Prapaskenat mbi Shqipërinë në ditarin e fshehtë të njeriut të Lajpcigut

Albinos

Primus registratum
Prapaskenat mbi Shqipërinë në ditarin e fshehtë të njeriut të Lajpcigut

Planet për përfshirjen e Shqipërisë në një konfederatë ballkanike komuniste dhe si dështuan ato

Dimitrovi : Për pak do ishit jugosllavë
Prapaskenat mbi Shqipërinë në ditarin e fshehtë të “njeriut të Lajpcigut”

Nga Fatos Baxhaku

Duhet të kenë qenë kohë të vështira 16 vjetët e fundit të Dimitrovit, përndryshe nuk ka se si shpjegohet hermetizmi që nga njëherë përfshin të gjithë materialin kolosal të përmbledhur në “Ditarin” e tij. Asnjë koment, mbi ato ç’ka ai ka hedhur me skrupulozitet në letër. Asnjë qëndrim I tipit mirë apo keq, vetëm data emra dhe fjalë të thëna nga të tjerët. Madje edhe ngjarja më tragjike e jetës së tij, vdekja e djalit Mitja gjatë rrethimit të Moskës, kalon thuajse në heshtje, vetëm duke mbajtur shënim data dhe emra profesorësh. Hera-herës del në shesh edhe gruaja e tij austriake, porse pjesa tjetër e ditarit është më shumë një mburojë për të kujtuar fakte në rast se do t’I duhej të mbrohej.Në këtë lëmsh të ngatërruar emrash gjeografikë, shkurtimesh të rënda institucionesh sovjetike, frazash të hedhura larg e larg, mbledhjesh të strëgjatura është vështirë të gjesh emrin e Shqipërisë. Më kollaj mund të gjesh mungesën e saj atëherë kur ajo normalisht duhej të ishte prezente. Ky detaj është përdorur më poshtë për të zbuluar mendjet e të mëdhenjve të komunizmit lidhur me të ardhmen tonë.
Gjatë shfletimit të Ditarit do të zbulojmë ëndrrën e Titos për të pasur një Jugosllavi edhe më të madhe, pastaj hapat e parë që u hodhën për të rrealizuar idenë e Dimitrovit për krijimin e një konfederate ballkanike dhe vendin që do të zinte Shqipëria në të. Misteri më I madh mbetet qëndrimi I Stalinit. I përkryer në stilin e tij prej diktatori Stalini duket se nuk është shfaqur asnjëherë hapur, me ndonjë përjashtim të rrallë. Një Ballkan I bashkuar qoftë edhe nën flamurin e komunizmit do ta vinte disi në siklet supremacinë e porsakrijuar të BS. Nga ana tjetër Stalini ende nuk mund të vepronte në kundërshtim me atë që ishte vendsour në pazarin e Jaltës. Ja përse diktatori herë hapur, por më shumë fshehur I kundërshtoi gjithmonë tendencat bashkuese në Ballkan. Duket se pikërisht nga kjo situatë ka përfituar Enver Hoxha. Në një Shqipëri nën Jugosllavi, apo në një Konfederatë, ai do të ishte vetëm një nënpunës I çfarëdoshëm I shtetit të ardhëshëm gjigand ballkanik. Me shkathtësi varet shpejt në ganxhën e Stalinit dhe vazhdon të drejtojë edhe për 40 vjet të tjera. Ja përse në Tiranën komuniste, deri vonë, Stalini kujtohej gjithnjë me admirim.

Më në fund na
zënë me gojë

Edhe për të parën herë në Ditar Shqipëria, me këtë emër, përmendet e lidhur me Jugosllavinë dhe me hallet që kishin partizanët e Titos. Eshtë pranvera e 1942 dhe partizanët edne të paktë në numër të Titos kishin nisur të hasnin në vështirësitë e para. “Duhet të na ndihmoni sepse partizanët tanë po bien në duart e armikut, I cili më pas I dërgon në kampe përqëndrimi në Shqipëri”, I shkruan Tito me ankth Moskës. Në Kremlin ende nuk e dinin mirë se me kë kishin të bënin. Dinin vetëm se Valter – kështu ishte pseudonimi I Titos gjatë Luftës – kishte filluar të lidhej me anglezët. Historia e kampeve të përqëndrimit na kujton Miladin Popoviçin të internuar në Shqipëri. Pas 1942 do të na duhet të presim shumë gjatë deri sa Dimitrovi të kujtohet sërish për ne.
Ballkani I pasluftës
Në janarin e 1945 entuziami në Kremlin ishte në apogje. Armata e Kuqe po avanconte kudo, ndërsa gjermanët e paktë të mbetur kishin nisur të shpartalloheshin. Që në këtë kohë kanë nisur planet për gllabërime territoresh, për qeveri fantazëm dhe me histori të ngjashme me të cilat është mbushur periudha e “Luftës së Ftohtë”. Hapin e parë “për bashkim” e propozojnë jugosllavët. Dimitrovi ishte dakord në parim, porse jo në detaje. “Sipas meje – shkruante Dimitrovi në prill 1944 – orientimi më I preferuar për Ballkanin dhe për Bashkimin Sovjetik do të ishte krijimi I një federate të sllavëve të Jugut, të formuar nga bullgarët, serbët, kroatët, sllovenët, malazezët dhe maqedonasit, mbi baza barazie. Në këtë federatë, Maqedonia mund të fitonte lirinë dhe integritetin kombëtar dhe nuk do të ishte më një mollë sherri mes shteteve ballkanike, porse të flasësh për këtë publikisht tani dhe të përhapësh parulla të tilla, sipas pikëpamjes time është e nxituar dhe ndoshta e dëmshme”.
Stalini merakoset menjëherë. Në janarin e 1945 ai I shkruan Dimitrovit: “Ne duhet të mbështesim si Jugosllavinë, ashtu edhe Bullgarinë, nëse atyre I ndodh diçka. Por për këtë ata duhet të merren vesh me ne për iniciativat e tyre të rëndësishme, ose të paktën të na njoftojnë gjërat e tyre…”. Dimitrovi duket se është përpjekur t’a realizojë qëllimin e tij edhe për shumë kohë të tjera edhe pse tashmë në Krime, tre fituesit e kishin ndarë Ballkanin në copa letre. Marrëdhëniet me Titon nuk kanë qenë edhe aq të mira. “Eshtë mëndjemadh, e nënvleftëson kompleksitetin e situatës dhe vështirësitë që na presin përpara, ka një lloj dehjeje nga suksesi…”, shkruan në shënimin që mban datën 8 prill 1945. Diskutimet për shtetin e ardhëshëm do të vazhdojnë, porse nuk do të kenë kurrë sukses. Dimitrovi dontë një konfederatë jugosllavo-bullgare. Tito këmbëngulte në idenë e një federate ku Serbia, Bullgaria dhe ndoshta dhe të tjerët të kishin të drejta të barabarta. Me pak fjalë në kthimin e Bullgarisë në një republikë jugosllave. Mund ta imagjinojmë lehtësisht se çfarë mendonte për Shqipërinë, të cilën tashmë e kishte krejtësisht në dorë.

Janar 1948, protokolli sekret I Kremlinit
Andej nga fundi I 1947 dhe fillimi I 1948 entuziazmi I Dimitrovit kishte shkuar aq larg sa që të propozonte krijimin e një Konfederate të të gjitha vendeve të Europës Lindore ku kishte fituar komunizmi. Në konfederatë, sipas tij do të përfshihej edhe Greqia. Ndërkohë, bisedimet mes bullgarëve dhe jugosllavëve, po shkonin gjithnjë e më keq, ndërsa Tito I kishte hyë sfidës së madhe duke e shpërfillur Stalinin. Një zgjerim I pushtetit të tij edhe në Shqipëri dhe në kufijtë e Greqisë do ta bënte atë
shumë të fuqishëm, ndërsa aleatët anglo-amerikanë do të inatoseshin keqas. I alarmuar, për ato që po ndodhnin në Ballkan, Stalini I thërret të dy palët në Kremlin. Në 10 shkurt 1948 në një nga sallat e rënda të Kremlinit nisin bisedimet. Nga pala sovjetike morrën pjesë: Stalin, Mollotov, Zhdanov, Malenkov dhe Zorin. Jugosllavët kishin dërguar, Kardeljin, Gjilasin dhe Bakariçin. Bullgarët nën drejtimin e Dimitrovit, ishin: Kollarov dhe Trajço Kostov. Në këtë mbledhje të mëdhenjtë e Kremlinit kujtohen më në fund për Shqipërinë. Pjesë nga këto bisedime është më mirë të botohen pa koment, ashtu sikurse I ka shënuar Dimitrovi në Ditar...
Mollotov: “Midis nesh, bullgarëve dhe jugosllavëve ekzistojnë divergjenca të mëdha që duken kryesisht në tre çështje thelbësore: marrëveshja bullgaro-jugosllave, intervista e shokut Dimitrov, dhe futja e trupave jugosllave në Shqipëri (…). Rastësisht mësuam se në fund të janarit do të futej në Shqipëri një divizion jugosllav. Ky do të vendosej në kufirin shqiptaro-grek dhe do të zbrapste një sulm grek të mbështetur nga anglo-amerikanët. Shokët jugosllavë nuk na patën paralajmëruar për këtë. Kur e pyetëm Titon, ai u përgjigj kështu: Do të bënim një bazë ushtarake jugosllave në Shqipëri për mbrojtjen e përbashkët të kufirit. Shqiptarët na thanë se ishin të bindur se kjo po bëhej me miratimin tonë.
Nga kjo rrjedh që ne e vlerësojmë ndryshe gjendjen në Shqipëri. Kjo është një divergjencë së cilës nuk mund t’I anashkalohet(…). Pa konsultime për të tilla çështje nuk duhet të veprohet në interes të çështjes dhe të marrëdhënieve tona të përbashkëta (…).
Stalin: “(…) Sa i takon Shqipërisë, duket se shokët jugosllavë e kanë marrë punën lehtë. Gjatë kohës së Luftës tre fuqitë aleate njohën pavarësinë e Shqipërisë. Dhe thanë se do t’a mbrojnë atë. Nga të gjitha hallkat e luftës mes rreaksionit dhe demokracisë, Shqipëria është pika jonë më e dobët. Ajo nuk është pranuar ende në Kombet e Bashkuara. Anglezët dhe amerikanët nuk e njohin atë. Çështja është e qartë. Vend të tillë kaq të dobët nuk ka. Vetë Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk është e mbrojtur. Sikur Tito të çojë atje divizione, apo qoftë edhe një batalion të vetëm, kjo s’do të mund të bëhet fshehurazi. Ata do të fillojnë të thërrasin se Shqipëria është e pushtuar. Se mos I këkroi ndihmë Shqipëria Jugosllavisë? Dhe atëherë batakçinjtë anglezë dhe amerikanë do të dalin me flamurin e mbrojtësit të pavarësisë shqiptare. Cili, me përjashtim të ndonjë njeriu të paarësyshëm, do t’I vihet punës të formojë një front krejtësisht të pambrojtur. Tani duhet që të forcohet ushtria shqiptare. Le t’i jepen asaj instruktorë e armatim. Pastaj, nëse Shqipëria do të sulmohet, ajo duhet t’I drejtohet për ndihmë Jugosllavisë (…). Shihni luftën që ka plasur në Kinë dhe ne atje nuk kemi asnjë ushtar tonin. Se mos shqiptarët janë më të këqinj se kinezët. Mësojini ata, armatosini ata, pastaj dinë vetë se si të mbrohen. Eshtë mirë që ata t’a mbrojnë vetë pavarësinë e vendit. Amerikanët vështirë se sulmojnë vetëm. Përndryshe sulmi I tyre do të dobësohej. Ju këto gjëra I merrni lehtë ndërsa ato janë aq të ngatërruara. Sikur partizanët grekë të mundeshin a do hynit ju në luftë?”.
Kardelji: “Jo”
Mollotovi: “ (…) Shokët jugosllavë nuk lejuan që Shqipëria të blejë prej nesh 5.000 ton tërshërë dhe e çuan të kërkojë andej nga Argjentina (…)”.
Stalini: “(…) Jugosllavët duket se kanë frikë se ne po I’a heqim Shqipërinë. Shqipërinë ta merrni, por me zgjuarësi. (…) Vetëm tre federata janë të mundëshme dhe rreale: 1. Jugosllavi-Bullgari, 2. Rumani-Hungari, 3. Poloni-Çeki. Konfederata mes të trejave është e pamundur (…)”.
Kardelji: “Ne mendojmë se në bashkimin me Bullgarinë nuk duhet të shpejtohemi për arësye ndërkombëtare, sepse kjo mund t’a vështirësojë gjendjen”.
Stalini: “Këtu gaboheni. Ju nuk duhet të vonoheni në bashkimin e tre vendeve. Jugosllavi, Bullgari, Shqipëri. Por është e domosdoshme që asambletë kombëtare të porosisin udhëheqjet e tyre që të nisin procedurat për bashkim. Eshtë më mirë që të fillohet me bashkimin politik dhe pastaj të dërgohen trupa në Shqipëri, sepse kjo do të shërbente si pretekst për sulm. Pas pasur Traktat Paqeje me Bullgarinë është I parakohëshëm krijimi I federatës. (…) Federata I zgjidh të gjitha problemet. Afërsia mes bullgarëve e jugosllavëve si në racë ashtu edhe në zakone është shumë e madhe dhe të gjithë do ta kuptojnë këtë bashkim. Por edhe shqiptarët do të fitojnë nga federata sepse do formohet një Shqipëri e bashkuar me pothuaj dyfishin e popullsisë (…)”.
Katër ditë më vonë Mollotovi drejton ceremoninë ku firmoset protokolli sipas të cilit Jugosllavia dhe Bullgaria angazhoheshin për një bashkim sa më të shpejtë. Pavarësisë së Shqipërisë I ishte prerë një biletë pa kthim. Për fat, kontradiktat e thella mes Titos e Stalinit ishin bërë ta papajtueshme. Pak kohë më vonë në Tiranë mbërrin letra demaskuese nga Kremlini. Shqipëria kishte shpëtuar, porse e destinuar të mbetej vetëm nën Enver Hoxhën.

Hi
Historia e nje ditari
Gjergj Dimitrovi nisi të mbajë ditar nga marsi I 1933, atëherë kur I duhej të përballej me akuzat e ngritura nga nazistët. Që nga ajo kohë ai nuk rreshti së shkruari thuajse çdo ditë, përgjatë 16 vjetëve. Takime, shënime nga mbledhje të ndryshme të rëndësishme, emra njerëzish të famshëm të lëvizjes së atëherëshme komuniste, por edhe fatkeqë të fshirë nga defteri i kohës, të gjitha këto mundën t’I rikthehen historisë vetëm tash së fundi.
Ditari voluminoz I Dimitrovit përmbledh dy faza të rëndësishme. Faza e parë janë vitet e punës në Moskë (1934 - 1945) dhe faza e dytë dhe e fundit janë vitet e pakta gjatë të cilave drejtoi Bullgarinë, pra periudha 1945 – 1949.
Pas vdekjes së tij, për shumë e shumë vite, Ditari bëri një gjumë të rëndë në arkivat e Partisë Komuniste Bullgare, derisa më 1990 dikush u kujtua t’ua shkulë pluhurin dhe t’ I botojë. Ditari nuk kishte se si të botohej pa marrë më parë miratimin e familjarëve të Dimitrovit. Vetë Bojko Dimitrov, djali I Gjergjit, rrëfen në një nga parathëniet e tij se nuk e pat pritur edhe me aq entuziazëm botimin e librit. “Në vitin ’90 gjithshka ishte ende e turbullt dhe ditari I babait mund të shkaktonte edhe keqkuptime apo telashe” shkruan Bojko Dimtrov, ish-Ministër I Jashtëm I Bullgarisë. Porse Bojko gabohej. Botimi I parë I Ditarit në Sofje u prit me shumë kuriozitet. Falë tij shumë pjesë të errëta të historisë nisën të sqarohen. Menjëherë pas kësaj Ditari u botua në gjermanisht dhe më pas e drejta e botimit u ble nga Yale University në SHBA.
Pak muaj më parë ka dalë në dritë në Itali një version I tij që përfshin vetëm vitet e qëndrimit në Moskë, (Georgi Dimitrov, Diario, Gli anni di Mosca (1934 – 1945), Einaudi, Torino 2002, 968 faqe, çmimi 55 Euro).

Njeriu qe mposhti Hitlerin
Georgi Dimitrov (Kovaçevci 1882 – Moskë 1949) në 1919 ishte ndër themeluesit më kryesorë të Partisë Komuniste Bullgare. Nga viti 1929 deri më 1933 drejtoi në Berlin Zyrën për Europën Perëndimore në Komintern. U arrestua në mars të 1933 me akuzën se kishte organizuar djegjen e Raijhshtagut. Mbrohet energjikisht në procesin e Laipcigut duke u shndërruar në një simbol të lëvizjes antifashiste.
Qëe nga shtatori I 1934 vendoset në Moskë, ku mbulon detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kominternit, prej 1935 e deri më 1943. Pas shpërndarjessë Kominternit ishte përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kthehet në Bullgari më 1945 duke u bërë lider I padiskutueshëm I saj. Vdiq në Bashkimin Sovjetik, ku kishte vajtur për t’u kuruar. Vdekja e tij, si e shumë liderëve të tjerë komunistë të kohës, ende është e mbuluar me një hije misteri.
 

u74

Primus registratum
Re: Prapaskenat mbi Shqipërinë në ditarin e fshehtë të njeriut të Lajpcigut

Ketu shihen qarte prapaskenat ne emer te komunizmit qe sllavet po pergatisnin per Shqiperine.
Ty Albino te falenderoj qe e ke sjelle kete shkrim ne forum.
 

atman

Forumium maestatis
Re: Prapaskenat mbi Shqipërinë në ditarin e fshehtë të njeriut të Lajpcigut

Ketu s'ka asgje te re dhe te paditur. Keto fakte dhe qellimet e jugosllaveve per nje konfederate ballkanike, jane te njohura dhe bere publike qe ne kohen e tyre, dmth, pas luftes boterore.
E vetmja vlere e vertete eshte per ata qe ende nuk e kane te qarte se; shqiperia nuk eshte pyetur ndonjehere, por ka qene loder ne duart e te medhenjve, ne kete rast e ruseve, te cilet kurdohere kane pasur nje qellim te vetem, te shtrine perandorine filosllave.
 
Top