Raporti i KE: Luftoni korrupsionin

Raporti i KE: Luftoni korrupsionin

Shqipëria merr notë kaluese për zgjedhjet e 28 qershorit dhe vlerësime pozitive për reformat kyçe politike. Ky është vlerësimi që Komisioni Europian i ka bërë Shqipërisë në projektstrategjinë e zgjerimit. Siç raporton “Top Channel”, Komisioni Europian ka bërë me dije se Shqipëria ka bërë progres në reformat politike, ka vlerësuar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por ka shtuar se pikat nevralgjike dhe problematike të vendit tonë janë korrupsioni, shteti ligjor, pavarësia e gjyqësorit, pavarësia e institucioneve shtetërore dhe administratës. Në këtë mënyrë përmblidhet progresi i Shqipërisë në projektstrategjinë e zgjerimit. Dokumenti, i shoqëruar me raportet e detajuara, evidenton çdo vit ecurinë e vendeve të Ballkanit dhe u drejtohet 27 shteteve anëtare të BE-së për vlerësim. “Shqipëria ka bërë progres në reformat kyçe politike. Zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare, por më shumë përpjekje nevojiten ndaj parregullsive të vërejtura”, thuhet në dokumentin e brendshëm të Komisionit Europian. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, që përbën bazën e marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Europian, vlerësohet të jetë zbatuar pa pengesa.</p>


Pas pjesës pozitive, radha u vjen sfidave me të cilat përballet vendi. Sugjerimet apo rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë lidhen ngushtë me shtetin ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe administratën. “Shqipëria duhet të bëjë progres, në veçanti ndaj shtetit ligjor, sidomos për luftën ndaj korrupsionit, sikundër për sa i takon funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore, e në mënyrë të posaçme për pavarësinë e gjyqësorit. Kapacitetet administrative kërkojnë përforcim të mëtejshëm”, vlerëson në mënyrë të përmbledhur Komisioni Europian. Sakaq, KE-ja kërkon një administratë profesioniste dhe plotësimin e të gjitha kritereve që e lidhin ngushtë fatin e Shqipërisë me liberalizimin e vizave, për të cilin Komisioni Europian pritet të paraqesë propozimin e tij në mesin e vitit që vjen, në rast se pala shqiptare do ti ketë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga faktori ndërkombëtar. Në projektstrategji vërehet paqartësia e hasur në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat, për shkak të zvarritjes së deritanishme nga Këshilli i Bashkimit Europian.</p>


Për këtë renditen disa formulime të ndryshme, të cilat qëndrojnë pezull për momentin, për shkak të mosmarrjes së vendimit nga vendet anëtare. Gjithsesi, komisioni shpreh gatishmërinë për të nisur përgatitjen e opinionit për Shqipërinë, sapo këshilli ti adresojë këtë mandat. Për liberalizimin e vizave, Komisioni thekson se do të paraqesë propozimin e tij në mes të 2010-s, nëse Shqipëria do të ketë plotësuar kushtet. Komisioni Europian, edhe pse është pozitiv për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, thekson se problematik mbetet niveli i korrupsionit. “Shqipëria duhet të bëjë progres, në veçanti për shtetin ligjor. Ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë kërkesën për aplikim sapo këshilli të na e adresojë”, thuhet në raportin e KE-së.(Shqip)</p>
RzjnS6NfuxY

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23907. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23907
 
Top