Prapavija e re e Kryeministrit

Prapavija e re e Kryeministrit

Dyfishohet stafi i këshilltarëve të Kryeministrit Sali Berisha. Tetë gra dhe 12 burra do të jenë njerëzit që do të përbëjnë prapavijën e shefit të ekzekutivit. Ndryshe nga mandati i parë, Kryeministri ka vendosur të shtojë ekipin e këshilltarëve për vitet në vazhdim. Rinovimi i stafit të Kryeministrit ka ardhur si pasojë e “kapërcimit” të shumë prej ish-këshilltarëve drejt mandatit të deputetit. Në gjashtë emërimet e reja për këtë post, të bëra në muajin tetor të këtij viti, katër prej tyre janë zënë nga femra. “Gabimin” për mungesën e 30% të grave në qeveri, Kryeministri Berisha e ka korrigjuar te përzgjedhja e këshilltarëve. Shtimi i numrit të “zërave ndihmës” duket se ka qenë një taktikë e imituar nga Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, i cili ka në stafin e vet 25 këshilltarë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë moshën 55-60 vjeç. Kryeministri përzgjedh të ketë 20 këshilltarë, mosha mesatare e të cilëve është 40 vjeç. Në karrierën politike 19-vjeçare, Kryeministri Berisha ka treguar se është ai njeriu që dominon edhe mbi sugjerimet dhe këshillat e këshilltarëve. Shumë herë në mbledhjen e qeverisë, jo vetëm ministrat kanë ngritur supet mbi deklaratat “surprizë” të Kryeministrit, por edhe këshilltarët shpeshherë informohen nga mediat mbi veprimet e fundit të shefit të tyre. Rasti më i veçantë për të ilustruar këtë shembull është nisma “Shqipëria, 1 euro”. Do të japin apo do të marrin këshilla nga Kryeministri, kjo ngelet për tu zbuluar me kalimin e kohës. Vlen të theksohet se nga ekipi prej 20 këshilltarësh, 16 prej tyre kanë mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, një në Universitetin e Elbasanit dhe 3 janë diplomuar jashtë vendit. Ndryshe nga viti 2005, ku Kryeministri Berisha veproi pa hezitim për të afruar pranë vetes personazhe të diplomuara në universitetet jashtë Shqipërisë, këtë herë faktet flasin për të kundërtën. Përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, stafi i këshilltarëve të Kryeministrit Berisha ishte i përbërë nga 10 “besnikë”, ndërkohë që suksesi i zgjedhjeve të 28 qershorit i jep atij hapësirën për të dyfishuar ndihmësit. Në listën e këshilltarëve të rinj janë: Mirela Tabaku, e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë; Juna Miluka, e diplomuar në Universitetin Amerikan të Uashingtonit; Ariana Çela e diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Tiranë; Bardhyl Musai, i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Elbasan dhe i pozicionuar si i vetmi këshilltar i jashtëm i Kryeministrit Berisha; Valbona Kuko, e diplomuar për Ekonomik, emërohet në postin që drejtonte Albana Vokshi në Kryeministri dhe Njazi Kosovrasti, i cili nga këshilltar i zv/kryeministrit me ndërtimin e qeverisë së re, bëhet pjesë e stafit të Kryeministrit. Shefi i kabinetit pranë Kryeministrit dhe drejtori i informacionit janë postet e vetme për të cilat Kryeministri ende nuk ka përzgjedhur emrat e besnikëve të tij.(Shqip)</p>
Hh6eq-i1hpo

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26026. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26026
 
Top