Re: POSHTE ENVERI E KOMUNIZMI
TRASHËGIMTARI I ENVER HOXHËS NUK MUND TË DILTE VEÇSE NGA NJË HISTORI E PËRGJAKUR
Pas atakut që pësoi zemra e Enver Hoxhës në fund të tetorit 1973, dmth pak orë pas festimit të ditëlindjes së tij së 65-të, doli më shumë në pah çështja e trashëgimisë së pushtetit. Enver Hoxha si dhe bashkëshortja e tij Nexhmija, filluan të mendojnë për trashëgimtarin e ardhshëm politik të Enverit në krye të PPSH-së, në rast të ndonjë të papriture që mund të sillte vdekja e këtij të fundit. Kështu që nuk është pa rëndësi të thuhet që plani për të shkurtuar kandidatët e papërshtatshmëm për trashëgimtarë politikë, ka filluar pas vitit 1973.
Kështu periudha 1973-1983 është me të vërtetë një periudhë tejet e përgjakshme në historinë e PPSH-së, viktimë e së cilës janë shumë udhëheqës të partisë dhe shtetit komunist. Jo se më përpara nuk ka pasur periudha të përgjakshme në historinë e kësaj partie, por është me rëndësi të thuhet se në periudhat e mëparshme nuk ka qenë shtruar si këtë herë çështja e trashëgimisë së pushtetit nga Hoxha tek një person tjetër.
Partia Komuniste e Shqipërisë, e konvertuar më pas në Parti të Punës e së fundi në Parti Socialiste, ka me të vërtetë një bilanc tragjik përsa i takon jetëshkrimeve të udhëheqësve të saj. Duke filluar qysh nga koha e themelimit të saj nga dy jugosllavë si Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, e në vitet që ajo ishte në pushtet, mjaft drejtues të lartë të saj përfunduan burgjeve ose në varre të panjohur si “armiq të partisë e të popullit”. Duket sikur kjo parti nuk ka mundur të jetojë dot pa vuajtjen dhe pa erën e gjakut të ish drejtuesve të saj. Ajo që ia vlen të theksohet është fakti se eliminimet e drejtuesve të lartë të partisë në të shumtën e rasteve bëheshin për të mos bllokuar linjat e paracaktuara politike të kësaj partie.
Qysh në vitet e luftës mjaft udhëheqës të PKSH-së si Qemal Stafa, Vojo Kushi,etj u prenë në besë dhe u futën në prita nga udhëheqësi i ardhshëm i partisë. Disa të tjerë si Mustafa Gjinishi apo Anastas Lula u vranë pabesisht pas shpine.
Pas Luftës së Dytë Botërore, historia e udhëheqjes komuniste është vërtet një histori e përgjakur. Pa llogaritur drejtuesit e lartë të partisë të burgosur mund të kujtojmë se momentet kryesore të eliminimit të udhëheqësve janë disa në varësi edhe të kushteve politike apo ideologjike.
Në një mënyrë apo në një tjetër Partia e Punës ka dënuar pjesën më të madhe të ish shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.
Ka pushkatuar ministrat e Punëve të Brendshme si Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu.
Ka pushkatuar ministrat e Mbrojtjes Popullore Beqir Balluku, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu.
Ka pushkatuar zv/kryeministrat Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe Beqir Balluku, etj. Në këtë listë hyri në vijim të një skeme edhe kryeministri më jetëgjatë politik i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Nga eliminimet e udheheqësve të lartë të partisë mund të përmendet pushkatimi i Liri Gegës dhe i bashkëshortit të saj Dali Ndreu.
Për vite me radhë përveç këtij genocidi edhe brenda partiak, Enver Hoxha e ushtroi pushtetitn e tij duke lundruar mbi rivalitetin e dy klaneve në parti. Kështu në vitet e para ai lundronte mbi rivalitetin e klaneve të Koçi Xoxes dhe Liri Gegës, rivalitet që u fitua nga i pari. Më pas Hoxha lundroi mbi rivalitetin e klaneve të Koçi Xoxes dhe Nako Spirut. Pushkatimi i Xoxes dhe vetëvrasja e Spirut e solli gjendjen në Byronë Politike në atë pikë sa u ndërtuan nga e para dhe u fuqizuan gradualisht dy klane të fuqishme: Shehu dhe Kapo. Në këtë mënyrë Hoxha lundronte mbi këto dy klane të cilët kishin krijuar mrekullisht shinën e pushtetit të tij. Për ta mbajtur situatën në formë ai herë pas here kritikonte njërin klan dhe lavdëronte tjetrin dhe anasjelltas. Kjo “formulë” zgjati deri në shuarjen e këtyre klaneve.
Pas mbarimit të “konkurencës” midis tyre në fund të jetës së Enverit shfaqet dhe trashëgimtari i tij “djali me zë të hollë” Ramiz Alia. Ky ndryshe nga paraardhësi i tij nuk lundroi më midis dy klaneve të caktuara, kjo edhe për faktin sepse nuk ekzistonin premisa për të krijuar klane të atilla si për shembull të ngjashëm me atë Shehu.
Siç e thamë edhe më lart, mendohet se qysh nga ataku i zemrës që pësoi zemra e Enver Hoxhës në tetor 1973, nisi projektimi i njeriut që të trashëgonte pushtetin me parametrat e një shërbëtori të bindur të Enver Hoxhës dhe garantues i sigurtë i të ardhmes së familjes së tij. Në këtë mënyrë lufta për “zbulimin e grupeve armiqësore” pas tetorit 1973, s`do të ishte gjë tjetër veçse një luftë që i shërbente dobësimit të klaneve më të fuqishëm para se të arrihej tek prerja e kokave të mëdha.
Kështu pleniumi i 5-të i KQ të PPSH-së (25-26 korrik 1974) dënoi veprimtarinë e Beqir Ballukut dhe e përjashtoi atë nga Komiteti Qendror e partia dhe e shkarkoi nga të gjitha funksionet shtetërore që ai mbante.
Goditja e dytë u dha në mbledhjen e Byrosë Politike të 10 tetorit 1974, ku u dënua edhe veprimtaria e Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Shumë shpejt ata u arrestuan, u “gjykuan” dhe u pushkatuan. Ndërsa përfundimet i bëri pleniumi i 6-të i KQ të PPSH-së, i cili i zhvilloi punimet më 16-17dhjetor 1974. Këtu Enver Hoxha mbajti flalën kryesore me temë: “Mbi përfundimet e diskutimit që u zhvillua në Parti rreth veprimtarisë të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos etj”.
Në fushën ekonomike Enver Hoxha do të bënte të njejtën gjë me kuadrot kryesorë të saj. Pleniumi i 7-të i KQ të PPSH-së që u mbajt më 26-29 maj 1975, përjashtoi nga partia dhe i shkarkoi nga funksionet shtetërore Abdyl Këllezin dhe Koço Theodhosin. Në tetor të po këtij viti pleniumi i 8-të bëri të njejtën gjë edhe me Kiço Ngjelën. Ndëra ky i fundit u dënua me burg dy të parët u pushkatuan. Sipas dëshimisë të truprojës së Mehmet Shehut, Ali Çeno dhënë për gazetën “Gazeta Shqiptare”, qysh atëherë Mehmeti i kishte thënë atij në intimitet se me veprimet e fundit ndaj Këllezit, Theodhosit dhe Ngjelës atij (Shehut) po i priteshin krahët.
Në momentin e shfaqjes së infarktit pra në fund të vitit 1973, dhe pas tij, ata që besonin se mund të ishin trashëgimtarë të Enver Hoxhës qenë:
-Mehmet Shehu
-Hysni Kapo
-Haki Toska
-Kadri Hazbiu
-Beqir Balluku
Nga këta “kandidatë”, Enveri besimin më të madh e kishte tek Haki Toska, i cili mund të ishte një trashëgimtar i tij. Natyrisht që udhëheqësit komunistë të Shqipërisë nuk kanë qenë ata që shfaqeshin gazmorë në tribunat e 1 majit apo të nëntorit. Ata kishin ardhur në pushtet në një mënyrë kriminale dhe kishin ndëtuar një shtet sipas një modeli kriminal. Si garanci për këtë pushtet qëndronin edhe depozitat financiare që “flenin” në disa banka të perëndimit dhe “zgjoheshin” sa herë dëshironte partia. Nga kjo pikpamje lufta që bëhej në Byronë Politike në raste të caktuara kishte një rëndësi të posaçme e lidhur ngushtë kjo me dëshirat e momentit të Enver Hoxhës.
- KUSH ISHTE HAKI TOSKA?
Kishte lindur në Gjirokastër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte qenë zv/komisar i brigadës së 6-të. Për shumë vite kishte qenë funksionar i lartë i PPSH-së duke u bërë deri sekretar i saj. Ndër detyrat ekzekutive më të rëndësishme të Toskës kanë qenë ajo e zv/kryeministrit në periudhën 16 shtator 1966-18 nëntor 1970 dhe ajo e ministrit të Financave në qeverinë e fundit të Mehmet Shehut në periudhën 27 dhjetor 1978-17 dhjetor 1981. Pikërisht në këtë kohë merrte një rëndësi të madhe edhe puna e të ardhurave, pasi Toska ishte çelësi i depozitave të Enver Hoxhës në perëndim. Depozitat më të rëndësishme mendohet se i kishin tre persona:
-Enver Hoxha
-Hysni Kapo
-Mehmet Shehu
Këto depozita ishin justifikuar në rangjet sekrete si depozita të partisë për nevojat e shërbimit sekret, për nevoja të financimit të lëvizjes marksiste-leniniste në botë dhe për nevojat e partisë në rast luftë në Shqipëri.
(Mund të theksohet se lëvizja ishte krejt e kontrolluar nga shërbimi sekret shqiptar Sigurimi i Shtetit dhe për rrjedhjojë edhe nga ai jugosllav UDB. Për këtë mund të kujtojmë bashkimin e grupeve marksiste-leniniste të Kosovës në Stamboll).
Për shumë shkaqe Haki Toska, ndonëse njeri i besuar i Enver Hoxhës, nuk mund të ishte një trashëgimtar i denjë i tij. Kështu ndër shkaqet kryesore mendohet të ketë qenë mosha relativisht e madhe e tij në momentin kur parashikohej të bëhej trashëgimtar i Hoxhës dhe paaftësia e Toskës për të qenë një udhëheqës i aftë sipas parametrave që kërkonte familja Hoxha. Në këtë mënyrë përveç besnikërisë që ishte njëri kusht, Toska nuk plotësonte asnjë parametër tjetër të kërkuar në raste të tilla për një udhëheqës të lartë.
Në këto kushte familja Hoxha nisi të piketonte trashëgimtarin e ardhshëm të Enver Hoxhës dhe të përgatiste terrenin e duhur për një gjë të tillë. Mirëpo për të arritur deri tek ky trashëgimtar duhej të dilnin jashtë radhe disa kandidatë të tjerë, të cilët ishin shumë më përpara në radhë se trashëgimtari i menduar i Hoxhës. Për të nxjerrë “kandidatë” nga radha dhe për të ruajtur konjukturat e vendosura më parë, filloi proçesi i madh i motivuar me zbulime grupesh armiqësore apo “armiqsh klase”, për të përfunduar tek “vetëvrasja”e kandidatit “brutal dhe arrogant” që quhej Mehmet Shehu.
- BEQIR BALLUKU, NJË KANDIDAT I DOBËT
Një figurë me rëndësi në hirearkinë komuniste ishte edhe Beqir Balluku. Ai para goditjes mbante funsionin e zv/kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore. Balluku kishte marrë pjesë në momentet kryesore të PPSH-së dhe mbahej ndër figurat kryesore të saj.
Beqir Balluku kish lindur në Tiranë më 14 shkurt 1917. Studioi pak vite në Shkollën Teknike të Tiranës pa e mbarur dot atë. U përfshi në lëvizjen komuniste qysh gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak (1940-1942). Më 20 maj 1943 u caktua komandant i batalionit partizan “Krujë Ishëm”, më 18 shtator 1943 komisar i brigadës së tretë dhe më pas komandant i Brigadës së Dytë që kritikohet mjaft në variantin e dytë të veprës së dytë të Enver Hoxhës. Më 28 janar 1948 ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Kreu në Moskë Akademinë Ushtarake “Voroshillov”. Në kongresin e parë të PKSH-së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1952 ministër i Mbrotjes Popullore. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneral leitnantit. Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor.
Në korrik të vitit 1974 ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhëti të lartë ndaj atdheut. Eshtrat ju gjetën në verën e vitit 2001.
Mirëpo në hesapet e Enver Hoxhës në atë kohë, Beqir Balluku nuk figuronte fare si kandidat për trashëgimtar. Sidoqoftë në çdo rrethanë,Hoxha nuk e llogaristë të vështirë eliminimin e Ballukut, i cili nuk kishte në parti atë klan apo fuqi që kishte Hoxha, Shehu apo Kapo.
Në rastin e Ballukut, Hoxha përdori mjaft mirë Mehmet Shehun. Ky i fundit nga ana e tij nuk e kuptoi në atë moment se goditja e grupit të Ballukut ishte në fakt fillimi i një goditje të madhe në mënyrë graduale. Siç e përmendëm edhe më lart, pleniumet e vitit 1974 ishin vetëm një sebep për të dobësuar kastën e ushtarakëve dhe për të bërë më servile pjesën tjetër. Në fund të fundit ata që pushkatoi Enver Hoxha ishin thejsht shërbëtorë të bindur të tij dhe as që kishin ndërmend të ngrinin ndonjë herë krye kundër tij apo në rastin më të pabesueshëm të rrebelonin ndaj tij.
- HYSNI KAPO, NJË KANDIDAT QË I ZINTE RADHËN RAMIZ ALISË
Funksionari i lartë i PPSH-së Hysni Kapo ishte një ndër kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Enver Hoxhën në rast se ky vdiste papritur. Natyrisht ishte e qartë për të gjithë që para Kapos ndodhej Shehu.
Hysni Kapo kishte lindur në Tërbaç të Vlorës më 4 mars 1915. Ndoqi shkollën Tregtare të Vlorës. Në kohën e luftës (1941-1943) ishte sekretar politik i Komitetit Qarkor përVlorën dhe më pas komisar i Brigadës së V-të e zv/komisar politik i shtabit të Zonës së Parë Operative në vitet 1943-1944. Në kongresin komunist të Përmetit u zgjodh anëtar i Këshillit të KANÇ-it. Pas lufte ishte ambasador i Shqipërisë në Beograd e më pas zv/ministër i Punëve të Jashtme.
Në vitet 1950-1954 ishte zv/kryeministër dhe ministër i Bujqësisë. Nga viti 1956 e deri sa vdiq ishte sekretar i KQ të PPSH-së. Në të gjitha rastet ka qenë zgjedhur anëtar i Byrosë Politike dhe deputet në Kuvendin Popullor. Më 23 shtator 1979 Hysni Kapo vdiq në një klinikë të Parisit “nga një sëmundje e rëndë”.
Kapo kishte një lob mjaft të fuqishëm në Partinë e Punës për shkak të qënies si drejtues i politikës së kuadrit në këtë parti. Si rezultat i kësaj, mjaft kuadro në Sigurimin e Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes, Këshillin e Ministrave dhe në Komitetin Qendror, vinin nga vendlindja e tij dhe ishin përfshirë në këto struktura me ndërhyrjen dhe përkrahjen e tij.
Kapitalet politike të Hysni Kapos nuk ishin shumë larg atyre të Enver Hoxhës.
Vdekja e Hysni Kapos nuk ka ngelur pa dyshimet që kanë karakterizuar ngjarjet që kishin të bënin me eliminimet në udhëheqjen e lartë komuniste. Për më tepër që vdekja e tij ishte vetëm dy vjet e disa muaj para vrasjes së Mehmet Shehut. Ajo që të habit në rastin e Kapos është fakti se në të gjitha fotografitë e daljes së tij në publik, vetëm pak javë para fundit të jetës nuk duket aspak se ai është në prag të vdekjes.
Në librin e Sulo Gradecit “30 vjet pranë shokut Enver”(Tiranë 1986), në lidhje me gjendjen shëndetësore të Hysni Kapos, jepet edhe një pjesë e deklarimit të Enver Hoxhës, i cili sikur të ishte mjek i vërtetë ka thënë:
“Kolicistet edhe këtu (në Shqipëri-shënim) kurohen shumë mirë, ia keni marrë dorën dhe keni pasur sukses, por unë mendoj se shoku Hysni ka një kompleks gjërash. Ju e dini që ai ka kaluar dy infarkte njëri pas tjetrit, ka vuajtur prej kohësh nga diabeti, edhe tensionin e ka të lartë, prandaj mendoj të shkojë në Paris për t`u kuruar, që edhe në qoftëse do të ketë nevojë për operacion, ata kanë kushte optimale edhe për reaminicionin....Kjo ndërhyrje nuk duhet marrë thjesht si kolicistit, por në tërë kompleksitetin e sëmundjeve. Prandaj të mos humbasim kohë, por ta nisim sa më parë. Thuaju shokëve (Enver Hoxha i drejtohet mjekut Fejzi Hoxha-shënim) të konsultës ta shikojnë edhe këtë mendim” (faqe 283 e librit).
Pas këtyre fjalëve Sulo Gradeci ka shtuar edhe këto fjalë të tij:
“Konsulta arriti në përfundim se mendimi i shfaqur nga shoku Enver ishte e vetmja rrugë. Vendimet e konsultës shoku Enver i mori vesh brenda disa orësh dhe urdhëroi nisjen e menjëhershme të shokut Hysni....Ndërkaq shoku Enver thirri shoqen Vito dhe i tha se ne jemi të mendimit që kurimi të bëhet në Paris. Shoqja Nexhmije ishte në dijeni të kësaj gjendjeje, mbasi në çdo takim me mjekët ka qenë prezent dhe shkonte vetë 3-4 herë në ditë për vizitë në shtëpi”.
Në fund në lidhje më këtë çështje Gradeci thotë:
“Për t`i transmetuar të shtrenjtit Hysni Kapo dashurinë e madhe, ndjenjat e emocionet e thella të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror, të popullit e personalisht të shokut Enver, për t`iu ndodhur atij pranë në këto momente të rënda të jetës së tij, për t`i lehtësuar dhimbjet me dashurinë e mallin e madh nga Shqipëria, ato ditë shoku Enver dërgoi në Paris shokun Ramiz Alia”.
Ashtu si edhe në vrasjen e Mehmet Shehut, shihet madje e tepruar prania e Ramiz Alisë dhe Kadri Hazbiut në momentet e fundit të jetës së Hysni Kapos. Prania e madhe e Alisë në këto raste është në një farë mase edhe një tregues më shumë që do të thotë se në krye të këtyre punëve Enveri nuk e kishte lënë kot Ramizin. Mbase për t‘i dhënë të kuptojë më hapur se nuk kishte ndërmend t‘i bënte gjithmonë vetëm disa punë.
Po ashtu dyshime për vdekjen misterioze të Hysni Kapo mësohet të ketë shprehur edhe bashkëshortja e këtij të fundit Vitoja kur i është drejtuar Kadri Hazbiut me fjalët “pse ma vratë Hysniun?”(sipas dëshmisë së një ish oficeri të Sigurimit të Shtetit dhënë gazetës “Gazeta Shqiptare” datë 12 tetor 2001). Sipas kësaj dëshmie Kadriu është përgjigjur kështu: “Ç`farë ke me mua, pse nuk i drejtohesh atij?”. Ishte e qartë se nënkuptimi ishte për Enverin. Sipas një dëshmie tjetër të së njejtës gazetë, në muajin shtator 1979, analizat e Hysni Kapos kishin rezultuar pozitive, pra pa rrezik për jetën. Dhe pikërisht për këto analiza mjekja laborante ishte kërcënuar nga ustallarët e këtyre punëve për të mos hapur gojën.
Mësohet gjithashtu se në çastin e vdekjes pranë Kapos nuk kishin qenë të pranishëm oficerët e grupit të shoqërimit, pasi Ramiz Alia i kishte dërguar “për të mos i shkaktuar emocione”. Vetë Alia kur është pyetur nga Blerim Shala dhe Llukman Halili në lidhje me çështjen Kapo në librin “Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, ka thënë:
“Hysni Kapo ka vdekur në Paris nga kanceri. Kam qenë vetë prezent në Paris në ditët kur vdiq Hysniu. Ai shkoi në Paris, më pastaj na erdhi njoftimi se kishte kancer në pankreas dhe mua më autorizuan që ta shoqëroja në ditët e fundit të jetës së tij, sepse dihej se nuk kishte shpresë shpëtimi”(faqe 76).
Pikërisht me këto që thotë, Alia kundërshton në një farë mënyre edhe Enver Hoxhën, i cili sipas kujtimeve të Sulo Gradecit, nuk jep përshtypjen se po e dërgonte Hysniun në Paris për të “kaluar ditët e fundit të jetës” siç thotë Ramiz Alia.
Gjithmonë Alia në jetën e tij kishte qenë servil i madh me “shokët e mëdhenj të partisë”, madje ai shpeshherë sipas disa dëshmitarëve Hysni Kapos i drejtohej me përkëdhëli me fjalën “kapo”.
Ndërsa në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 8 tetor 1982, ku iu bë gjyqi Kadri Hazbiut, Enver Hoxha në mënyrë krejt të pakuptimtë në lidhje me vdekjen e Hysni Kapos thotë:
“Është përhapur fjala në të gjithë Shqipërinë sikur shoku Hysni, nuk ka vdekur nga kanceri, por e kanë vrarë me urdhër të Mehmet Shehut, dhe me këtë tentojnë që Hysni Kapon ta bëjnë një martir të veprimtarisë armiqsore të Mehmet Shehut. Kurse nuk është ashtu. Hysni Kapo është një hero i popullit, një luftëtar i lavdishëm i partisë, por s`ka dyshim që ai vdiq nga kanceri. Po pse hasen këto fjalë? Kush i hap këto fjalë? Ka edhe pjesëtarë të familjes së Hysniut që kanë pasur dyshime në këtë çështje dhe këto i kanë shprehur, por ua kemi luftuar, i kanë rishprehur, por ka midis tyre edhe kushurinj, ka edhe armiq që kërkojnë t`i krijojnë vështirësi partisë. Ç`farë të bëjmë ne për këtë? Të mbaj një fjalim të veçantë unë ku të them se shoku Hysni s`është e vërtetë se është vrarë, por vdiq nga kanceri?-Jo unë nuk e bëj dot këtë, por e mbroj shokun Hysni Kapo për meritat e mëdha që ka pasur, për shërbimet e mëdha që i ka bërë partisë, por që vdiq nga kanceri kjo është e vërtetuar nga mjekët”.
Me mënyrën sesi flet duket që Enver Hoxha ka dashur të heqë çdo dyshim lidhur me vdekjen e Hysni Kapos. Është për t‘u vënë në dukje se ndryshe nga herë të tjera, Enver Hoxha flet me mjaft kopetencë për problemet mjekësore sikur të ishte mjek i vërtetë. Gjithashtu nga kjo fjalë e tij kuptohet që edhe familjarët e Hysni Kapos nuk kanë qenë të bindur për sëmundjen “kanceroze” të Hysni Kapos. Kjo do të thotë se dyshimet për vdekjen e tij provohen edhe nga një kënd tjetër.
Gjithkush mund të shtrojë pyetjen pas këtij hetimi se përse i shërbeu Enver Hoxhës eliminimi i butë i një ndër bashkëpunëtorëve të tij më të afërt siç ishte Hysni Kapo? Natyrisht që ky eliminim i shërbente pastrimit të rrugës së kandidatit për trashëgimtar të Enver Hoxhës që ishte profilizuar se do të ishte Ramiz Alia. Në listën e kandidatëve, Kapo ishte i treti dhe vinte pas Mehmetit, por gjithsesi ai ishte para Ramiz Alisë.
Hoxha mund të kishte ndjekur me Kapon edhe një rrugë më të shkurtër në formën e shpartallimit të detyruar të ndonjë “grupi armiqësor”. Në këtë rast ai ndoqi një rrugë më elegante dhe me kosto shumë herë më të ulët për vetë faktin se Hysni Kapo ishte njeriu që kishte drejtuar politikën e kuadrit në parti, ushtri, polici, sigurim etj, dhe sipas një llogaritje të thjeshtë, në mos Hoxha, trashëgimtari i tij dhe familja e tij do të kishin probleme serioze pas vdekjes së Enverit.
Nga ana tjetër pas vdekjes së Hysniut, klanit Kapo nuk ju prek asgjë dhe ai ngeli gjithmonë një klan i fuqishëm me ndikime të forta në politikën dhe ekonominë shqiptare. Madje jo rrallë në shtyp janë përmendur edhe lidhjet antishqiptare të këtij klani.
- MEHMET SHEHU, NJË KANDIDAT POTENCIAL DHE I PADËSHIRUAR PËR FAMILJEN HOXHA
Për shumë vjet Mehmet Shehu ishte figura numur 2 në Shqipëri. Kishte thyer çdo rekord në historinë e Shqipërisë përsa i takon jetëgjatësisë politike si kryeministër dhe njihej si njeri mjaft i vendosur në karakteristikat e njohura të tij.
Mehmet Shehu kishte lindur më 10 janar 1913 në fshatin Çorrush të Malakastrës. Në vitin 1932 kishte mbaruar Shkollën Teknike amerikane të Harri Fulcit në Tiranë. Pas kësaj nisi studimet në Akademinë Ushtarake të Napolit, ku u përjashtua pas pak kohësh. Mori pjesë më pas në Luftën e Spanjës në vitet 1937-1939 në kuadër të brigadave internacionaliste. Në vitin 1939 kishte qenë i intenuar në Francë. Në Shqipëri u kthye në vitn 1942 dhe një vit më pas u zgjodh kandidat i KQ të PKSH-së. Në gusht 1943 me formimin e Brigadës së Parë në Vithkuq bëhet komandant i kësaj brigade. Gjatë kësaj kohe (21 tetor 1943), Mehmet Shehu kreu edhe krime të atilla si ai i ndodhur në një fshat të Lushnjës ku pushkatoi pa gjyq 60 ballistë. Sipas librit “Vjeshta e ankthit” të autorit Bashkim Shehu, vetë Mehmet Shehu ndër gabimet më të mëdha të jetës së tij quante krimin e mësipërm dhe pushkatimet e kryera pas Lyftës së Dytë Botërore.
Në kongresin komunist të Përmetit, Mehmet Shehu zgjidhet i anëtar i KANÇ-it. Në nëntor 1944 ishte komandant i divizionit të parë të UNÇ-së.
Në vitet 1946-1947, Shehu kishte qenë shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Në këtë kohë kreu dhe Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshillov” në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1948 në kongresn e parë të PKSH-së, pas goditjes së grupit të Koçi Xoxes, zuri vendin e këtij të fundit dhe u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe njëkohësisht edhe zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme. Nga viti 1954 e deri në fund të vitit 1981 ishte kryeministër i Shqipërisë dhe në disa vjet (1974-1979) edhe ministër i Mbrojtjes Popullore. Në dhjetor 1979 zuri vendin e Hysni Kapos si sekretar i KQ të PPSH-së. Ishte një taktikë e njohur e Hoxhës për ta joshur me pushtet të ri Shehun në mënyrë që ky të mos mendonte fare se ai (Hoxha), kishte ndër mend ta eliminonte. Të njejtën gjë kishte bërë Enver Hoxha edhe me Hito Çakon dhe Petrit Dumen në mesin e vitit 1974 pak muaj para se t`i arrestonte e më pas t`i pushkatonte.
Hoxha nuk para kishte fort besim se Shehu mund të ishte një person garant për familjen e tij në të ardhmen. Për këtë arsye me një lloj mënyre ai duhej zhdukur. Teorikisht kjo gjë duhej bërë pak vite para vdekjes së Enver Hoxhës. Dhe kjo kohë rastisi të ishte dhjetori i vitit 1981.
- KADRI HAZBIU, NJË KANDIDAT ME PROBLEME
Njeri i rëndësishëm i PPSH-së ishte dhe Kadri Hazbiu. Ai kishte lindur në fshatin Hysoverdh të Vlorës në vitin 1922. Ngaqë ishte drejtues i Ministrisë së Punëve të Brendshme (për rrjedhojë edhe i Sigurimit të Shtetit) për shumë vite dhe ngaqë mbahej si truri i këtij institucioni të diktaturës, mendohej si trashëgimtar i mundshëm i Enver Hoxhës. Mirëpo Enveri nuk e kishte në listën e tij të kandidatëve. Për më tepër natyra e ashpër e Hazbiut dhe konsolidimi i një klani të fortë të tij në Sigurimin e Shtetit nuk përbënin garanci për familjen e Enver Hoxhës. Megjithatë Hoxha e përdori mjaft mirë Hazbiun kundër Mehmet Shehut, aqsa mendohet se njëri nga njerëzit që ka organizuar vrasjen e tij të jetë ai. Në daljen e parë të Hoxhës në publik pas vrasjes së Mehmet Shehut, nën shoqërinë e Ramiz Alisë dhe Kadri Hazbiut, u mendua se njëri nga trashëgimtarët e Hoxhës mund të ishte edhe Hazbiu. Megjithatë këtë të fundit Hoxha do ta eliminonte shumë shpejt duke përdorur si shkak fillimisht grupin e Xhevdet Mustafës.
Kadri Hazbiu ka vdekur në vitin 1983 pak orë para pushkatimit. Këtë gjë e vërtetoi edhe zhvarroja e eshtrave të tij në vitin 1993 në Linzë të Tiranës. Kafka e Kadri Hazbiut ishte e vetmja nga të pushkatuarit e tjerë që nuk ishte shpuar nga plumbi.
- EFEKTET POLITIKE TË NJË FEJESE
Enver Hoxha kishte kohë që kishte filluar t‘i priste krahët rivalit të trashëgimtarit të tij politik Mehmet Shehu. Për t‘i dhënë goditjen përfundimtare Shehut, Enver Hoxhës i duhej vetëm një preteks. Në rast se ky nuk krijohej ai natyrisht që nuk e kishte të vështirë ta sajonte vetë atë. Në kohën e acarimit të luftës për caktimin e trashëgimtarit dhe procesit të nxjerrjes së radhës së kandidatëve të padëshiruar, ndodhi fejesa e Skënder Shehut me Silva Turdiun, volejbolliste me ekipin kampion të “Dinamos”, ekip që varej nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Djali i dytë i kryeministrit Mehmet Shehu, Skënderi në momentin që ishte në prag të fejesës ishte 32 vjeç. Për shkak të beqarisë së zgjatur të birit të tij, Mehmeti pranoi zgjedhjen që kishte bërë biri i tij për të pasur si grua të ardhshme të tij vajzën e profesorit të Universitetit të Tiranës Qazim Turdiu, Silvën.
Më 1 shtator 1981 Qazimi kishte ardhur në shtëpi të Mehmetit për të biseduar duke shpallur po atë ditë fejesën , Skënderit me Silva Turdiun. Ndoshta Mehmet Shehu nuk e ka kuptuar në çastet e para të kësaj fejese se i dha me duart e veta Enver Hoxhës një mjet mjaft të përshtatshëm për të mbaruar punë me të. Të nesërmen e datës së fejesës në familjen Shehu erdhi edhe Silva Turdiu dhe më 3 shtator 1981 erdhi vetë udhëheqësi komunist Enver Hoxha me bashkëshorten e tij Nexhmije. Sipas dëshmisë të një prej njerëzve të shërbimit të Mehmet Shehu, dhënë emisionit televiziv “Fokus” në vitn 1996, Enver Hoxha gjatë vizitës në shtëpinë e Mehmet Shehut, pasi ka uruar për fejesën, ka uruar veçmas nusen duke e puthur në ballë.
Ndërsa sipas librit “Vjeshta e ankthit” të autorit Bashkim Shehu, Enver Hoxha në këtë urim ka thënë:
“E njoh babain tënd, profesor Turdiun, kam shumë respekt për profesor Turdiun. M`i bëj të fala. Jam shumë i gëzuar që Mehmeti e bëri këtë fejesë”.
Nga ana e saj Nexhmije Hoxha i është drejtuar Silvës me këto fjalë:
“Edhe unë e njoh nënën tënde, kemi qenë shoqe shkolle në kohën e luftës. I bëj shumë të fala nga unë”.
Enver Hoxha e ka paracaktuar që në fillim se çdo të bënte më këtë fejesë dhe si do ta përdorte atë kundër kundërshtarit të momentit të tij që quhej Mehmet Shehu dhe që mbahej si numuri 2 i Shqipërisë. Atij nuk i ka përqyer një prishje e menjëhershme e fejesës pasi jehona e saj do të shuhej menjëherë. Ai nuk e ka porositur kot Sulo Gradecin të monopolizojë fotografitë e bëra gjatë kësaj vizitë të tij. Në lidhje me këtë ish truproja i Mehmet Shehut, Ali Çeno në “Gazeta Shqiptare” ka deklaruar:
“Pas një ftohjeje të gjatë të marrëdhënieve në mes Enverit dhe Mehmetit....., nga fillimi i shtatorit, Enveri së bashku me Nexhmijen, erdhën tek familja Shehu për t`i uruar fejesën e djalit të dytë Skënderit.... Pasi isha njoftuar më parë për vizitën që do të kryenin Enveri me Nexhmijen, i thashë fotografit të familjes Shehu, Dashamir Rrapi që të bënte gati aparatin për të bërë disa poza që t`i kishte kujtim familja. Enveri me Nexhmijen kur erdhën në shtëoinë e Mehmetit...u treguan shumë të përzemërt me pjesëtarët e familjes e sidomos me Skënderin e Silva Turdiun, vajzën që ai sapo ishte fejuar. Enveri e pyeti gjerë e gjatë Silvën dhe i tha se e njihte profesor Qazim Turdiun, që ishte njeri mjaft i nderuar. Duke parë këtë situatë tepër të përzemërt që po mbizotëronte aty, unë kërkova t`i them fotografit të familjes Dashamir Rrapi që të vinte brenda dhe të bënte disa fotografi. Po kur ktheva kokën e pashë që ai nuk ishte aty. Dola nga dhoma dhe i thashë Dashamirtit të vinte menjëherë brenda për të bërë fotografitë. Ndërkohë ai më tha se i kishte Sulo Gradeci që ai në asnjë mënyrë të mos futej brenda për të bërë fotografi pasi ato do t`i bënte Sulo. Unë i nevrikosur nga kjo gjë e mora atë brenda. Sulo erdhi menjëherë dhe më tha ta nxirrja jashtë fotografin sepse ashtu kishte dhënë urdhër shoku Enver, se fotografitë do t`i bënte vetë Sulo.....Fotografitë e asaj vizite që Enveri me Nexhmijen bënë me gjithë pjesëtarët e familjes dhe me Skënderin e Silvën, u bënë vetëm nga Sulo Gradeci. Disa muaj më vonë pas vrasjes së Mehmet Shehut e kam nxjerrë ndërmend atë ngjarje dhe nxirrja konkluzionin se vendimi i Enverit për të mos lejuar fotografin e familjes për të bërë fotografitë, ishte i paramenduar dhe me qëllim. Them se Enveri me Nexhmijen që para se të vinin për të uruar fejesën e Skënderit me vajzën e familjes Turdiu, e kishin planifikuar që do t`ja pishnin atë fejesë, ashtu siç ia prishën dhe nuk donin që të ngeleshin fotot si dokument që ata kishin qenë dakort dhe e kishin uruar për atë fejesë. Mirëpo ata erdhën aty për ta uruar me qëllim që t`ja bënin fakt të kryer atë fejesë dhe më pas ta sulmonin Mehmetin ashtu siç e sulmuan duke i përmendur biografinë e familjes Turdiu”.
Mirëpo një variant të ndryshëm paraqet për të njejtën ngjarje, njeriu i afërt i Enver Hoxhës, Sulo Gradeci në librin e tij “30 vjet pranë shokut Enver” (Tiranë 1986). Ai mohon të ketë qenë i pranishëm në vizitën që ka kryer Enver Hoxha në shtëpinë e Mehmet Shehut, pasi paska qenë në një mbledhje pune me Feçor Shehun. Gradeci në kujtimet e tij ndër të tjera thotë:
“Në verën e vitit 1981, kur Partia e shoku Enver ishin të zënë me përgatitjet për kongresin e 8-të të Partisë, Mehmet Shehu pati veç të tjerash, dy ngjarje të veçanta: u fut në shtëpinë e re (të restauruar e të pajisur me paratë e popullit) dhe fejoi djalin e tij të mesëm, një aventurier e agjent edhe ky, që shkonte jashtë shtetit me preteksin “për specializime”, por në fakt bënte punët e babit agjent e të agjenturave të huaja. Shoku Enver ndodhej në Pogradec....dhe u kthye në Tiranë aty nga fillimi i shtatorit. Gjeti kohë të shkonte te Mehmet Shehu për ta uruar për shtëpinë e re. Na lajmëruan edhe ne të shkonim e të merrnim masat për të bërë ndonjë fotografi dhe dërguam njerin nga shokët tanë, Dashnor Andonin.....Pasi u ktheva nga mbledhja, shkova në ambientet e banimit të shokut Enver e atje shokët më thanë se vizita ishte bërë. Shoku Enver e shoqja Nexhmije e kishin uruar për shtëpinë e re, atje kishin sjellë të fejuaarën e djalit, ia kishin prezantuar shokut Enver e kishin bërë gjithë ato përpjekje që ta fiksonin këtë prezantim në sa më shumë fotografi e filma.
Ndërkohë u kërkua nga familja e Mehmet Shehut që filmat të laheshin e të stampoheshin sa më shpejt. Një nxitim e urgjencë e çuditshme.
Po atë ditë më gjen shoqja Nexhmije e më thotë:
-More, pse s‘erdhe ti në vizitën që bëmë te Mehmet Shehu?
Ia tregova arsyen dhe ajo më dëgjoi, mblodhi pakëz supet e s‘foli. Pastaj tha:
-Po dëgjojmë lloj-lloj fjalësh për të fejuarën e djalit të Mehmetit. Thonë se është nga familje me përbërje të keqe, që kanë ca njerëz në Amerikë, reaksionarë e agjentë të CIA-s etj. S‘dimë si është e vërteta......
-Të them të drejtën i thashë,-i thashë,-s‘kam dijeni për vërtetësinë e atyre që thuhen. Po llafe po dëgjojmë plot.
Dola dhe me kujdes pyeta disa punonjës të shërbimeve tona. Të gjithë zienin nga fejesa e çuditshme midis bijës së një famijle me përbërje reaksionare dhe djalit të kryeministrit.
Të gjitha sa mësuam ato ditë ja thashë shoqes Nexhmije, së cilës nga burime të tjera i kishin ardhur fjalë e fakte të tjera. Dukej qartë se ishte bërë një lidhje krushqie e keqe, bile e dyshimtë, që shumë shpejt shoku Enver do ta cilësonte një krushqi politiko-ideolgjike.
...Nga ana e familjes së Mehmet Shehut, pati një nxitim në sjelljen e filmave në laborator dhe një ngut e urgjencë e madhe për të marrë fotografitë që kishte bërë shoku Enver gjatë vizitës në famijen Shehu. Se pse kjo urgjencë, kjo u kuptua. Mehmet Shehu me to synonte të shuate pakënaqësinë e zemërimin që kishte ngjallur në popull, në komunistë e kuadro, fejesa e djalit të tij me një vajzë nga një familje reaksionarësh. “Ja-do të thoshte,-vetë shoku Enver e ka miratuar e përshëndetur këtë fejesë, çdo gjë është në rregull. Për çdo gjë kam miratimin e shokut Enver”(faqe 98-99).
Nga gjithë këto fjalë të Gradecit bëhet edhe më e qartë se ai gënjen kur thotë se nuk ka qenë në shtëpinë e Mehmet Shehut atëherë. Në kohën kur është shkruar libri, dëshmitarët “armiq” të Sulo Gradecit ose kanë vdekur, ose kanë qenë në burg dhe ai nuk e ka pasur të vështirë formësimin e gënjeshtrës së tij, apo të bëjë parashikime se kur do të binte regjimi komunist. Ajo që del e qartë në librin e tij është vendosmëria e tij dhe e Enverit për të mos lejuar fotografime nga njerëzit e Mehmetit në këtë ceremoni. Kjo tregon se Enver Hoxha dhe Nexhmija kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm se kjo fejesë do të prishej pak kohë më vonë. Nuk mund të besohet nga ana tjetër që Enveri dhe Nexhmija të jenë bazuar tek “qarkullimi i fjalëve” në lidhje më fejësën e “përfolur”. Si Enveri ashtu edhe Nexhmija, në çdo orë të ditës kishin informacionin e duhur nga Sigurimi i Shtetit dhe nga policia e tyre sekrete.
Pas vizitës së Enver Hoxhës në shtëpinë e Mehmet Shehut, në shtëpinë e këtij të fundit për vizitë nga anëtarët e Byrosë Politike ka qenë vetëm Ramiz Alia. Pak e çutitshme kjo po të kemi parasysh se në raste të tilla, “shokët e Byrosë” rreshtoheshin për servilizmat e tyre. Dhe pikërisht dy njerëzit që vizituan shtëpinë e kryeministrit dhe e uruan atë për fejesën e djalit të tij, ishin ata që do të kryesonin fushtatën që përfundoi me eliminimin e tij.
Mirëpo shikoni se si përgjigjet Enver Hoxha po për “çështjen e fotografive” në mbledhjen e Byrosë Politike të 18 dhjetorit 1981, pas (vetë) vrasjes së Mehmet Shehut:
“..Ne në familjen tonë për Qazim Turdiun nuk dinim gjë tjetër përveç asaj që ai ishte profesor matematike kurse rrethin familjar, qoftë të tij , qoftë të shoqes, nuk e njihnim fare. Shkuam tok me Nexhmijen te Mehmeti më shumë ta uronim për shtëpinë e re. Aty gjetëm fëmijët dhe të fejuarën e Skënderit, i uruam dhe bëmë fotografi. Mehmeti me Fiqereten ishin shumë të gëzuar dhe kjo ishte e drejta e tyre. Po si nuk u shqetësuan pak në ndërgjegjen e tyre që po përzienin e po futnin në këtë valle të ndyrë edhe shokun Enver? Ata menduan se me këtë prezantim u vulos kjo punë, u mor aprovimi i shokut Enver. Fotografitë që u bënë me mua, shkuan tek Qazim Turdiu, ata shkuan deri në Athinë me skuadrën e vajzës dhe që andej pse të mos i shkonin edhe Arshi Pipës në SHBA..”.
Mirëpo nga ballafaqimi i fjalëve të Sulo Gradecit me ato të Enverit del që kemi të bëjmë me dekrarime të ndryshme për të njejtën gjëë. Sulo thotë që nuk ia dhamë negativat e filmave familjes Shehu, ndërsa Enveri thotë se këto foto i ka marrë edhe “armiku i popullit” Arshi Pipa meqë ia paska dërguar “mbesa” etij Silva Turdiu. Sipas kësaj logjike i bie që i vetmi person që mund të ketë punuar për “armikun e klasës” të jetë Sulo Gradeci, pasi vetëm ai i kishte negativat e filmave, ose Enver Hoxha gënjen.
Pasi i kishte lënë mundësi opinionit të merrte vesh fejesën e djalit të Mehmet Shehut me të bijën e një profesori që gjithsesi ishte mësimdhënës në qendrën më të madhe arsimore të Shqipërisë siç qe Univerisiteti i Tiranës, Enver Hoxha filloi goditjen ndaj rivalit të Ramiz Alisë, Mehmet Shehu që kishte qenë bashkëpunëtori i tij për më shumë se 30 vjet. Në fund të shtatorit 1981, Mehmet Shehu thërritet nga Enver Hoxha me urgjencë në kohën kur Shehu po merrte pjesë në konferencën e partisë të atij rrethi. Sipas dëshimisë se sipërpërmendur të Ali Çenos, sapo ka mbërritur në Tiranë Hoxha i është drejtuar Shehut me këto fjalë:
“Duhet ta prishësh fejesën e djalit sepse a e di ti se ç`farë biografie ka Qazim Turdiu?”.
Nga ana e tij Shehu ka thënë:
“Pse nuk ma the këtë gjë që atëhere kur erdhe për të më uruar fejesën në shtëpi. Për profesor Turdiun ne kemi thënë gjithmonë se është njeri i nderuar dhe e kemi marrë të gjithë në shtëpi për të na mësuar fëmijët tanë. Kur na doli se ai na qenka i keq. Unë nuk mund të ndërhyj tek ndjenjat e fëmijëve të mij për të prishur këtë fejesë”.
Pas kësaj deklarate Hoxha është tërbuar aq shumë sa ka kërkuar me këmbëngulje prishjen e kësaj fejese. Në bisedën që ka zhvilluar më pas Mehmeti me Enverin, ky i fundit i ka thënë se pas prishjes së fejësës, djali i Mehmetit, Skënderi mund të vijonte rregullisht dhe pa probleme studimet pasuniversitare në Suedi. Që këtu duket edhe një herë pabesia e radhës e Enver Hoxhës.
Vetëm pak kohë pas prishjes së fejesës, çifti Shehu, ka shkuar për vizitë në shtëpinë e çiftit Hoxha. Sipas librit “Vjeshta e ankthit”, në këtë vizitë Fiqiret Shehu ka thënë: “Nuk dimë si do t`ia shlyejmë partisë këtë gabim kaq të rëndë”.
Nga ana e tij Enver Hoxha duke vazhduar lojën e tij ka thënë:
“Një fejesë e gabuar është e pallogaritshme në krahasim me kontributin tuaj të paçmueshëm për të mirën e partisë dhe të popullit për dekada të tëra”.
Në këtë plan ka bërë zbukurimin e saj edhe Nexhmija me këto fjalë: “Një jetë e tërë heroike”.
Në fakt Enver Hoxha nuk kishte hequr dorë nga synimet e tij për të qëruar hesapet e tij me rivalin e trashëgimtarit të tij politik. Por në tetor 1981 ai nuk kishte arsye për ta bërë goditjen për dy arsye:
-Së pari ishte në prag të kongresit të 8-të të PPSH-së dhe nuk donte të krijonte një situatë të pafavorshme para këtij kongresi.
-Së dyti, duke u sjellë me Mehmetin në këtë mënyrë sikur çdo gjë kish mbaruar, Enveri i ruhej edhe ndonjë përgatitje të mundshme të Mehmetit ndaj tij.
Në këtë mënyrë Enveri kishte planifikuar goditjen e Mehmetit në një kohë të përshtatshme dhe të menjëhershme. Dhe kjo kohë ishte mesi i dhjetorit 1981.
Është për t‘u kujtuar se nëse do të përdorëshin kriteret e njohura të luftës së klasave, as Enver Hoxha nuk duhej të ishte Sekretar i Parë i PPSH-së pasi ai ishte kunat i “armikut të popullit” Bahri Omari, i dënuar me vdekje nga “gjyqet e popullit” në prill 1945.
- GAZETA "ZËRI I POPULLIT" GJATË DITËVE PARA VDEKJES SË MEHMET SHEHUT
Në mënyrën më të qartë, gazeta “Zëri i Popullit”, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së, ka rralluar në maksimum aktivitetin kryeministrit dhe anëtarit të Byrosë Politike Mehmet Shehu në periudhën nga shtatori 1981 e më pas.
Kështu në gazetën e datës 16 tetor 1981, njoftohet mbajtja e mbledhjes së pleniumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së ku janëë miratuar raportet që do të mbanin në kongresin e 8-të, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Raporit i këtij të fundit kishte qenë me temën: “Mbi direktivat e kongresit të 8-të të PPSH-së për planin e 7-të pesë vjeçar të zhvillimit të ekonomisë e të kulturës në RPSSH”.
Gjatë këtyre ditëvë fillon të shfaqet edhe një prani më e madhe e Ramiz Alisë në shtypin e partisë.
Më 24 tetor 1981 “ZP” njofton se një ditë më parë është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të urdhërit “40 vjet PPSH”. Këtu anëtarët e Byrosë kanë dekoruar njëri tjetrin. Këtu Hoxha thotë ndër të tjera:
“Komunistët që marrin këtë urdhër në këtë jubile të lavdishëm kanë moshën e partisë. Më të vjetrit janë 40 vjeç dhe më të rinjtë janë 30 vjeç. Prandaj të tërë jemi plot dinamizëm, plot shëndet, plot gjallëri, të qartë në mendime dhe veprime, plotësisht në gjendje për të zbatuar me vendosmëri çdo detyrë që na ngarkon partia”.
Më 29 tetor 1981, “ZP” pasqyron aktivitetin e zhvilluar një ditë më parë me rastin e përurimit të Muzeut Kombëtar. Renditja që “ZP” u bën “shokëve të Byrosë” të pranishëm në këtë aktivitet ëshë si vijon: Enver Hoxha, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kadri Hazbiu, Manush Myftiu, Mehmet Shehu, Pali Miska, Ramiz Alia, Spiro Koleka, etj. Në foton e përurimit dallohet qartë fytyra e qeshur e Ramiz Alisë në mes të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut.
Më 30 tetor 1981, gazeta “ZP” njofton se Ramiz Alia, preu shiritin e ekspozitës kombëtare të arteve figurative në Galerinë e Arteve në Tiranë. Bashkë me të kanë qenë të pranishëm edhe Manush Myftiu, Rita Marko, Simon Stefani, Nexhmije Hoxha dhe sekretari i parë i Komitetit të PPSH-së për Tiranën, Gaqo Nesho.
Më 31 tetor 1981, “ZP” njofton se në Komitetin Qendror të PPSH-së është dhënë një pritje për nder të delegacioneve të partive motra marksiste-leniniste, të cilat kishin ardhur për të marrë pjesë në punimet e kongresit të 8-të të PPSH-së. Renditija që i bën “ZP” “shokëve të Byrosë” të pranishëm në këtë pritje është si më poshtë: “Enver Hoxha, Adil Çarçani, Haki Toska, Kadri Hazbiu, Manush Myftiu, Mehmet Shehu, Pali Miska, Ramiz Alia, Rita Marko, Spiro Koleka dhe Simon Stefani”.
Më 6 nëntor 1981, “ZP” boton raportin e Mehmet Shehut të mbajtur në kongresin e 8-të të PPSH-së. Për herë të parë në historinë e saj gazeta nuk boton fare fotografinë e numurit 2 të Shqipërisë siç kishte bërë edhe herë të tjera. Nga ana tjetër televizioni shtetëror në paraqitjen e fjalës së kryeministrit para kongresit e kishte treguar mjaft pak portetin e tij, pa harruar fokusimin e një portreti të zymtë të Enver Hoxhës.
Më 9 nëntor 1981, “ZP” pasqyron mitingun e madh të zhvilluar në sheshin “Skënderbej” me rastin e mbylljes së punimeve të kongresit të 8-të të PPSH-së. Renditja e emrave të “shokëve të Byrosë” është si më poshtë:
“Enver Hoxha, Adil Çarçani, Hajredin Çeliku, Hekuran Isai, Kadri Hazbiu, Lenka Çuko, Manush Myftiu, Mehmet Shehu, Muho Asllani, Pali Miska, Ramiz Alia, Rita Marko, Simon Stefani, Besnik Bekteshi, Foto Çami, etj.
Fjalën e rastit e ka mbajtur ministri i Mbrojtjes Popullore Kadri Hazbiu. Po këtë ditë është bërë edhe vizita e rastit në “shtëpinë e partisë” ku “shokët e Byrosë” kanë bërë edhe një fotografi të rastit. Bie në sy portreti i qeshur i Ramiz Alisë në mes të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Sidomos pamja e Shehut është shumë e trishtuar.
Më 28 nëntor 1981, “ZP” njofton se në Vlorë është përuruar përmendorja e Hysni Kapos me pjesëmarrjen e Ramiz Alisë, Manush Myftiut, Kadri Hazbiut, Shefqet Peçit (n/kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor), Nexhmije Hoxha, Vito Kapo, Rrapo Dervishi dhe Themije Thomai.