Qeveria, borxh katër milionë USD për policët

Qeveria, borxh katër milionë USD për policët

Qeveria nuk po tregohet edhe aq pranë policisë, pavarësisht se ka bërë një sërë premtimesh se do të realizojë detyra të vonuara të shtetit shqiptar ndaj kësaj shtrese, që dita ditës rrezikon jetën për ruajtjen e qetësisë publike. Veç premtimeve të bëra, qeveria ende nuk ka realizuar detyrat për policinë, që vetë i ka miratuar me vendime të veçanta, jo më larg se një vit më parë. Një prej këtyre vendimeve është edhe ai i vaktit të ushqimit për gjithë punonjësit e policisë, që sipas të dhënave rezulton se shkon rreth 6 mijë lekë në muaj për çdo punonjës dhe shteti shqiptar ka detyrim ligjor ndaj tyre. Madje, që prej një viti, ky vendim ka hyrë në fuqi me gjithë urdhrat e nevojshëm, por deri sot nuk është bërë asgjë. Qeveria nxjerr pretendime se nuk ka para për këtë problem, pavarësisht se e ka miratuar vetë vendimin, pasi, sipas shifrave, i detyrohet policisë shqiptare ti japë rreth 400 milionë lekë (të reja) në vit vetëm për vaktin e ushqimit.
Vendimi i qeverisë
Këto nuk janë shifra të nxjerra rastësisht, por të bazuara në vendimet e mëparshme. Sipas të dhënave zyrtare, me vendimin nr. 494, datë 01.08.2007, Këshilli i Ministrave ka miratuar “Normat e trajtimit me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në shkollat e policisë dhe të shtetasve të ndaluar, deri në sqarimin e pozitës së tyre. Pikërisht në pikën 1 të këtij vendimi deklarohet se punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët në shkollat e policisë brenda vendit dhe kursantët që trajtohen në institucione të tjera policore të trajtohen me ushqim pa pagesë. Ndërsa në pikën 4 të të njëjtit vendim deklarohet se punonjësit e policisë që përfitojnë të drejtën e trajtimit me ushqim për një vakt “drekë”, në strukturat që nuk kanë infrastrukturën e duhur për ushqim të gatuar, të kompensohen për ditët efektive të punës në vlerë (lek), sipas vlerës së racionit bazë ushqimor për vaktin “drekë”, të miratuar nga ministri i Brendshëm.
Urdhrat e ministrave
Pavarësisht se ky vendim u miratua pikërisht dy muaj pas ligjit të ri të Policisë së Shtetit, ku shpresa ishte për ndryshimin e policisë dhe që nuk do kishte pengesa më për mbarëvajtjen e punës, urdhri për zbatimin e tij u miratua rreth një vit më vonë. Pikërisht në vitin 2008, ministri i Brendshëm, që në atë kohë ishte Bujar Nishani, urdhëroi të zbatohej vendimi i qeverisë. Urdhri në fjalë mban nr. 432 dhe ka dalë më datë 10 mars të vitit 2008. Në urdhër detajohen të gjitha trajtimet e policisë me ushqim. Veç këtij urdhri, një tjetër ishte edhe ai mes dy ministrave, të cilët nxorën tabelat ekuivalente për trajtimin me ushqim. Urdhri ishte firmosur mes ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dhe ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, ku ngarkohej Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për zbatimin e tij.
Dëmi i shkaktuar
Madje, sipas përllogaritjeve, vlera e racionit bazë shkon 250-300 lekë sipas tabelës ekuivalente të dalë në urdhrin mes dy ministrave. Por, në urdhër detajohen edhe punonjësit e policisë, të cilët trajtohen me tri vakte. Megjithatë, sipas të dhënave, ky grup personash ka përfituar edhe për shkak të llojit të shërbimit që kryejnë. Megjithatë, nga përllogaritjet rezulton se nuk kanë përfituar të gjithë punonjësit e policisë që nuk trajtohen njësoj si ata me tri vakte ushqimi. Por, numri i tyre arrin në rreth 5 mijë veta. Të gjitha këta punonjës përfitojnë 22 vakte në muaj, sipas ditëve zyrtare të punës. Por, 22 vakte me nga 300 lekë, arrijnë një vlerë prej 6600 lekë për person. Ndërsa për pesëmijë punonjës policie, vlera totale në një muaj arrin 33 milionë lekë, ndërsa për një vit rreth 400 milionë lekë. E pikërisht kjo është vlera që qeveria shqiptare i ka borxh punonjësve të policisë për një vit, pikërisht që nga koha që vendimi në fjalë ka hyrë në fuqi me gjithë aktet dhe urdhrat e nevojshme. Kjo vlerë u është mohuar punonjësve të policisë nga viti 2008 deri në vitin 2009, duke u “vjedhur” atë që u takon. Ende nuk dihet nëse kjo vlerë do kompensohet ndonjëherë nga qeveria shqiptare për punonjësit e policisë, të cilëve u ka bërë premtime të shumta, por që nuk po u jepet asgjë, megjithëse është e sigurt se nga dita në ditë ky “mashtrim” rrit vlerën dhe dëmin ekonomik.(Shqip)</p>
fxBf-Y8qdDk

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26033. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26033
 
Top