Rama: Vendi, në krizë ekonomike dhe politike

Rama: Vendi, në krizë ekonomike dhe politike

Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, vë alarmin se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq dhe e përfshirë në një krizë ekonomike dhe politike. Një ditë para se të votëbesohet nga anëtarësia e Partisë Socialiste për kreun e partisë, Rama, vuri në dukje nevojën dhe detyrën e kësaj partie që të përballet me këtë krizë që e ka mbërthyer politikën e bazuar mbi interesa personale. Ndaj, sipas Ramës, sot më shumë se kurrë Partia Socialiste ka dhe ndien detyrimin që të përballet me forcën e me inercinë e së vjetrës. “E cila materializohet në aleancën e paskrupullt të Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos për ta kthyer Shqipërinë në skemë të mbyllur interesash ku pushteti të bëjë çtë dojë me votën e popullit dhe opozita të bëhet kukull në prehrin e pushtetit”, tha Rama.</p>


Një ditë pasi ish-kryetari i selisë rozë, Fatos Nano, hodhi akuza të rënda në adresë të kryetarit aktual, Rama paralajmëroi sërish rrezikun që i vjen Shqipërisë nga treshja Meta-Berisha-Nano. “Partia Socialiste ka dhe ndien detyrimin që të vërë alarmin për rrezikun që i kanoset demokracisë, lirive e të drejtave të gjithsecilit, në qoftë se kapitulli dramatik i 28 qershorit mbyllet pa u hapur kutitë e votimit të marra peng nga Sali Berisha bashkë me të vërtetën e kyçur brenda tyre”, këmbënguli Rama.</p>


Lideri opozitar shprehu angazhimin se PS do të luftojë për rivendosjen e ligjit e të drejtësisë në këtë vend ku interesat e një grushti njerëzish në pushtet janë ngritur mbi ligjin, gjykatat, mbi shtetin e së drejtës. Duke iu rikthyer kërkesës për zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit, ai vuri në dukje se pushteti po e ndalon opozitën që të hapë kutitë megjithëse këtë e thotë ligji. Kreu socialist vuri në dukje se qytetarët sgjejnë dot drejtësi as kur pushteti u vret të afërmit si në Gërdec, e jo më kur duhet të zgjidhin një çështje me shtetin në gjykatë. “Kur qeveria është kthyer në strehë njerëzish që kërkohen nga drejtësia e nga populli për vepra penale apo për mashtrime publike”, u shpreh Rama. Ndaj vërejti ai, i takon PS-së që të bëjë gjithçka që ligji e drejtësia të rivendosen duke filluar nga hapja e kutive ku mbahet i ndrydhur në errësirë vullneti i një populli të tërë. Rama u ndal te detyrimi që ndien PS për të vënë përpara përgjegjësisë morale fajtorët e gjendjes së rëndë ekonomike në vend, pasi shqiptarët janë ata që po e vuajnë në kurriz dhe situata bëhet më e rëndë kur shqiptarët nuk mund të lëvizin lirshëm në Europë.</p>


Megjithëse, kreu socialist nënvizoi se përballë një situate të vështirë ekonomiko-politike dhe të demokracisë në vend shqiptarët nuk mund të gënjehen nga propaganda e shëmtuar e Sali Berishës, Ilir Metës, Fatos Nanos dhe shërbëtorëve të tyre. “Që duan me çdo kusht ta gjunjëzojnë Partinë Socialiste e përditë bëjnë çmos të fajësojnë opozitën për këtë gjendje të padurueshme”, theksoi Rama. Madje, shtoi kreu i PS-së, sipas tyre, opozita i ka fajet që shqiptarët kanë mbetur të fundit pa viza në Ballkan ose opozita paska përgjegjësinë dhe për rënien pikiatë të lekut. Sipas Ramës, është qeveria e politikave shkatërruese dhe e shpenzimeve mashtruese elektorale, që për të ndenjur me çdo kusht në pushtet e bëri gropë arkën e shtetit. “Dhe pa dyshim Kryeministri i papërgjegjshëm, i cili në kulmin e krizës ekonomike botërore i bëri lekët e shqiptarëve shirita elektoralë, njësoj si në kohën e piramidave, ndërsa tani u thotë se do ta zëvendësojë lekun me euron”, vërejti Rama. Deklaratat e Ramës vijnë një ditë pasi paraardhësi i tij në PS, Fatos Nano, vlerësoi se kjo parti i ka humbur zgjedhjet dhe Rama është përgjegjës për rezultatin. Por në kundërpërgjigje, kreu socialist lëshoi një mesazh të qartë. “Partia Socialiste është e hapur për të gjithë ata që duan ta ndryshojnë këtë gjendje të rëndë të demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe e gatshme të bashkohet, përtej të majtës e të djathtës, me çdo forcë politike e shoqërore dhe me çdo qytetar e qytetare, që njësoj si ne, dëshiron të mbrojë liritë e të drejtat e veta”, përfundoi Rama.(Shqip)</p>
J6hwRfh6XRU

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23025. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23025
 
Top