Programi elektoral i rames per bashkine e Tiranes.

komino

Valoris scriptorum
paketa fiskale e rames 2007

Rama prezanton para Komisioneve qytetare Paketën Fiskale për vitin 2007
Prezantimi i Paketës Fiskale 2007

Bashkia e Tiranës prezantoi sot para Komisioneve Qytetare, paketën fiskale të Bashkisë së Tiranës për vitin 2007 e cila është riformuluar në zbatim të eksperiencës dhe rezultatave të fituara gjatë këtyre viteve, me qëllim përmirësimin e politikës fiskale drejt një barazie të taksapaguesve, sipas aftësive të tyre paguese, nëpërmjet lehtësimit të atyre në nevojë por edhe drejt një administrimi më të mirë për të ulur evazionin fiskal.




Kryebashkiaku Rama u shpreh para komisioneve qytetare se “tanimë kur arka e bashkisë së Tiranës ëshë në një gjëndje mjaft të mirë dhe kur sistemi ynë i mbledhjes dhe administrimit të taksave është i modernizuar dhe i gatshëm për të sfiduar të ardhmen me mekanizma të rinj, ne jemi gati me një paketë fiskale që ka një risi shumë të rëndësishme”:




Paketa e re fiskale rikonfirmon si edhe përfshin këto karakteristika:




· Lehtësirat dhe përjashtimet nga pagesa e taksave lokale:




1. Përjashton kategorinë e familjeve të cilat jetojnë nën minimumin jetik, pra ata në ndihmë ekonomike, nga pagimi i Taksës së Ndërtesës dhe aplikon një pagesë simbolike për tarifën e pastrimit në 100 lekë në vit,




2. Përjashton kategoritë e invalidëve të punës dhe të luftës, veteranët, të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë nga tarifa e pastrimit, ndërsa për pensionistët aplikohet një pagesë simbolike 100 lekë në vit,




3. Vijon të zbatojë një nivel të ulët të Taksës së Ndërtesës për kategoritë e familjarëve rreth 30 % më pak nga niveli i përcaktuar në ligj, si një lehtësim për qytetarët e Tiranës,




· Incentivat




1. Vijon me taksën e përkohshme të gjelbërt për të gjithë qytetarët dhe bizneset e Tiranës pasi ka dhënë një ndihmesë të madhe në rritjen dhe shtimin e sipërfaqeve te gjelbra në qytet por ka ndikuar edhe tek qytetarët për një sjellje më të mirë ndaj mjedisit,




2. Inicion një projekt të ri ne kuadrin e shtimit të sipërfaqeve të gjelbëra në qytet ku çdo individ, familje apo organizatë mund të kontribuojë për komunitetin e tij duke mbjellë një pemë në përkujtim të një date, personi ose evenimenti. Për vitin 2007 fillon për të gjithë të dashuruarit që duan të përjetësojnë lidhjen e tyre ose bashkëshortore me anën e mbjelljes së një bliri ose rrapi ku të monumentalizohet lidhja e tyre. Me vendim të Këshillit Bashkiak do të caktohet ”Rruga e të Dashuruarve” ose zona të caktuara të Parkut Kombëtar të Liqenit për të mbjellë mimoza ose ullinj,




3. Ka një paketë lehtësuese edhe për bizneset e vogla dhe të mesme, ndërtuesit, etj të cilat do i diskutojmë me ta në një takim tjetër,




· Skemë e re Administrimi




1. Ndërmarrja e Tregje-Taksave do të jetë plotësisht përgjegjëse për administrimin e taksave të biznesit në tërësi. Kalimi i biznesit të vogël e të mesëm pranë Bashkisë do të kombinohet së bashku me një skemë të re regjistrimi dhe licensimi të biznesit.




2. Kalimin e administrimit të të gjithë taksave të familjarëve dhe qytetarëve pranë Njësive Bashkiake të Tiranës, të cilat në rolin e agjentit fiskal do të përfitojne 10 % të të ardhurave të mbledhura nga:




· Taksa e ndërtesës. Kemi shumë kohë që punojmë për marrjen e të dhënave nëpërmjet sistemit GIS. Jemi në përfundim të hartimit të një softi i cili jep të dhënat për çdo qytetar, rreth pronës së tij. Të dhënat do të kalohen nëpërmjet një net-ëorku në çdo njësi bashkiake dhe do të konfirmohen nga qytetarët për një përcaktim të saktë të detyrimit të taksës së ndërtesës;


· Administrimi i tarifës së pastrimit dhe të taksës së gjelbër, si dhe tarifës së parkimit;


· Administrimi i tregjeve i ka kaluar që prej Janarit 2005 njësive bashkiake dhe do të vijojë edhe në të ardhmen. Nëpërmjet kësaj pakete i kalohet 100 % përgjegjësia dhe autoriteti për administrimin e tarifës së tregjeve dhe përdorimit të të gjithë të ardhurave të vjela nga kjo tarifë për të mbuluar shpenzimet e administrimit të tregjeve por njëkohësisht edhe për kryerjen e investimeve të nevojshme me qëllim përmirësimin e cilësisë së tyre.




Të gjitha lehtësirat dhe nismat e përfshira në Paketën fiskale të qytetit të Tiranës do të sjellin një lehtësim legjitim të taksapaguesve të cilët nuk kanë mundësi t’i paguajnë ato por edhe një skemë të re administrimi që e sjell shërbimin e qytetarëve për pagimin e detyrimeve të Bashkisë, pranë Njësive Bashkiake.




Pas prezantimit të mësipërm, kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama shtoi se:




Kalimi i biznesit të vogël në administrimin e Bashkisë së Tiranës ka pasur vështirësitë e veta sepse nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tatimeve ne nuk kemi marrë një bazë të dhënash serioze për një shtet serioz, por kemi marrë një bazë të dhënash e cila së pari ka ardhur me vonesë dhe së dyti ka brenda perla që nuk mund të përfytyrohen për humorin publik. Këto perla ne do t’ua bëjmë me dije herë pas here kur nevoja për të qeshur në këtë errësirë që ka pllakosur vendin nga të katër anët, do të bëhet e papërmbajtshme. Kjo paketë vjen edhe si rezultat i komunikimit intensiv me publikun dhe thithjes së opinionit qytetar nëpërmjet anketimit tonë vjetor dhe me këtë paketë ne sot arrijmë të përmbushim kërkesat e grupeve në nevojë dhe të gjithë atyre që në mënyrë legjitime kanë kërkuar dorën e shtrirë të solidaritetit tonë”.




23.01.2007
 
Top