Re: Protestat e Çameve kthejne Papuliasin ne Greqi!!!
Pse habitesh?
--------------------------------------------------------------------------------
Nga Gerti Shella
Refuzimi që Presidenti grek, Papulias i bëri takimit me Presidentin shqiptar Moisiu, ka sjellë edhe njëherë në vëmendje të opinionit publik, (jo vetëm atij vendas) rrymat e ftohta që qarkullojnë nën shtratin e marrëdhëniet mes dy vendeve.
Shpresoj që Presidenti Moisiu të mos i ketë marrë seriozisht në konsideratë reagimet me natyrë emocionale të të gjithë atyre që nxituan të komentojnë incidentin sikur të ishte një kapriçio bizantine, apo një veprim që nuk ka asgjë të përbashkët me normat e sjelljes në demokraci. E vërteta është se veprimin në dukje të pazakontë të presidentit grek Papulias, e motivon një prapavijë interesash ekonomike të shtetit grek që kanë të bëjnë me çështjen e pronave të pretenduara nga popullsia çame në territorin e shtetit grek. Nëse presidenti Moisiu do të kishte pasur ndonjëherë rastin që gjatë ushtrimit të funksioneve të tij si kryetar i shteti, të bënte një “fintë” të tillë në mbrojtje të interesave të shtetasve shqiptarë, sigurisht që ai atij do ti blatohej me të parë një kurorë dafinash. Dega e ullirit si një alternativë, në këtë rast zëre se i ka mbetur në dorë shtetit shqiptar.... Sigurisht që incidenti duhet hedhur pas krahëve. Askush nuk ka pse të mendojë që “grekët na e bënë borxh”. Përkundrazi, shteti shqiptar tashmë është në borxh, pikësëpari me popullsinë çame, e cila e gjen veten pas këtij incidenti tërësisht të zbuluar dhe pa përkrahjen më minimale. E megjithatë diçka mund të bëhet. Asgjë nuk duhet ta pengojë kreun e shtetit shqiptar që të pranojë publikisht që çamët mund të shpronësohen vetëm për nevoja publike, por jo me artificën juridiko-formale të ligjit të luftës. Asgjë nuk duhet ta pengojë qeverinë shqiptare që të inkurajojë çamët që secili prej tyre në mënyrë individuale dhe jo kolektive, me dokumentet përkatëse që disponojnë duhet të kërkojnë kthimin e të drejtës së posedimit të pronës (kthimin fizik) në gjykatat greke. Një veprim i tillë do të ishte kryekëput legjitim dhe dinjitoz. Parlamenti grek ka miratuar para disa vjetësh një ligj të posaçëm për kthimin e pronës së shtetëzuar gjatë regjimeve të mëparshme, efekti i të cilit shtrihet deri në përfundim të këtij viti. Meqë në rastin konkret, çamët ndodhen në limit të kohës që le në dispozicion ligjit grek, ata duhet t’i drejtohen menjëherë gjykatës në rajonit ku kanë pronat e tyre në Greqi me kërkesë-padi ku të kërkojnë kthimin e pronës sipas këtij ligji, në respekt të së drejtës së pronësisë por edhe të nenit 1 të Protokollit të parë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilën gjykatat greke me siguri që e zbatojnë pa hezitim. Gjithë problemi qëndron që pronarët pretendues të shkunden nga përgjumja dhe iluzioni se pronat e tyre do t’i marrin duke bërë mitingje apo protesta që pasohen nga kërkesa kolektive dhe fluturime pëllumbash. Protestat kanë vlerë sensibilizuese dhe nëse kërkohet vetëm kaq, as që ja vlen barra qiranë. Sigurisht që edhe protesta e tyre në Sarandë përputhet plotësisht me të drejtat e tyre dhe me normat e demokracisë duke mos përbërë as shkeljen më të vogël, por edhe veprimi i presidentit grek Papulias nuk përbën skandal, as një atentat në marrëdhëniet mes dy vendeve, e aq më pak një fyerje personale ndaj homologut të tij shqiptar. Veprimi i presidentit Papulias ishte një “triblim” politik, ,madje një lëvizje brilante në kontekstin për të cilin flasim...shkurt; bravo i qoftë. Ai është grek, dhe bën politikën e shtetit grek. Ai mbron interesat e vendit të tij dhe për ketë ai meriton të jetë një figurë shtetari tepër e respektuar për shtetasit e vendit të tij. Në të kundërt, pamundësia për të ndërmarrë iniciativa në dobi të shtetasve shqiptarë nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar apo të pushtetit, (qeveria shqiptare) përbën një minus për këta të fundit në sytë e opinionit publik. Maksimumi që mundën të bënin ishte të habiteshin para kamerave dhe fotoreporterëve pa ditur si të reagonin. E trishtueshme kur kjo ndodh tashmë që ka filluar count-down i skadimit të afatit që ligji grek lë në dispozicion për kthimin e pronave, ligj me të cilin duhet të kishin përfituar edhe çamët titujt e tyre të pronësisë. Teorikisht, ndihma që mund të japë në këto momente Presidenti i Republikës Moisiu, është që t’i përgjigjet kërkesës së çamëve për t’i hequr në një kohë sa më të shpejtë atyre, me një procedurë të përshpejtuar shtetësinë shqiptare. Në këtë, mënyrë ai do të zhvlerësonte artificën juridiko-formale të ligjit grek të luftës, sepse çamët, që për mendimin tim janë shqiptarë të kulluar që kanë sakrifikuar dhe janë martirizuar për çështjen kombëtare, duke qenë formalisht (zyrtarisht) pa shtetësi shqiptare, jo vetëm që nuk atakohen më nga ligji i luftës (nuk mund të pengohen për të nisur procesin gjyqësor brenda një periudhe sa më të shpejtë në gjykatat grekë të shkallës së parë që kanë nën juridiksion pronat e tyre të paluajtshme), por janë edhe të mbrojtur nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ligjvënësi grek ka përcaktuar me ligj që deri ne vitin 2005, se çdo shtetas ka të drejtë të kërkojë pronat që i janë shpronësuar padrejtësisht nga regjimet e mëparshme. Pas përfundimit të kësaj periudhe që parashikon ligji në fjalë, konsiderohet apo hyn në fuqi parashkrimi, sipas të cilit fajin e ka pronari që nuk e ka kërkuar pronën, dhe jo shteti grek pasi ky i fundit justifikohet me garantimin e kuadrit ligjor që e ka bërë publik kohë më parë. Pas kësaj periudhe, shtetit grek i lind e drejta që t’i tjetërsojë këto prona dhe pronarëve t’ju ofrojë në rastin më të mirë një kompensim në të holla. I takon institucioneve qeveritare dhe jo-qeveritare në Shqipëri të ofrojnë informacion të plotë për rrugët ligjorë që mund të ndërmerren pa humbur kohë, me synim zgjidhjen e problemit të pronave çame në Greqi jo nëpërmjet vullneti politik të dy qeverive respektive, por si çështje të së drejtës. Pas kësaj, individualisht çdo shtetas që flet shqip, qofte ai çam, kosovar, maqedonas apo tiranas, që pretendon se ka prona në Greqi dhe që shteti grek nuk ia kthen me justifikimin juridiko-formal të ligjit të luftës, duhet që të ndjekë në parim rrugën gjyqësore individualisht. Le t’i themi gjërat hapur: shteti shqiptar nuk ka këllqe. Në Jug të Shqipërisë, prej disa vitesh qeveria greke ndan pension për shumë minoritarë të shpërndarë në fshatra e qytete. Në këto territore në kohën e Zogut, numri i popullatës me kombësi greke ka qenë rreth 35 mijë veta. Në regjistrat kadastralë të kohës, shumica e tyre nuk rezulton të kenë zotëruar prona të paluajtshme (toka) si pronarë posedues. Minoritarët kanë punuar në tokat e pronarëve shqiptarë apo në rastin më të mirë kanë qenë pronarë jo posedues të pasurisë së paluajtshme. Meqë nëse, që nga ajo kohë popullsia shqiptare është trefishuar në numër (nga 1 milion shqiptarë që figurojnë të regjistruar në regjistrat e kohës së Zogut, sot janë rreth 3 milion), është e logjikshme të pranohet se edhe minoriteti grek në Shqipëri është trefishuar në numër. Pothuaj e gjithë popullsia rurale minoritare, pas vitit 1991 ka marrë toka (tapi) për të cilat baballarët e tyre nuk dispononin dokumente pronësie. Dhe kjo vetëm si rezultat i aplikimit të ligjit shumë të përfolur 7501. Nga ana tjetër, me pensionet që paguan prej disa vitesh shteti greke, numrit të minoritarëve i është shtuar në mënyrë artificiale një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që në regjistrat e sigurimeve shoqërore të shtetit grekë figurojnë si grekë “safi”. Sipas të gjitha gjasave, burime seriozë të shtetit grek nuk disinformojnë aspak kur cilësojnë numrin e shtetasve grek që jetojnë në territoret e shtetit shqiptar dhe që ne fakt nuk përkojnë me të dhënat tona. Nga ana tjetër, në Greqi jetojnë e punojnë rreth 300 mijë emigrantë shqiptarë të cilët, edhe pse në mes të një procesi legalizimi të qëndrimit të tyre në shtetin fqinj, janë kategoria më vulnerabël përballë kapriçiove apo përplasjes së interesave midis dy vendeve. Përvoja e këtyre viteve të fundit ka provuar se shtetit grek nuk i ka kushtuar aspak të shtypë butonin e “fshesës” sa herë që interesat greke “bëhen pis”. Nisur nga të gjitha këto, qeveria greke potencialisht mund t’i imponohet qeverisë shqiptare në emër të “kënaqjes” reciprokisht të interesave të palëve, dhe në emër të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve që, pa qenë nevoja e ndryshimit të kufijve, të shlyejë fit-e-fit kërkesën e çamëve për kthim fizik të tokave të tyre në këmbim të tokave që minoritarët grekë kanë marrë me ligjin 7501 në Shqipëri. Kjo do të ishte një prognozë e cila sigurisht do të fuste në kolaps të plotë marrëdhëniet mes dy vendeve, kolaps i cili, në radhë të parë do të ishte në dëm total të interesave shqiptare në të gjitha dimensionet. Pa diskutim që kjo do të ishte një betejë e humbur për shtetin shqiptar ende pa u nisur edhe për një arsye akoma edhe më të thellë. “E ç’prona kërkon o derëzi në Greqi, kur ti nuk zgjidhur akoma çështjen e pronave për shtetasit e tu brenda në Shqipëri!?”. Edhe njëherë, çështja e pazgjidhur e kthimit të pronës tek i zoti përgojohet si një mallkim politik për qeverinë e radhës të zotit Berisha, i cili ishte i pari që kishte në dorë të vepronte për të ndrequr këtë handikap të madh qysh në ’91-in. Degjenerimi deri në kaos i marrëdhënieve të pronësisë për shkak të mosveprimit të shtetit në kundërshtim flagrant me parimet e shtetit të së drejtës dhe në kushtet e mungesës së vullnetit politik, provokuan ngërçin fatal që ka bllokuar “muskujt” e këtij vendi në lëngatë. Incidenti i fundit me Greqinë, është një sinjal i fortë alarmi dhe jo një subjekt habie për shefin shqiptar të diplomacisë. Edhe njëherë është sakrifica çame që ndez llambushkën e alarmit në nivel kombëtar. Për të shmangur një paralizë të parikuperueshme, të gjitha institucionet shtetërore, politike, shoqëria civile, gjithë populli shqiptar, duhet të kërkojnë respektimin e titujve të mirëfilltë të pronësisë, së pari brenda territorit shqiptar e më pas jashtë territorit. Koha e humbur e kthen mosveprimin në një tradhti kombëtare.