Re: Pronat Came URGJENTE ! ! !
Greqia vendos të shesë pronat e shqiptarëve
Gjykata e Lartë greke vendos të nxjerrë në ankand pasuritë e sekuestruara të shqiptarëve të dëbuar nga vendi fqinj
Shiten pasuritë e shqiptarëve në Greqi. Sipas kryeprokurorit të Gjykatës së lartë Greke, shitja e këtyre pasurive mund të bëhet, pasi është e bazuar në Ligjin 2636, mbi bllokimin dhe sekuestrimin e pasurive të armiqve të vendit
Nga Artur Bibe, Athinë
Kryeprokurori i Gjykatës së Lartë greke, Dhimitris Linos i kërkoi dje trupit gjykues të saj shitjen e pasurive të shtetasve shqiptarë, pasuritë e të cilëve janë sekuestruar nga shteti, pasi i ka shpallur armiq të vendit.
Një vendim i tillë duket se do të acarojë marrëdhëniet mes dy shteteve, të cilat kanë pezulluar çështjen delikate të çamëve të dëbuar nga vendi fqinj. Kjo lëvizje po ndërmirret në një kohë kur Greqia është duke aprovuar ligjin e ri për emigrantët sipas kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që shteti helen është akuzuar vazhdimisht si shkelës i të drejtave të njeriut dhe si një shoqëri me racizëm të theksuar. Seanca e kësaj gjykate përfundoi mbrëmjen e dy ditëve më parë dhe duket se trupi gjykues do të aprovojë kërkesën e kryeprokurorit grek. Sipas kryeprokurorit Linos, shitja e këtyre pasurive mund të bëhet pasi është e bazuar në Ligjin 2636, mbi bllokimin dhe sekuestrimin e pasurive të armiqve të vendit. Ky ligj është formuluar në vitin 1940 dhe është ende në fuqi, ndonëse kushtetuta greke është ndryshuar e përshtatur me realitetin disa herë. Gjykata e Lartë shqyrtoi rastin e një qytetari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, pasuria e të cilit ishte sekuestruar në vitin 1940, në kohën kur Greqia ishte e implikuar në Luftën e Dytë Botërore, sipas ligjit 2636/1940 në qytetin e Selanikut. Në vitin 1967, ajo është trashëguar te fëmijët e pronarit të parë dhe në vitin 1993, shteti grek e kishte dhënë për ndërtimin e një qendre tregtare, por pa qenë posedues i ligjshëm i kësaj pasurie. Ky është rasti i parë që nga viti 1940, që gjykata vendos të shesë pasuritë e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë shpallur armiq nga një gjykatë ushtarake e posaçme që në vitin 1940 deri në vitin 1946, vit ky kur përfundoi dhe deportimi i popullsisë Çame. Ndonëse midis dy vendeve ka një traktat miqësie të firmosur prej kryeministrave Berisha dhe Papandreu, ende të dy vendet ndodhen tipikisht në gjendje lufte. Duket se ky precedent do të jetë ngërçi i ri në marrëdhëniet midis dy vendeve. Të gjitha qeveritë e mëparshme të të dy vendeve nuk guxuan ta preknin këtë temë, e cila fsheh në vetvete histori dhe drama të mijëra familjeve. Ndonëse nuk bëhet fjalë vetëm për pasuritë e çamëve, por për pasuritë e mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me krahinën e Çamërisë, dëshira e politikanëve duket se ka qenë inekzistente për të hapur një ndër temat, e cila prej vitesh mban peng miqësinë mes dy vendeve. Pronat e shqiptarëve në Greqi, shtrihen kryesisht në zonën e Selanikut, Follorinë, Janinë e deri në Larisa. Ato janë kryesisht dyqane, shtëpi banimi, por edhe mijëra hektarë tokë dhe kullota. Qeveria greke e pas luftës liroi nga sekuestroja pasuritë e atyre që e filluan atë luftë (gjermanëve, italianëve), por harroi pasuritë e atyre që luftuan kundër okupatorit, ose që ishin viktimat e kësaj lufte.
-----------------
Denoncim Greqisë në Gjykatën e Strasburgut
Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka është shprehur se qevreia shqiptare duhet ta denoncojë shtetin grek në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut lidhur me vendimin për të shitur pronat e sekuestruara të shqiptarëve që janë cilësuar si armiq dhe janë dëbuar nga shteti fqinj. Lidhur me këtë fakt, Ceka është shprehur se shteti helen ka bërë një ngatërresë të qëllimtë për këtë çështje, pasi edhe pse është hequr Ligji i Luftës nuk është rrëzuar dekreti mbretëror në bazë të të cilit janë sekuestruar pronat e shqiptarëve të cilësuar si armiq. Kreu i Aleancës Demokratike ka theksuar se “ Qeveria shqiptare duhet ta denoncojë këtë veprim në gjykatën e Strasburgut, pasi ky vendim është kundër të gjitha parimeve demokratike të një shteti bashkëkohor Evropian. Kjo e bërë mbi dekretin mbeteror, i cili nuk është hedhur poshtë dhe mendoj se është një ngatërresë e qëllimtë. Vlerësoj se Greqia ka shkelur me të dyja këmbët rregullat e një vendi demokratik”. Sipas Cekës qeveria shqiptare, por edhe parlamenti duhet të rikonsiderojnë qëndrimet për të reaguar saktësisht për një çështje të tillë. Ai është shprehur i mendimit se vendimi më i drejtë është ai i denoncimit të shtetit helen në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Përveç kësaj, Ceka theksoi se të drejtat e shqiptarëve dhe të pronave të tyre legjitimë duhet të mbrohen me forcë nga qeveria shqiptare, e cila është e detyruar të ndërmarrë denoncimin e këtyre shkeljeve.
Ligji i Luftës, ende në fuqi
Janë rishfaqur kontradiktat e vjetra mes Greqisë fqinje dhe vendit tonë për një nga çëshjtjet më të mprehta që shqetëson të dyja vendet. Një ligj i hyrë në fuqi në vitin 1949 në bazë të të cili Greqia e konsideroi Shqipërinë si vend pushtues dhe armik, bëri që dy vendet të ishin ligjërisht në gjendje lufte deri në traktatin e miqësisë të nënshkruar pas viteve ‘90 po nga kryeministri aktual Sali Berisha. Mirëpo edhe pse traktati i miqësisë u nënshkrua me vullnetin e të dyja palëve, kjo duket se nuk i dha zgjidhje përfundimtare ligjit të luftës, i cili vazhdon të ketë ndikime dhe të përdoret nga institucionet greke të drejtësisë. Pikërisht konsiderimi në bazë të këtij ligji i shtetasve grekë me kombësi shqiptare si armiq është mbështetja që Gjykata e Lartë greke gjen për të interpretuar shitjen e pronave të sekuestruara në Greqi. Nuk dihet nëse parlamenti grek do të ndërmarrë ndonjë veprim për të shfuqizuar Ligjin e Luftës, ndërkohë që shenjat tregojnë dukshëm vullnetin për ta shfrytëzuar në dëm të interesave të shqiptarëve
expres