Re: Privatizimi i BIA-s!!!
Në Romë është firmosur marrëveshja për blerjen e 80 për qind të aksioneve të BIA-s nga Banka San Paolo IMI
Sanpaolo IMI firmos blerjen e BIA-s me 40,8 milionë USD
Altin Xhikneli
TIRANË-Banka italiane San Paolo IMI ka firmosur marrëveshjen për blerjen e Bankës Italo-Shqiptare (BIA) me një vlerë prej 40,8 milionë USD. Kështu, dje në Romë, siç ishte njoftuar një muaj më parë në gazetë, Sanpaolo IMI ka firmosur marrëveshjen për blerjen e një pjesëmarrjeje prej 80% në Bankën Italo-Shqiptare nga Grupi Kapitalia dhe nga Ministria e Financave të Shqipërisë, aksionerë shitës me nga 40% secili. Ndërkohë që pjesa e mbetur prej 20% të kapitalit mbahet nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), që në sajë të vazhdueshmërisë në kapitalin e BIA-s, ka nënshkruar po sot, së bashku me dy aksionerët e tjerë, marrëveshjet menaxhuese me Sanpaolo IMI. Shumës prej 40,8 milionë USD do t’i shtohet edhe fitimi i periudhës në vazhdim deri në mbylljen e këtij procesi. Para një muaji, e përditshmja “Il Messaggero” u shpreh se për blerjen e BIA-s nuk ishin vetëm italianët në radhë, por edhe disa investitorë të tjerë. “Fitorja e bankës torineze, ku administrator i deleguar është Alfonso Jozzo dhe drejtor i përgjithshëm Pietro Modiano, në realitet është avantazhuar pikërisht nga qeveria e Tiranës, duke rënë në ujdi me Capitalia S.p.a.,” thuhej në artikullin e të përditshmes italiane. Të tre aksionerët e Bankës Italo-Shqiptare janë këshilluar nga audituesi Rothschild, të cilit i kanë ardhur edhe tri oferta të tjera për blerjen e bankës, banka hungareze OTP, Banka Amerikane Shqiptare, si dhe një institut mjaft i madh bullgar. Në Shqipëri e ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 400 kompani. Këto janë kompani të mëdha e të vogla, kryesisht kanë aktivitete industrinë e këpucëve, si dhe atë të tekstileve, që shfrytëzojnë krahun e punës në Shqipëri, i cili është i lirë. Sanpaolo Imi është një “miqësi e vjetër” e qeverisë së Tiranës, shprehet “Il Messagero”, ku nëpërmjet Banka Imi ka marrë konsulencë për privatizimin e shumë sektorëve strategjikë. Sanpaolo Imi është banka e dytë që zbarkon në Shqipëri, pas blerjes prej 5 milionë euro të Bankës Dardania nga Banka Popullore Pulieze.
Strategjia e italianëve
Në komunikatën për shtyp të bankës torineze San Paolo IMI, ky operacion futet në kontekstin e konsolidimit të vetë prezencës në tregjet strategjike të Evropës Lindore, në të cilën parashikohen ritme të larta rritjeje, dhe ku grupi është tashmë prezent me pjesëmarrje në Hungari nëpërmjet Inter-Evropa Bank (85,9%), në Rumani nëpërmjet Sanpaolo IMI Bank Romania (98,6%) dhe në Slloveni nëpërmjet Banka Koper (63,9%). Objektivi është ai i dhënies së një kontributi të rëndësishëm për zhvillimin e lidhjeve ekonomiko-tregtare midis dy vendeve, falë ofrimit të shërbimeve e konsulencës, në mbështetje të zhvillimit ndërkombëtar dhe të rritjes së bizneseve të klientëve italianë që operojnë jashtë, nëpërmjet promovimit të kooperimit midis palëve të ndryshme vendëse.
BIA
Banka Italo-Shqiptare ka një total aktivesh prej 185 milionë dollarësh, sipas të dhënave të fundit të prillit të këtij viti. Kapitali i saj aksionar është 19 milionë dollarë. Gjatë katërmujorit të parë të këtij viti banka realizoi një fitim neto prej 2,17 milionë dollarësh, nga të cilat rreth 1 milion ishin të ardhura nga akvititeti dhe 1,17 milionë fitime të jashtëzakonshme. Të dhënat për katërmujorin e parë të këtij viti shprehin potencialitetin real të njërës prej bankave më të mëdha në Shqipëri.
E themeluar në vitin 1992, BIA është e katërta bankë në vend, përsa i përket investimeve (67 milionë USD dhe një kuotë tregu prej 8,9%), është e pesta për depozitat nga klientët (157 milionë USD dhe një kuotë tregu 3,9%), ka një rrjet prej pesë degësh lokale në qytetet kryesore, si dhe 75 punonjës.
08/12/2005
shekulli