Prishtinë: U inaugurua objekti i ri qeveritar

Prishtinë: U inaugurua objekti i ri qeveritar

qeveria-e-kosoves-300x230.jpg
Presidenti, kryeministri, ministri i Administratës Publike dhe përfaqësuesi i kompanisë Mabetex kanë prerë të mërkurën shiritin me rastin e inaugurimit të objektit të ri qeveritar, ish – Pallati i Mediave, me çrast u vlerësua se me këtë rast po krijohen kushte dhe mundësi të reja për ngritjen efikasitetit të punës së Qeverisë së Kosovës.
Të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe përfaqësues të institucioneve të tjera, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë qeveritar.
Me këtë rast, presidenti Fatmir Sejdiu theksoi se inaugurimi i objektit të ri qeveritar është një moment i veçantë për institucionet e vendit, që do të ofrojë mundësi më të mira për punën e një personeli të madh të zyrtarëve qeveritarë.
Sipas tij, investimi i bërë në këtë objekt e ka peshën e vetë në kuptimin e krijimit të rrethanave më të mira dhe më të përshtatshme për punën e njerëzve të institucioneve të vendit.
Besoj se në këtë trend do të vazhdohet edhe me objektet tjera të institucioneve të Republikës, sepse siç e dini edhe vetë, nuk është e mjaftueshme kapacitetet apo fondi ekzistues për shumë nga institucionet dhe kujtoj që viti i ardhshëm do të jetë një sfidë e veçantë për objekte të reja, ka thënë Sejdiu.
Kurse kryeministri Hashim Thaçi tha se ky objekt i bukur i ndërtesës së renovuar të Pallatit të Mediave krijon kushtet më të përshtatshme në rajon për punën e institucioneve të vendit dhe krijon kushte, hapësirë dhe mundësi të shumta për punën e shumë ministrive dhe të një personeli të madh.
Renovimi i këtij objekti, sipas Thaçit, është në kuadër të zotimeve të Qeverisë së Kosovës për nxjerrjen e institucioneve qeverisëse nga objektet private.
Natyrisht një nga zotimet tona që në fillim ka qenë nxjerrja e institucioneve apo e ministrive nga objektet me qira e private dhe ndërtimi apo renovimi i objekteve adekuate, përshtatja e tyre. Ky është një investim që do të ndikojë në rritjen e efikasitetit qeverisës, krijimin e kushteve shumë më efektive, është shprehur Thaçi, duke përgëzuar me këtë rast edhe ministrin e Administratës Publike, Arsim Bajrami edhe kompaninë Mabetex për punën e shkëlqyer.
Në objektin e ish-Rilindjes, i njohur edhe si Pallati i Mediave, i cili ka kushtuar 15 milionë euro, pritet të vendosen katër ministri dhe një staf prej rreth 800 punonjësish.
Ndonëse, sipas zyrtarëve të MAP-së ende nuk është bërë e qartë se cilat ministri do të vendosen dhe se një gjë e tillë do të bëhet përmes një vendimi të Qeverisë, kohë më parë është thënë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të jenë dy prej ministrive që do të akomodohen në objektin e ri, ndërkaq edhe Ministria e Forcës së Sigurisë ka mundësi që të jetë pjesë e këtij objekti.
Sidoqoftë, deri në akomodimin e ministrive në këtë objekt do të merr edhe shumë kohë, pasi sipas përfaqësuesve të Mabetexit, një gjë e tillë kërkon kohë, të paktën deri në maj të vitit të ardhshëm.</p>

Ky artikull eshte marre nga: http://www.shqipmedia.com/?p=24027. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shqipmedia.com/?p=24027
 
Top