Re: Privatizimi i ALBTELECOM e ARMO sh.a
Ish-ministri i Ekonomisë, Ilir Ciko, që është marrë me procesin, vlerëson privatizimin e Albtelekom
Albtelekom, privatizimi më i turpshëm
Të ardhurat nga privatizimi do të treten shpejt në disa tendera rrugësh apo do të mbulojnë borxhet që shteti krijon përditë
Shekulli
I dashur Erdogan*,
Kur rreth një vit më parë i nderuari ambasador i vendit tënd dërgoi një ftesë për pjesëmarrje të shoqërive shqiptare në privatizimin e telekomit turk, të parashikuar për t’u kryer në maj 2005, të urova suksese dhe përgëzime për një proces i cili zhvillohej paralelisht me privatizimin e telekomit shqiptar, për të cilin fill pas përfundimit të studimeve m’u besua drejtimi i tij nëpërmjet detyrës së zëvendësministrit të Ekonomisë. Në atë kohë nuk e dija se një vit më pas do të isha larguar nga kjo detyrë, për arsye me të cilat zyrtarisht ende nuk jam njohur edhe sot e kësaj dite, dhe pse kanë kaluar tashmë dy muaj. Ka që besojnë se një ndër to është dhe lidhja e mundshme me këtë proces, por deri më tani e vetmja bindje që kam është që personat që duhet të dinin të vërtetën mbi këtë çështje ende nuk e dinë atë. Gjithsesi, kjo nuk është aspak e rëndësishme për ty e shumë të tjerë, pasi histori të tilla, ku qëllimi justifikon tërësisht mjetin, janë të përditshme e të heshtura në realitetin ballkanas dhe përbëjnë motivin kryesor të zhgënjimit dhe arratisjes së brezit të ri, në mentalitet e jo në moshë, si nga administrata publike ashtu dhe prej vendeve tona. Çfarë është e rëndësishme dhe që më bëri të shkruaja këtë letër, është se një vit më parë nuk mund të parashikoja se procesi, të cilit i jam përkushtuar për një vit e gjysmë, do të përfundonte në këtë mënyrë dhe se rrugët e zhvillimeve në vendet tona do të kryqëzoheshin në një pikë, e cila ngre mjaft pikëpyetje të rëndësishme. Ndaj të cilave nuk mund të heshtet. I larguar nga pozicionet shtetërore, është e lehtë të bësh të paditurin e të pajtohesh me realitetin apo të sulmosh atë për të cilën ke punuar. Besoj se e kupton që e kam të tërë moralin e duhur për të mos bërë as njërën dhe as tjetrën. Por Shqipëria ndodhet në një fushatë elektorale dhe me motorat e politikës ndezur, të gjitha deklaratat që ditët e fundit kanë pushtuar shtypin mbi privatizimin e “Albtelecom-it”, kanë krijuar një tymnajë sa është e pamundur për qytetarin e thjeshtë për të kuptuar se ç’ka ndodhur dhe ç’po ndodh në të vërtetë. Për këtë arsye, nuk mund të mos analizoj dhe të nxjerr konkluzione si një qytetar i këtij vendi, si një konsumator dhe taksapagues mbi të cilin bien kostot e përzgjedhjeve të gabuara dhe si një ekonomist që ka aq përvojë për të kuptuar se ç’ndodh përtej fasadave.
Privatizimi
Komentet e ditëve të fundit nga politikanë, gazetarë, analistë kanë patur në qendër të debatit vlerën e privatizimit të “Albtelecom-it”. E thënë troç, me përmasat e frikshme dhe të turpshme që fenomenet më negative dhe të dëmshme për një ekonomi në tranzicion të përhershëm, privatizimi i “Albtelecom-it” do të justifikohej edhe nëse do të ishte kryer falas. Jam i detyruar për të bërë një pohim të tillë, jo sepse më duhet të mbështes Friedman-in apo ndonjë tjetër nga pedagogët tanë, por duhet ta bëj me dhimbje dhe duke besuar se qoftë Friedmani, qoftë kushdo ekonomist liberal sot në botë nuk mund të arrijë të imagjinojë problematikën e ekonomive në tranzicion të përhershëm. Argumenti i vlerës së shitjes është më i përfoluri dhe më pak i rëndësishmi në procese të tilla, kur harrohen elementë të tjerë shumë herë më të rëndësishëm që fshihen pas tij. Të ardhurat nga privatizimi i Albtelekomit do të treten shpejt në disa tendera rrugësh apo do të mbulojnë pjesërisht borxhet që shteti krijon përditë. Të ardhurat nga privatizimi janë argumenti ekonomik më i debatueshëm, pasi çdo lloj vlere është lehtësisht sa e kontestueshme, po kaq dhe e mbështetur. Por meqenëse publiku është veçanërisht i ndjeshëm ndaj këtij faktori, edhe për të është me vend të peshohen disa fakte.
Bilanci 2004
Zëri Vlera euro
Asete 180 milionë
Kapitali i nënshkruar 160 milionë
Vlera e shitjes 120 milionë
Aksionet që privatizohen 76 për qind
Mali i Zi, “homologu” 3 herë më i vogël, u shit 135 milionë euro
Konflikti i drejtpërdrejtë i interesit ka motivuar shoqërinë konsulente të japë vlerësimin më të ulët të mundshëm të Albtelekomit
Krahasimi me procese të ngjashme është një tjetër formë për të gjykuar mbi vlerën e shitjes së shoqërisë. Disa i janë referuar vlerës së privatizimit të telekomit maqedonas apo bullgar, por mendoj se këto realitete janë mjaft të ndryshme nga i yni, si në kohë, ashtu dhe në specifika. Pak mbase janë në dijeni se vetëm 2-3 muaj më parë përfundoi privatizimi i telekomit të Malit të Zi, i cili u krye paralelisht me tonin dhe që në mjaft aspekte ishte i ngjashëm me të. Rreth 50% e aksioneve të shoqërisë, e cila ka më pak abonentë se Albtelekom dhe një penetrim (tregues që pasqyron numrin e abonentëve për popullsi, i cili sa më i lartë tregon për një shtrirje të rrjetit dhe njëkohësisht për potencial më të vogël zhvillimi) të paktën 3 herë më të lartë se të Shqipërisë, u shitën për 135 milion euro. Çdokush me një përllogaritje aritmetike mund të nxjerrë se sa do të ishte vlera e pritshme e shitjes së Albtelekomit mbi këta parametra. Me përjashtim të telekomit serb, të gjitha shoqëritë që morën pjesë dhe dorëzuan ofertat e tyre në privatizimin e telekomit të Malit të Zi, pesë në total, ishin pjesëmarrëse gjithashtu deri në momentet e fundit, në privatizimin e Albtelekomit. Për të mbështetur vlerën e dhënë në tender është përdorur argumenti i vlerësimit të kryer nga shoqëria konsulente e privatizimit, e cila besoj se i ka dhënë qeverisë vlerësimin e saj për Albtelekomin. Nuk e njoh këtë vlerësim - nga deklaratat publike lihet të kuptohet se konsulentët duhet të kenë dhënë një vlerësim më të ulët se vlera e përftuar në ‘tender’, por pa paragjykuar profesionalizmin e tyre, është evident fakti se në këtë rast kemi të bëjmë me një konflikt të drejtpërdrejtë interesi që do ta motivonte shoqërinë konsulente për të dhënë vlerësimin më të ulët të mundshëm të Albtelekomit. Kjo sepse shoqëria konsulente përfiton drejtpërdrejt një përqindje të majme të vlerës së shitjes së Albtelekomit dhe natyrshëm nuk do të kishte asnjë arsye për të rrezikuar procesin (dhe fitimin e saj), duke i dhënë qeverisë një vlerësim real të Albtelekomit. Por konflikti i interesit është nje term relativisht ende i ri në fjalorin shqiptar dhe do të duhet ende kohë për të kuptuar si duhet rëndësinë e tij.