Rama: Raporti i KE, real. Mediu dhe Basha ti dorëzohen drejtësisë

Rama: Raporti i KE, real. Mediu dhe Basha ti dorëzohen drejtësisë

Partia Socialiste kërkoi dje që dy ministrat Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha të vihen në dispozicion të drejtësisë. Bazuar në konstatimin e progres-raportit të KE-së për Shqipërinë, kryesocialisti Edi Rama vlerësoi se ai është një pasqyrë realiste e krizës së rëndë të demokracisë në Shqipërinë e sotme duke u ndalur te dy çështje hetimore të rëndësishme në vend, hetimit për tragjedinë e Gërdecit dhe rrugës Durrës-Kukës. Ndaj, Rama u kërkoi organeve të drejtësisë që të tregohen të përgjegjshëm për të mundësuar gjykimin e personave të implikuar në krimin shtetëror të Gërdecit, por edhe të aferës korruptive mbi të cilën u ndërtua rruga Durrës-Kukës. “Organet e drejtësisë duhet të tregojnë përgjegjshmëri dhe integritet profesional për të ndërmarrë veprimet kushtetuese e ligjore që mundësojnë gjykimin e të gjithë atyre që Raporti i Komisionit Europian i quan shprehimisht personat përgjegjës të krimit shtetëror të Gërdecit, pavarësisht statusit apo pozicionit të tyre shoqëror”, tha kryesocialisti. Lideri i opozitës theksoi se mosgjykimi deri në fund i tyre përbën edhe njërën prej zonave më të errëta të pasqyrës së këtij raporti shumë realist për Shqipërinë, ashtu sikundër mosgjykimi deri në fund i grabitjes marramendëse të fondeve të rrugës Durrës-Kukës lë hapur një tunel të errët korrupsioni ku sot e gjithë ditën treten fondet e punëve publike të qeverisë së Gërdecit. Ndaj ai kërkoi që dy ministrat të dorëzohen para drejtësisë aq më shumë kur Fatmir Mediu përmendet në progres-raport. Më tej, Rama u ndal te zgjedhjet e 28 qershorit, duke theksuar se ndan të njëjtin qëndrim me progres-raportin se ato nuk përmbushën standardet normale të një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në BE.</p>


Duke u fokusuar te pjesa ku flitet për procesin elektoral, Rama u shpreh se dialogu politik mund të zhbllokohet vetëm nëse hapen kutitë e votimit dhe garantohet transparenca e tyre. “Vetëm hetimi parlamentar, i pavarur nga qeveria, i këtyre zgjedhjeve pa standarde, duke filluar nga hapja e kutive të 28 qershorit si një kusht i panegociueshëm për cilësinë e këtij hetimi, mund të zhbllokojë dialogun politik dhe ti hapë rrugë adresimit të sfidave të rëndësishme që ka vendi përmes reformash që, sot për sot, nuk kanë asnjë shans të kryhen”, theksoi Rama. Kjo, vijoi ai, pikërisht sepse Parlamenti i sotëm nuk ka asnjë legjitimitet për ti ndërmarrë, pa u çliruar më parë, nga barra e krimit elektoral që ka lindur vetë këtë Parlament dhe qeverinë e dalë prej tij. Njëkohësisht, Rama bëri me dije se partia e tij ndan të njëjtin mendim me Komisionin Europian kur flet për uzurpimin e institucioneve të drejtësisë nga ana e ekzekutivit. “Apo kur flet për keqadministrimin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, dhunimin e lirisë së medias përmes presioneve politike e financiare të pushtetit dhe gjobave selektive ndaj mediave kritike me qeverinë”, u shpreh Rama. Ai iu referua edhe shkatërrimit të kapaciteteve administrative përmes emërimeve politike me qëllim zhvendosjen brutale të administratës publike nga marrëdhëniet ligjore me pushtetin e radhës në marrëdhënie vasaliteti me pushtetin e familjes që sot qeveris Shqipërinë.(Shqip)</p>
w4Zt1xVNqMg

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24161. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24161
 
Top