Prokuroria: Si e kontrolluam zyrën e Pinarit

Prokuroria: Si e kontrolluam zyrën e Pinarit

Akuza hedh poshtë pretendimet e ish-drejtorit të MEICO-s: Zyra është e shtetit. Gjyqi i hapur, ska sekrete</p>


Sot, gjykata do të vendosë për kërkesat për pavlefshmëri të ekspertimeve</p>


Prokuroria e Tiranës ka hedhur poshtë pretendimet e avokatëve të ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, i marrë i pandehur pas tragjedisë së Gërdecit, për të shpallur të pavlefshme kontrollet e oficerëve të policisë gjyqësore në zyrën e tij. Prokurori Petrit Bica ka kundërshtuar avokatët Klodian Gjermeni dhe Vladimir Bineri, sipas së cilëve, kontrolli i zyrës është realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa prezencën e një përfaqësuesi të Pinarit, duke kërkuar në seancën e kaluar edhe shpalljen e pavlefshme të këtij kontrolli, ku, sipas prokurorisë, janë gjetur prova të rëndësishme për procesin hetimor dhe gjyqësor. “Kontrolli në zyrën e ish-drejtorit të MEICO-s është realizuar në prani të sekretares së Ylli Pinarit. Zyra nuk është personale e z.Pinari, por e shtetit dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë vepruar në bazë të urdhrave të drejtuesve të hetimit duke zbatuar të gjithë legjislacionin”, tha prokurori Petrit Bica. Në lidhje me kërkesën e dy avokatëve të Pinarit që gjyqi i “Gërdecit” të zhvillohej me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave, prokurori Bica deklaroi se procesi është publik dhe i ndjeshëm për mbarë opinionin, pasi ngjarja ishte shumë e rëndë. “Në lidhje me kërkesën e avokatëve të ish-drejtorit të MEICO-s, se në procesin gjyqësor ka sekrete, do të deklaronim se në organin e prokurorisë nuk ka asnjë kërkesë nga institucionet kompetente që mund të deklaronin se ka sekrete në këtë proces dhe si rrjedhojë i kërkojmë gjykatës të hedhë poshtë këtë kërkesë”, sqaroi prokurori.</p>


Procesi dhe debatet
Si rrallëherë, avokatët kanë njoftuar gjykatën për mungesën në fillimin e seancës gjyqësore në procesin e “Gërdecit”. Duket se apeli i Gjykatës së Tiranës drejtuar Dhomës së Avokatisë për të ndikuar tek avokatët që ata të mos mungojnë në procesin e “Gërdecit” ka dhënë efektet e para. Avokatët ishin prezentë në procesin e radhës, ndërsa avokati Hysni Beti dhe Maks Haxhia mbërritën në gjykatë me vonesë, por ishin treguar korrektë, pasi e kishin njoftuar gjykatën paraprakisht që të zëvendësoheshin nga kolegët e tyre derisa ata të mbërrinin. Pasi verifikoi prezencën e palëve, gjykatësi Ridvan Hado njoftoi nisjen e gjyqit aty ku kishte ngelur dy seanca më parë. Duke qenë se avokatët mbrojtës të 28 të pandehurve dhe shoqërisë nën akuzë “Alba Demil” i kishin bërë kërkesat e tyre paraprake ishte radha e prokurorisë të jepte qëndrimin e saj. Prokurori Petrit Bica lexoi kërkesën me shkrim për rrëzimin e të gjitha pretendimeve të avokatëve mbrojtës. Prokurori kërkoi rrëzimin e kërkesave për pavlefshmëri aktesh, rrëzimin e kërkesave për pavlefshmëri të akt ekspertimit financiar dhe ushtarak, rrëzimin e kërkesave për pavlefshmërinë e dëshmive të dhëna nga të pandehurit në cilësinë e deklaruesit. Pasi përfundoi prokurori, fjalën e mori mbrojtësi ligjor i të pandehurve, Adriatik Mullai dhe Shpëtim Spahiu. Duke debatuar me prokurorët, avokati Vladimir Meçi tha se organi i akuzës nuk i kishte kuptuar kërkesat dhe si rrjedhojë pretendimet nuk duhet të merreshin parasysh. Ai tha se kërkesa për gjykim është dërguar, pasi kishin përfunduar afatet e hetimit dhe si rrjedhojë ajo nuk duhet të merret parasysh. Ai tha se heqja e emrit të Fatmir Mediut nga kërkesa sjell pavlefshmërinë e të gjithë kërkesës për gjykim. Megjithatë, gjykatësi Hado e shtyu procesin për ditën e sotme në orën 10:00 për tu shprehur me vendim mbi kërkesat e të dyja palëve.(Shqip)</p>
gYa2ymBiM_o

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24545. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24545
 
Top