Re: Pushteti politik lind nga gryka e pushkes-Mao Xedung 6 nentor 1938
Berisha shpall “PD-në e re”
“Tani do funksionojë formula ‘një anëtar një votë”
Juli Prifti e gazetes "Panorama"
Demokratët do të ndryshojnë programin dhe statutin e tyre, në funksion të fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Për të realizuar këtë fitore, fillimisht, duket se atyre do t’u duhet të fitojnë sfidën e shpallur dje nga kreu Berisha, për hapjen e partisë ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe për të riformatuar funksionimin e partisë me parimin “një njeri, një votë”. Berisha ka mbledhur dje Këshillin Kombëtar të PD-së, në axhendën e të cilit kanë qenë çështjet teknike të zhvillimit të fushatës së zgjedhjeve në Shqipëri. Por, duket se këtë mbledhje ai e ka kthyer në një tribunë për të shpallur kriteret e reja të zgjedhjeve në parti, si dhe hapjen e PD-së ndaj njerëzve të rinj, jo për të ricikluar, siç u shpreh ai, por për ta ripërtërirë PD-në. “Të luftosh dhe të mendosh për mazhorancën e re do të thotë, para së gjithash që në këtë proces të hapësh dyert për të gjitha vlerat e komunitetit ku jetojmë. Askush nuk mund ta përgatisë mazhorancën e re duke menduar për karrigen e tij”, ka thënë Berisha para anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Ai u ka bërë thirrje atyre të jenë tërësisht të hapur ndaj shoqërisë civile dhe ndaj botës akademike. “Ju rikujtojmë se vetëm kjo masë u bë një faktor përcaktues në zgjedhjet e fundit në fitoren e tërë qyteteve të mëdha të vendit”, ka deklaruar Berisha. “Të hapemi ndaj aleatëve tanë më të mirë. Në udhëzimet që ju merrni, flitet për të shmangur mbylljen e seksioneve. Ne autorizojmë anëtarësimin direkt në degë, sepse nuk mund të mohohet frenimi që u bëhet qytetarëve në disa seksionet tona”, ka aluduar Berisha për atë që shpesh është cilësuar si “hermetizim” i PD-së.
Një njeri, një votë
“Ne kemi nevojë të shtojmë vlerat, ne nuk përballojmë dot në asnjë rrethanë sfidat e ardhshme nëqoftëse rrimë duke qarkulluar njëri-tjetrin dhe jo duke nxjerrë në krye, jo duke vendosur në drejtim elementin më të vlefshëm, më të aftë, më kompetentë”. Kështu e ka nisur Berisha shpalljen e kritereve të reja që do të përballojnë edhe vetë anëtarët e Këshillit Kombëtar në mbledhjen e afërt të Kuvendit demokrat. “Si parti, në këtë periudhë po përgatime për hapin vendimtar dhe ky hap do të jetë një njeri një votë, do të jetë bilanci i këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Berisha. Sipas tij, kjo do ta shkëpusë PD-në nga praktika e deritanishme e delegimit dhe do ta çojë atë drejt zgjedhjes të bazuar në principin një njeri një votë, gjë që e bën partinë më demokratike. Berisha ka kërkuar seriozitet më të madh në këto zgjedhje, evidencë serioze të anëtarësisë. Sipas tij, janë përpunuar disa kritere dhe janë në proces diskutimet me institucionet ndërkombëtare të karakterit partiak. “Pa diskutim që të zgjedhurit duhet të jenë bashkëkohës”, ka qenë një nga kriteret. “Gara është e hapur për të gjithë. Secili do mbledhë pikët e veta dhe do përpiqet të gjejë pozicionin e tij në këtë garë të madhe, e cila duhet të ketë si moto ripërtëritjen tonë”, ka përfunduar Berisha.
Ekspertë dhe akademikë për programin e ri
Prej dy muajsh PD-ja po përgatit programin e ri me të cilin do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas kreut demokrat, Berisha, në këtë proces janë angazhuar personalitetet më të shquara të shoqërisë civile dhe të botës akademike. “Është e para herë që në programin tonë aktivizohet një numër shumë i madh ekspertësh të të gjitha fushave dhe jo vetëm në hartimin e tij por edhe në oponencën e tij”, ka vënë në dukje kreu demokrat. Programi është po i qendrës së djathtë dhe pret që drejtimi politik i PD-së t’i japë viston përfundimtare. Por, sipas Berishës, ky nuk është vetëm programi elektoral. “Ky është plani i veprimit të mazhorancës së ardhshme që synon t’u japë përgjigje problemeve më madhore me të cilat përballet vendi, korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndarjes së politikës me biznesin, shërbimeve, arsimit, shëndetësisë, lirisë së tregut, e, mbi të gjitha, zbatimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit ligjor. Shqipëria sot ka një nga indekset më të zeza të zbatimit të ligjit”, ka shpjeguar vijat e përgjithshme të programit shefi i opozitës, Sali Berisha. Ai ka analizuar edhe situatën aktuale në vend, duke u ndalur në atë që e quajti rrokullisje e madhe që po e ndan Shqipërinë çdo ditë e më shumë nga Evropa dhe Perëndimi. Sipas Berishës, në program sanksionohen garantimi i plotë i të drejtave të qytetarëve dhe minoriteteve, i luftës pa kompromis ndaj të gjitha formave të trafiqeve, i garantimit të plotë të lirisë së mendimit dhe mediave.