Prokuroria, verifikim Artan Kristos për bigami

Prokuroria, verifikim Artan Kristos për bigami

Institucioni i akuzës i është drejtuar zyrës së Gjendjes Civile në Shkozet të Durrësit, duke i kërkuar verifikimin e gjendjes civile të të dyshuarit për “akte terroriste” Artan Kristo, i njohur ndryshe edhe me emrin fetar Muhamed Abdulla Al Albani, pasi rezulton se ka dy gra. Kjo në bazë të relacioneve të dërguara nga SHISH-i në Prokurorinë e Tiranës, referuar edhe në vendimin e arrestit të Gjykatës së Tiranës marrë në mungesë ndaj të akuzuarit Artan Kristo.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Durrësit, institucioni i cili tashmë ka marrë në hetim dosjen penale në ngarkim të Kristos, i arrestuar një javë më parë nga Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë së Rrethit. Sipas këtyre burimeve, konfirmohet se në bazë të informacioneve të siguruara nga agjentët e Shërbimit Informativ Shqiptar, rezulton se i arrestuari Kristo jeton me dy gra në banesën e tij në Shkozet të Durrësit. Në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, është e ndaluar martesa me më shumë se një partner.
Për të vërtetuar këtë fakt, mësohet se prokuroria, i është drejtuar zyrës së Gjendjes Civile të njësisë administrative ku banon i arrestuari, me qëllim për të verifikuar statusin e tij familjar. “Nga të dhënat hetimore që ndodhen të administruara në dosjen përkatëse rezulton se i dyshuari Artan Kristo jeton me dy gra dhe si fryt i lidhjes me to ka sjellë në jetë gjashtë fëmijë. Me gruan e parë me të cilën ka edhe kurorë martese, Kristo ka katër fëmijë, ndërsa me gruan e dytë nuk ka vendosur celebrim por vetëm bashkëjeton me dëshirën e kësaj të fundit dhe me të ka dy fëmijë,- thuhet në materialet shkresore të dosjes. Këtë fakt e ka pohuar edhe avokati mbrojtës i të pandehurit, Ilir Malindi.
Ai tha dje për “Shekullin”: Klienti im është i martuar vetëm me një grua ndërsa me tjetrën bashkëjeton me dëshirën e saj. Në këtë rast nuk kemi asnjë vepër penale, pasi kjo nuk është e parashikuar në Kodin Penal. Kjo gjë është e rregulluar me Kodin Familjes, që ndodhet në fuqi”,- tha avokati Malindi. Më tej ai deklaroi se organet hetimore duan të gjejnë patjetër një akuzë që ta mbajnë në burg klientin tim”. Ndërkohë, në nenin 7 dhe 9 të Kodit të Familjes sanksionohet ndalimi për t’u martuar me më shumë se një grua apo burrë.
Gjithashtu, po dje hetuesit e dosjes kanë konfirmuar se po vëzhgohen për 24 orë të tre faqet e internetit, www.albselefet.net; www.udhëzimedhedrita.net e www.forum-islamik.com. Në këtë forumin e fundit, sipas hetuesve, ndodhen edhe disa zëra audio në formë kënge (ilahi) që mbështesin veprimet e Osama Bin-Ladenit dhe ftojnë lexuesit (vëllezërit myslimanë) që të bashkohen në luftën e tij. Sipas këtyre burimeve, i arrestuari Kristo ka përdorur po këto tre faqet e internetit për të bashkuar një grup të rinjsh, të cilët përkrahin dhe bëjnë thirrje për luftë në emër të Xhihadit. “Xhihadi është lufta e shenjtë dhe është obligim dhe detyrim për çdo mysliman jo vetëm të vritet, por edhe të vrasim qafirët që janë bërë pengesë e vendosjes së shtetit islam, urojmë që kjo ditë të vijë shumë shpejt”,-thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore

Terrorizmi, web shqiptar me thirrje për luftë e lavde për Bin Laden

TIRANË- Video me pamje terroriste shoqëruar me tekst në shqip ku bëhet thirrje për luftë janë publikuar në një faqe interneti me emrin “Forumi-islamik”, www.forumi-islamik.com.
Që në faqen e parë të websitit në një video realizuar po nga forumi me të njëjtin emër me atë që mban vetë web-i shfaqet një video “Lufto dhe qëndro”. Videoja hapet me fotot e torturave në burgun e Abu Graib dhe më pas tregon njerëz të maskuar dhe të armatosur me mitraloz e antitank që sulmojnë trupat aleate ne disa vatra lufte.
“Kjo thirrje për ty o Ummet i plagosur! O popull, përgatitni luanët. Kthejini fesë suaj shërbimin që meriton. Lirohu prej prangave dhe të mbarojnë ankesat. O bijtë e popullit tim! Zgjohuni! Lufto në çdo vend që ka arrit jehona e kufirit! Qëndro dhe derdh plumba mbi brezin e sionizmit”- , shkruhet ne video.
“Po Usame” është një tjetër video produkt i forumit në të cilën i këndohet terroristit Osama Bin Laden.
“Po Usame, zhduke ti ushtrinë amerikane/i rrite nderin myslimanëve/Nga vendlindja u largove, për xhihad rrugën e more”- dëgjohet në video.

Zbulohen mesazhet online të Artan Kristos

TIRANË- “Xhihadi është lufta e shenjtë dhe është obligim dhe detyrim për çdo mysliman jo vetëm të vritet, por edhe të vrasim qafirët që janë bërë pengesë e vendosjes së shtetit islam, urojmë që kjo ditë të vijë shumë shpejt”. Me këto fjalë dhe të tjera të kësaj natyre, që prej organit të akuzës janë cilësuar si nxitëse për akte terroriste, i arrestuari Artan Kristo, i njohur ndryshe edhe me emrin fetar Muhamed Abdulla Al Albani, i ka ftuar “vëllezërit” e tjerë myslimanë të përgatiten për ditën kur do të fillojë “Lufta e Shenjtë”, Xhihadi. Këto dhe fjalët e tjera nxitëse, të thëna e të shkruara nga Kristo në tri faqe të ndryshme interneti (forume myslimane) janë mbledhur dhe renditur nga përfaqësuesit e akuzës, duke i përdorur para Gjykatës së Shkallës së Parë dhe duke e bindur këtë të fundit të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Kristos. Përveç vendimit të masës së sigurisë, togat e zeza vendosën gjithashtu që dosja penale në ngarkim të Kristos t’i kalojë për kompetencë prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit si dhe janë urdhëruar oficerët e policisë gjyqësore të kryejnë kontrollin e banesës dhe klinikës mjekësore të përdorur nga i arrestuari në qytetin bregdetar. Sipas vendimit të togave të zeza të firmosur nga gjyqtari Gerd Hoxha, ky i fundit ka lejuar oficerët e policisë të kryejnë kontrollin e imtësishëm në ambientet e banesës tre katesh që ndodhet në lagjen “Troplini” në fshatin Rrashbull të Durrësit dhe në klinikën mjekësore që ndodhet në banesën dy katesh në rrugicën e Gjykatës së Apelit Durrës, konkretisht rruga “Bajram Curri”, lagjia 14 Shkozet, që përdorej nga i arrestuari Kristo. Sipas këtij vendimi që mban nr. 1534, kanë qenë agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) që kanë hasur këshillat dhe propagandën e “imamit” Abdulla Al Albani (Artan Kristo) në faqet e internetit www.forum.islamik.com dhe www.udhezimedhedrita.net. Gjithashtu, përveç këshillave dhe propagandës për të kryer vepra me qëllime terroriste, sipas akuzës, i arrestuari Kristo nëpërmjet komunikimit në rrugë telefonike dhe elektronike në faqen e internetit të moderuar nga ai vetë www.albselefet.net shfaqet duke synuar mbështetjen ose kryerjen e veprave për qëllime terroriste. “Nga shqyrtimi i materialeve hetimore, ka rezultuar se kallëzimi penal në prokurori ka ardhur me datë 10 qershor 2009 nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ku edhe është regjistruar procedimi penal me nr. 2915, viti 2009, që bën fjalë për veprën penale të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” nga i arrestuari Artan Kristo”-thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas këtij vendimi, “imami” Abdulla Al Albani ka përfunduar arsimin e lartë fetar në Libi, është i martuar me dy gra dhe ka disa fëmijë, rritjen dhe ushqimin e të cilëve e siguron duke ushtruar profesionin e “mjekut popullor” dhe predikuesit të fesë islame nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejt me njerëzit, në rrugë telefonike dhe elektronike. “Artan Kristo prej një kohe të gjatë bën propagandë radikale islamike të llojit salafit-tekfirist, me një grup të vogël të rinjsh, në Rrashbull dhe Golem të Durrësit, duke dhënë këshilla radikale islamike. Këto këshilla dhe këtë propagande Kristo e realizon edhe nëpërmjet faqeve të internetit me frymë islame. Nisur nga përmbajtja e këtyre pamjeve filmike, këshillave dhe propagandës, organi i akuzës pretendon se i arrestuari Kristo nxit urrejtje fetare, e cila rrezikon përçarjen sociale në familjet shqiptare dhe mirëkuptimin e bashkëjetesës brenda komunitetit mysliman dhe më gjërë”-thuhet në vendimin e gjykatës. Gjithashtu, mësohet se në rrugë operative dhe me metoda specifike, prokuroria ka mundur të siguroi biseda të ndryshme të kryera nga katër numrat telefonikë, nga një adresë elektronike interneti si dhe tre faqet zyrtare të forumeve islamike që përdoreshin nga vetë i arrestuari, në komunikim me personat e tjerë. Sipas akuzës, i arrestuari Kristo dyshohet se nëpërmjet këtyre komunikimeve me persona të tjerë dyshohet se ka kryer veprën penale të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Arrestimi, zhduken postimet nga forumi i Kristos

Pas arrestimit te Artan Kristos qe njihej ne rrethet e besimtareve me emrin Muhamed Abdullai, anetare te forumit Albselefet, ku ai dyshohet se kishte propoganduar kryerje te veprave me qellime terroriste, deklarojne se jane kunder cdo forme te terrorizmit.
Arrestimi i Kristos qe njihej si anetar i ketij forumi ka hapur edhe debatin mes anetareve Selefi te cilet hedhin poshte akuzat duke thene se vellai i tyre nuk ka bere ndonjehere thirrje per terrorizem.

Por ndersa kjo faqe aktualisht ndodhet nen survejim dhe prokuroria ka terhequr materialet nxitese te Kristos, vete forumi e ka fshire postimin e tij.

“Vallahi kjo eshte shpifje e vertete dhe shume shpejt do ta kuptoni se kush jemi NE, se cfare metode te thirrjes kemi NE.Ku jane argumentet qe Muhammed Abdullahi eshte terrorrist, ku jane argumentet qe Muhammed Abdullahi ka bere thirrje ne kete forum per terrorrizem-te pakten na gjeni nje fjale”, thuhet ne forum.

Por arrestimi i Artan Kristos ka risjelle edhe njehere ne kujtese pranine e nje rryme te re ne rrethet e besimtareve myslymane shqiptare.

Artan Kristo njihet per policine dhe prokurorine per shoqerimet e shumta gjate hetimeve per vrasjen e sekretarit te pergjithshem te komunitetit myslyman Salih Tivari.

Nderkohe qe prangosja e tij per thirrje nxitese u njoftua zyrtarisht nga prokuroria e pergjithshme. Edhe emisioni investigativ “Fiks Fare” denoncoi kete rast ne muajin maj, duke e prezantuar si mjek popullor mashtrues.

DURRES – Policia ka arrestuar sot Artan Kriston, të akuzuar për “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllim terroriste”. Lajmi është bërë i njohur nga Prokuroria, sipas të cilës janë grumbulluar të gjitha provat e nevojshme në ngarkim të këtij shtetasi.

Hetimet e këtij procedimi penal janë kryer nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për hetimin sa më të plotë të çështjes, janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi dhe ato karakterit teknik.

“Deri në këtë fazë të hetimit, në një analizë të të gjithë të dhënave të grumbulluara, është konkluduar se ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer veprën penale të mësipërme”-thanë të njëjtat burime.

Në këto rrethana, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, ndaj të dyshuarit Artan Kristo. Hetimet në këtë procedim penal vazhdojnë.

Kristo ishte përfaqësues i fondacionit “Al Haramain”, i konsideruar si ndër financuesit kryesorë të terrorizmit ndërkombëtar.(Shekulli)

g6VdSDqMAsk

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24390. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24390

Top