Princat, vuajtja nga papunësia

Princat, vuajtja nga papunësia

Spiunohen, ndiqen nga media, përfliten për jetët personale dhe netët jashtë nëpër pabe. William dhe Harry, djemtë e Dianës jetojnë mes luksit dhe disa bamirësive sporadike. Ndërkaq kanë filluar që të ndihen të padobishëm dhe të pyesin veten:</p>


Duan që të jenë më shumë se disa zbukurime, apo djem në uniforma mbretërore. William, djali i parë i Princeshës Diana dhe Mbreti i ardhshëm i Anglisë, është tashmë 27 vjeç dhe nuk ka një punë, një pozicion të caktuar në karrierë. Gjithçka ai bën është pritja, ndoshta e pafundme për një kurorë që nuk dihet se kur dhe si do të përfundojë në kokën e tij, duke qenë se gjyshja, edhe pse e moçme gëzon shëndet të fortë e ndërkohë i pari në radhë është i ati, Princi Çarls. Ky i fundit ka 61 vjet që pret dhe i biri, teksa e sheh këtë situatë të dëshpëruar shpreh dëshirën që të bëjë më shumë në jetë, sesa të qëndrojë në stolin e rezervave. Ai kërkon që të jetë diçka më shumë se një publicitet ambulant në mbretërinë britanike, si dhe urren faktin që deri më tani vazhdon të jetë, si dikur e ëma në qendër të vëmendjes së paparacëve dhe mediave që merren me skandalet. Me afrimin e të 30-tave, impenjimi i tij i vetëm është si zëvendëskolonel i forcave ajrore britanike, RAF, që në fund të fundit nuk është aspak një impenjim me kohë të plotë. E ndërkaq, duket se i ka ardhur në majë të hundës, madje aq sa të thotë: “Mjaft! Dua të jem edhe unë i dobishëm!” Por të njëjtën gjë bëri edhe i ati kur përfundoi edukimin ushtarak në moshën 28-vjeçare, por ndryshe nga i biri ai kishte 200 impenjime si princ në vit, ndërkohë që William ka vetëm 24. Si e ëma ai kryeson disa fonde bamirësie, në të cilat shkon vetëm disa herë në vit dhe së fundi në shoqërinë e një grupi të pastrehësh është ngjitur në majën e malit Helvelyn, maja e tretë më e lartë në Angli. Bëhet fjalë për njerëz që nuk kanë impenjime, që nuk janë inkuadruar në asnjë lloj aktiviteti dhe jetojnë të varfër. Duket se William ndihet mirë me ta, sepse si edhe ata edhe Mbreti i ardhshëm nuk ka asnjë shans që të gjejë ndonjë punë normale. Ndërkaq, është fejuar me një tjetër të papunë bukuroshe, e njohur tashmë me nofkën: “Keti në pritje” për shkak se ka 8 vjet, qëkur është njohur dhe dashuruar me William që është në pritje të një kërkese për martesë.
Por edhe i vëllai tjetër më i vogël, Harry, nuk është në një situatë më të mirë. Por ndryshe nga William ai ka marrë me shumë qejf jetën e natës. Netët e tij kalojnë mes lumenjve të alkoolit dhe duhanit, këngëtareve e aktoreve të famshme, si dhe pasanikeve e trashëgimtareve të pasura që si ai nuk dinë ku të kalojnë kohën e ku ti çojnë paratë. Por edhe Harry, që ndërkohë ka një lidhje të qëndrueshme zyrtare që prej 5 vitesh me një miliardere nga Afrika e Jugut, kërkon në vetvete që të rritet e të ndihet i dobishëm, por më kot. Ndërkaq, të dy trashëgimtarët e pasurisë dhe të fronit po përpiqen që të gjejnë rrugën e tyre në botën e filantropisë. Madje edhe të dashurat e tyre po përpiqen që ti futen kësaj rruge, që në fakt u hap nga Diana. Se sa do tia dalin mbanë që të kenë sukses kjo nuk dihet, por të paktën ata thonë se po përpiqen. Një tjetër gjë në të cilën i ngjajnë mamasë është edhe marrëdhënia që kanë paparacët me ta. Dy vëllezërit vazhdojnë që të jenë “preja” e zgjedhur e shtypit të skandaleve nga të gjitha cepat e planetit. Sapo ka dalë një nga skandalet më të mëdha të shtypit në lidhje me djemtë dhe që ka të bëjë me përgjimet e telefonit të Harry-t nga ana e shefave të revistës “News of the World”. Ishte një fakt i rëndë që ka larguar nga detyra kryeredaktorin, por që ka nxjerrë në dritë faktin se sa të ndjekur e përndjekur janë William e Harry, por edhe të dashurat e tyre. Kate, e fejuara e William, që do të jetë edhe Mbretëresha e ardhshme ka dalë së fundi në shtyp për faktin e thjeshtë të mënyrës së veshjes, të sendeve e veshjeve shumë të shtrenjta që preferon e nxjerr vazhdimisht në pah kur është vetëm ose përkrah princit. Për sa u përket vëllezërve, ata duken më të lidhur me njëri-tjetrin se në të shkuarën. Duket sikur i bën bashkë kërkesa dhe dëshira e madhe për të gjetur vetveten, pozicionin e tyre në jetë dhe në shoqëri dhe sigurisht në mbretëri. Ata i bën bashkë edhe përçmimi që kanë për median dhe sigurisht plaga që ende kanë për vdekjen e parakohshme të mamasë. E dinë që kanë mbi shpatulla fatin e ardhshëm të monarkisë më të madhe dhe më të fuqishme në botë. Është e vërtetë që parë së jashtmi nuk duket ndonjë peshë e bezdisshme dhe e rëndë, por në fakt është ndryshe. Jashtë shkëlqimit, festave, shkollave të mira, parave, të dashurave bukuroshe, jeta e tyre është e “ngurtësuar” në protokolle mbretërore, që drejtohen nga një sërë nëpunësish të devotshëm dhe shumë skrupulozë, këshilltarësh diplomatikë dhe ushtarakë që në vetvete përbëjnë një ushtri që u ka sulmuar jetën dhe nuk u lë shumë vend për hapësira të lira, apo qoftë edhe për të shprehur veten ashtu sikundër janë. Çdo hap, çdo zgjedhje është e programuar më së miri nga stafi që ndodhet në afërsi të rezidencës së princave në pallatin St James. Sipas atyre që e konsiderojnë veten shumë të informuar për çështjet e princërve, edhe vetë martesa e William me Kate është çështje e “arsyes shtetërore”. Ajo duhet të jetë një datë që do të caktohet duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme britanike, si dhe zhvillimin e Olimpiadës së Londrës në vitin 2012. Por ndërkaq, atmosfera në Britaninë e Madhe nuk është aq rozë sa njerëzit të merren me problemet e vëllezërve monarkë. Vendi ndodhet në krizën më të rëndë ekonomike të pasluftës dhe kjo ka bërë që republikanët të kenë shumë më tepër pretendime se më parë për qëllimet e tyre. Kjo edhe pasi kostoja e monarkisë është ekuivalente me hapjen e 10 mijë vendeve të reja të punës për infermieret, 9699 vendeve të punës për mësues, apo ndërtimin e 18 shkollave të reja. E ndërsa të gjithë po marrin në konsideratë shkurtimin e shpenzimeve në të gjitha aspektet e jetës ka ardhur momenti edhe për një rishikim të vetë rolit të monarkisë. Sipas republikanëve, nuk duhet toleruar më që të reduktohen ndërmarrje të dobishme për qytetarët, por të mos reduktohen shpenzimet e qejfit të një grushti njerëzish. E ndërsa ushtria e të papunëve në moshë të re sa vjen e merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, solidariteti i njerëzve për “papunësinë” e William dhe Harry është në minimumin historik.(Shqip)</p>
NcPFn9XqrcI

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24133. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24133
 
Top