Rama: Familja e Kryeministrit e ka futur shtetin në krizë

Rama: Familja e Kryeministrit e ka futur shtetin në krizë

Interesat dhe aferat korruptive ku është e përfshirë familja e Kryeministrit po degradojnë shtetin shqiptar. Me këtë konstatim doli dje para opinionit publik kryetari i opozitës, Edi Rama, duke u bërë rikujtesë të hollësishme të gjitha ngjarjeve të ditëve të fundit. Rama iu referua përplasjes mes dy policive për kompaninë ARMO, ngjarjes në Dibër me motrat e lidhura me zinxhirë apo projektligjit për shitjen e trojeve në bregdet. Kreu socialist vlerësoi se vendi ndodhet në një krizë të gjithanshme, politike, ekonomike e sociale, ku varfëria dhe papunësia janë rritur ndjeshëm. Sipas tij, gjithçka vjen pasi Parlamenti dhe qeveria janë rezultat i vullnetit të deformuar të zgjedhjeve të 28 qershorit. PS-së, sipas tij i shtohen arsye të tjera mjaft të forta për të vijuar protestat në vend. “Është kjo arsyeja që shumica e shqiptarëve që më 28 qershor nuk e votuan dhe nuk investuan për riciklimin e këtij pushteti dhe sot janë të bindur se kjo situatë duhet të ndryshojë”, tha Rama. Kjo situatë, vijoi ai, mund të ndryshojë duke vazhduar beteja për zbardhjen e gjithë maskaradës së 28 qershorit për çmontimin e mekanizmit që riciklon një pushtet të kësaj natyre dhe i jep mundësi këtij lloj pushteti që të sundojë dhe jo të qeverisë dhe për të krijuar kushtet që në Shqipëri të kemi një ndryshim real, të vërtetë dhe rrënjësor.</p>


Kreu socialist iu rikthye sërish çështjes së dy ministrave, Fatmir Mediu e Lulzim Basha, të cilët, sipas tij, janë fajtorë e duhet ti dorëzohen drejtësisë ndërsa i konsideroi simbole të krizës morale. “Shqipëria përballet sot me krizën më të thellë morale të qeverisjes, rastet e Fatmir Mediut dhe Lulëzim Bashës, janë simbole të së keqes që ka mbërthyer qeverinë, shtetin ligjor të kthyer në vegël të pushtetit të paligjshëm. Tragjedia e Gërdecit vazhdon të hapë plagë për viktima, ndërkohë që përgjegjësit për shpërthimin vrastar strehohen në qeveri dhe mbrohen nga qeveria”, insistoi Rama. Lideri i opozitës nënvizoi se tuneli i Kalimashit u mbyll për të ashtuquajtura riparime që kapërcejnë shumën e 100 milionëve, ndërkohë që përgjegjësit janë gjithashtu të strehuar në qeveri. Rama përmendi edhe krizën institucionale duke përfshirë këtu përplasjen mes Policisë Tatimore dhe asaj të Shtetit për interesat e pushtetit të familjes. Sipas tij, përplasja mes dy policive është një akt i pashembullt turpi për një vend dhe për një shtet, aq më tepër është edhe absurd për një vend si Shqipëria që po troket për të marrë statusin e kandidatit për në BE. “Gjatë dy ditëve të fundit, konflikti në Orikum mes policisë së shtetit dhe palëve të ndryshme të pronarëve, tregon se problemet e pronësisë jo vetëm nuk kanë gjasë të zgjidhen, por në fakt janë kthyer në pengje të një politike qeveritare që synon kthimin e Sali Berishës e të fëmijëve të tij në pronarë të mëdhenj”, vijoi Rama. Më tej ai renditi një sërë skandalesh, çka sipas tij, tregojnë për krizën ku është zhytur vendi nga varfëria dhe papunësia. Referuar rastit të Dibrës dhe Fierit ku janë denoncuar skandale se si të sëmurë mendorë janë lidhur me zinxhirë nga familjarët e tyre, pasi nuk kishin mundësi të kujdeseshin për ta, kreu i PS-së vuri në dukje se pamjet tregojnë shkallën e patolerueshme të rrënimit moral e social ku bien përditë shqiptarët, familje e komunitete të pafajshme e të pambrojtura. “Në radhë të parë tregojnë dështimin e plotë të strukturave të një shteti që në fakt i shërben vetëm pushtetit, dhe që ekziston përditë e më shuam vetëm për pushtetin, Pushtetin e një Familjeje”, përfundoi Rama.(Shqip)</p>
Ly9xhCSsctw

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25118. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25118
 
Top