Prokuroria: Shpërthimi në Gërdec, jo sabotazh, por një gabim njerëzor

Prokuroria: Shpërthimi në Gërdec, jo sabotazh, por një gabim njerëzor

Pas dhjetëra seancash të dështuara, prokurorët më në fund kanë lexuar kërkesën për gjykim, duke njohur 29 të pandehurit për tragjedinë e Gërdecit me akuzat që rëndojnë. Ndryshe nga pretendimet publike të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, se tragjedia e Gërdecit ishte një sabotazh, prokuroria ka deklaruar se shpërthimi ka ardhur si pasojë e një gabimi njerëzor.
Në kërkesën për gjykim prej 140 faqesh thuhet se shpërthimi ndodhi si pasojë e kontaktit të shkëndijës nga saldimi i karrocës me barutin. Në fillim të seancës gjyqësore, trupi gjykues ka hedhur poshtë 14 kërkesa të avokatëve mbrojtës, ndër to edhe kërkesën e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, për zhvillim të gjyqit me dyer të mbyllura. Ndërsa ka rezervuar të shprehet për kërkesat e dy të pandehurve, Spahiu dhe Mullai, për pavlefshmëri të deklarimeve të tyre dhe kërkesën e Zija Bahës për pavlefshmëri absolute të aktvendimit tekniko-ushtarak.</p>


Kërkesa për gjykim
Tërheqja e fashikujve të hetimit që bënin fjalë për abuzimet e ish-ministrit ka sjellë si pasojë ndryshimin e kërkesës për gjykim. Prej disa seancash pritej që katër prokurorët e dosjes të lexonin variantin tjetër të kërkesës për gjykim nga ajo që ishte dërguar në Gjykatën e Lartë. Një gjë e tillë u realizua, pasi Gjykata e Lartë pushoi çështjen e ish-ministrit, ndërsa të pandehurit që nuk gëzojnë asnjë status do tu duhet të përballen me Gjykatën e Tiranës për të gjitha faktet. Në këtë rast, prokuroria do të jetë e kushtëzuar me provat, ndërsa do ti paraqesë gjykatës vetëm dokumente ku janë të përfshirë në afera vetëm 29 të pandehurit aktualë. Një tjetër problem për trupën e prokurorëve është akuza e bashkëpunimit. Fillimisht Mediu u akuza për shpërdorim të detyrës dhe favorizimit të shoqërive të caktuara, në bashkëpunim me ish-stafin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes. Por problem i vërtetë për akuzën do të jetë faktimi i akuzave ndaj personave që kanë punuar në ministri, pasi të gjithë të pandehurit kishin bashkëpunuar me Mediun. Akuza duhet të bëjë një selektim të dokumenteve, nga ku mund të përfitojnë pikërisht bashkëpunëtorët e Mediut. Në rastin e katër personave që ndodhen nën masën e arrestit me burg, prokuroria e ka të lehtë faktimin e akuzave, pasi ata akuzohen për vrasje masive dhe mosrespektim të rregullave mbrojtëse për demontimin e municioneve. Duket se në Gjykatën e Tiranës do të ketë një betejë të fortë ligjore midis prokurorisë dhe 29 të pandehurve, të cilët do të kundërshtojnë çdo përpjekje të akuzës për të faktuar ngjarjen e 15 marsit 2005.
Procesi kundër personave, që sipas prokurorisë kanë shkaktuar tragjedinë e Gërdecit, ka hyrë në një fazë procedurale. Avokatët e 29 të pandehurve përdorën të gjitha mjetet ligjore për të anashkaluar leximin e kërkesës për gjykim, çka do të thoshte hapjen e procesit gjyqësor.</p>


Ushtarakët
Fillimisht, avokatët kërkuan që çështja të ndahet. Ish-ushtarakët e marrë të pandehur kërkuan që të mos gjykohen në një sallë gjyqi me katër personat që ndodhen në burg, pasi nuk kanë kurrfarë lidhjeje me ta. Por prokuroria i kundërshtoi dhe në fund gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë që gjykimi të mos ndahet. Më pas disa avokatë kërkuan që gjyqi të zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi kishin sekrete, ndërsa të tjerë po mundohen që të lidhin çështjen e Gërdecit me një tjetër superdosje, atë të Durrës-Kukës. Të tjerët këmbëngulën se procesi është i parregullt ligjërisht, pasi janë njohur me aktet hetimore vetëm me DVD. Avokati i Ylli Pinarit këmbënguli se prokuroria nuk ka verifikuar një informacion, sipas të cilit, persona të veçantë kishin vënë mina me sahat në fabrikën e demontimit në Gërdec, ndërsa shtoi se akuza nuk ka verifikuar materialin që është servirur nga drejtori i Policisë së Shtetit. Duket se të gjitha manovrat kishin një qëllim: shtyrjen sa më shumë të procesit. Tragjedia e rëndë e 15 marsit 2008 shkaktoi 26 viktima dhe mbi 300 të plagosur. Mes të pandehurve janë dhe Mihal Delijorgji, administratori i fabrikës së demontimit të municioneve që shpërtheu, Ylli Pinari, Dritan Minxolli, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, dhe ish-funksionarë të tjerë të lartë të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.(Shqip)</p>
th671D-8wRU

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25059. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25059
 
Top