Politikishtja

alinos

Forumium maestatis
Politikishtja

Botuar fillimisht te gazeta “Panorama”.

<span style="font-weight: bold">
Politikishtja
- gjuha e re e politikës shqiptare -</span>

Vendosja e sistemit pluralist bëri që në gjuhën politike të hynin një mori termash të reja politiko-administrative, të padëgjuara më parë nga qytetarët shqiptarë. Këto terma vërshuan me forcën e një orteku në mendjen e opinionit publik shqiptar, i cili, ende sot, e ka të vështirë për t&amp;#8217;u orientuar nëpër xhunglën terminologjike të politikës. Gjatë diktaturës, fjalë e koncepte si parlament, komision parlamentar, mazhorancë, apelim, avokaturë, gjykatë kasacioni, këshilli i lartë i drejtësisë, etj. etj., nuk ekzistonin fare. Këto terma, që hynë me ndërtimin e sistemit të ri demokratik, përbënë një sfidë të njëmendtë për shqiptarët dhe politikanët e tyre. Kjo sfidë u përballua mjaft mirë përderisa entuziazmi për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në rregulla të reja shkrihej me dëshirën e thellë të popullit shqiptar për t&amp;#8217;u bërë si vendet perëndimore.

Në vitet e demokracisë gjuha politike erdhi duke u pasuruar në mënyrë progresive. Prurjet leksikore dhe konceptuale që u shkaktuan nga ndryshimet e thella në legjislacion, administratë, ekonomi, etj. ishin më të mëdha se sa aftësia përthithëse e opinionit publik. Si rrjedhim jo të gjithë shqiptarët e kanë patur apo e kanë të lehtë ta kuptojnë plotësisht gjuhën e politikës dhe të administratës.

Aktualisht, ajo po priret të bëhet gjithnjë e më hermetike e më e pakuptueshme, duke rrezikuar të shndërrohet në zhargon pothuajse profesional. Por, ndryshe nga &amp;#8220;zhargonet&amp;#8221; e tjera, gjuha politike nuk përdoret vetëm nga një pjesë njerëzish që i përkasin një kategorie të caktuar. Parë nga këndvështrimi klasik aristotelian, gjuha politike përdoret nga politikanët për të argumentuar idetë e tyre përballë një auditori. Kjo do të thotë se politikanët duhet të përdorin një gjuhë të kuptueshme për bashkëqytetarët, çka e përjashton edhe vetë gjuhën demagogjike, e cila është shumë e përhapur në Shqipëri. Anipse në pamje të parë duket e thjeshtë, gjuha demagogjike vetëm sa e vështirëson komunikimin real midis klasës politike dhe shtetasve, sepse ajo synon arritjen e pëlqimit të masave me mjete manipuluese dhe jo me argumentime të vërteta.

Kur politika harrohet në debate që i përkasin vetvetes, pra kur politika kthehet në metapolitikë, edhe gjuha e saj anon të bëhet e vështirë për t&amp;#8217;u ndjekur. Rasti i debatit politik që vijoi mosmiratimin e ministrave në qeverinë shqiptare ishte flagrant në këtë drejtim. Polemikat lidhur më këtë temë humbën busullën kryesore të politikës, pra auditorin publik, duke u bllokuar në rërat e lëvizshme të detajeve juridike. Diskutimet për mocionet e mosbesimit, të votëbesimit, të neneve kushtetuese, për gjykatën kushtetuese, dekretet, për kompetencat presidenciale, kryeministrore, ministrore, zv/ministrore, etj. etj. e rritën pa masë konfuzionin. Natyrisht, debatet për respektimin e rregullave të lojës janë të rëndësishme për demokracinë, por kur ato bëhen autoreferenciale e të stërzgjatura shërbejnë vetëm për të fshehur diçka më thelbësore.

Një gjuhë politike e vështirë për t&amp;#8217;u kuptuar ose për t&amp;#8217;u interpretuar i ftoh qytetarët dhe nuk i nxit ata të marrin pjesë aktivisht në jetën politike të vendit. Nga ana tjetër, perceptimi se klasa politike shqiptare i ka humbur gjithnjë e më shumë lidhjet me projektin demokratik fillestar të miratuar pothuajse nga të gjithë shqiptarët mund edhe të shtohet. Gjithashtu, faktorë të tjerë si kriza politike, ngritja e institucioneve të reja, transplantimi i fjalëve të huaja, lëvizja e popullsisë, polarizimi social, segmentimi, e kështu me radhë, po e bën gjithnjë e më të vështirë komunikimin midis klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë.

Karakteri transhendental që çdo pushtet anon të përftojë është thikë me dy presa. Fjalitë e ndërliksura, arsyetimet dredharake, fjalët e huaja pompoze, që shumë politikanë shqiptarë përdorin, por edhe marrëveshjet e mosmarrëveshjet e padëshifrueshme, procedurat e ngatërruara të votës, rregullorja e koklavitur e parlamentit, parrullat boshe të integrimit, takimet e pafund me gjithfarë siglash (FMN, BERZH, OSBE, UE, KE, ODHIR&amp;#8230;), nga një anë japin një farë autoriteti, sepse japin përshtypjen e një epërsie të dhënë, porse nga ana tjetër e largojnë klasën politike nga zgjedhësit e saj.

Gjuha politike, që të mos kthehet në &amp;#8220;politikishte&amp;#8221;, pra në një gjuhë të huaj, dhe që të mos reduktohet në ritualitete vetëprodhuese e vetëpasqyruese, duhet të ketë vetëm një yll polar: realitetin e shoqërisë shqiptare dhe paktin që ka firmosur me të.



Rando Devole
 
Top