Pronarët kundër Qeverisë, Toro: Toka në bregdet është e jona

Pronarët kundër Qeverisë, Toro: Toka në bregdet është e jona

TIRANË- Pronarët kundërshtojnë draftin e diskutuar në Komisionin e Ligjeve për trojet në zonat turistike, i cili i njeh të drejtën poseduesve të objekteve të blejnë edhe truallin mbi të cilin është ngritur ai. Shoqata Pronësi me Drejtësi e konsideron të padrejtë cilësimin e këtyre trojeve si pronë të shtetit ndërkohë që sipas tyre ato u përkasin pronarëve. Krahas kësaj, kjo shoqatë kundërshton edhe mënyrën se si do të bëhet pagesa.

Për sa i përket pronarit të vërtetë të këtyre sipërfaqeve që shteti me anë të një ligji në vitin 1993 i ofroi ndaj individëve të ndryshëm me destinacion zhvillimin e turizmit, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës, Agim Toro, thekson se nuk është e vërtetë që këto troje janë në pronësi të shtetit pasi nëse do të ishte kështu, për miratimin e këtij ligji qeveria nuk kishte pse të propozonte shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për kthimin e kompensimin e pronave”.

“Nëse këto prona nuk janë të pronarëve por të shtetit atëherë cila është arsyeja që shfuqizohet pika 1/ç e nenit 6 te ligjit për kthimin e kompensimit të pronave. Në këtë pikë thuhet saktësisht kështu: Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara për të cilën është rënë dakord që të përdoren për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar. Pra nëse subjekt i këtij ligji nuk janë pronarët pse duhej që të shfuqizohej kjo pikë. Pra vetëm kjo gjë shpreh qartë që kemi të bëjmë me troje ku pronar nuk është shteti por ne”, – shprehet Toro duke shtuar se mbi bazën e këtij ligji Komisioni i Pronave ka vepruar dhe ka kthyer prona tek pronarët, kurse tashmë kjo pikë shfuqizohet ndërkohë që ka edhe pronarë të tjerë të cilët gëzojnë të drejta të njëjta dhe gjithashtu duhet të përfitojnë nga i njëjti ligj.

Shqetësim tjetër që ngre Shoqata Pronësi me Drejtësi ka të bëjë me hapësirën e truallit për të cilën personat që janë pronarë të ndërtesës do të paguajnë. Sipas Toros, në projektligj parashikohet që paguhet vetëm për pjesën mbi të cilën është ndërtuar objekti dhe jo për të gjithë sipërfaqen në funksion të ndërtesës. “Fshati turistik përbëhet edhe nga sipërfaqe të tjera në funksion të tij përveç truallit të ndërtesave, siç janë lulishtet, rrugicat, ambientet sportive, etj., nëse pronarët e ndërtesave paguajnë vetëm për truallin ku është ngritur, po unë që jam pronar i këtij trualli më çfarë parash do të kompensohem. Kush do t’i paguajë këtë sipërfaqe toke. Nëse mendohet që këto para do të kalojnë në fondin për kompensimin financiar të pronarëve atëherë duhet paguar e gjithë sipërfaqja që është në funksion të fshatit dhe jo vetëm trualli i ndërtesës”, – thekson ai.

Edhe pse është bërë ky ligj, për pronarët e objekteve ekziston mundësia që edhe të mos e shlyejnë vlerën e truallit pasi në të nuk parashikohen as afate dhe as penalitete nëse këto afate shkelën. “Është parashikuar që afatet të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, që nuk dihet kur do bëhet, ndërkohë që po nuk pat afate nuk ka as penalitete për ata që i shkelin ato. Pra pronarët e ndërtesave mund edhe të mos i paguajnë këto para dhe nuk përballen me asnjë penalitet duke bërë që të rikthehemi në gjendjen e mëparshme”, – tha Toro.
Dy ditë më parë, Komisioni i Ligjeve diskutoi mbi draftin e propozuar nga qeveria ku pronarëve të objekteve në zonën e fshatrave turistikë të blejnë edhe truallin mbi të cilin është ngritur ai me qëllim rregullimin e deformimeve të ndodhura gjatë viteve të kaluara. Në mënyrë të plotë ky projektligj pritet të miratohet nesër ku të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të pronarëve.

REAGIMI

Balla: Ligji i pronave po bëhet për “familjen”

TIRANË- Partia Socialiste akuzon qeverinë se ligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” nuk ka për qëllim përmirësimin e situatës në këtë sektor por është bërë për interesa të ngushta të familjes në pushtet të cilët më anë të tij bëhen pronarë edhe të trojeve në bregdet. Deputeti Taulant Balla deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se Kryeministri i Sali Berisha duhet të japë sqarime para shqiptarëve se cilët janë përfituesit e vërtetë të këtij projektligji.

Më tej ai theksoi se qeveria ka afat deri sot për të publikuar listën e përfituesve të vërtetë pasi në të kundërt do të jetë PS-ja ajo që do t’i deklarojë. “Partia Socialiste i kërkon sot Sali Berishës të zbardhë publikisht autorësinë, kush janë përfituesit apo kush favorizohen nga ky ligj. Në rast se Sali Berisha nuk do të sqarojë për qytetarët shqiptarë se kush janë përfituesit familjarë dhe qeveritarë të këtij ligji, atëherë nesër ne do të zbardhim para qytetarëve shqiptarë kush janë interesat që qëndrojnë pas këtij projektligji”, – tha ai.
Sipas Ballës, Kryeministri Berisha duhet të sqarojë para qytetarëve shqiptarë se përse në muajin korrik menjëherë pas zgjedhjeve miratoi në KRRTRSH studime pjesore për ndërtime në Gjirin e Lalzit, ndërsa tashmë po miraton një ligj që këto toka t’iu shiten atyre që po ndërtojnë apo kanë ndërtuar mbi to.(Shekulli)

gBlEUWp_ahU

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24987. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24987

Top