Qeveria “Rama”

receli

Primus registratum
Qeveria “Rama”

--


Qeveria “Rama”


05/09/2009 - 12:50



• Blendi Kajsiu

Qeveria normalisht emërtohet sipas kryetarit, sepse ai ose ajo është trupëzimi i vizionit politik, shtylla që i siguron asaj mbështetjen politike. Por vështirë ta quash qeverinë aktuale Berisha-Meta (ndonëse me siguri kështu do fillojnë ta thërrasin). Së pari, sepse binomi Berisha-Meta janë jo vetëm burim i mbështetjes politike të qeverisë, por potencialisht edhe burim i rrënimit të saj. Së dyti, me binomin Berisha-Meta jo vetëm që nuk kemi trupëzimin e një fabule politike, por kemi dy fabula që janë ndërtuar në kundërshtim me njëra-tjetrën. Meta e ka quajtur qeverinë e Berishës "Qeveria e Gërdecit", ndërsa Berisha e quante dikur qeverinë Meta "Punishte e Korrupsionit". Të dy këto fabula bashkë sot prodhojnë "Punishten e Korrupsionit të Gërdecit". Prandaj më shumë sesa një fabul, binomi Meta-Berisha është një siklet i madh politik. Ky siklet ishte i dukshëm edhe në konferencën për shtyp të Berishës dhe Metës. Atë nuk e fshihte dot as fytyra e prishur e Berishës dhe as qëndrimi i akullt i Metës. I vetmi rehat që gjenin të dy ishte te sulmi i përbashkët që ndërmorën kundër Edi Ramës. Dhe kjo nuk ishte diçka e rastësishme. Edi Rama është i vetmi burim real legjitimiteti i kësaj qeverie, pasi çdo përpjekje e tij për të mbetur në krye të PS-së legjitimon koalicionin Berisha-Meta. Prandaj më shumë se gjithçka qeveria që kemi sot duhet quajtur Qeveria "Rama".
Që Rama të mbetet kryetar, PS-së i duhet që të vazhdojë dhe thellojë sot të njëjtat gabime që bëri dje. Përndryshe nëse Rama pranon sot gabimet që bëri dje, nuk ka përse të rrijë në krye të PS-së. Kështu që sot PS-ja me në krye Ramën duhet të vazhdojë ta akuzojë Metën për tradhti si dhe dje kur LSI-ja i lutej PS-së për koalicion dhe bashkëpunim teksa PS-ja prishte Kushtetutën dhe Kodin Elektoral me Berishën. Sot PS-ja bërtet se iu vodhën zgjedhjet, edhe pse të gjithë komisionerët e saj firmosën, ndërkohë që LSI-së nuk i la asnjë komisioner në mënyrë që t'ia vidhte votat si dhe shumë partive të tjera të vogla. Sot PS-ja thotë se do fitonte edhe vetëm sikur LSI-ja mos ta tradhtonte. Sot PS-ja flet sikur e djeshmja nuk ka ndodhur, jemi prapë në vitin zero. Ky rifillim i vazhdueshëm nuk është veçse qëndrim në vend. Një insistim për t'u kthyer në piknisje në vend të vazhdimit përpara. Ndaj PS-në sot e ka arritur e kaluara e saj, duke e kthyer Gramoz Ruçin dhe Namik Doklen në mbështetësit kryesorë të politikës së re. Në këto kushte kuptohet që LSI-ja nuk ka asnjë arsye të bashkëpunojë me PS-në, dhe për pasojë koalicioni PD-LSI mbetet solid.
Duke vazhduar të bëjë sot të njëjtat gabime si dje Rama, jo vetëm shtyn Metën drejt Berishës, por legjitimon edhe koalicionin e shëmtuar Berisha-Meta. Ashtu si dje edhe sot parulla e Ramës mbetet "hiqjani të gjithë pushtetin Berishës, Metës dhe Nanos dhe ma jepni të gjithin mua". Por kjo është pikërisht ajo që elektorati refuzoi të bënte. Në zgjedhjet e 28 qershorit, që Rama nuk do t'i lexojë, elektorati shumë qartë tha: të gjithë pushtetin nuk do t'ia japim askujt; midis përqendrimit të pushtetit në një palë duar dhe shpërndarjes së tij në dy apo më shumë palë, preferojmë këtë të fundit. Këtë Berisha e kuptoi mjaft qartë dhe nxitoi të ftonte Metën në qeverisje, duke deklaruar se populli votoi për koalicion. Përballë një Berishe në pushtet që thotë se nuk i fitoi i vetëm zgjedhjet, edhe pse doli forcë e parë, një Ramë në opozitë që thotë se ka fituar tek pullë duket qesharak. Në këtë situatë qeverisja Meta-Berisha është e përballueshme dhe madje e detyrueshme në tërë shëmtinë e saj. Sado e shëmtuar të jetë qeverisja e përbashkët e tyre, ajo është shumë më e bukur se qeverisja e secilit veç e veç, qoftë ky Berisha, Rama apo Meta. Prandaj koalicioni Berisha-Meta legjitimohet për sa kohë përballet me një opozitë të udhëhequr nga Rama që kërkon të qeverisë i vetëm në ekzekutiv, sikurse tashmë qeveris në PS.
Së fundi, qëndrimi i Ramës në krye të PS-së neutralizon çdo iniciativë politike që është parimore dhe e moralshme sapo tenton të krijojë aleancë me të. I tillë ishte rasti i qëndrimit të Pëllumb Xhufit me shokë. Ky ishte vërtet një qëndrim për t'u përshëndetur, që thoshte se nëse LSI-ja është e shqetësuar për stabilitetin e vendit ajo mjafton t'i japë votat PD-së, por pa u përlyer në qeverinë e Gërdecit. Në këtë mënyrë edhe Meta do të tregonte se realisht ishte i interesuar për stabilitet dhe jo për pushtet. Ama në momentin që lëvizja e Xhufit me shokë përdoret nga Rama për të denoncuar LSI-në, ajo delegjitimohet ndjeshëm. Sepse që LSI-ja të rrijë në opozitë sot dhe nesër të provokojë zgjedhje të reja në një koalicion fitues me PS-në do duhej që më parë PS-ja të pranonte sjelljen e gabuar me LSI-në dje. Por nëse PS-ja pranonte gabimin e saj me LSI-në, atëherë Edi Rama do duhej të tërhiqej automatikisht nga kreu i PS-së. Prandaj mbështetja që Rama i jep qëndrimeve parimore kundër marrëveshjes së LSI me PD, veçse i delegjitimon ato. Ky është edhe shërbimi themelor që Rama i ofron koalicionit aktual. Duke e mbështetur ai neutralizon politikisht çdo aksion që i kundërvihet atij në baza parimore, pasi vetë mbështetja që Rama ofron bëhet nga një pozicion ku mungon parimi dhe morali politik. Ndërsa nga ana konjukturale koalicionin Berisha-Meta nuk e rrezikon asgjë, ai në vetvete është i organizuar rreth një konjukture dhe jo rreth një parimi.
Andaj për sa kohë opozitës socialiste i mungon një qasje parimore, koalicioni Berisha-Meta mbetet i sigurt. Nëse një ditë në krye të opozitës do vijë dikush që nuk e ka problem t'i zgjasë dorën LSI-së, që korrupsionin e Berishës e denoncon pa qenë vetë i përfshirë në rrjete korruptive interesash, që nuk ka frikë ta rrëzojë qeverinë kur ajo vret qytetarët e saj në afera korruptive, atëherë koalicionit aktual shumë shpejt do t'i vijë fundi. Dhe kjo nuk është çështje emrash apo aftësish personale, çdokush brenda PS-së mund ta luajë këtë rol sot më mirë sesa Rama, përfshi edhe Maqo Lakrorin. Jo sepse Rama është një individ i paaftë apo pa karizëm, nuk është çështje aftësisht individuale. Por sepse duke qëndruar në krye të PS-së, Rama është në qendër të një deformimi që fillon tek ai dhe shtrihet në të gjithë skenën tonë politike. Fakti që legjitimiteti i koalicionit qeverisës sot e ka burimin kryesor tek lideri i opozitës është tregues i qartë i përmasave të këtij deformimi. Prandaj edhe pse sipas të gjitha gjasave qeveria aktuale do quhet Berisha-Meta, ajo realisht është Qeveria "Rama".

panorama
 

receli

Primus registratum
Re: Qeveria “Rama”

megjithate dokle eshte me i ri ne mendje se ed rama.

kur te ve ps kryetar do te thote se je kercu fare. dmth, enverist 24 karatsh.
ashtu eshte edi.
namiku eshte diku tek 18 karatsh si enverist. milo 22 karatsh. erioni 19 karatsh. ruci 23 e keshtu me radhe.
 
Top