Qeveria paqe me kryeprokuroren

Qeveria paqe me kryeprokuroren

Ilir Meta zgjedh të shndërrohet në një urë lidhëse midis Kryeministrit Sali Berisha dhe kryeprokurores Ina Rama. Duke tejkaluar momentet e vështira në marrëdhëniet midis shumicës parlamentare dhe organit qendror të akuzës, zëvendëskryeministri zhvilloi dje një takim kokë më kokë me Ina Ramën. Sinjalet e para të përmirësimit të marrëdhënieve vijnë pak ditë pasi një pjesë e qeverisë shqiptare bojkotoi Ina Ramën në një prej aktiviteteve të këtij institucioni dhe sipas deklarimit të zv/kryeministrit duket se ky lloj bashkëpunimi do të vijojë edhe më tej. Pas takimit, Meta konfirmoi se ka qenë një bisedë pune në kuadër të koordinimit me gjithë institucionet e pavarura për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe në përgjithësi për procesin e integrimit europian. Madje, numri dy i qeverisë shqiptare u deklarua i kënaqur, duke e cilësuar takim shumë të frytshëm dhe bashkëpunues. I pyetur nga mediat nëse mund të konsiderohet ky takim një ngrohje e marrëdhënieve mes ekzekutivit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, Meta e pa të rastit të fliste me terma të përgjithshëm, por duke lënë të nënkuptuar për një marrëdhënie të re me institucionin e akuzës. “Ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me prokurorinë dhe me të gjitha institucionet e tjera të pavarura, pasi shteti është një, pavarësisht nga funksionet e ndryshme. Ne të gjithë duhet të bashkërendojmë punën për të zbatuar ligjin me forcë, me qëllim forcimin e shtetit ligjor dhe arritjen e standardeve europiane”, tha zv/kryeministri. Duke folur për reformat në drejtësi e veçanërisht për një prej çështjeve më delikate të politikës shqiptare, heqjen e imunitetit për zyrtarët e mbrojtur, numri dy i qeverisë ftoi opozitën që të vijë në Kuvend dhe të miratohet ligji, ndërsa nga ana tjetër garantoi kryeprokuroren se nuk do të ketë asnjë pengesë nga mazhoranca nëse kërkohet imuniteti i ndonjë deputeti. “Për sa i përket çështjes së imuniteteve, mendoj se përgjigjja është dhënë me kohë. Sa herë që prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit për cilindo deputet do të ketë votën time dhe besoj se do të ketë votën e të gjithëve në Parlament. Dhe së dyti, për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e imuniteteve, ne ftojmë opozitën të hyjë në Parlament dhe të votojë për kufizimin e imuniteteve”, tha Meta. Prej më shumë se një viti, kryeprokurorja Ina Rama ka qenë në qendër të akuzave të mazhorancës, kreut të qeverisë, Sali Berisha, dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Edhe pse një emër i përzgjedhur dhe i miratuar nga mazhoranca për të drejtuar organin e akuzës, Ina Rama shumë shpejt u bë objekt sulmesh nga shumica qeverisëse, në legjislaturën e shkuar. Duke nisur me kërkesën për heqjen e imunitetit të ministrit Basha, më pas Mediut, hetimi i ngjarjes së Gërdecit dhe hetimi për çështjen “Fazlliç”, marrëdhëniet mes palëve u ashpërsuan mjaft. Nga ana e saj Prokurorja e Përgjithshme nuk u përgjigj me akuza të ndërsjella po procedoi me hetimet e çështjeve.(Shqip)</p>
HLHqCbzzn-U

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25587. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25587
 
Top