Pushimet e Koço Devoles

alinos

Forumium maestatis
Pushimet e Koço Devoles

Bota Shqiptare", nr 92


Ka disa vende,- shkruan në një ese të tijën Emile Zola ,-ku je i dënuar të fantazosh: grupi i montazhit në fabrikë, zyra e nëpunësit burokrat, salla e pritjes, burgu.Te ky i fundit, burgu, humoristi shqiptar Koço Devole ka patur plot tetë muaj kohë të qëndrojë e të fantazojë, brenda asaj që Zola e quan vendi ku mungon pasioni shpirtëror dhe ushtrimi i muskujve për tia lënë vendit ushtrimit të mendjes.Siç e kishte premtuar gjatë intervistës së tij të gushtit në Bota Shqiptarehumoristi shqiptar, Koço Devole, e mban fjalën para lexuesit duke dërguar ekskluzivisht për gazetën tonë dy skica humoristike të shoqëruara me karikaturat përkatëse ilustruese. Këtu botojmë skicën e parë, një perlë e vogël autoironie që ka të bëjë drejtpërdrejt me përvojën e tij. Eshtë hera e parë që pas arrestimit të tij në Rimini, muajve të burgut dhe pritjes në arrest shtëpie të përfundimit të gjyqit i cili e sheh të akuzuar për transport lëndësh narkotike, që Koço Devole shkruan për shtypin shqiptar . Bota Shqiptaree falenderon që zgjodhi gazetën e shqiptarëve në Itali.


8 muaj me pushime në "plazhin" e Riminit
Koço Devole

Treni ishte gati për nisje. Isha ulur pranë dritares dhe po shikoja jashtë. S'kisha as dy orë që kisha dalë nga burgu. Tani isha i lirë. "Jam i lirë, i lirë", bërtisja brenda vetes. "I lirë është ky vendi?" dëgjova një zë aty pranë. Ktheva kokën. Para meje një djalë rreth të njëzetepesave.
- Koço Devole! - tha ai.
- Po, - thashë unë.
Djaloshi më zgjati dorën dhe m'u hodh në qafë.
- Uë, uë! Koçoja që kam në kasetë. Kaq vite në Shqipëri nuk të takova njëherë, e ja të takoj këtu në Itali. Uë, uë!
Djaloshi u ul përballë meje. I qeshnin sytë.
- Si të quajnë?
- Jani. Jani Angjeli, po këtu më thërrasin Xhani, Xhani Anjeli, - tha ai gjithnjë duke qeshur.
- Punon në ndonjë fabrikë të "Fiatit" - e pyeta unë.
- Jo bre, çne. Jam bari, bari i përgjithshëm.
- Si i përgjithshëm?
- Në Shqipëri kam qënë me dhi, në Greqi me lopë, ndërsa këtu me dhën, - tha Xhani dhe m'u afrua sikur donte të më thonte ndonjë sekret.
- Urdhëro, - i thashë unë.
- Do një copë djathë delesh? Më qafsh mos ma kthe. Është djathë i mirë, për kokë të nënës.
- Kur të zbresim, - i thashë.
- Dakord, - tha ai dhe qeshi përsëri. - Uë uë, Koço Devole para meje, o t'ëmën e s'ëmës! Nga Shqipëria po vjen?
- Jo isha këtu në Rimini.
- Në plazh?
E mora vesh që ai nuk dinte gjë se ç'më kish ndodhur mua. Po t'ia thoshja do t'ia prishja atë ngazëllim që dukej në sytë e tij: Po ia them rrotull e rrotull, - thashë me vete.
- Në plazh isha në plazh, por ishte një plazh disi i veçantë, o Xhani.
- Po doemos, - tha ai, - plazh për artistë. Po ti nuk qenke nxirë fare!
- E po, - u përtypa unë, - në atë plazh të nxihej jeta e të zbardhej lëkura, bile mund të të zbardheshin edhe flokët.
Xhani u tërhoq pas ndenjëses, kruajti kokën dhe u mendua një çast. Unë i vura dorën tek gjuri dhe i thashë:
- Kam qenë në një plazh të rrethuar me hekura, Xhani, e kupton? Me hekura!
- Të gjitha plazhet të rrethuara me hekura janë, - vazhdoi Xhani - natën të vjedhin çadrat dhe karriget.
- Ne s'kishim as çadra as karrige.
- Ç'thua! Po ku rrinit ju, në rërë?
- E keqja ishte o Xhani se nuk kishte as rërë. Ishte beton, gjithandej beton, e kupton tani?
Xhani u tërhoq përsëri pas ndenjëses dhe buzëqeshja i iku nga sytë. E mori vesh më në fund, - thashë me vete.
- Dëgjo, xhaxhi Koço, - tha ai pas pak, - unë i shkreti po të flas me sinqeritet, kurse ti po tallesh.
- Të betohem, nuk po tallem.
- Për nder, u bëra kaq, - tha i shkreti Xhan, - dhe plazh pa rërë është hera e parë që e dëgjoj, për kokë të nënës.
- Po polici që të rrinte të koka, - zbraza fishekun e fundit unë, që ai ta merrte vesh që kisha qenë në burg.
- Polici, - vazhdoi Xhani t'i binte fyellit të tij, - polici duhet në plazh për të mbajtur rregullin dhe qetësinë.
- Duhet o Xhani, duhet, por policët na ruanin neve, na ruanin të mos iknim.
- Ku të iknit?
- Në shtëpi!
- Pse nuk iknit?
- Po s'të linin pra, se më plase shpirtin. Të thashë që plazhi ishte i rrethuar me hekura, me mur të lartë, nga të iknim, nga të dilnim?!
- Nga porta ore, se më plase edhe ti. Nuk kishte portë plazhi?! Pse ore, duhet patjetër të iknit nga hekurat, kur dilnit rehat nga porta. A shkuat për qejf në plazh? - pyeti Xhani - Shkuat! Mund të hysh e të dalësh kur të kesh qejf. S'të pëlqen, ikën!
- Dëgjo Xhani, në atë plazh që po të flas unë, asnjë nuk shkon me dëshirë, të çojnë të tjerët.
- Kush të çon? - pyeti Xhani.
- Policia. Të kap e të fut brënda në plazh. E more vesh tani?
- Si nuk e marr vesh, - ngriti dorën me nervozizëm Xhani. - Të gjithë njerëzit e njohur, të gjithë ata që janë personalitete, policia i shoqëron kudo që shkojnë, në hotel, në plazh... Ja ty, a të shoqëroi policia?
- Po - i thashë dhe ia plasa të qeshurit. - E di ç'ke Xhani, a nuk më jep një copë djathë ta hamë këtu në tren.
- Në vënd ore, në vënd! - tha Xhani dhe uli çantën. Nxori një qese, e hapi dhe preu një copë djathë.
- Urdhëro o artist, është djathë Sardenje, është me nam në gjithë Italinë, - tha Xhani dhe kafshoi copën e tij.
- Ja për të mira e në gëzime, - ngrita copën e djathit unë si të qe gotë vere.
- Të bëftë mirë! Po sa kohë ndejte në plazh? - pyeti Xhani duke kafshuar për herë të dytë copën e djathit.
- Tetë muaj - u përgjigja unë me gojën plot.
Xhani lëshoi një fishkëllimë të gjatë dhe ca copëza djathi nga goja.
- Tetë muaj plazh, ç'thua ore?
- Ka të tjerë që bëjnë edhe nga pesë apo dhjetë vjet, bile ka nga ata që janë dënuar edhe me plazh të përjetshëm.
- Ore të bësh plazh të përjetshëm ku ma gjen, - vazhdonte të mbllaçitej ai, - por duhet të kesh një hale me djathë, desha të them me para!
- Ore Xhani, në atë plazh nuk paguan kokërr leku, të gjitha shpenzimet janë të shtetit. Është plazh i veçantë, i rrethuar me hekura dhe mur gjashtë metra, nuk e merr vesh se për çfarë plazhi e kam fjalën?
Xhani i ra ballit.
- Uë uë uë! Tani e mora vesh. Është plazhi ku shkojnë bosët, ministrat, kryeministrat dhe presidentët! Ata bëjnë plazh sa të duan se kanë para. Këto plazhe janë a s'janë dy copë në tërë Italinë.
- Po ç'Itali, o Xhani, nga këto plazhe ka edhe në Shqipëri. Nuk ke dëgjuar ti për plazhin e Burrelit, të Spaçit, të Bënçës.
- Burrelin dhe Spaçin sikur m'i ka zënë veshi, - tha Xani, - po ai i Bënçës nga bie?
- I Bënçës është më i miri. - thashë unë - Atje ka bërë plazh Fatos Nanoja disa vjet.
- Ashtu, ë? Po ky plazhi ku ishe ti, ku the që është?
- Në Rimini, po ka edhe në Bari, në Milano, në Romë.
- Ç'thua mo, ku ka det Milanoja?!
- Po të thashë, o Xhani, që këto plazhe nuk kanë as det e as rërë.
- E ç'plazhe janë këto, - shtrëmbëroi buzët Xhani, - pa rërë, pa det, pa çadra, të rrethuar me mur, me beton e me hekura. Kështu janë burgjet, jo plazhet!
- E po shyqyr, o Xhani, më në fund! - i hodha dorën në sup unë. - Disa i thonë kamp pushimi, disa i thonë universitet, unë i them plazh, ndërsa shumica i thotë burg, si puna jote. Kupton?
Treni ndaloi në stacion. Xhani u ngrit në këmbë i hutuar, mori çantat dhe më zgjati dorën.
- Unë këtu do zbres. Do shkoj tek një kushëriri im t'i çoj ca djathë. Gëzohem shumë që të takova. Mbase takohemi ndonjëherë tjetër, mbase vjen në Sardenjë, ku jam unë. Do bëjmë qejf, do bëjmë gallatë, për kokë të nënës.
U përqafuam dhe Xhani zbriti duke tundur dorën vazhdimisht. E ndoqa me sy tek ecte në platformën e stacionit. Befas ai ndaloi, u kthye me vërtik dhe vrapoi drejt dritares sime.
- Po unë harrova të të jap djathin ore, - bërtiti me sa kish në kokë.
- Kur të vij në Sardenjë, Xhani.
- Vërtet?!
- Ka plazh Sardenja? - ngrita zërin unë ndërsa treni po nisej.
- Si ore s'ka! Ka sa të duash, po janë të thjeshtë, janë plazhe popullore me rërë dhe me det. Nga ato që the ti nuk di të ketë në Sardenjë.
- Pyet se duhet të ketë edhe në Sardenjë.
- Mbase, mund të ketë. - ngriti supet Xhani - Po unë nuk kam aq para sa të të çoj atje, për kokë të nënës, pse të gënjej.
Unë qesha dhe e përshëndeta me dorë nga dritarja e trenit që largohej vazhdimisht nga Xhani. Befas ai ia dha vrapit, përsëri duke nxjerrë copën e djathit nga çanta, por treni tashmë e shtoi shpejtësinë dhe Xhani mbeti pas, atje në platformën e stacionit me copën e djathit që e mbante lart në duar.


Botuar në "Bota Shqiptare"
Gazeta e shqiptarëve në Itali
 

elips

Primus registratum
Re: Pushimet e Koço Devoles

dakort, e bukur ishte, por ... a s'ju duket si jashte teme?! tani te letersia te vendosen "anektoda" te Devoles, ... si pa mend!!!
Ndoshta e kam gabim!!!
Disave u jane censuruar "gjera" teper me letrare se ky "plazhi" i Kocos, te letersia. Gjithesesi, s'po ngaterohemi me burokracine, te me falni se u ngaterrova, me punet e administrates.
 

Diddy19

Su@mi
Re: Pushimet e Koço Devoles

Ah, shpirti i artistit ashtu ngelet jo vetem pas 8 muajsh po edhe pas 8 vitesh;edhe pas gjithe atyre vuajtjeve i bie nder mend shkruaje e te beje prape humor /pf/images/graemlins/frown.gif :shrug:
 
Top