Prejadhja, jeta dhe vdekja e “Mikelanxhelos së Orientit”

enton

Primus registratum
Prejadhja, jeta dhe vdekja e “Mikelanxhelos së Orientit”

Mimar Sinani, i bërë copash Ballkanit...

Jo pak historia na përmend ne shqiptarëve, herë duke na lëvduar e herë duke na fishkulluar për udhët që kemi ndjekur, për kokat që kemi nxjerrë, për të mirat që u kemi bërë të tjerëve. Jo rrallë brez pas brezi kemi ruajtur në fund të shpirtrave tanë ato “koka” që nxorri ky popull e që për zot u dolën të tjerët. Siç shprehet edhe shkrimtari Kim Mehmeti “ne jemi një popull i vetmuar”, ne mund të shtojmë se ne jemi një “popull i grabitur”, dhe historia na ka grabitur dhe mohuar ata që i kemi pjellë vetë. Nga të parët që na është vjedhur është Arkitekt Sinani, një prej arkitektëve që në shekullin e 15-të mëkëmbi arkitekurën orientale. Na është vjedhur Sami Frashëri, e Aleksandër Moisiu, ndërsa ishim duke humbur edhe Kadarenë, librat e të cilit prej kohësh po shpërndahen (përkthehen) nëpër botë prej frëngjishtes. Por le të kthehemi 500 vjen mbas, në kohën kur jetoi një nga kollosët më të mëdhenj të arkitekturës botërore, Mimar (arkitekt) Sinani. Arkitekti i madh i cilësuar “Mikelanxheloja i Orientit”, sipas studiuesit Denis Sharp, lindi në Anadollin qendror nga një familje ortodokse greke. Këtu fillon edhe mosmarrveshja në lidhje me prejardhjen e arkitekit të madh, i cili nga burime të tjera (Henry Maththwes) tregohet si një fëmijë i një familjeje kristiane por që kishte përzgjedhur masonizmin. Historianët turq nuk kanë ngurruar të shprehen se Sinani, rridhte nga një familje turke dhe se ai aktualisht trajtohet si një arkitekt turko-osmanlli. Por preardhja e tij e diskutuar shqiptare, fiton edhe më shumë vlerë, pasi sipas burimeve historike turke, ai ka qenë mik i ngushtë me komandantin legjendar osman Sokullu Mehmet Pasha, i cili rridhte nga një familje nga Bosnja (dhe që më parë quhej Sokoloviç). Poeti ynë i njohur Xhevahir Spahiu, do shprehej se `për hir të së vërtetës duhet kërkuar dhe gjetur prejardhja e Arkitekt Sinanit, sepse kur të bëjmë shkencë duhen gjetur edhe rrënjët kloseologjike. Për Sinanin ka rreth 1000 libra, sipas të cilëve prejardhja e tij ngatërrohet më shumë. Ai tregohet si turk, bullgar, bosnjak etj, ndërsa grekët janë kanë predikuar me të madhe se ai ka qenë grek. Vetëm burimet gjermane nxjerrin origjinën shqiptare të Sinanit. Sipas Xhevahir Spahiut një përpjekje kanë bërë edhe dy studiuesit, Gjergj Frashëri dhe Sul Domi. Studiuesit e nxjerrin Sinanin me origjinë nga Qesarati i Tepelenës. Kundrejt Qesaratit, përtej Vjosës, ndodhet pikërisht fshati Sinanaj, që sipas studiuesve të mësipërm ka qenë pronë e arkitekt Sinanit. Në Shqipëri me emrin e tij është e lidhur edhe xhamia në qendër të Vlorës dhe me një kështjellë, rrënojat e së cilës ndodhen në vendin ku aktualisht gjendet stadiumi “Flamurtari”. Ndërtimi i xhamisë dhe kështjellës në Vlorë përqaset me ardhjen e Sinanit dhe ushtrisë turke në Vlorë (sipas Evlija Celebiut), në mezin e shekullit të 16-të. Poeti Spahiu parashton edhe një fakt të rëndësishëm në lidhje me prejardhjen e Sinanit . ``E pra nga ishte Sinani? Nëse ai bëri Sulejmamien e famshme në Stamboll, dhe ishte kryearkitekti i Perandorisë Osmane, pasardhësi i tij në këtë post ka qenë pikërisht Mehmet Sedefqari, një arkitekt nga Elbasani, autori i Xhamisë Blu po në Stamboll. Prejadhja e Sedefqarit nuk dyshohet në Turqi. Po mbas elbasanasit? Erdhi një tjetër kryearkitekt tanimë nga mali i Tomorrit, arkitekt Kasëmi. Në vakëfnamenë e tij (testamenti), ai do thotë shprehimisht `unë jam nga Grëmshi i Tomorricës`. Kështu pra u krijua një traditë në perandori që arkitektët të ishin shqiptarë. Sipas Gjergj Frashërit, prej arkitekt Kasëmit është zbuluar një xhami dhe hamam në fshatin e tij të lindjes”. Kështu përfundon ligjëratën e tij poeti Xhevahir Spahiu në lidhje me tre kryearkitektët gjenialë shqiptarë të perandorisë multietnike osmane. Një fakt që e mbështet prejardhjen shqiptare të tre kryearkitektëve, është edhe termi “kalldrëmet shqiptare”, që përdoret edhe sot në Turqi, dhe që simbolizon mjeshtërinë shqiptare për ndërtimin dhe ustallarët (mjeshtrat) shqiptarë, dhe për kalldrëmet e bukura që stolisnin dikur qytetet tona.

Vepra e Sinanit

Ai lindi në vitin 1489 ose 1490, një datë e pasigurt prej ndryshimit të kalendarit hënor mysliman dhe kalendarit që aktualisht përdorim. Në moshë të re u mor në radhët e jeniçerëve ku luftoi për shumë vjet. Në fushatat e shumta ushtarake ai u njoh me arkitekturën e vendeve të pushtuara, dhe mësoi shumë duke mbajtur shënime. Ai mori pjesë në pothuaj gjithë fushatat kryesore që nga Egjipti, Iraku, Rodosi, Krimea, Beogradi, e deri në Vjenë. Ai lundron edhe për në Korfuz e më vonë kalon edhe në rajonin e Puljas në Itali. Në vitin 1538 ai mer pjesë në fushatën e Kara Budanit në Moldavi, ku tërhoqi edhe vëmendjen e Sulltan Sulejmanit, të ashtuquajturit “Kanuni”, (Ligjvënësi). Në 13 ditë, arkitekt Sinani ndërtoi një urë mbi lumin Prut, ku kaloi ushtria osmane, dhe për këtë Sulltani kërkoi që ai të qëndronte pranë tij. Kështu filloi edhe karriera e lavdishme e Sinanit, i cili numron rreth 400 vepra që nga Meka e deri në Krime e në Vjenë. Ai me punën dhe talentin e tij të pakrahasueshëm, arriti të bëhej kryearkitekti i oborrit të sulltanit, ndërsa ishte njeriu që i ndryshoi faqen Stambollit osman. Kështu vepra e Arkitekt Sinanit ndahet në tre plane: ndërtimet teologjike, ato urbane dhe ato ushtarake. Ndër veprat që i dihen dhe që i kanë rezistuar kohës janë 84 xhami, 52 xhami të vogla (mesxhide), 57 shkolla teologjike (medrese), 7 spitale, 22 mazoleume, 17 strehë vorfënore, 5 ujësjellësa, 8 ura , 20 hane, 48 hamame etj. Sinani, i cilësuar nga evropianët si “Mikelanxheloja i Orientit,” jetoi dhe punoi si kryearkitekt i oborrit në kohën më të ndritur të perandorisë osmane, në kohën e Sulejmanit, Selimit II, dhe Muratit III. Ai luajti rolin kryesor në krijimin e simboleve të perandorisë multi-etnike osmane dhe la gjurmët e kësaj perandoria në rajonet nga të cilat ajo u tërhoq më vonë. Ai ndërtoi tre xhamitë simbol, atë të Shehzade Mehmetit dhe Sulejmanien në Stamboll si edhe Selimijen në Edrene. Sipas dokumentave historike ai e ka ndarë punën tij në tre periudha. Në të parën, fazën e çirakllëkut në arkitekturë, ai ndërtoi Xhaminë e Shezade Mehmetit në Stamboll. Periudha e dytë është ajo e kallfës në të cilën ndërtoi Sulejmanien Madhështore po në Stamboll në një hark kohor prej 7 vjetësh, kushtuar Sulltan Sulejmanit. Në fazën e tretë dhe e fundit, pra në atë të ustallëkut-mjeshtërisë, Sinani ndërtoi Selimijen në Edrene, në kohën kur mbretëronte Selimi i Tretë. Por Arkitekt Sinani nuk merrej vetëm me ndërtimin e xhamive. Ai gjatë kësaj kohe zbatonte edhe projekte të tjera, duke kompletuar kështu veprën e tij madhore. Për shërbimet e bëra ai u quajt Koxha Sinan (Sinani i Madh), ndërsa vetë njihej për thjeshtësinë dhe dëshirën e pashtershme për punë. Profesorët e arkitekturës në vitet tona (sidomos ata evropianë), e kanë cilësuar si një `` jashtëtokësor`` arkitekt Sinanin, për dijen dhe praktikimin e saj. Puna e tij është cilësuar si ```kulmi i punës me gurë``, ndërsa kubetë e xhamive të tij si shembujt më të mirë të akustikës në ndërtim.

Historia rrënqethëse e vdekjes së Koxha Sinanit

Sipas burimeve historike Sinani njihej për punën e tij kolosale por edhe për mosmarrveshjet me 3 sulltanët për të cilët punoi. Si në çdo kohë, edhe atëhere të shumtë ishin ata që në oborrin e sulltanit merreshin me `baltëhedhjen` mbi njerzit punëtorë. Në lidhje me Sinanin kjo ishte normale, po të kemi parasysh dijen dhe gjenialitetin e tij kolosal dhe interesin e drejtpërdrejtë të sulltanëve për punën e tij. Pozicioni i tij, përherë i privilegjuar dhe vendi i tij i përhershëm pranë sulltanit, ngjalli xhelozinë e shumë vetëve. Disa prej tyre i shtinë në vesh sulltanit fjalët se `Sinani po bënte qejf në xhaminë e Shehzade Mehmetit`, xhami kushtuar djalit të vdekur të Sulejmanit. Sulltan Sulejmani shkon menjëherë në xhami dhe e gjen Sinanin në mes të xhamisë ulur këmbëkryq duke pirë nargjile (lloj duhani turk që pihet me një llullë të gjatë). Ai turret drejt Sinanit i cili me qetësi ngrihet në këmbë. ``Për këtë të paguaj unë ty?``, pyet Kanuni ndërsa Sinani përgjigjet: Dëgjo! Ai i fryn nargjiles së tij, ndërsa shushurima e saj shpërndahej nëpër gjithë xhaminë. Me këtë Sinani tregoi se po maste akustikën e xhamisë që ishte tejket e rëndësishme në atë kohë pasi zëri duhej të dëgjohej në çdo kënd të xhamisë, po të kemi parasysh se mikrofonat dhe sistemet e zërit u shpikën në kohën tonë. Kështu sulltan Sulejmani pa dhe një herë sesa pa vend ishin thashethemet në lidhje me Sinanin. Një fushatë injoruese kundër tij filloi edhe në kohën kur atij ju dha urdhëri të dizenjonte dhe të zbatonte projektin e quajtur ``40 çezmat`` (Kërkçeshme), projekt i cili do t`i sillte ujin gjithë Stambollit. Ziliqarët nuk pushuan sërish ndërsa shumë prej tyre i frynin në vesh sulltanit “ai nuk bën dot një udhë mushkash e jo më të bëjë një ujësjellës për gjithë Stambollin”. Kanuni sërish kërkon shpjegime nga Sinani, i cili e qartëson edhe më shumë mendimin e mirë te bashi i perandorisë. Më në fund, Sinani arrin të sjellë ujin në Stamboll, një projekt i synuar që nga Justiniani, perandori Bizantin që në shekullin e VI mbas Krishtit. Kështu Sulejmani i thotë arkitekt Sinanit të kërkojë ç`të dojë për shërbimin e tij dhe për ujin që shoi etjen e kryeqytetit perandorak. “Madhëri, -përgjigjet Sinani- punën time Ju e paguani me para, dhe unë s` kam të drejtë të kërkoj diçka tjetër”. “Nëse ti nuk ke dëshirë të zgjedhësh diçka atëhere është dëshira ime ajo që do të të ofrojë diçka” shprehet sulltani, dëshira e të cilit nuk mund të thyhej. “Madhëri, dëshira juaj u plotësoftë- do doja që nga ujësjellësi i Stambollit, të më vinte një çezmë edhe në konakun tim” thotë Sinani. “Qoftë e thënë, qoftë e bërë” përgjigjet Sulejmani, i cili jep urdhër të bëhet kjo gjë, por nuk lëshon një ferman (urdhër) zyrëtar për këtë e cila do t`ja jepte zyrëtarëisht ujin dhe çezmën më vete kryearkitektit. Vitet kalojnë dhe në fron është ulur Murati i Tretë, nipi i Sulejmanit. Arkitekt Sinani, kaluar 95 vitet, ende vazhdon të punojë ndërsa mosha bën të sajën. Gojët e këqia sërish folën kundër Sinanit, ndrësa ai ishte i vetmi në Portën e Lartë që me punën e tij u kishte rezistuar tre sulltanëve, ndërsa edhe vetë koka e disa kryevezirëve (kryeministrave) nganjëherë këputej si bostan. Kështu një ditë këshillëtarët e Muratit ankohen duke thënë se Sinani merr ujë në rrugë jo të ligjshme. Në moshën 97 vjeçare, kryearkitekti gjykohet para parisë së Stambollit, dhe shpallet fajtor për çezmën që kishte në konak. Fjalët e tij se kjo ishte një dhuratë nga Sulltan Sulejmani, nuk vlejtën dhe Murati dha urdhër të pritej uji në shtëpinë e kryearkitektit plak. Kështu në moshë të thyer ai u përball me një ulje të tillë, ndërsa ato ditë ai duke dalë gjithnjë e më pak nga shtëpia filloi të vuante nga etja. Meqë çezma tjetër e mëhallës (lagjes) ishte shumë larg, ai vuante për ditë të tëra pasi tashmë kishte zënë shtratin. Sipas burimeve historike osmane, një natë vere të vitit 1490, ai do lutej për një kupë me ujë në shtratin e vdekjes. Njeriu i cili i shoi etjen një qyteti të tërë, tashmë do bënte lutjen e fundit për një pikë ujë që të shuante zjarrin, dhe kërrkush nuk do t`ja japte. Arkitekt Sinani ndërroi jetë atë natë mes lutjeve për një pikë ujë dhe harrimit dhe mosmirnjohjes njerëzore
 
Top