej historia duke i dhënë ngjyrime të tilla. Për mua ishte një gjë e gëzueshme që edhe në vizitën e tij, Erdogan tha se marrëdhëniet tona do të shkojnë përpara, dhe do të zhvillohen edhe në fushën ekonomike, ndërsa në marrëdhëniet politike dhe ushtarake të themi se kemi arritur kuotat më të mira. Ndërsa kjo që futet këtu si incident, që bën një farë hije është diçka që mua vetë më shkakton një trishtim. Nuk dua të flas më tepër për këtë pa pasur, ashtu siç thashë që në fillim, të dhëna të sigurta se çfarë ka të vërtetë në takimin mes tyre.

Megjithatë media është sensibilizuar ndaj kësaj çështje, ndërkohë që politika jo……

Unë pashë që edhe kur pala greke ngriti të njëjtin pretendim, që ne të rishikojmë historinë, për fat të keq, nuk pati reagim nga politika. Ne nuk kemi edhe aq për të rishikuar gjëra sepse asnjëherë nuk kemi qenë një fuqi që pushton dhe kërcënon të tjerët. E gjithë historia jonë, që nga koha e Teutës dhe më tej janë vetëm luftëra të pareshtura, për vetëmbrojtje me qëllim që të ruanim gjuhën, kombësinë dhe të kishim shtetin tonë. Unë do të thoja që politika aktuale është tepër e zënë me punë të tjera, për të mos thënë atë pastaj se diku ka edhe një mungesë të asaj që quhet; ndjenjat e patriotizmit. Unë nuk do ta gjykoj z.Nano nga një deklarim, që bëri në Kuvend, kur tha se “patriotizmi është streha e njerëzve të dështuar”, duke cituar një shkrimtar të huaj. Duket se një mendim i tillë është edhe në qarkullim. Dhe kur e thua një gjë do të thotë që një burim të brendshëm ajo e ka. Se këta njerëz tani duhet të kujtohen se shqiptarët në radhë të parë janë patriotë të vendit të tyre, pavarësisht nga çoroditja e përgjithshme që ekziston. Ndjenjën e patriotizmit e kanë të rrënjosur thellë edhe rinia jonë, që duket si një rini që kërkon një rrugë për të mbijetuar. Unë nuk jam për të theksuar tone nacionaliste. Nuk jemi një popull i gjendur në kryqëzimin e rrugës. Kemi një histori tonën dhe ne duhet që ta mbrojmë. Kështu që politika duhet të mendohet rreth kësaj. Ne kemi një histori tonën dhe ne duhet që ta mbrojmë. Mbi të gjitha nuk mundet kurrsesi, që ta bëjmë një mall për treg për interesat tona politike të sotme. Për këtë pastaj edhe sikur brezat e ardhshëm do të na varnin me kokë poshtë, sërish pak do ta kishim, nëse bëjmë një gjë të tillë. Në shumë vende, mesa e njoh unë historinë botërore popujt krijojnë dhe ngrenë lart figura edhe kur nuk i kanë, ndërsa ne fjala vjen kemi Skënderbeun, që është çmuar nga tërë bota si një nga kapitenët e shquar në histori, dhe ndoshta i vetmi që ka mundur të përballojë fuqi të mëdha me trupa të pakta. Këtë e kanë thënë kritikë të historisë së luftërave në anë të ndryshme të botës. Tani rikthehem tek ajo, që këta njerëz që trajtojnë çështje të tilla, duhet ta mbledhin mendjen dhe do të kujtojnë se më në fund kemi një detyrim kushtetues, që të mbrojmë kombin tonë.

Ku na rrëshqet mendja dhe dalim nga vetja dhe themi se për hir të marrëdhënieve pragmatiste sot për sot mund të hyjmë edhe në pazarllëqe lidhur me këtë temë?

Them se njerëz që bëjnë gjëra të tilla, kanë një çoroditje të thellë shpirtërore dhe mendore.

Z.Godo, ju së shpejti do të nxirrni në treg një libër të ri për Skënderbeun. Çfarë të panjohurash do të mësojmë nga ky libër për figurën e Skënderbeut?

Para rënies së regjimit komunist, romani që kam botuar unë për Skënderbeun është botuar në Shqipëri rreth 80 mijë kopje dhe ka pasur një përhapje shumë të gjerë, dhe që atëherë nga viti ‘73-‘74 nuk e kisha zënë më me dorë këtë libër. Gjithnjë duke menduar për të, habitesha disi me faktin që një populli i vogël i panjohur në Europë me një shkëputje nga historia e tij prej 1500 vjetësh që nga koha e Teutës del në Mesjetë, si një fuqi centrifugale e jashtëzakonshme. Kjo të bën një përshtypje të thellë, dhe sa më tepër që të mendosh rreth saj, aq më tepër të duket se duhet të kërkosh. Duke menduar kështu, dhe nisur nga dëshira që të kompletoj dy figura ashtu siç bëra edhe me Ali Pashën, ka dy vite që po ripunoj Skënderbeun. Besoj se për dy-tre dy muaj mund ta mbaroj. Duke u munduar që ta zhvesh nga sa më tepër që të jetë e mundur nga përshkrimet letrareske ose që të përdor një shprehje të Shekspirit, t’i jap më tepër lëndë dhe më pak art, të jap më tepër informacion dhe të përpiqem që t’i afrohem sa më tepër së vërtetës. Natyrisht duke u përpjekur që të marr si lëndë edhe disa zbulime që janë bërë gjatë këtyre 30 vjetëve. Është një punë që e kam bërë me dëshirë. Nuk e di a kam arritur të bëj atë që dua apo jo. Këtë do ta thotë lexuesi kur të dalë ky libër. Sidoqoftë unë do të vë në paqe shpirtin tim ditën kur të them se ato çfarë kisha për të thënë për Skënderbeun, pas një rishqyrtimi prej 30 vitesh, i thashë më në fund dhe shlyeva një detyrim timin, kundrejt asaj epoke dhe këtij njeriu të madh.

23/02/2005
KATEGORIA: Politike
 
Top