Poshterimi ne Ballkan
<span style="font-weight: bold">POSHTËRIMI NË BALLKAN</span>
Ismail Kadare
Poshtërimi i popujve është një dukuri e njohur në histori. Poshtërimi,
pararendësi i racizmit, bën pjesë në shenjat e sigurta që
paralajmërojnë përgatitjen e një zezone. Populli i shenjuar për keq
pret me ankth stuhinë e së keqes. Zezona mund të vonojë me stinë, me
vite, disa herë me shekuj, por një ditë ajo do të arrijë. Pritja më e
gjatë e së keqes u ka ndodhur hebrenjve. E shpërndarë në tre
mijëvjeçarë u duk se ajo po shterrohej, po shfryhej gradualisht nga
shekulli në shekull. Por nuk ndodhi ashtu. As përndjekjet e
përsëritura, as shpërnguljet, as pogromet mizore, nuk e shuan asnjëherë
armiqësinë kundër hebrenjve. Dhe kjo vazhdoi gjer në mesin e shekullit
XX, kur krimi arriti kulmoren e vet me Holokaustin.
I kryer nga nazistët, krimi ka qenë në të vërtetë me përmasa planetare.
Spërkatja e tij ka njollosur ndërgjegjen e shumë popujve, ndërgjegje
ende e pashqyrtuar plotësisht.
Poshtërimi mund të duket në pamje të parë si një e keqe banale, një
farsë keqkuptimi kulturor, një sëmundje e kapërcyeshme. Për të hequr
dorë nga çdo ngushëllim i tillë duhet të kuptojmë se genocidi kundër
hebrenjve, ashtu si çdo genocid, ka nisur pikërisht me poshtërimin.
Poshtërimi i popujve sjell dy të këqija madhore. E para, e çon popullin
viktimë drejt katastrofës. E dyta, e egërson viktimën duke ia
shtrajtuar karakterin gjer në atë shkallë sa ta shtyjë drejt shkërbimit
të xhelatit të vet.
Si rrjedhojë e kësaj, klima e një rajoni, e një kontinenti apo e një
epoke mund të helmohen disa herë në mënyrë të pakthyeshme.
Poshtërimi mund të jetë i njëmendtë apo i shpikur. Ka raste në histori
kur vende apo regjime janë hequr si të poshtëruar, për të përligjur
kundërsulmin, e më pas krimet e tyre ndaj të tjerëve. Vetë ky fakt
dëshmon fuqinë e lemerishme të poshtërimit, këtij mekanizmi që mund të
shërbejë si thikë me dy presa në jetën e popujve.
2
Në tetor të këtij viti në Shqipëri ndodhën tri ngjarje, në vështrim të
parë, të rëndomta, në një shqyrtim më të thellë, kuptimplote. Në kulmin
e fushatës së zgjedhjeve vendore, njerëzit që e ndiqnin fushatën në TV
u befasuan nga shpërthimi i pezmit antishqiptar në krahinën e Himarës.
Shqiptarë dhe grekë, ose më saktë zuzarë të dy kombeve, të kapluar nga
një mllef primitiv me fjalë, me gjeste, me ulërima, dëshmuan pa ndonjë
arsye mosdurimin e tyre kundër vendit që quhet Shqipëri, dhe popullit
që e banon këtë vend, shqiptarëve. Zyrtarë grekë dolën të përzier në
këtë histori. Mefshtësia e autoriteteve shqiptare për të mbrojtur
dinjitetin e vendit nga poshtërimi u gjykua përulëse. Heshtja e
vëzhguesve ndërkombëtarë, e dyshimtë.
Pothuajse në të njëjtën kohë vazhdonte një tjetër histori aspak e
denjë: çështja e prejardhjes së Nënë Terezës. Që ballkanas kokëtrashë,
sipas një tradite të njohur që u mohon shqiptarëve çdo personazh të
fismë, duke i lënë veç banditët, hajdutët dhe brashnjarët, pra, që
ballkanas xhelozë të shpallnin se shenjtorja nuk ishte me zanafillë
shqiptare, kjo nuk ishte ndonjë befasi. Por, që intelektualë shqiptarë
ta bënin këtë me një zell edhe më të madh, kjo ishte natyrisht dhe
befasuese dhe e trishtuar. Me një nënqeshje qesëndisëse, me një kinse
sipërani, që pas mendjes së tyre e jep veçimi prej kombit që të ka
pjellë, këta dijsa kërkuan të talleshin me opinionin shqiptar që kërkoi
të ripohonte as më pak e as më shumë, atë të cilën Nënë Tereza, e
bashkë me të, gjithë bota e kishte shpallur prej vitesh: prejardhjen e
saj shqiptare. Fill pas kësaj, për një çudi të madhe, këta dijsa, që
pak më parë ishin tallur me &#8220;nënëterezistët shqiptarë&#8221;, që e kishin
quajtur përmendjen e prejardhjes si tregues së një mendësie parake,
romantiko-nacionaliste, katundareske, groteske e të tjera si këto, u
bënë befas seriozë, e nisën të zhbironin arkivat për të gjetur shi atë
që e kishin përçmuar, zanafillën e shenjtores. Por këtë herë, sipas
tyre, tani pa qesëndi e pa përqeshje, Nënë Tereza na paskësh një
prejardhje, por ajo ishte maqedonase, vllahe, madje, sipas një indiani,
ndoshta cigane. Me fjalë të tjera, Nënë Tereza mund të kishte çdo
kombësi, veç jo atë shqiptare.
Një ngjarje e tretë ndodhi pa dalë muaji tetor. Në një emision
televiziv, ku flitej për pakicat kombëtare, disa përfaqësues të këtyre
pakicave mezi e përmbajtën mllefin antishqiptar. Veçanërisht të egër
ishin dy prej tyre: përfaqësuesi i pakicës maqedonase (një burrë me
emër mysliman, që fliste, kushedi pse, në emër të maqedonasve të
krishterë), dhe tjetri, që e quante veten si zëri i pakicës
&#8220;egjiptiane&#8221;, ata që populli racist shqiptar, sipas tij, i quante me
përçmim &#8220;jevgj&#8221;, e që gjithmonë sipas tij, ishin ngulur në këtë vend në
kohën e faraonëve, rrjedhimisht shumë shekuj përpara vendësve.
Është vështirë të besohet që pakicat etnike, në emër të të cilave
flitej në TV, do të dëshironin vërtet të përfaqësoheshin prej këtyre
tipave. E para, sepse do të ishte paksa e çuditshme që maqedonasit e
krishterë do të pranonin një zëdhënës me emër e mbiemër turko-mysliman.
E dyta, sepse as maqedonasit e as të quajturit &#8220;egjiptianë&#8221;, që jetojnë
prej shumë kohësh në Shqipëri, nuk do të pranonin një harbim të tillë
dhe një mungesë të plotë luajaliteti ndaj vendit dhe popullit, midis të
cilit jetojnë. Luajaliteti ndaj vendit që u jep strehë dhe i mbron
pakicat, njëlloj si shtetasit e vet, është kriteri i parë, i
detyrueshëm në çdo demokraci evropiane për këto pakica.
Si të mos mjaftoheshin me shkeljen e luajalitetit, përfaqësuesit e
mësipërm, shkuan gjer atje sa të kërkonin shpalljen e Shqipërisë si
vend shumëkombësh!
3
Tre incidentet e mësipërme, ndonëse të rëndomta në dukje, dëshmuan
qartë për një hovzim të ndjeshëm të një klime antishqiptare në
gadishull.
Në rastin e Himarës, fyerjet kundër Shqipërisë, kundër flamurit dhe
simboleve të saj shtetërore, shoqëruar kjo me valëvitjen e flamurit dhe
simboleve greke, dëshmuan haptas për një program të vjetër, të nxjerrë
nga varri, në mos për shpërbërjen e Shqipërisë, për shkëputjen e një
cope të saj.
Në rastin e Nënë Terezës, u shpalos një program tjetër: shpallja
tërthorazi e popullit shqiptar si popull që s&#8217;mund të ketë modele
pozitive, e aq më pak modele sublime si Nënë Tereza. Duke i lënë këtij
populli vetëm monopolin e modeleve negative: banditëve, mafiozëve,
horrave, shkretanëve të çdo ngjyre, praktikisht i programohet mbyllja e
çdo shtegu drejt përparimit. Atij i lihet hapur vetëm një shteg: atij
që çon në fillim në
greminën morale, e pastaj thjesht në greminë.
Rasti i tretë, ai i bisedës televizive të 25 tetorit, hedh projektin e
ri, sipas të cilit shqiptarëve nuk u përket veçse një copëz e
Shqipërisë, ndoshta pjesa më e vogël e saj. Thënë shkurt, ky është
projekti i vjetër i copëtimit të vendit, rishfaqur me një kostum të ri:
vend shumëkombësh.
Këta shembuj, shoqëruar me dhjetëra të tjerë, nuk janë as të rastit, as
të shkëputur nga një fundajë e tërë në këtë fillim shekulli. Në
ndërrimin e mijëvjeçarëve, për herë të parë në gadishull, populli
shqiptar u shfaq i lirë, në pothuajse krejt shtatin e tij. Në vend që
të pritej në mos me gëzim, së paku me atë luajalitet, që shkakton ai që
mbërrin më vonë, në logun ku sivëllezërit e tjerë bashkëvuajtës si ai,
kanë mbërritur ndërkaq, në vend pra që të pritej me mirëkuptim, ndodhi
shpeshherë e kundërta. Më kot rilindasit shqiptarë u ranë kambanave dhe
dhanë shenjat paralajmëruese se nuk po del nga mjegulla një përbindësh,
por një popull që kërkon lirinë, ato kambana nuk u dëgjuan dhe ato
shenja nuk u panë. Liria e një populli u përftua si diçka kërcënuese,
diçka dëmtuese për të tjerët. U krye kështu një gabim fatal, nga ata që
historia nuk i fal kurrë: u krijua iluzioni fatkeq, se Gadishulli
Ballkanik mund të gjejë lirinë e vet, duke ndryrë, duke varrosur brenda
barkut të vet, lirinë e njërit prej popujve më të vjetër të tij.
Keqkuptimi vazhdoi gjatë. Dhe bashkë me të një tragjedi shumëaktëshe,
për të sjellë vetëm një nga shembujt, atë që luhej mu përpara syve të
verbër të Evropës. Tam-tamet e festivaleve, të forumeve e të profkave
pseudoliberale e mbuluan për një kohë të gjatë atë që gjithsesi nuk
duhej të mbulohej: dramën e një populli që vuante si në mesjetë në
Jugosllavi: shqiptarëve të Kosovës. Ishte padyshim turpi më i madh i
Evropës së pasluftës dhe njolla më e rëndë në ndërgjegjen e saj. Për
fat të mirë Evropa dhe gjithë qytetërimi perëndimor u zgjuan më në
fund. Ata e ndëshkuan Jugosllavinë duke shënuar në historinë e
njerëzimit luftën e parë të një grupi popujsh të bashkuar për arsye
kryesisht morale.
Kohët e fundit, po krijohet përshtypja se ky ngadhnjim i ligjeve
sublime të të drejtave dhe lirisë mbi çdo ligj tjetër, po vihet prapë
në dyshim. Një frymë mohimi, e njohur në historinë njerëzore pas
ngjarjeve të mëdha, një ndjesi pendimi për atë që u bë, spikat aty-këtu
herë më qartë, herë më turbullt në kontinentin evropian. Ndonëse në
Hagë vazhdon gjykimi dhe dënimi i krimit, një simpati e heshtur për të
gjëllon andej-këndej. Si shoqëruese e kësaj ndjesie, vjen nervozizmi
dhe mosdurimi ndaj atij që u bë shkaktar për atë bombardim të gjatë e
të kobshëm në Ballkan: popullit shqiptar.
Shenjat e një prej flamave më të vjetra të botës, racizmit, po shfaqen,
këtë herë, kundër shqiptarëve. Tre shembujt që u përmendën në krye të
kësaj sprove nuk janë veçse shenjëza të rastit midis një sfondi të
madh. Por shpesh janë pikërisht shenjat e rastit, e sidomos ato që nuk
u vunë re, që paralajmërojnë ngjarjet.
4
Në të gjitha acarimet ballkanike poshtërimi ka pjesën e vet. Ai lidhet
me viktimizimin, një nga pasionet kryesore të ballkanasve. Zakonisht të
gjithë hiqen viktima, madje xhelatët më fort se të tjerët. Në rrethana
të tilla çështja e poshtërimit dhe bashkë me të ajo e viktimizimit,
janë tepër delikate në këtë zonë të Evropës. Rrjedhimisht, rënia e
kambanës për poshtërim kërkon një përgjegjësi të lartë morale. Një
kushtrim të rremë nuk e ndan veçse një hap nga thirrja për krim kundër
tjetrit.
Në këto kushte, ngritja e çështjes së poshtërimit të shqiptarëve, e bën
të detyrueshme një shqyrtim gjakftohtë të kësaj dosjeje, bashkë me
pyetjet themelore që ajo shtron. Disa nga këto pyetje tepër bezdisëse,
historia shqiptare ashtu si dhe historitë e gjithë popujve të tjerë
ballkanikë, në rastet e tyre, nuk ka guxuar t&#8217;u japë përgjigje të
saktë.
Pyetjet janë sa të thjeshta aq dhe monumentale, të tilla që nuk lënë
shteg për bishtnim. Në rastin e poshtërimit pyetja shtrohet: si ka qenë
e vërteta në përgjithësi? Kanë qenë shqiptarët viktima të poshtërimit,
apo dhe vetë ata kanë poshtëruar të tjerët? E njëjta pyetje shtrohet
për racizmin: kanë qenë ose më saktë, a janë shqiptarët racistë, apo
jo? Pyetje të tjera lidhen natyrshëm me të parat: kanë qenë shqiptarët
të shtypur, shtypës, apo të dyja bashkë?
Historia ballkanase në përgjithësi, e me të bashkë, historia shqiptare,
duhet të zhvishen sa më parë nga madhështitë e rreme hijerënda, apo nga
idilet rozë, po aq të rreme. Ajo duhet të pastrohet nga pluhuri që
mbulon të vërtetën, nga pudra që përpiqet të mbulojë turpin, nga joshja
për cubnitë dhe nga krejt kultura e krimit e paraqitur si kulturë
heroike. Vetëm kjo shpëlarje do ta ndihmojë Ballkanin të kthjellojë në
fillim ndërgjegjen, e fill pas asaj mendësinë e vet. Gadishulli ynë, më
shumë e më ngutshëm se kurdoherë ka nevojë sot për të vërtetën. Popujt
e Ballkanit nuk duhet të kenë frikë nga e vërteta, sepse pavarësisht
nga prapësitë që kanë bërë me shumë zell, ka gjasë të kenë megjithatë,
një bilanc të përgjithshëm pozitiv.
Që të kthehemi te pyetjet e vështira, lidhur me poshtërimin, mund të
thuhet pa frikë se shqiptarët nuk kanë pse të qahen e të hiqen si
viktima të gjithëhershme. Në pjesën më të madhe të rrugëtimit të tyre
historik, ata jo vetëm që nuk kanë qenë të poshtëruar, por, për fat të
keq, shpesh kanë marrë pjesë në poshtërimin dhe shtypjen e të tjerëve.
Prania shqiptare në gadishull ka qenë tepër e fuqishme, por ne duhet të
kemi kurajon të themi se kjo prani ka qenë e tillë po aq për të mirë sa
edhe për të keq. Për të mirë kur nuk e ka ulur kryet ndaj trysnisë
otomane, kur ka bërë luftë për lirinë e vet ose për lirinë e fqinjit të
tij: popullit grek. Për të keq, kur feudalët, vezirët, pashallarët,
guvernatorët mizorë shqiptarë u kanë shkaktuar fatkeqësi popujve të
tjerë, aty ku kanë sunduar ose u ka rënë rruga e marshimit. Në qoftë se
në baladat popullore greke shqiptarët përmenden aty-këtu, si pushtues
ose sundues, kjo s&#8217;ka pse të na duket propagandë qëllimkeqe, por
dëshmia epike e një epoke.
Lidhur me çështjen edhe më delikate, atë të racizmit, ne përmendim
shpesh me të drejtë prirjen filosemite dhe mbrojtjen e hebrenjve prej
shqiptarëve. Krenaria jonë për këtë është legjitime, madje në kushtet e
ringjalljes së antisemitizmit sot, kjo krenari e ripohon me kurajo këtë
program moral. Ndërkaq, duhet thënë se, prohebreizmi shqiptar nuk mund
të shërbejë as si alibi, as si pasaportë që u jep shqiptarëve të
drejtën të shpallen si një popull që nuk e njeh racizmin.
Thjesht e me plot gojën mund të themi se, për fat të keq, si shumë të
tjerë, populli ynë ka qenë dhe mbetet i prekur nga kjo sëmundje e
rëndë. Është e vërtetë se racizmi i tij është i atij lloji që mund të
quhet &#8220;i tensionit të ulët&#8221;. Është po aq e vërtetë se historia
shqiptare nuk njeh as pogrome, fushata, psikoza e programe raciste, por
kjo s&#8217;do të thotë se shqiptarët në këtë fushë, janë engjëj. Racizmi
tradicional kundër romëve, (emërtimet jevg, magjyp, gabel, janë disa
nga dëshmitë sipërfaqësore të tij), ka qenë dhe vazhdon të jetë i
pranishëm në jetën shqiptare. Në shumicën e rasteve nën një petk bablok
e tolerance të dyshimtë nga ana e shqiptarëve, pjella e ndjenjës së
superioritetit. Në ndonjë rast të rrallë, me goditje ndëshkuese, si në
luftën e Kosovës.
Racizmi kundër fqinjëve, kryesisht sllavëve (emërtimet shkja, shkinë,
me nder grek, shule etj.), shpesh i ndërsjellë, shoqëruar për fat të
keq me goditje hakmarrëse, si në Kosovë vazhdon t&#8217;i sjellë një dëm të
ndjeshëm çështjes shqiptare. Racizmi kundër turqve, (halldup,
anadollak, turkoshak etj.), pjesërisht i shpjeguar nga pushtimi, pa
rigjallërim, më tepër mbetje folklorike. Së fundi, racizmi antiitalian,
(breshkamadh, pepino etj.), përsëri shpjeguar nga pushtimi, e sidomos
nga periudha e paspushtimit italian, pa goditje hakmarrëse, përkundrazi
me sjellje fisnike ndaj ushtrisë së mundur italiane.
Një racizëm i vonë, i mbetur në shpërgenj, ishte ai kundër kinezëve, i
vetmi, me sa duket, me prejardhje politike, mosmiratim i një miqësie
groteske, që u fik, për fat të mirë, bashkë me maoizmin, pa lënë asnjë
gjurmë ndaj komunitetit kinez, që jeton sot në Shqipëri. Mundësi
racizmi jep prania e UNMIK-ut në Kosovë, sidomos ndaj nëpunësve me
prejardhje afrikano-aziatike, mbi të cilët mund të bien fare pa të
drejtë përçmime të vjetra, ose mllefe të reja, me zanafillë të sotme.
Shtresimi racist është një ndër më të vjetrit e më tinzarët në natyrën
njerëzore. Ai zë vend vit pas viti e shekull pas shekulli saqë mëton të
ngjasojë me lidhjet fisnore e ato të gjakut, në kahun negativ,
natyrisht.
Për t&#8217;u kthyer te poshtërimi, pavarësisht nga shembujt e mësipërm, në
një bilanc përfundimtar, mund të thuhet se shqiptarët, ndryshe nga
ç&#8217;mendohet, jo vetëm që nuk kanë qenë viktima, më shumë se të tjerët,
por përkundrazi shpesh kanë qenë të favorizuar. Bazuar ose jo në të
vërtetën, ata kanë patur shpesh një nam të mirë, të ngjyrosur me
romantizëm. Prejardhja e tyre ilire dhe e gjuhës shqipe kanë qenë të
pranuara gjerësisht. Një simbol mbretëror planetar si ai i shkabës
dykrenore, ndonëse i lakmuar kudo, i është njohur vetëm flamurit të
tyre, me zemërgjerësi, madje i përforcuar me shprehjet: &#8220;vend i
shqipeve&#8221; dhe &#8220;bij të shqipeve&#8221;, të dyja të krijuara, me sa dukej, prej
evropianëve.
Gjatë diktaturës gjysmëshekullore komuniste, ndërsa regjimi fitoi
përçmimin e gati gjithë botës, kombi shqiptar i mbyllur si në zhguall
prej këtij regjimi, mbeti përgjithësisht i paprekur. Për ironi të
fatit, kur regjimi komunist ra, fillimisht në Shqipëri e pastaj në
Kosovë, shqiptarët bashkë me lirinë njohën edhe poshtërimin masiv. Të
vënë nën projektorët e gjithë botës, shqiptarët treguan, për fat të
keq, një fytyrë tepër zhgënjyese, që i ngazëlleu pa dyshim
kundërshtarët e tyre tradicionalë, aq sa i dëshpëroi mbrojtësit e tyre.
Prapësia shqiptare arriti kulmin në vitin e zi 1997, turpin dhe
lemerinë e të cilit shqiptarët, elita politike e kulturore, bashkë me
turmat që vuri në lëvizje, nuk kanë ende guximin moral për ta zbërthyer
e për ta dënuar. Ky refuzim shpjegon një pjesë të shthurjes morale dhe
të ëndrrave makabre që ende projektohet nga ato ngjarje në kohën e
tanishme.
Vetëposhtërimi që shqiptarët i bënë vetvetes, ajo pabesi në përmasë të
madhe, që do të sillte rrëzimin e turpshëm të shtetit, u hapi rrugë
fantazmave të vjetra në gadishull, një nga të cilat kishte qenë zhbërja
e Shqipërisë. Kishte vite që, falë diktaturës së saj proverbiale,
Shqipëria shkëlqente, siç thuhet, me mungesën e saj. Kishte pushuar së
qeni faktor, me fjalë të tjera, ajo vetë kishte njëmendësuar projektet
e hershme antishqiptare. Tani që diktatura, kjo gardiane e
vetasgjësimit shqiptar kishte rënë, rolin e saj duhej ta merrte dikush
tjetër. Shqiptarët e dalë në liri, ngjanin të rrezikshëm. Në prag ishin
ngjarjet e Kosovës, pas të cilave të tjerë shqiptarë do të dilnin në
liri. Duhej bërë diçka e ngutshme që ky dallgëzim të frenohej.
Përrallat për rrezikun islamik, që kinse bartte populli shqiptar, nuk
pinin ujë. E po ashtu thirrjet mallëngjyese të Serbisë, që Evropa t&#8217;u
jepte rolin e kamxhikut në emër të kinse mbrojtjes së krishtërimit.
Surpriza e keqe, prirja vetëvrasëse e shqiptarëve, tërbimi i një pjese
të tyre kundër atdheut, nxiti, me sa dukej kurajon e qarqeve të vjetra
antishqiptare. Një strategji tjetër, gjysmë e re, gjysmë e hershme doli
në dritë: të goditej jo më regjimi, por ai që përbënte thelbin e
çështjes, vetë kombi shqiptar. E kjo gjë nuk mund të kryhej pa ndihmën
e asaj pararoje që shfaqet zakonisht në kësi rastesh: falanga e
rimohuesve.
6
Goditja ose më saktë shkulja e themeleve të kombit dhe identitetit
shqiptar, vënia në dyshim e krejt historisë së tij, mohimi i shenjave
dhe i vlerave, përbaltja e modeleve, përçmimi i gjuhës, këto e të tjera
si këto, nuk mund të kryheshin pa një keqkuptim të rëndë, që vitet e
fundit, thirret në skenë, sa herë që dikush ka nevojë për çoroditje dhe
alibi. Është fjala për dy nocione aq shumë të përfolura sot:
patriotizmin dhe nacionalizmin. Loja me to, mjegullimi, shfrytëzimi me
dredhi, duke përdorur dy kute, kanë lënë shteg për spekulime të
pafundme. Dihet se si nacionalizmi agresiv është maskuar shpesh me
lajlelulet e patriotizmit, por po ashtu patriotizmi natyral është
fshikulluar pa të drejtë si nacionalizëm i keq. Ndonëse të ndryshme si
nata me ditën, një qasje e kthjellët ndaj kësaj dukurie, na lejon të
mendojmë se ashtu si dashuria me urrejtjen, që qëllon të përkiten në
një pikë, ashtu dhe atdhetarizmi me nacionalizmin kanë, për fat të keq,
një pikëtakim të turbullt. Është pikërisht kjo zonë që nxit keqkuptimet
e rënda, shpesh të qëllimshme.
Në Evropën e sotme, ndonëse gjëkund nuk shprehet qartë, nënkuptohet
përdorimi i dy kuteve për këto dy nocione. Ndërsa pranohet heshturazi
një lloj nacionalizmi tek disa vende të mëdha e të stabilizuara, duke u
pagëzuar si patriotizëm, e njëjta ndjesi, në të tjera vende, damkoset
si nacionalizëm.
Shpallja si &#8220;mite nacionaliste&#8221; e gjithë modeleve shqiptare, që nga
Kastrioti e Nënë Tereza, zëvendësimi i këtyre modeleve me të tjera,
shumica poshtëruese: figura pashallarësh mizorë që i shërbyen jo lirisë
por robërisë, rebelime të hapura proturke, si ai i Haxhi Qamilit,
pashallarët e kuq, që e zëvendësuan flamurin otoman me atë
panbolshevik, figura mafiozësh e monstrash politikë që valëvitin sot
një flamur të tretë, atë të korrupsionit, e kështu me radhë, gjer te
emblema e fundit, atë që duhet t&#8217;i fshijë të tjerat e të kthehet në
shenjë identifikimi të këtij populli: anije të mbushura me refugjatë,
që e braktisin vendin. Siç shihet, asgjë ndërtuese nuk ka në këtë tablo
të re që i propozohet botës shqiptare. Në të ka vetëm kaos, mbrapshti
dhe braktisje.
Që qarqeve të ndryshme në Ballkan, u intereson kjo gjendje
gjysmënokdauni në të cilën ka rënë vendi ynë, (rivaliteti ekonomik për
dikënd, statusi i Kosovës për dikë tjetër, e kështu me radhë), kjo
merret me mend, por që rimohues shqiptarë marrin pjesë, madje me shumë
zell, në këtë sulm kundër vendit të vet, kjo është vërtet dëshpëruese.
Përveç iliricitetit dhe figurës së Kastriotit, si mite çoroditëse dhe
burim kryesor i fatkeqësisë shqiptare u shpallën tezat e rilindasve.
Cilat kanë qenë, në të vërtetë, &#8220;mitet&#8221; e rilindasve shqiptarë? I pari
dhe mbi të gjitha, përveç Kastriotit, ishte miti i flakjes së pushtimit
turk, bashkë me otomanizmin oriental. Pastaj vinin me radhë miti i
zgjimit të ndërgjegjes kombëtare. I ruajtjes së tërësisë truallsore të
Shqipërisë. I orientimit perëndimor e i modelit zviceran. I harmonisë
fetare dhe i harmonisë midis Veriut dhe Jugut. I kultit të gjuhës
shqipe.
Edhe në kishte mite, që tingëllonin naive, si ai i Shqipërisë Zonjë të
rëndë të dikurshme, e katandisur më pas me rrecka, ose i prejardhjes
pellazge, ose i sublimit të virtyteve e bukurisë shqiptare, këto e të
tjera si këto, nuk i prishin punë askujt. Kryesorja ishte që, në këtë
program nuk kishte urrejtje, e aq më pak tmerre, si ato të pastrimit
etnik, që ishin formuluar ndërkaq në disa nga programet e fqinjëve
tanë.
Për çudi, rimohuesit tanë, aq të vëmendshëm për t&#8217;i gjetur njolla
Rilindjes së vendit të vet, nuk kanë vërejtur asnjë të keqe në mitet që
paralajmëruan tragjedinë e fundit në Ballkan: &#8220;Kosova djep i Serbisë&#8221;,
&#8220;ku jeton qoftë edhe një serb është Serbi&#8221;, etj., etj. Edhe kur flakët
morën qiellin dhe bota e tërë u rrëqeth nga masakrat e Kosovës, ata
prapë nuk panë asgjë dhe vazhduan t&#8217;i binin kambanës kundër
&#8220;kombëtarizmit shqiptar&#8221;.
Shkrimtari, që më së shumti e barti në shekullin 20 mitologjinë
rilindase, ishte Gjergj Fishta. Sipas logjikës së rimohuesve tanë,
Fishta ka bërë një gjë të keqe. Mirëpo ata, tani për tani, nuk guxojnë
ta prekin atë. Ata vazhdojnë të zhyten thellë e më thellë në mashtrim
dhe hipokrizi kur ngulin këmbë që &#8220;mitet&#8221; shqiptare i transferoi në
shekullin tonë Enver Hoxha. Kinse kritika e tyre për shefin komunist,
është, në të vërtetë, lavdërimi më i madh për të.
Ne e dimë mirë ç&#8217;bëri Hoxha me programin rilindas. Ne e dimë mirë se si
psikozën kundër otomanizmit e ktheu në psikozë kundër kapitalizmit.
Programin properëndimor, në të kundërtën e tij. Modelin zviceran, në
model sovjetik e kinez. Harmoninë fetare, në ndalim të gjithë besimeve.
Mitin e virtyteve të shqiptarit, në mit &#8220;të njeriut të ri&#8221;, të kundërt
me të parin. Së fundi, mitin e Zonjës së rëndë të dikurshme, tani me
rrecka, në mitin e Zonjës gjithmonë me rrecka, tani, Shoqe e nderuar.
Ç&#8217;i propozohet sot Shqipërisë, si këmbim për mohimin e &#8220;miteve
rilindase&#8221;? Në radhë të parë vetëposhtërimi. Kënga e kukuvajkës, fryma
mohuese për gjithçka. Shkurt, mitit të atdheut, me të gjitha ngarkesat
kundërthënëse, që ai ka marrë, në historinë e gjithë popujve, i
kundërvihet miti i vendit të pamundur, thënë ndryshe, të mallkuar.
Mëkati më i pafalshëm i rimohuesve është se, me transformimin që i
bëjnë së keqes shqiptare, nga regjimi komunist tek kombi shqiptar, ata,
dashur padashur, bëhen mbrojtësit e këtij regjimi. Me alibinë që i
bëjnë kështu diktaturës, ata nxisin një pyetje të përçudur: ç&#8217;të bënte
i gjori regjim komunist me këtë popull, që gjithçka të tij: historinë,
kulturën, mendësinë i kishte pasur të prishura në themel?
8
Polemika për Nënë Terezën, në vjeshtë të këtij viti, tregon se
gadishulli ynë jo vetëm vazhdon të prodhojë histori, siç është thënë,
por krahas historisë, uzina e tij shpik ose mohon zanafilla, injoron
ose fabrikon pakica të paqena, përgjysmon ose dyfishon popuj, pjell
mburrje qesharake faraonike ose perandorake.
Polemika, si çdo prodhim i provokacionit qëllimkeq, ka qenë e
panevojshme.
Në çdo provokim të këtillë ka një dozë pabesie. Skema është e njohur:
hedhja në publik diçka të pavërtetë. (Në këtë rast, është pritur vdekja
e Nënë Terezës, që të thuhet se ajo nuk është shqiptare.) Natyrisht që
do të ketë reagim, siç ka reagim në kësi rastesh. Pas reagimit, gjendet
dikush që thërret: ç&#8217;është ky reagim? Përse ky reagim? Bërtitësit
shkojnë më larg: ç&#8217;është ky patriotizëm, ky kinse patriotizëm, ky
nacionalizëm? Për çudi gjithë mllefi i bërtitësve nuk drejtohet kundër
provokatorit që hodhi në opinion një mashtrim, por kundër atyre që i
thanë &#8220;jo&#8221; mashtrimit.
Bërtitësit vazhdojnë të ngulin këmbë se s&#8217;duhej të kishte reagim për
një gjë që dihet. Ndërkaq, ata bëjnë sikur nuk e dinë që pa atë reagim,
mashtrimi për Nënë Terezën do të zinte vend në trajtën e një shtatoreje
prej bronzi në një shesh të Romës. Të nervozuar, disa nga bërtitësit e
hedhin më në fund maskën: ç&#8217;punë kanë shqiptarët me Nënë Terezën? Ajo i
përket gjithë njerëzimit.
Ky pohim ka qenë edhe thelbi i provokimit.
Dy pyetje shtrohen tani disi më qartë: e para, është apo jo e nevojshme
shpallja e prejardhjes së njeriut? E dyta: kanë apo s&#8217;kanë punë
shqiptarët me Nënë Terezën?
Për pyetjen e parë, dihet se tre janë informacionet bazike që jepen në
krye të çdo lajmi për çdo personalitet: dita e lindjes, prejardhja,
dita e vdekjes. I mirë ose i keq, ky është tani për tani zakoni i
njerëzimit. Për Nënë Terezën nuk do të kishte përjashtim. Ndër mijëra
lajme, që njoftuan vdekjen e saj, u dhanë të sakta lindja, vdekja dhe
prejardhja shqiptare e saj.
Në morinë e pafund të informacionit që shoqëroi vdekjen e saj, zërat e
vetmuar që u ngritën për të thënë se Nënë Tereza nuk ishte shqiptare,
por sllave, cigane ose vllahe, ishin një pikë ujë në oqean. E
megjithatë, ishte kjo pikë ujë në oqean, që u kap prej provokatorëve në
Tiranë, për të ngritur një zhurmë kundërshtuese.
Njerëzit që reaguan kundër këtyre zërave, u fshikulluan në mënyrë të
pabesë si &#8220;bojaxhinj&#8221; të Nënë Terezës, domethënë si falsifikatorë, si
mbulues, si përçudnues të saj. Pas kësaj deklarate, do të donim të
dinim se a do të kishte guxim provokuesi ta çonte mendimin e tij gjer
në fund, për të thënë se në këtë histori, kryebojaxhia, pra,
kryefalsifikatorja qenkësh vetë Nënë Tereza, meqenëse ka qenë ajo, që e
ka shpallur përpara botës prejardhjen e saj shqiptare? Dhe për të
mbyllur këtë paragraf të trishtueshëm do të duhej të bënim pyetjen: në
qoftë se ata që pohojnë përkatësinë shqiptare të Nënë Terezës do të
quheshin &#8220;bojaxhinj&#8221;, ç&#8217;emër duhej t&#8217;u vinim atyre që i gjetën asaj një
tjetër prejardhje tjetër, atë vllahe?
Kurthi i prejardhjeve mbetet nga më të larmishmit në Ballkan.
Prejardhja si mburrje. Prejardhja si fyerje. Prejardhja e padurueshme
prej tjetrit. Prejardhja e mohuar. Prejardhja e fshehur. Prejardhja e
nxjerrë befas si thikë nga mënga, e kështu me radhë.
Keqkuptimi për prejardhjet është pjesë e atij
gramshaleshi të madh që përbën &#8220;ballkanizmin&#8221;, në kuptimin më të keq të
fjalës. Ai lidhet me një varg keqkuptimesh të tjera, shpesh dramatike,
siç është ai i statusit të pakicave. Si kudo në botë, pakicat kanë qenë
e do të jenë të pashmangshme në Ballkan. Çështja është nëse ato do të
lozin rolin e urave bashkuese apo të greminave ndarëse. I kanë luajtur
të dyja gjer më sot, më hershëm atë të urave, më vonshëm atë të
greminave. Nga qartësia e Kushtetutës së Evropës së Bashkuar për këtë
problem do të varet një kthjellim i mëtejshëm i një prej burimeve të së
keqes në Ballkan.
Popujt e gadishullit tonë kanë dhënë e kanë marrë gjerësisht me
njëri-tjetrin për shekuj me radhë. Krahas ndikimeve kulturore,
zakonore, gjuhësore, ballkanasit kanë këmbyer lëndë njerëzore, në masë
të ndjeshme. Lënda njerëzore e ardhur nga një popull tjetër, është
zakonisht faktor gjallërimi dhe shëndoshjeje. Historia e ka pranuar se
ç&#8217;pasurim sjell kjo përzierje, ky metisash, dhe ç&#8217;varfërim shkakton e
kundërta. Shembulli amerikan, si ngadhënjim i përzierjes mbetet më i
qarti gjer më sot.
Shqiptarët, si gjithë të tjerët, i janë nënshtruar këtij ligji. Ata
kanë dhënë, dhe duke dhënë, kanë shëndoshur popujt e tjerë, sidomos
fqinjët, me gjindjen e tyre. Nga ana tjetër ata kanë marrë, dhe gjithaq
janë shëndoshur prej të tjerëve.
Në shëmbëllim të krushqive mbretërore, që janë përpjekur të luajnë një
rol zbutës, një rënie të trysnisë midis shteteve, këto dhënie-marrje
midis popujve e kanë luajtur pa dyshim një rol të tillë, madje, me sa
duket, më të ndjeshëm se krushqitë monarkike. Megjithatë, si në rastin
e gjithë krushqive edhe ato, nga kahu pozitiv, ka qëlluar të kthehen në
të kundërtën.
Provokimet nuk kanë nevojë gjithmonë për sheshe ku të shpallen. Ato
mund të fillojnë pa bujë, si shkrepsja modeste, që i vë zjarrin një
turre drush. Ato mund të nisin në trajtë sprovash akademike, në trajtë
veshjesh, apo thashethemesh të kafeneve. Prejardhjet, janë rrafsh i
parapëlqyer për acaruesit. Të thuash se nëna e Gjergj Kastriotit është
me prejardhje joshqiptare, është një gjë e zakonshme. Kryezotët
shqiptarë, ashtu si një pjesë e feudalëve ballkanas, për arsye të
ndryshme, qoftë edhe për të imituar mbretërit, merrnin gra të huaja. Me
këtë rast, fyerja e shqiptarëve për prejardhjen e nënës së heroit, që
ka gjasë të ketë qenë malazeze, është e papërligjur. Rasti rëndohet kur
vjen puna e shpalljes me bujë, në një gazetë me tirazh të madh, se ati
i Skënderbeut, Gjon Kastrioti ka qenë gjithashtu serb. Provokimi mban
erë që larg, ngaqë bazohet thjesht mbi një mashtrim. Nga disa shkresa
të vjetra serbe ku emri i Gjon Kastriotit figuron si Ivan Kastrioti, u
hidhka poshtë një e vërtetë e dëshmuar nga mijëra dokumente të tjera në
dhjetëra gjuhë, e në dhjetëra vende. Në këto dokumente emri i Gjon
Kastriotit natyralizohej, në shumë raste, sipas gjuhës me të cilën
përpilohej dokumenti. Kështu, Gjoni i Kastriotëve, në gjuhë të ndryshme
ishte Zhan, Xhon, Johan, Huan, Ivan, Xhovani etj. Këta emra mund ta
bëjnë atë francez, anglez, gjerman, spanjoll, serb ose italian, aq sa
ç&#8217;mund ta bëjë shqiptar emri i shqiptarizuar Gjon, Papën e Romës, Gjon
Palin e dytë.
Zelli për provokim dokumentohet ngaqë nga gjithë prejardhjet e
mundshme, parapëlqehet ajo që acaron, ndonëse pa të drejtë, shqiptarët.
Them, pa të drejtë, sepse çfarëdo prejardhjeje që t&#8217;i ngjitësh
Kastriotit, serbe, greke, spanjolle apo kineze, asgjë nuk e ndryshon
asnjë grimë identitetin e tij shqiptar.
Loja me prejardhjet është, jashtë çdo dyshimi, një nga kotësitë
foshnjarake ballkanike. Por kjo nuk do të thotë aspak se provokimi
vetë, mund të quhet foshnjarak. Një provokim është gjithmonë serioz në
të keqen e tij, e sidomos në gadishullin tonë. Shumë tmerre kanë
ndodhur në historinë e botës të nxitura nga ngjarje që ngjajnë
fëminore: një lëvizje e gabuar e dorës në një tempull, një krehje
flokësh, një tatuazh a një deklarim i pakujdesshëm.
Shqiptarët nuk janë aspak të mbrojtur nga ethe të tilla. Shembulli i
prejardhjes të hamendsuar joshqiptare të Migjenit është një nga më
kuptimplotët. Ajo ka qenë për një kohë të gjatë tabu. Të thuhej se
Millosh Gjergj Nikolla, ishte me zanafillë joshqiptare, me sa dukej
malazeze, kjo merrej si fyerje. Në të vërtetë, jo vetëm nuk ka asnjë
fyerje, por ka qenë nder për botën shqiptare, që mundi të magjepste e
ta bënte të vetin një nga talentet më të mëdhenj të kohës. Rasti i
Migjenit tregon se universi shqiptar bashkë me gjuhën shqipe, ai
univers e ajo gjuhë që ne e kemi bërë zakon ta shkelim me këmbë, ka
fuqi thithëse e integruese tepër të fortë.
Migjeni, për nga prejardhja, për nga studimet, e për nga gjuha, mund të
ishte një shkrimtar jugosllav. Vendi fqinj mund t&#8217;i jepte atij hapësirë
e mundësi, në dukje, më të madhe se Shqipëria e sertë, e varfër dhe
kryeneçe. Por ai, jashtë çdo përfitimi, madje kundër tij, e bëri
zgjedhjen e vet. Ajo zgjedhje ishte rrënjësore, e sinqertë, e plotë. I
dashuruar &#8220;tragjikisht&#8221;, siç shkruan, pas botës së shqiptarëve, (ka
gjasë që viset e Perëndimit, për të cilat ai kishte gjithashtu një
&#8220;dashuri tragjike&#8221;, iu dukën më të kapshme nëpërmjet Shkodrës së
shqiptarëve sesa zonës sllave), Migjeni nuk e kujtoi kurrë zanafillën e
vet. Do të mjaftonte kjo që, në qoftë se dikujt duhej t&#8217;i mbetej hatri
(në këtë gadishullin tonë hatërmbetës), këta do të ishin malazeztë e jo
shqiptarët.
Askush nuk ka të drejtë t&#8217;i kërkojë askujt pohimin apo mohimin e
prejardhjes së vet. E drejta e pohimit është po aq e ligjshme sa ajo e
mohimit.
Ndryshe nga Migjeni, një tjetër shkrimtar shqiptar me prejardhje të
huaj, Sterio Spasse, nuk e mohoi asnjëherë zanafillën maqedone.
Shkrimtar i shquar në dy regjime të ndryshme, mbretëror dhe komunist, i
qortuar në të parin si tepër pesimist (romani &#8220;Pse?&#8221, e në të dytin si
tepër optimist (realizmi socialist), Spasse përjetoi fatin e shumicës
së shkrimtarëve shqiptarë, fat të kushtëzuar nga disa faktorë, përveç
njërit: atij që lidhej me prejardhjen. Në të dy kohët, mbretëroren dhe
komunisten, askush nuk ia kujtoi kurrë maqedonësinë, rrjedhimisht, prej
saj ai s&#8217;pati asnjë të keqe, ashtu siç nuk pati asnjë të mirë.
Është rasti të thuhet këtu se, ndërsa s&#8217;kemi të drejtë të mohojmë e të
shkulim prejardhje, aq më pak kemi të drejtë të detyrojmë dikënd ta
mbajë atë me dhunë, si tatuazh, si yll të Davidit në setër, sipas
zakoneve naziste, apo si damkë hekuri të skuqur, sipas dokeve
mesjetare.
9
Zemërimi kundër zanafillës shqiptare u përligj në një mënyrë shtihane,
se kinse zhurma për Nënë Terezën ishte e tepruar në Shqipëri dhe se ajo
po shfrytëzohej prej klasës politike shqiptare, për kapital, moral
etj., etj. Ata që e njohin pak a shumë gjendjen në Shqipëri, e dinë
fare mirë se klasa politike shqiptare as që do t&#8217;ia dijë për Nënë
Terezën, se veshët e shqiptarëve, nga mëngjesi në darkë janë të
shurdhuar nga klithmat e një panairi politik rraskapitës: Nano-Meta,
Mejdani-Berisha, Votat e vjedhura, KQZV-të, VKQZ-të, Mocion besimi,
Mocion mosbesimi etj., etj. Midis kësaj zallahie shterpë, çdo tërheqje
e vëmendjes prej gjërash më të epërme, do të ishte jo vetëm e dobishme
për shëndetin moral të kohës, por do të ndihmonte për të parë se, sa e
mjerë është gjithë kjo rrumpallë, që ka gëlltitur jo vetëm politikën,
por edhe pjesën dërrmuese të shtypit shqiptar.
Ç&#8217;të keqe, pra, do të kishte prania më e ndjeshme e Nënë Terezës, e
frymës së saj, në botën tonë shqiptare, të mbushur me mosdashuri, me
nerva dhe urrejtje?
Antinënëterezistët tanë i mërzit fakti që populli shqiptar, pothuajse
unanimisht, e ka shpallur adhurimin e tij për Nënë Terezën. Ky popull
është akuzuar vitet e fundit si tepër i ashpër, shkatërrimtar,
egërshan. Ka një pjesë të së vërtetës në këtë fajësim. Nisur qoftë edhe
nga kjo, ç&#8217;të keqe ka në qoftë se populli shqiptar, me zgjedhjen e
kësaj embleme morale shpall prirjen e tij për të bërë një ndreqje, një
qortim, një zbutje brenda vetes? A nuk i kërkohet sot gjithë Ballkanit
një program i ri moral, thelbin e të cilit e përbën zëvendësimi i
urrejtjes me frymën e mirëkuptimit? I gjithë ky zell për mënjanimin e
Nënë Terezës bëhet edhe më i pafalshëm, kur kujtojmë se ka patur një
kohë të errët, kur regjimi komunist e kishte përjashtuar shenjtoren
krejtësisht nga Shqipëria. T&#8217;i bësh jehonë, qoftë edhe pa dashur këtij
qëndrimi çnjerëzor, është mëse e habitshme.
Argumenti i fundit në dosjen Nënë Tereza është edhe më absurdi: frika
se mos krenaria për prejardhjen shqiptare të shenjtores, ripërtërit tek
ne mitin e hershëm të superioritetit të racës shqiptare!!!
Është vërtet për të lënë mendjen, siç thuhet. Se kur na paska dalë ky
rrezik i ri në këtë vend, kjo mbetet një nga kureshtitë e mëdha se gjer
ku mund të shkojë fantazia njerëzore.
Në fundajën e një rënie morale të paparë, ku vetëposhtërimi, shkelja e
vetvetes, humbja e çdo besimi, kanë arritur në atë pikë, sa që shpesh
janë të huajt që përpiqen të na sjellin në vete, duke thënë: kini besim
në veten tuaj!, të flasësh për rrezikun që vjen nga kompleksi i
superioritetit të racës, është si të pështysh mbi një gur varri.
E meqë është fjala për modelin e Nënë Terezës, ky model shelbues, që
është, veç të tjerash, edhe i përvujtnisë, jo vetëm nuk mund të nxisë
të kundërtën te shqiptarët, por na jep shkas të besojmë se një nga
arsyet e adhurimit është pikërisht prirja për t&#8217;u ndarë edhe me këtë
cen: kreninë e tepruar e boshe.
Nënë Tereza, si ikonë e mbarë planetit të njerëzve, është veçanërisht e
tillë për popullin shqiptar, falë lidhjes së gjakut. Është kjo lidhje
që kthehet vetvetiu në një pakt, në një shkollë të tërë emancipuese, në
një lajm të mirë, për një kohë të re.
Të ngresh moralin e përmbysur të një njeriu është ndërkaq diçka e
madhe. Të ndihmosh për të ngritur moralin e një populli të tërë është
përtej sublimes. Për të kuptuar se kjo nuk është as metaforë poetike e
as një përkryerje, që ndodh në sfera të larta, të parrokshme për
njeriun e thjeshtë, le të kujtojmë qindra mijëra mërguesit e sotëm
shqiptarë, ata që fati nuk u ka ecur, siç kanë shpresuar, dhe që të
shpërndarë anekënd, ditë e natë përballen me mungesat, ankthet,
poshtërimin. As shteti shqiptar, as pasaporta shqiptare nuk i mbrojnë
dot, përkundrazi, ua ndërlikojnë jetën. Le të kujtojmë dramën kolosale,
atë dramë me të cilën nuk merret askush, të mijëra e mijëra fëmijëve të
këtyre mërguesve, të cilët shkojnë çdo mëngjes në shkollat e huaja, me
zemër të dridhur se mos dikush u thotë me pezm: ti je shqiptar!
E pra, këtyre mërguesve të harruar, që u qëllon të përfundojnë në burg
me faj e pa faj, e këtyre fëmijëve që gjymtohen psikikisht që në
mëngjesin e jetës, u vjen befas në ndihmë ikona e shenjtores. Është ajo
dhe vetëm ajo, që u jep kurajon t&#8217;i thonë me vete policit, gjykatësit
ose mësuesit: ju vendin tim e shpërfillni, por lavdi Zotit është një
shenjtore që ju e nderoni: Nënë Tereza. Ajo është nga vendi im.
Do të mjaftonte vetëm kjo arsye e thjeshtë njerëzore, midis arsyeve të
tjera të mëdha, që të rreshtte zhurma kundër pranisë së Nënë Terezës në
Shqipëri. Zelli që ushqen këtë zhurmë, na bën të mendojmë se ata që i
bezdis kjo prani, në të vërtetë është vetë populli shqiptar që i
bezdis.
Siç u tha më lart, vendi i vetëm ku zanafilla e Nënë Terezës zgjoi
kundërshtime e polemika, ishte Shqipëria. Në këtë rast, nuk ka si mos
të na shkojë mendja te dy testamentet që i ishin lënë popullit shqiptar
lidhur me shenjtoren. Porosia e asaj vetë, që ajo të mos ndahej më
kurrë nga Shqipëria. Porosia e Enver Hoxhës, që ajo të mos i qasej
kurrë Shqipërisë. Populli shqiptar nderoi testamentin e parë, atë të
shenjtores. Provokatorët shqiptarë nderuan të dytin, atë të diktatorit.
10
Prodhimi me tepricë i historisë në Ballkan, sipas thënies së njohur të
Çurçillit, nuk mund të kryhej pa një sërë uzinash ndihmëse, ato që
përgatitën lëndët e nevojshme, për departamentin kryesor. Trysnitë
etnike, mitet vrastare, përçudnimet e historisë, e gjer te provokimet e
te helmet më banale, janë disa nga nënprodhimet e domosdoshme që uzina
e madhe të mos pushojë së nxjerri tym. E tymtarët e saj, për fat të
keq, kanë qenë e mbeten ndotësit më të këqinj të gadishullit.
Nisur nga kjo, është e kuptueshme që Evropa e Bashkuar, në portat e së
cilës ballkanasit kanë zënë radhën për të hyrë, vigjilon, mbikëqyr, jep
këshilla e dërgon kërcënime, që gadishulli të harrojë fantazmat
ngatërrestare të tij, të rishikojë historinë e dhunuar, të heqë dorë
nga dufet e vjetra, shkurt të evropianizohet.
Në fillim të shekullit 21, një trysni e re po rreket të buthtojë mu në
mes të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës: acarimi midis shqiptarëve e
vllehëve. Është ende e dobët, e parëndësishme dhe pa të ardhme, e
megjithatë, si çdo helm, e ka aftësinë që edhe në sasi të paktë, të
dëmtojë rëndshëm. Për një kohë të shkurtër, kjo trysni, ndonëse
kryekëput e shpikur, arriti të provokojë rrjedhojën më të keqe në kësi
rastesh: shenjat e para të racizmit shqiptar kundër pakicës vllahe.
Thelbi i asaj që ka ndodhur është ky: në fillim të shekullit 21, për
herë të parë në kronikën historike shqiptare, janë bërë përpjekje, për
të krijuar një trysni të paqenë, të panjohur gjer më sot, të ngjashme
me krijimin artificialisht të qelizave kanceroze, në një laborator
studimor.
Për të sajuar një trysni është e domosdoshme gjetja e tharmit. E tharmi
i çdo trysnie etnike është persekutimi. Pra, fabrikimi i një trysnie
është baraz me fabrikimin e një persekutimi.
Në këtë kah, çështja shtohet thjesht dhe qartë: a ka patur ose a ka
trysni midis shqiptarëve dhe pakicës vllahe? Thënë ndryshe: ka patur
ose ka persekutim të vllehëve prej shqiptarëve?
Opinioni i përgjithshëm shqiptar i përgjigjet me një &#8220;jo!&#8221; të madhe
kësaj pyetjeje.
Opinioni i përgjithshëm vllah, madje edhe vetë provokatorët (paradoksi
do të shpjegohet më poshtë), i përgjigjen praktikisht me një &#8220;jo!&#8221; edhe
më të madhe.
Atëherë përse kjo zhurmë? Përse bie kambana? Për kë fabrikohet helmi?
Përgjigjet janë dy. Sipas studiuesit shqiptar, Albert Ramaj, kjo
çështje, si shumica e çështjeve të dyshimta në Ballkan, ka një
prapavijë politike: krijimin e një pakice etnike vllahe, me qendër
Maqedoninë, për të relativizuar atje statusin e shqiptarëve si popull i
dytë. Sipas një mendimi më të përgjithshëm, e gjithë kjo s&#8217;është veç
një çështje biznesi. Meqenëse Këshilli i Evropës, me të drejtë, e mbron
pakicën vllahe, si pakicë e rrezikuar, disa &#8220;liderë&#8221; të kësaj pakice
duan me çdo kusht të provokojnë persekutimin, mundësisht racizmin,
ngaqë kështu, mendojnë ata, edhe përfitimet do të jenë më të mëdha.
Këto janë hamendje, të cilat, për t&#8217;u bërë të besueshme, kanë nevojë
për të vërtetën, atë që del nga faktet.
Problemi vllah nuk ka ekzistuar në Shqipëri, për arsyen e thjeshtë se
vllehët janë konsideruar qytetarë shqiptarë, njëlloj si shqiptarë,
rrënjës (autoktonë) si ata, me të njëjtat të drejta si ata, me të
njëjtat detyra, me të njëjtin fat. Kjo s&#8217;do të thotë se nuk njihej
zanafilla e tyre vllahe ose arumune. Por kjo prejardhje nuk ka dhënë
gjer më sot asnjë shenjë dallimi ose ndarjeje. Prania vllahe në
Shqipëri është quajtur prani tipike shëndoshjeje, martesat me shqiptarë
kanë qenë pa kurrfarë kufizimi, pjesëmarrja e vllehëve në çëshjet
kombëtare, politike e kulturore të kombit shqiptar ka qenë e plotë, në
të gjitha kohërat dhe regjimet.
Fjalë të bukura, vizion rozë? Kurrsesi.
Ajo çka u tha më lart, dëshmohet katërcipërisht nga vetë shkrimet e
nxitësve të provokacionit. Një kundërthënie e madhe i përshkon fund e
krye këto shkrime. Nga një anë, me një krenari të ligjshme përmenden në
to gjithë veprimtarët me prejardhje vllahe, që punuan e luftuan për
Shqipërinë, që nga poetët e misionarët, gjer te martirët që derdhën
gjakun për të, e nga ana tjetër, në të njëjtat shkrime, ngrihet ankesa
për përçmim e persekutim.
Këto dy pohime nuk mund të qëndrojnë bashkarisht. O njëri, o tjetri
bie. Për fat të mirë, bie i dyti, përçmimi, sepse i pari është i
dëshmuar historikisht.
Pohimi i parë e përjashton të dytin, sepse as historia, as natyra
njerëzore këtu në Ballkan nuk japin shembuj që, një pakicë e shtypur të
punojë me kaq përkushtim, madje të flijohet, për një komb të huaj, e
për më tepër shtypës.
Për fat të keq, nxitësit e grindjes kanë shkuar larg. Sipas kanuneve
ballkanike, janë përpjekur ta projektojnë grindjen në thellësi të
mijëvjeçarëve, aty ku, sipas tyre, stërgjyshërit e të dy palëve janë
ndeshur egërsisht.
Është thënë edhe më lart se zgjedhja e një prejardhjeje, të qenë apo të
paqenë, të vërtetë apo gjysmë të vërtetë, është një hobi nga e cila
popujt nuk ndalen dot. Ajo mbetet e pafajshme përderisa nuk ushqen një
qëllim të errët. Ajo bëhet e fajshme përderisa nxit pikërisht qëllimin
e keq. Mëtimi për një lidhje të popullsisë vllahe me latinitetin
(ndonëse ky latinitet nuk është i qartë për ata vllehë që e quajnë
veten të lidhur me helenët), është krejtësisht punë e tyre. Kur ky
mëtim nis e pezmatohet, me ngarkesë konfliktuale, për të ushqyer një
provokim të sotëm, ai bëhet i dënueshëm. Një kapardisje vllahe, e
ndikuar, me sa duket, nga kapardisja proverbiale shqiptare, duke u
ndezur nga kujtimet e Romës antike, kujton se do t&#8217;u japë zemër të
vetëve, duke kujtuar sipëraninë e Romës (si të thuash, stërgjyshërve të
vllehëve), ndaj ilirëve, (me demek katragjyshërve të shqiptarëve). Nuk
përmendet vetëm lufta midis tyre, së paku në shtyp, por ajo vazhdon
kafeneve, bashkë me ngazëllimin për humbjen e ilirëve (me demek të
shqiptarëve!).
E gjithë kjo do të mbetej një episod grotesk, nga ata që vetëm
gadishulli ynë fantazist është i aftë të pjellë, sikur të mos pasohej
nga një helm i rrezikshëm, helmi klasik që qëndron në bazë të çdo
racizmi: superioriteti i një race. Në shtyp, e zezë mbi të bardhë,
është shkruar se vllehët qenkërkeshin superiorë ndaj shqiptarëve.
Është, me sa duket, kjo ide e helmët, ajo që nxiti reagimin e ashpër
racist shqiptar. Provokimi ia kishte arritur qëllimit. Për herë të
parë, në trajtë të egër, cinike, u shfaqën në shtyp cilësime përbuzëse
për vllehët, kërraba vllahe, çobanëria, bejte për mushkat, si simbole
të nomadizmit etj. Ishte e trishtueshme që të përçmoheshin kështu
elemente baritore, ato që nuk turpërojnë asnjë popull e që kanë qenë
rrënjët e jetës, sidomos për vetë shqiptarët e për gjithë ballkanasit,
që nga kohërat homerike e gjer më sot.
Racizmi, qoftë edhe i provokuar, është kryekëput i dënueshëm. Ndërkaq,
po aq i dënueshëm është provokimi i tij.
Racizmi ndaj shqiptarëve, i ushtruar sot gjerësisht në një vend si
Greqia, anëtare e BE-së, është krejtësisht i kundërkohshëm.
Proselitizmi i dhunshëm, ndërrimi i emrave, i fesë, fyerjet,
keqtrajtimet, burgimet me shkak e pa shkak, e gjer te torturat e
vrasjet me një plumb pas kokës, në zyrat e policisë, dhe shpallja
pastaj e vrasësve të pafajshëm, kjo është një kronikë tepër e dhimbshme
për t&#8217;u gëlltitur.
Shteti shqiptar, i çoroditur nga korrupsioni dhe marrëzitë e brendshme
të tij, intelektualët renegatë shqiptarë, të merakosur se mos emri i
Nënë Terezës u jep kurajo (lexo: ua lehtëson brengat) bashkëkombasve të
tyre, komitetet e të drejtave të njeriut të tipit Ballauri, cinikë dhe
krejtësisht të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të emigrantëve tanë, i kanë
lënë ata në mëshirën e një fati të papërfytyrueshëm.
Nga kalvari i tyre i gjatë, do të mjaftonte ngjarja makabre e
përkthyeses së gjyqeve, që, duke mos ditur asnjë fjalë shqip, për
dhjetë vjet rresht ka kalbur nëpër burgje me dhjetëra e ndoshta me
qindra djem shqiptarë, për të kuptuar sa larg kanë shkuar gjërat.
12
Nuk është e lehtë të gjenden shkaqet e plota që çojnë drejt otracizmit
(veçimit) të një populli. Një pjesë e tyre mbeten gjithmonë në terr.
Nga arsyet e njohura, përveç revanshit të vjetër ballkanik, ka qenë
jugosllavomania, thënë ndryshe, moda e flirteve me fqinjin tonë verior,
ajo që më së shumti e ka dëmtuar Shqipërinë. Politika vetëvrasëse e
veçimit, krimi fillestar e njëherësh më i rëndi, i komunistëve
shqiptarë, ka qenë fatale në këtë kah.
Për një ndërlikim të favorshëm të rrethanave, ai që në gjuhën e
përditshme quhet skajim i keq i yjeve, Shqipëria, në shumicën e
rasteve, del e humbur. Një sërë keqkuptimesh dramatike, fryt i
mosnjohjes ose dashakeqësisë, e ndjekin hap pas hapi dosjen e saj. Nga
e djathta ajo quhet e majtë e, për çudi, nga kjo e fundit fajësohet si
e djathtë. Nga qarqet e krishtera konservatore merret për myslimane, e
nga myslimanët radikalë për jo e devotshme.
Një pjesë e gjykimeve kundërthënëse e shpesh paradoksale, e kanë
burimin te grindjet brenda perandorisë komuniste, atëherë kur Bashkimi
Sovjetik hodhi mbi Shqipërinë akuzën biblike se &#8220;iu shit imperializmit
për 30 aspra&#8221;. Për një kohë të gjatë, ajo akuzë mbeti në kujtesën e
miliona njerëzve, të cilët, nga padituria dhe naiviteti besonin vërtet
se vendi i vogël stalinist ishte kthyer në Judë, në shërbim të
kapitalizmit. Kundër tij u përdorën shpesh të njëjtat mallkime që
përdoreshin zakonisht kundër CIA-s, Izraelit ose Boris Pastërnakut.
Gjithsesi e pafat, Shqipëria humbi kështu miliona simpatizuesit e saj
filosovjetikë e, më pas, pas grindjes me Kinën, miliona të tjerët,
maoistët.
Këto aradhë të pafundme, në një mënyrë ose në një tjetër u kthyen
kundër saj. Ishin ata që më 1999 mbushën radhët e para të manifestimeve
për të mbrojtur Serbinë nga bombardimet, por kurrsesi popullsinë
shqiptare nga masakrat.
Gati e pabesueshme tingëllon sot profecia e famshme e Hrushovit, kur e
quajti Shqipërinë Judë të shitur te Perëndimi. Në atë kohë, akuza ishte
krejtësisht jashtë çdo baze logjike, e tillë që mund ta prodhonte veç
truri i një të çmenduri. E megjithatë erdhi një kohë që difensa e
çmendur u krye, e Shqipëria përfundoi si një ndër aleatët më besnikë,
në mos i Perëndimit mbarë, i fortesës së tij kryesore, SHBA-së.
Si shumë punë të Shqipërisë, edhe kjo miqësi kërkon taksën e vet. Më
kot është thënë e shpjeguar se simpatia për Amerikën nuk është një
pasion i radhës, por i ka rrënjët në mirënjohjen historike në fillim të
shekullit, kur presidenti amerikan, Willson, ishte i vetmi nga shefat
perëndimorë që kundërshtoi dhe pengoi ndarjen e Shqipërisë dhe, në
mbarim të shekullit, kur SHBA-ja udhëhoqi koalicionin për çlirimin e
Kosovës. Valët e antiamerikanizmit që, për fat të keq, përshkojnë sot
botën dhe Evropën, nuk lënë pa prekur vendin e vogël në breg të
Adriatikut. Ka gjasë që jo vetëm amerikanofobia klasike, por
manifesitmet anësore, nga ato antisemite gjer te altermondistët e më
tej, te kundërshtarët e &#8220;UGJM&#8221;-ve (ushqime gjenetikisht të
modifikuara), të përplasin stërkalat e tyre mbi vendin ballkanik.
Ndërkaq, si rrjedhojë e acarimeve midis BE-së dhe SHBA-së, ka gjasë që
sipas proverbit &#8220;kur grinden atllarët shkelmat i hanë gomarët&#8221;,
Shqipëria të hajë shkelma atëherë kur s&#8217;e pret.
Ky ndërlikim ndërkombëtar i dosjes së Shqipërisë, ndonëse mund të duket
zotërues, nuk do të arrinte dot të krijonte një klimë mohuese nëse nuk
do të arrinte do të ushqehej nga një faktor i befasishëm: shpërthimi
dhe shpërndarja nëpër botë e qindra mijëra shqiptarëve. Janë të njohura
pasojat e kësaj përmbytjeje: imazhi katastrofik dhe nxitja e racizmit
antishqiptar. Është e ditur e vërteta e thjeshtë se, banditët dhe
mafiozët shqiptarë përbëjnë një përqindje të vogël të mërguesve, por po
aq e ditur është fuqia njollosëse e së keqes. Një vrasje e bujshme e
një banditi, mund të hedhë baltë mbi një mijë jetë të ndershme, ato që
s&#8217;përbëjnë as lajm, as histori.
Ky nam i keq i shqiptarëve, u shumëzua, për fat të keq, nga një
rrezatim mosdashurie, për të mos thënë urrejtje kundër vendit, i një
pjese të tyre. Kjo mosdashuri e shpallur e vetë vendasve, shërbeu për
të legjitimuar mosdashurinë e të tjerëve. Shprehja kulmore e saj, ishte
deklarata cinike e regjisorit majtist italian Xhani Amelio &#8220;s&#8217;kam
takuar gjer më sot asnjë shqiptar që ta dojë vendin e vet&#8221;.
Nuk ishte vetëm një gënjeshtër e madhe. Ishte shpallja arrogante e një
programi të ri, program që e bënë të tyre intelektualët rimohues
shqiptarë. Këta të fundit, siç u tha më lart, ishin batalioni i fundit
i &#8220;vezëve të gjarprit&#8221;, ata që tinëzisht e mbrojtën diktaturën, duke e
paraqitur të keqen e saj, jo si një të keqe komuniste, por
gjithëshqiptare.
Shthurja morale e pjesës më të madhe të klasës politike shqiptare,
mungesa e përkushtimit për vendin, shpallja e kësaj shthurjeje dhe
kësaj mungese përkushtimi, si diçka moderne dhe tallja e drejtpërdrejtë
ose e tërthortë e atyre që mendonin ndryshe, ka qenë një tjetër faktor
madhor për një rënie të përgjithshme morale në këtë vend.
Rrjedhojë e saj ishte fryma e sëmurë rimohuese, ajo që u përpoq ta
zhveshë Shqipërinë nga gjithçka, për ta paraqitur si një vend virtual,
version i përsëritur i përcaktimit cinik &#8220;shprehje gjeografike&#8221;.
Rrjedhojë e kësaj dhe e një fryme hakmarrëse për popullin që, bashkë me
shtatoren e tiranit, e përmbysi, më në fund, komunizmin, ishte ideja e
nënkuptuar se Shqipëria mund të ishte e pranueshme si otomane, si
komuniste, por kurrsesi si demokrate dhe evropiane.
Ide të ngjashme, të nxitura nga orekse të shtuara kohët e fundit
notojnë nëpër mjegull. Pavarësia e kushtëzuar e Kosovës, ose formula e
Kosovës shumëkombëshe, kërkohet t&#8217;i kalojnë tinëzisht krejt Shqipërisë.
Me fjalë të tjera, në vend të shtetit historik që po mbush shekullin,
të ketë një shtet të kushtëzuar shumëkombësh, thua se shqiptarët,
ndryshe nga gjithë popujt, nuk mund të kenë shtëpinë e vet. Provokatori
tepdil kinse maqedonas, kërkoi pikërisht këtë gjë në emisionin
televiziv, të përmendur në fillim të kësaj sprove.
Shqipëria paraqitet sot si një vend që nuk e duan. Këtë pohim e ndan
vetëm një hap nga formula: Shqipëria është një vend që s&#8217;ka pse të
duhet. E nga kjo e fundit, gjer te hedhja e idesë për thurjen e
mëtejshme të saj, nuk ka veç një tjetër hap.
Shqipëria për shumëkënd është sot një pemë e rrëzuar, prej së cilës,
ashtu si e thotë proverbi, të gjithë mund të bëjnë dru. Shqipëria e ka
ulur kryet vërtet, por, për fat të mirë, nuk ka rënë. Ata që mezi
presin ta shohin përtokë, është më mirë të kthehen e të shohin mjerimin
e ngazëllimit të tyre meskin. Asgjë e mirë nuk i vjen Ballkanit nga
lëngata e një prej popujve të vjetër të vet. Përkundrazi, shëndoshja e
popullit shqiptar, normaliteti i tij, ashtu si ajo e çdo populli, ashtu
si e popullit serb e malazez, është në të mirë të të gjithëve. Të
sëmurë apo të shëndoshë, ne jetojmë e do të jetojmë në të njëjtin
pavion dhe, duam apo s&#8217;duam, fatet i kemi të përziera. Ata që nuk
arrijnë ta kuptojnë këtë, s&#8217;kanë kuptuar asgjë nga kjo botë.
Shqipëria nuk ka rënë. Ende i drojtur, si në muzikën e Ravelit, ndihet
një motiv i kundërt, me atë të mosdashurisë. Ndërsa mafiozët shqiptarë
ushqejnë acarimin kundër kombit që i përkasin, një tjetër armatë, ajo e
fëmijëve shqiptarë, anekënd Shqipërisë e shkollave të botës, zgjon
nderimin e, bashkë me të, dashurinë. Në këtë ndeshje, që të kujton
luftën midis bishës dhe qengjit, ashtu siç jepet në shkrimet e shenjta,
qengji, ai që ka të ardhmen, do të fitojë.
Disa javë më parë, në prag të vitit të ri 2004, një qytet i vogël
francez, në breg të Atlantikut, u ngrit i tëri në këmbë, me
manifestime, me peticione e me komitete, për të mbrojtur një familje
shqiptare, për një problem administrativ. Në Operan e Parisit, kur
Angjelin Prelocaj, në preludin e një prej baleteve të tij, me një bri
në dorë foli ca çaste fjalë të vjetra shqipe, salla e mbushur plot, që
nuk i kuptonte ato, por që e dinte se kjo ishte gjuha amtare e
koreografit të madh, në heshtje solemne, si në një katedrale, i
dëgjonte gjithë nderim.
Kohërat janë duke u ndërruar në Ballkan e në Evropë. Një brez tjetër
është duke ardhur, me një mendje më të kthjellët e një shpirt më të
pasur. Ende nuk kanë në dorë fuqi ekonomike e politike, megjithatë
fryma e tyre ndihet anekënd: në shkolla, në auditore, në familje, në
kafe, në internet. Është frymë tjetër, që kërkon një tjetër Shqipëri.
Që refuzon varfërinë si fatalitet e imoralitetin si kusht. Që spraps
këngën e kukuvajkave e profkat e rimohuesve. Që natyrshëm kërkon t&#8217;i
kthejë nderin e humbur vendit të vet.
Një këngë e adoleshentëve, e shpërndarë tani vonë nëpër Shqipëri, e jep
në mënyrë prekëse këtë kumt:
Shqipëri, atdhe i dashur
Ne s&#8217;të lemë ty të varfër.
Është kumt e premtim bashkë. Është i thjeshtë, i dhimbshëm, pa dokrra e
fjalë të mëdha. Nuk flitet për Shqipëri etnike a multietnike. Flitet
thjesht për Shqipërinë moderne, atë që nuk mund të ekzistojë, pa lënë
pas varfërinë. E varfëria, në këtë rast, është e lidhur me të gjitha:
turpin, bjerrjen morale, poshtërimin. Ndaj premtimi &#8220;S&#8217;të lemë ty të
varfër&#8221;, është i barazvlefshëm me &#8220;s&#8217;të lemë ty të biesh&#8221;.
Asnjë popull s&#8217;duhet lënë të bjerë. Sikur adoleshentët e Ballkanit
perëndimor, ta këndonin një këngë të ngjashme për popujt e tyre, ky do
të ishte një lajm i mirë. E nëse do ta këndonin bashkarisht për gjithë
gadishullin, ky do të ishte një lajm i madh.
Ismail Kadare
2003-2004
Ismail Kadare
(Varianti i shkurtuar për gazetën)
POSHTËRIMI NË BALLKAN
Në çdo numër të vihet shënimi:
&#8220;Teksti i plotë i kësaj sprove do të botohet në libër të veçantë nga
Onufri&#8221;