Projekt-buxheti, qeveria refuzon Prokurorinë

Projekt-buxheti, qeveria refuzon Prokurorinë

Anëtarët e komisionit të Ligjeve, por edhe vetë Ministria e Financave nuk ka pranuar asnjë kërkesë të Ina Ramës për shtim fondi ndaj organit të akuzës

Financat propozojnë që Prokuroria të shkarkojë disa individë nga organika, me qëllim që të emërohen 11 magjistratë të rinj

TIRANË- Ndarja e lekëve për vitin e ardhshëm ka vënë në konflikt institucionet e drejtësisë me mazhorancën.

Pavarësisht se në gjithë retorikën e saj politike e djathta i ka mëshuar fort luftës kundër krimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, institucionet kryesore që në tërësinë e tyre përbëjnë sistemin e drejtësisë janë ndjerë dje të braktisura nga ekzekutivi dhe nga deputetët e djathtë, të cilët nuk kanë mbështetur asnjë nga pretendimet e këtyre institucioneve për më shumë para për vitin e ardhshëm.

Njëra prej tyre ka qenë edhe institucioni i akuzës, të cilit nuk i është plotësuar asnjë nga kërkesat e paraqitura dje nga kryeprokurorja Ina Rama në Komisionin e Ligjeve për shtim fondesh për vitin ardhshëm.

Prokuroria

Duke folur para Komisionit të Ligjeve, kryeprokurorja Ina Rama ka prezantuar pretendimet e këtij institucioni lidhur me mënyrën e shpërndarjes, që ka bërë Ministria e Financave Buxhetit të Shtetit për vitin e ardhshëm.

Në këtë seancë, Ina Rama njoftoi komisionin për dy shqetësime, që kanë dalë lidhur me mënyrën e shpërndarjes së fondeve të buxhetit të shtetit 2010, duke sjellë në vëmendje vërejtjet mbi numrin e punonjësve dhe fondin e pagave.

Përsa i përket aspektit të personelit ajo ka bërë të ditur se ndërsa janë rritur kërkesat për luftën ndaj krimit, kjo prokurori vijon të ketë të njëjtin numër punonjësish 807, ashtu si edhe disa vjet më parë.

Prandaj,- ka theksuar Ina Rama,- për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës është e nevojshme që të merren parasysh disa kërkesa për shtim punonjësish, përfshi këtu prokurorë, përkthyes, ndihmës juristë dhe ekspertë të ndryshëm, që në total përbënin një numër prej 54 punonjësish.

Megjithatë, duke kuptuar mundësitë e Buxhetit të Shtetit, Ina Rama i ka kërkuar që të paktën vitin e parë, pra vitin e ardhshëm këtij institucioni t’i miratohet një shtesë në personel prej 40 vetash. “Aktualisht në strukturën organike të sistemit të Prokurorisë janë të punësuar 806 punonjës. Ky numër për vitin 2010 duhet rritur me 40 punonjës”, – u shpreh kryeprokurorja Ina Rama.

Ndërsa, duke i detajuar këto kërkesa në vendet e veçanta të punës, ajo ka shtuar se duhen rekrutuar 11 ndihmës ligjore, me arsim juridik, 3 ekspertë të fushës së financave dhe teknologjisë së informacionit, 6 prokurorë dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore, 5 punonjës në prokurorinë e rrethit gjyqësor Përmet, si dhe 6 përkthyes që do të shërbejnë për zbatimin e ligjit për marrëdhëniet juridike me vendet e tjera për ekstradimet.

Një kërkesë tjetër e kryeprokurores ishte edhe ajo për të parashikuar në buxhet shtimin e një numri prej 11 prokurorësh magjistratë, si zbatim i ligjit për shkollën e magjistraturës.

Ajo ngriti shqetësime edhe për zërin e pagave dhe sigurimeve, i cili, sipas saj, ka pësuar një ulje në krahasim me një vit më parë. “Megjithëse argumentet bindëse që i kemi paraqitur Ministrisë së Financave , në projekt- buxhetin e vitit 2010 të paraqitur për miratim është planifikuar 36.730 mijë lek më pak, shumë e cila është e domosdoshme të na akordohet , pasi krijon paaftësi paguese në zërin paga dhe sigurime shoqërore”, – tha Ina Rama.

Financat

Por pavarësisht këmbënguljes së kryeprokurores, Ministria e Financave si hartuese e projekt-buxhetit ka qenë e prerë në qëndrimet e saj, për të mos bërë asnjë ndryshim nga ato që ishin parashikuar më parë. Kështu sa i përket shtimit të numrit të personelit Ministria e Financave ka deklaruar se nuk mund të bëhet asnjë ndryshim në organik, pasi kjo ka qenë një kërkesë e vjetër, që institucioni i prokurorisë e ka përsëritur çdo vit.

Ndërsa përsa i përket zbatimit të ligjit për shkollën e magjistraturës, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave i ka propozuar kryeprokurores që të gjejë mundësinë brenda organikës ekzistuese, që të emërojë 11 magjistratët duke pushuar disa individë të tjerë nga organika. “Ka një ligj që magjistratët të punësohen në prokurori, por ne kemi gjykuar që jo çdo vit mund ta shtojmë numrin e prokurorisë së përgjithshme me 11 punonjës.

Mbi këta bazë kemi menduar se këta mund të emërohen duke riparë raportet midis numrit të prokurorëve dhe numrit të personelit mbështetës, që mund të reduktohet”, – u shpreh ekspertja e Ministrisë së Financave, Vilma Çausholli. Një logjikë kjo që nuk është pritur mirë as nga kryetari i komisionit Ilir Rusmali, megjithëse edhe ai në fund i është bindur argumentimit të përdorur nga ministria.

Gjithashtu, Ministria e Financave ka hedhur poshtë edhe pretendimet e prokurorisë lidhur me kufizim të buxhetit për pagat dhe sigurimet, duke theksuar se për 2010 ka një rritje me 30 milionë lekë të reja. Ndërkohë që kundra prokurorisë kanë qenë edhe deputetët e mazhorancës të cilët kanë vlerësuar si të ekzagjeruara dhe të pa mbështetura në nevoja kërkesat e prokurorisë.

Madje sipas kryetarit të Komisionit Ilir Rusmali do të ishte më mirë që ky institucion të kërkonte ekspertë të informatikës apo elektronikës sesa të kërkonte ndihmës juridik për prokurorët. Në përfundim, kryeprokurores i është dashur të largohet duarbosh nga komisioni parlamentar i ligjeve, i cili s’ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat e saj.(Shekulli)

r9EC8ifPpiQ

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=27198. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=27198

Top