Re: Populli e ka vetë në dorë ndryshimin
Më në fund, PD-ja, PS-ja dhe vetë Liponen, shumë i lakuar për paaftësi gjatë gjithë misionit të tij në Shqipëri, “e zbuluan Amerikën”, duke i dhënë shqiptarëve shansin e madh që të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme, duke u mataruar apo u vendosur procesi zgjedhor, vetëm nga dy partitë e mëdha, të deklaruara këto 12 vjet...
si mashtrueset e vetme të këtij procesi, dhe si specialistët e vetëm të mashtrimit dhe të vjedhjes së votës së lirë të shqiptarëve të varfër <img src="/pf/images/graemlins/mad.gif" alt="" /> , të masakruar dhe të gënjyer, për të vajtur në Evropë si njerëz dinjitozë, gjë që e meritojnë plotësisht, pavarësisht se deri tani kanë pasur një qeverisje të tillë, që për të qenë i sinqertë, do ta quaj me gjithë shpirt më TE POSHTRËN e mundur, që mund të bëhej. Të gjithë e dinë që, përveç PD-së dhe PS-së, në Shqipëri ekzistojnë edhe 76 parti të tjera, por unë, për të mos u bërë i pabesueshëm, e ndoshta qesharak, llogaritjet për këtë shkrim do t´i bëj vetëm për ato parti që përfaqësohen në Parlament.
Në krahun e majtë, pra në të ashtuquajturën Aleancë për Integrim, që rezultoi ç’është e vërteta, në aleancë për mosintegrim, përveç PS-së ka edhe pesë parti të tjera, që e kanë kaluar pragun elektoral, pra, PSD-3,2 % + PDNJ-2,5 % + AD-2,5 % + PAA-2,5 % + PDS-2,5 %, gjithsej, 13,2 %.
Në krahun tjetër, Berisha, pa diskutim e dinte që partitë aleate të tij e kalonin pragun elektoral apo diçka më shumë, mbase ndryshe s’kish si të sakrifikonte të tijët partiakë, për të bërë deputetë të huajt, dhe këta, të llogaritur me këtë logjikë: PR+PLL+PBK+PDK, bëjnë plot 10-12 % dhe t´i shtosh këtyre dhe 5,1 përqindshin simpatik të Partisë Demokrate të Re, konfiguracioni real i Parlamentit të sotëm, është:
PS-ja 34-35 %, PD-ja 31-32% dhe “të voglat” parti, 30-31 % dhe po t´i shtosh këtyre të “voglave” edhe grupimin e mundshëm të Metës, këtë t´ja heqësh PS-së, ky grupim bëhet më i madhi nga të tre grupimet dhe me logjikën e shumë të nderuarve, Ruci-Topi-Liponen, i takonte vetëm këtij grupi që ta kishte të drejtën e vetos konsensuale.
Tani, po të përdorësh matematikën e Gjinushit, që për hir të së vërtetës, është më i sakti politikan për denoncimin si antidemokratik të kësaj marrëveshjeje, do të dilte që në 50 % të shqiptarëve që votojnë, PS+PD përfaqësojnë rreth 60 % të votuesve, pra, 26-27 % të popullsisë.
Kjo shifër të detyron të pranosh që për qejfet e Nanos e të Berishës, dhe për të justifikuar pagën e Liponenit, po përdhunohet e drejta demokratike e një populli të tërë, i cili për më shumë se 12 vjet, u besoi këtyre njerëzve, pothuajse çdo gjë, dhe për fatin e tij të keq, po e paguan shtrenjtë këtë besim.
Shefat e PS-së dhe PD-së, vrapuan menjëherë para mediave, t´i siguronin aleatët përkatës për transparencë, për luajalitet dhe ndershmëri, dhe pothuajse, harruan se të njëjtën gjë kishin bërë edhe një vit më parë me komisionin bipartizan dhe që rezultoi një mashtrim i madh i dy forcave politike të ashtuquajtura kryesore.
Ky popull, që sheh se si mashtrohet me ligjin e pronave; ky popull që sheh se si ditën me diell, në vetë Parlamentin e tij, vidhen votat e deputetëve nga vetë deputetët; ky popull që shikon se për të ruajtur një statukuo të pakuptueshme, midis PD-PS-së, gjithmonë gjendet një i huaj interlokutor dhe një gjuhë e lëmuar bashkëbisedimi; ky popull që shikon varfërimin e tij të përditshëm dhe të ardhmen pa shpresë për integrim;
ky popull që ka vuajtur më shumë se kushdo komb apo popull tjetër në Evropë, tani është mjaft në gjendje që të bëjë vlerësimin se cili është politikani më tallës me parimet dhe premtimet për të rregulluar gjendjen në periudhën postkomuniste dhe, pa diskutim, në top listën, përveç Nanos dhe Berishës, tani u shtua dhe Liponen.
Një tentativë për bashkëbisedime, një përpjekje për të gjetur më të mirën rrugë për të bërë zgjedhje të ndershme, një tentativë për të bërë një Kod Zgjedhor sa më të mirë dhe të pranueshëm, për të gjithë, një përpjekje për të hartuar lista vetëm me të gjallë dhe të sakta, do të ishte pa dyshim një arritje dhe një kontribut mjaft i çmuar në konsolidimin e demokracisë, dhe kjo është detyrë e gjithë politikës shqiptare. Por, një çështje kur është detyrë për të mëdhenj e të vegjël, njëkohësisht, përmban në vetvete dhe të drejtën për të qenë të barabartë karshi vendimmarrjes. Ndryshe kjo, e konceptuar sipas marrëveshjes Ruci-Liponen-Topi, do të thotë që “O burra, të punojmë të gjithë, se vendimet i marrim vetëm ne!”. E përkthyer në gjuhën e popullit, kjo do të thotë: “Punon kali dhe ha gomari”. Jo, kështu nuk duhet të ndodhë më, mbasi nesër kur zgjedhjet të kontestohen, kur Shqipëria të penalizohet për integrim në Nato dhe Evropë, kur ne të mbetemi fare pa shpresë, përsëri tallësit e popullit <img src="/pf/images/graemlins/mad.gif" alt="" /> do të dalin të pa lagur nga situata dhe do të bëjnë sikur grinden e theren, por vetëm për të shpëtuar karriget e tyre partiake, parlamentare dhe qeveritare.
Partia Demokate e Re, si një nga forcat më serioze të kësaj periudhe, si një parti me vizion të pastër demokratik dhe evropian, duhet të bëhet promotor i një lëvizjeje me të vërtetë shpëtimtare për Shqipërinë, për vendosjen e rregullave të drejta në tavolinë dhe për respekimin e tyre me një rigorozitet jo shqiptar; të bashkëpunojë me luajalitet, siç di ajo të bëjë me të tjerët dhe t´i detyrojnë dy partitë e mëdha që t´i thërrasin mendjes mirë, se po gabuan dhe këtë herë, siç kanë gabuar sistematikisht deri tani, edhe durimi i popullit do mbarojë dhe fundi i palavdishëm dhe jo shumë i këndshëm, do të jetë për të dyja njëlloj. Në qoftë se, një parti nuk është bërë simpatike në sytë e popullit deri më tani, PDR-ja i ka të gjitha mundësitë dhe shansin që të ndërrojë imazhin e politikës, duke u mbështetur gjithmonë në moton e saj: “Me të Renë, për Ndryshim”, dhe duke përdorur me efikasitet potencialet intelektuale që ajo posedon. Le të shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt. Ti popull, e ke vetë në dorë, mbasi ke votën për politikën dhe politikanët!