PS: Interpretimi juridik i vendimit të Gjykatës së Lartë: U shkel neni 142

Albforumi

Primus registratum
PS: Interpretimi juridik i vendimit të Gjykatës së Lartë: U shkel neni 142

TIRANË – “Gjykata e Lartë me vendimin e fundit, të pushimit të procesit gjyqësor ndaj Fatmir Mediut, i pandehur për dosjen “Gërdeci” ka treguar se është besnike e sjelljes politike”. Kështu është shprehur sot, gjatë një interviste televizive juristi i PS-së, Ylli Manjani, i cili e ka quajtur të paprecedentë vendimin e djeshëm.
“Kemi gjykatë tërësisht politike. Pushteti juridik në Shqipëri është në ditën e vet më të keqe. Brenda këtij viti janë dy çështje që Gjykata e Lartë në mënyrë haptazi antikushtetuese ka refuzuar të gjykojë”- tha ai.
Sipas Manjanit, Kushtetuta dhe neni 142 e detyron Gjykatën e Lartë të gjykojë dhe jo ta rrëzojë akuzën pa e hapur fare.
“Mendoj se Gjykata e Lartë është nxituar në dhënien e një vendimi pushimi. Nuk është detyrë e Gjykatës së Lartë, të interpretojë këtë fakt, (imunitetin). Ajo mund të ndërpriste gjykimin dhe ta çonte çështjen në Kushtetuese për interpretim, pasi kjo gjykatë e interpreton direkt Kushtetutën. Fakti që Gjykata e Lartë nuk e zbatoi një të tillë, tregon se ajo është besnike e sjelljes politike”- theksoi ai.
Sipas Manjanit, me këtë vendim Gjykata e Lartë ka thënë shprehimisht: Po të jesh kryeministër, ministër, deputet mund të vjedhësh, të vrasësh dhe nuk gjykohesh.

11.00
Kryeprokuroria: Çështja Mediu e mbyllur, respektojmë gjykatën

TIRANË- Kryeprokurorja Ina Rama ka deklaruar sot se çështja Mediu është tashmë e mbyllur pasi prokuroria do të zbatojë vendimin e gjykatës. Sipas saj Prokuroria e Përgjithshme zbatoi procedurat ligjore.

Me këto dy fjalë Kryeprokuroria ka komentuar çështjen më të bujshme gjyqësore në vend. Si në çështjen Basha, Prokuroria e Përgjithshme tregoi se bën vetëm zhurmë. Një dosje voluminoze ky institucion dorëzoi edhe për ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha si përgjegjës për shpërdorimin e fondeve të rrugës Durrës-Kukës. Asnjë nga provat nuk u mor parasysh, pasi gjykata pezulloi dosjen për moszbatim të afateve nga ana e prokurorisë. Në rastin më të freskët atë të Mediut, prokuroria e akuzoi atë për shpërdorim detyre në dhënien e lejes së fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec dhe si përfundim, seancat e dështuari rishtazi në Gjykatën e Lartë përfunduan me rimandatimin e Mediut si deputet duke u penguar kështu procedimi ndaj tij. Prokuroria këtu mbyll punën e saj edhe për këtë çështje.

14 shtator

Pushohet procesi gjyqësor ndaj Mediut, ka imunitet

TIRANË- Fatmir Mediun e mbron mandati i deputetit që sapo ka marrë për tu gjykuar si i pandehur për tragjedinë e Gërdecit. Sot gjykata e lartë pushoi çështjen në ngarkim të tij pas faktit juridik që solli avokati mbrojtës, Ardian Visha.

Kolegjit Penal i janë dashur vetëm 30 minuta për vendosur, para kërkesës së avokatit për të pezulluar këtë gjyq pasi personi që është nën gjykim është deputet dhe kundërshtisë së prokurorëve se Mediut i është hequr një herë imuniteti kështu që procedimi duhet të vazhdojë.

Në përfundim, Kolegji Penal me relator, Besnik Ymerajn ka vendosur të pushojë çështjen në ngarkim të deputetit dhe ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, pasi tashmë është sërish person me imunitet. Sipas ligjit, atij duhet ti hiqet imuniteti në parlament që të procedohet.

Gjatë seancës në Gjykatën e Lartë, avokati ka kërkuar pezullimin e çështjes, duke paraqitur në Kolegj Penal mandatin e deputetit, që i jep Mediut imunitet dhe pengon vazhdimin e gjykimit. Ndërsa prokurori i çështjes në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, Sokol Stojani kërkoi rrëzimin e kërkesës së avokateve mbrojtës, të cilët kërkuan pezullimin e procesit gjyqësor. “Kërkesa për pezullim është e pabazuar ne ligj”, u shpreh Stojani.

Ky vendim ka ngjallur reagimin e familjareve të viktimave te Gerdecit. Nëna e 7 vjeçarit që humbi jetën në këtë tragjedi, Zamira Durda u shpreh me lot në sy, se nëse shteti nuk vendos drejtësi ne do ë bëjmë vetëgjyqësi.

Deputeti i PR-së, Fatmir Mediu ka reaguar pas vendimit të gjykatës, duke u shprehur se “përfaqësuesit e mi ligjorë kërkuan vazhdimin e gjykimit pavarësisht kushteve të reja procedurale, dua zbardhjen e plotë të hetimit. I bindur se vendimi më i mirë është hetimi dhe gjykimi deri në fund”.

KRONOLOGJIA, SI DESHTUAN GJITHE SEANCAT NDAJ MEDIUT

06/07/2009

TIRANË – Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pasi në sallë nuk ishin mbrojtësit ligjorë. Në kërkesën për gjykatën, avokatët Ardian Visha dhe Petrit Serjani thonë se “jemi bllokuar në rrugë, gjatë kthimit në Tiranë, për shkak të mbylljes së tunelit të Thirrës”. Ky ishte një argument i pajustifikueshëm për akuzën, pasi njoftimi për bllokimin e autostradës ishte dhënë një ditë më parë. Prokurorët deklaruan në seancë se “rruga mbyllet në orën 11:00 të ditës së sotme ndaj avokatët duhet të kishin mbërritur në seance, sepse Ministria e Transporteve njoftoi që mbrëmë për bllokimin e Rrëshen-Kalimash”. Gjithsesi, Kolegji Penal në mungesë të avokatëve dhe kërkesës së tyre për të shtyrë të gjyqin, vendosi seancën e radhës më datë 14 shtator.

22/05/2009

TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga Besnik Ymeraj, nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm, vendosi ndarjen e dosjes së Gërdecit në tri procese të ndryshme. Një proces gjyqësor me të pandehurin e vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të gjykohet pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Procesi tjetër, me 28 të pandehurit ushtarakë dhe civilë si dhe firmën “Albademil” si personin juridik do të gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet nga dhoma penale. Procesi tjetër gjyqësor, ka të bëjë me paditë civile të familjarëve të viktimave, Avokaturës së Shtetit dhe disa të gjymtuarve të shpërthimit të punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, i cili do të shqyrtohet në një dosje të vetme gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë pranë dhomës civile. Ky vendim i Kolegjit Penal të kryesuar nga gjyqtari relator Besnik Ymeraj dhe anëtarët Irma Balaj, Majlinda Andrea, Evelina Qirjako dhe Evgjeni Sinoimeri u mor tre orë pas parashtrimit të kundërshtimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kërkuan nga gjykata mos pranimin e kërkesave të 28 të pandehurve për ndarjen e çështjes.

05/05/2009

TIRANE- Seanca e parë në ngarkim të 29 personave të pandehur, për tragjedinë e Gërdecit, nuk u arrit të zhvillohej, për shkak të mungesës së një avokati dhe një të pandehuri, si për mungesë të prokurës së përfaqësimit të një avokati si dhe të disa problemeve teknike. Seanca ishte caktuar të zhvillohej në orën 9:30 të paradites së djeshme në Gjykatën e Lartë, ku pritej të mbërrinin në cilësinë e të pandehurve ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish- krerët e Ushtrisë, Gjeneralët Luan Hoxha, Agim Lala Shpëtim Spahiu e Zija Bahja, e bashkë me ta ish- funksionarë të ndryshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes së saj MEICO, ish- drejtori i saj, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji pronar i “Albademil” e Dritan Minxolli, administrator i saj e njëkohësisht kunati i Delijorgjit.(Shekulli)

eJbQtC-aJ5I

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22312. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22312

Top