PS, protestë maratonë më 20 nëntor

PS, protestë maratonë më 20 nëntor

Pritet të ngrihen edhe çadra për protestuesit. Rama: Rehn u keqinterpretua</p>


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, këmbëngul të vijojë me protestat dhe bojkotin pavarësisht mesazhit të ndërkombëtarëve që opozita të kthehet në Kuvend. Një ditë pasi komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi se e majta duhet të kthehet në Kuvend dhe se palët duhet të gjejnë konsensusin mes tyre, kryetari i PS-së, i pyetur nga mediat për këtë deklaratë tha ajo çka tha komisioneri Rehn është keqinterpretuar. “Jam i keqardhur që deklarata të tilla që janë të qarta dhe të lexueshme, transformohen dhe reformohen nga vet pushtetarët. Në këndvështrimin tim, apeli i Rehn është fare i qartë dhe tregon se kjo shumicë nuk duhet të vazhdojë në rrugën e lënies së përgjegjësisë në supet e opozitës. Opozita e ka marrë përgjegjësinë e vet”, deklaroi Rama. Ai nënvizoi se bojkoti nuk është një shprehje e normalitetit demokratik, madje është reagimi ndaj mungesës së normalitetit demokratik. “Ne jemi gati të hyjmë në Parlament që nesër nëse plotësohen kërkesat tona”, shtoi kreu i PS. Sakaq, selia rozë po vijon me përgatitjen e protestës së 20 nëntorit për të cilën jo vetëm kryetari i PS-së, Rama, por edhe shumë eksponentë të tjerë kanë premtuar se do të jetë ndryshe nga të tjerat. Pasditen e 20 nëntorit mbështetësit e partive organizatore të kësaj proteste nën kryesimin e Partisë Socialiste do të protestojnë në sheshin “Skënderbej” dhe para Kryeministrisë. Por burime nga selia rozë, thonë se tej mesazheve, pankartave e fjalimeve të kësaj proteste, elementi i kohëzgjatjes së protestës do të jetë i veçantë. Mendohet që të protestohet edhe 24 orë. Për këtë selia rozë ka nisur përgatitjet e para duke porositur çadrat ku do të rrinë protestuesit gjatë natës midis datës 20 dhe 21 nëntorit. Socialistët synojnë që të vendosin çadra në vendet ku do të protestojnë, megjithëse misioni duket se do të jetë i vështirë për shkak të kohës së gjatë të protestës. Organizatorët po tregohen mjaft të kujdesshëm për të mos bërë të ditura detajet, kjo edhe sepse nuk ka vendime përfundimtare dhe gjithçka ndryshon në bazë të mundësive të organizimit.</p>


Ndërkohë, deputetët e Qarkut të Tiranës, por edhe të rretheve janë porositur që të mbledhin një numër të madh mbështetësish. Nga pjesëmarrja e njerëzve, do të varet edhe mënyra e organizimit të protestës më tej apo edhe sjellja e liderëve të opozitës në gjuhën e tyre karshi qeverisë dhe Kryeministrit Sali Berisha. Protesta do të vijojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për tu ndalur te Kryeministria, ku mendohet të shpërndahet turma jo vetëm para, por edhe rreth e rrotull selisë së Kryeministrisë. Sot socialistët dhe pjesa tjetër e partive që marrin pjesë në protesta do të ndalen në Vlorë, më pas mendohet në Fier ndërsa java tjetër do të përmbyllë protestat në qarqet e mbetura si Gjirokastra, Lezha apo Dibra etj. Në deklarimet e deritanishme të dy aktorëve kryesorë të këtyre mitingjeve, kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, është premtuar se më 20 nëntor do të protestohet ndryshe dhe se do të shembet muri i pushtetit të Sali Berishës. “Europa festoi 20-vjetorin e shembjes së murit, më 20 nëntor ne do të shembim murin që për dy dekada i pengon shqiptarët të votojnë lirisht. Më 20 nëntor në Tiranë për të shembur murin e politikës së vjetër, të premtimeve të pambajtura. Në Tiranë për të shembur murin që na pengon për të pasur lirinë përmes hapjes së kutive të votimit. Më 20 nëntor për të shembur murin e pushtetit të Sali Berishës, së bashku me të gjithë ata që duan punë, dinjitet dhe shpresë”, është shprehur Rama në protestën e fundit në qytetin e Korçës. (SHQIP)</p>
Fbh8-EmHmBg

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26542. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26542
 
Top