Refik Halili: Kurrë më trajner të huaj te Tirana

Refik Halili: Kurrë më trajner të huaj te Tirana

Alban Tafaj do të jetë trajneri i Tiranës, të paktën derisa presidenti i bardhebluve, Refik Halili, të vendosë për një trajner tjetër. Vendimi u mor nga drejtuesit e 24-herë kampionëve të Shqipërisë, pas një mbledhjeje të gjatë, të zhvilluar mbrëmjen e së hënës, ku nuk miratua ndonjë emër konkret nga kandidatët. Në këtë situatë u vendos që të mos nxitohet në kërkim të trajnerit të ri dhe u pa si zgjidhje lënia e ekipit në dorën e Tafajit, i cili tashmë është shndërruar në një trajner “part time”. Drejtori teknik i bardhebluve do të jetë në krye të skuadrës për pak ditë, deri në emërimin përfundimtar të një trajneri, që do të mbajë timonin e Tiranës për pjesën e mbetur të sezonit. Para njoftimit të Tafajit, presidenti Refik Halili foli për herë të parë në lidhje me largimin e Lonçareviç, i cili erdhi me shumë bujë te bardheblutë në muajin korrik. “Nuk them më tepër për Lonçareviçin përpos asaj që kam thënë, rrëfen presidenti i Tiranës. Një teknik me CV të pasur, por rezultatet kanë qenë shumë të dobëta. Përgjegjësia kryesore bie mbi mua, por sinqerisht nuk i kam ndërhyrë në formacion. Pas pjesës së parë nuk kam qenë fare në dhomat e zhveshjes, madje i kam dhënë trajnerit dorë të lirë”. Më pas Halili flet për të ardhmen e klubit. “Kam besim se do të arrijmë kreun, falë aftësisë që kanë lojtarët, thekson bosi i Tiranës. Nuk dua të justifikohem për problemet që kemi”. Ndërsa mbylljen e prononcimit të tij ia kushton trajnerit të ardhshëm, i cili pritet të emërohet zyrtarisht pas disa ditësh, por saktëson se kurrë më nuk do të marrë një trajner të huaj. “Sa i përket trajnerit, është presion i madh, sqaron situatën presidenti. Është e sigurt që do të jetë nga gjiri ynë, por emërimi do të bëhet pas dy ditësh. Por e sigurt është se Tirana nuk do marrë kurrë trajner të huaj. Kam diskutuar me Tafajin, Deden dhe sigurisht Mukën, për të cilin mund të them se ai nuk ndahet nga unë e as unë nga ai, dhe së bashku nuk do të ndalemi ti japim suksese Tiranës”. Në lidhje me lëviz e fundit në kampin bardheblu foli edhe vetë trajneri i përkohshëm, Alban Tafaj. “Unë do të drejtoj ekipin deri në momentin që presidenti do vendosë trajnerin e ri. Halili ma besoi mua skuadrën, pasi ende nuk ka vendosur për emrin e ri. Nuk dëshiron të nxitohet. Unë jam pjesë e klubit dhe e bëj me kënaqësi këtë. Ndihmësi im do të jetë Nevil Dede. Nuk ka pasur probleme me skuadrën. Na vjen keq për Lonçareviçin, por duhet të kuptojmë se një teknik kur nuk ka rezultate nuk mund të qëndrojë”. Edhe sezonin e kaluar, Tafaj e drejtoi Tiranën në tri javët e fundit, duke pasuar Agustin Kolën. Ndihmës i Tafajt ishte italiani Mauro Bençivenga. Ndërkohë që sërish kanë filluar të përfliten sërish emrat e kandidatëve të mundshëm për të marrë stolin bardheblu, pas dy ditësh, ashtu sikurse ka premtuar dje presidenti Refik Halili. Zërat për një drejtim të ekipit në çift nga Nevil Dede, trajneri parë në pankinë dhe Devi Mukajt në fushë, por njëkohësisht edhe ndihmëstrajner, kanë filluar të bëhen të besueshëm pas deklaratës së bosit bardheblu.(Shqip)</p>
cCAkaUcw_-0

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23680. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23680
 
Top