Re: politika ne mase!!!!
Nipër & gjyshër
Nga Sokol Shameti
Ikonoklastë të së majtës kanë konstatuar - jo pa një dozë vetëdorëzmi - se protagonizmi qëndron në thelb të natyrës njerëzore duke e bërë praktikisht të pamundur krijimin e një shoqërie ideale njerëzish të barabartë.
Matanë tredhjes së egoizmit në dobi të “së përbashkëtës”, deri edhe varieteteve më ortodokse të komunizmit të aplikuar përmes formave të punës vullnetare (alias: të detyruar), u shpifeshin si padashur ca si masa tumorale konkurrence mes personash. Dema të paparashikuar hamshorë midis grigjave të ideuara për të mos pasur kurrë një identitet. Heronj të punës socialiste si moviestarë importi në një Far East planesh pesëvjeçare. Luftëtarë tepër të përvëluar të një Lufte tepër të Ftohtë, të cilëve vdekja e parakohëshme u garantonte shpesh pavdekësinë. Ishin këta aksionistë sulmues të rënë dëshmorë në ndërtimin e veprave, shembull mëkatar frymëzimi (njëkohësisht edhe ndërzimi), për mijëra të tjerë që shpërblim për rropatjen merituan nga një “S” të kuqe llamarine, veneracion mbi xhinksin blu të aksionit me këngë në gojë dhe sëmundje veneriane në subkoshiencë.
Jo se historia jonë e vonë e fabrikimit të traditës heroike pi ujë vetëm në këtë burim, por këto shembuj zënë vende nderi falë faktit se megalomania e veshur me lëkurë ideali ndër vdekatarë të rëndomtë, është sa komune aq dhe personale. Mëkat që ithtarëve liberalë të iniciativës së lirë, do u mbetet hatri nga kjo shpërndarje kaq e barabartë e budallallëkut. Barazi kjo, ku ata si “S”ulmuesit më të fortë (madje, siç thonë: më të aftë) s’e kanë dot lidershipin në aksionin e muajit të pyllëzimit të xhunglës sa të dëshiruar aq edhe të pamundur të konservatorizmit postmodern dhe përrallave me gjyshër tepër të shpikur për të qenë të gjithë të fisëm.
Të marrë tek e tek, qahemi përditë tek kafja përpara miqve (Shënim: Këta të fundit, audiencë e altoparlant njëherësh), se jetojmë në një palo vend ku nëse do ta kishte gjithsecili prej nesh në dorë, sot do t’i quanim danezët rreckamanë. Qurravitja vazhdon ca orë derisa pastaj në televizor dalin ca çuna me një top futbolli dhe shohim kolektivisht ëndrra me sy hapur duke besuar se papritur i njëjti vend që s’di të lidhë brekët e veta, është sakaq i aftë të prodhojë një futboll aq të sofistikuar sa të përfaqësohet deri në një Botëror.
Skena ka dhe pamjen e saj të përmbysur. Por kësaj radhe s’jemi më ca gojë dërdëllisëse në panelet televizive ku zhvillohen përnatë kampionate mendjemadhësie dhe kujtese të fortë në fjalorë neopolitiko- neoliberalo- neoarkaikë. Kësaj radhe jemi thjesht një grimcë e pakënaqur brenda të tërës së çekuilibruar; zgjim me qiellzë të hidhët; një si-bemol kakofonik në një gumëzhimë mitologjiko- mitingogjike; një molekulë e mërzitur brenda një amebe të shqetësuar, ku kjo e fundit ashtu e zgërlaqur mbi shesh, i ngjet për vdekje preparatit të pështymës mbi një xham mikroskopi.
Ekranizimi i folklorit tamam si kultura pop në zaptim të karaktereve të thepisura përgjatë një shekulli globalizues, është shembulli sesi teknologjia e lartë është edhe kolonizatore basifondesh të harruara të Perëndisë. Janë këto orët, kur brenda një teleaplikimi- telekonferencë për telefinancim projektesh nga ato me rotacion pushteti, si brenda një varri kolektiv, jemi të gjithë pjesëmarrës të një skenari ku “mijëra shqiptarë” (ose ukrainas, ose gjeorgjianë, ose kirkizë) vështrojnë alter-egot në kurm’ të njëri tjetrit. Zbulesa ndodh nëpër edicione qendrore lajmesh ku askush s’ka më mendime personale, por vetëm ëndrra të përbashkëta aktorësh figurantë që formojnë armata qindramijëshe nga ato që i japin dërrmën totalitarizmit në mënyrë totale e totalitare. Ti vetë, je ndërkohë duke rrufisur dozën tënde egoiste të kafeinës përballë të njëjtëve altoparlanto-receptorë me fytyrë high tech prej njerëzish-maus. Por ndërkohë po ti, je gjithashtu një statistikë. Një piskamë habie brenda rradakes së një korrespondenti të huaj dhe njëkohësisht të shushatur, nga masiviteti ruralo-kapital dhe kjo farefisni transnacionale që kapton lugina kaukaze dhe emra sllavikë diktatorësh, për t’u transportuar mandej brigjeve të Adriatikut me të njëjtën lehtësi me të cilën trockizmi eksporton revolucionin nga Neretva në Danub.
Me më pak fjalë, në Shqipëri po kalojmë një periudhë deliriumi kolektiv të tillë që shëmbëllimin më besnik mund ta qëmtonte në somnabulizmin totalitar të pesëdhjetëvjetëshit tonë diktatorial. Por përgjithësimet e mësipërme, mbeten thjesht ekzemplarë didaktikë në një det konstatimesh të përditshme me raste tragjikomike të paqëndrueshmërisë sonë si individë dhe njiherit, kope. Një mëdyshje dramatike, ku për çmimin e shtrenjtë të të dukurit idiot, ti preferon të jesh oportunist në qëndrime, me kusht që në të gjitha rastet, të besosh se bën pjesë tek personazhet pozitive. Një botë kjo, pa pasqyra e përbërë prej mijëra Narcis-ësh, e cila prodhon përditë kontigjente të freskëta me delirantë që besojnë se janë ekzaktësisht e kundërta e asaj që janë realisht.
Nipër plebenjsh deri në palcë që besojnë se janë aristokratë në ADN vetëm se u pëlqen si tingëllon emri “Milton Friedman”. Sipërmarrës të rinj prejardhur nga sperma gjyshërish ish-spekullantë drithi, të cilët, (tradita s’harrohet) tashmë i derdhin edhe ata tatimet e jashtëzakonshme, por vullnetare, në hambarët ish-bolshevikë si në bankat e spermës, por kësaj radhe të shprehura jo në spermë, por në shpresa. Shpesh dhe në para, të cilat po aq shpesh, kanë të njëjtën higjienë si të lëngjeve që u ngjajnë. Provincialë agresivisht të bindur se s’janë të tillë ngaqë u ka rastisur të mos lindin në provincë si vetë gjyshërit e tyre. Fshatarë në transmetimet e programeve të kopjuara sa surreale aq dhe bujqësore, për të cilët prezantuesit si fotokopje të kolegëve italo-amerikanë, thonë se quhen pothuajse anglisht - pothuajse “farmer”-ë. Ti mendon se farmerët tanë po bisedojnë të shqetësuar për të lashtat? Jo, çne. Vër veshin me kujdes. “A do ta sulmojë Bushi Iranin?”. Këtu qëndron problemi.
Ti mund të jesh adoleshente kompleksive e lindur jo larg shtëpisë muze të Konferencës së Labinotit por s’të pengon gjë të besosh se papritur je, të themi, generalissimo Franco. “Oh, të marrin frymën këto rrugë me emra brigadash partizane”. “Ndonjë Chicago boy është ky Naim Frashëri”? “Ku je Champs Elysee, Broadway, Fontana di Trevi”? “Berati ka qenë kryeqyteti i Ballkanit”. “Shkodra, kryeqyteti i Europës”. “Tirana, i botës”. “Im gjysh në kohën e Zogut kishte një bibliotekë më të madhe se ajo kombëtare”. “Gjyshi im ishte latifondist dhe kishte pesë fshatra”. “Imi, shtatë”. “Stilografët i vinin nga Vjena”. “Limonatën ia bënte një maroken Master of Arts në shkenca politike”. “Kishte shok Skënderbeun”. “I dërgonte letra Adam Smith-i”.
Mirë pra, kushdoqofsh, e ke meritu fitoren. Gjyshi im s’ishte asgjë nga këto dhe çoi një jetë modeste derisa vdiq para se ta njihja ndonjëherë. Dhe pasi më në fund të gjithë ndjehemi më të lehtësuar, a ka mundësi të fantazojmë tash e tutje, pa zë?