Plerat italiane ne Shqiperi

gjekec

Primus registratum
Plerat italiane ne Shqiperi

Kokëdhima: Plehra italiane në Fier
Dërguar ditën Wednesday, 08 June @ 16:16:34 CEST nga reli


Kryetarja e Lidhjes së Blertë denoncoi marrëveshjen e qeverisë në Konferencën e degës lokale

Vladimir Muçaj

FIER - Kryetarja e Partisë Lidhja e Blertë, Brixhida Kokëdhima, ka zbuluar dy ditë më parë para intelektualëve dhe banorëve të qyteti të Fierit planin e fshehtë, hartuar nga kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij,

për të ngritur në Fier një nga tre krematoriumet e plehrave që ishin planifikuar të vendoseshin në Shqipëri gjatë këtij viti.
Në Konferencën e degës së të Blertëve për këtë qytet kryetarja e Lidhjes së Blertë ka deklaruar se “kryeministri Nano donte të instalonte këtu, me mbështetjen e qeverisë italiane e të ekomafias së shtetit fqinj, një infrastrukturë që do t’i ndihmonte ata të pastronin Italinë nga plehrat dhe helmet që nuk i varrosin dot në tokën e tyre”.
Kokëdhima deklaroi se 22 deputetë, bashkë me Prefekturën dhe Bashkinë e Fierit janë përzier në hartimin e këtij plani të fshehtë. Keqardhje të veçantë ajo ka shprehur për konkurrentin socialist të zonës 66 në Fier, ku ajo kandidon, i cili është një nga firmosësit e kësaj marrëveshjeje. Sipas Kokëdhimës, kjo marrëveshje është riaktivizuar tani në prag të zgjedhjeve.
Skandali i importimit të plehrave italiane në Shqipëri u bë publik në qershor të vitit të kaluar, ku, sipas një projektmarrëveshjeje, në Shqipëri pritet të vinin me shume se 4 500 tonë plehra në ditë nga shteti fqinj Italia. Për t’i paraprirë kësaj marrëveshjeje, në dhjetor 2003 ishte krijuar në Shqipëri edhe sipërmarrja “Albania Beg Ambienti sh.p.k.”, e cila shërbente si një kukull, pas së cilës fshihej konsorciumi “CoLaRi” dhe grupi “Cecchini”, që kishin nënshkruar ndërkohë një projektmarrëveshje për të djegur në Kashar plehrat e grumbulluara më parë në Sharrë afër Tiranës. Në skandalin e plehrave ishin përfshirë edhe tre ministra të kabinetit “Nano”. Për shkak të protestave të qytetarëve dhe OJQ-ve për dënimin dhe zbardhjen e kësaj projektmarrëveshjeje, problemi i plehrave u la në heshtje, duke krijuar përshtypjen sikur ishte zgjidhur. Megjithatë, qeveria shqiptare deri tani ende nuk është prononcuar në lidhje me problemin e plehrave. Ajo nuk i ka hapur dosjet dhe as nuk ka bërë publike se çfarë është nënshkruar në këtë projekt, duke shtuar kështu rastet e shumta e të paprecedenta qysh pas 1990-ës, kur një qeveri shqiptare bën biznese me të huajt në kurriz të popullit shqiptar.
Në Konfrerencën e parë të të Blertëve të Fierit u prezantuan 5 kandidatët e kësaj partie për qarkun. Në zonën 66 të Fierit do të kandidojë kryetarja Brixhida Kokëdhima; në zonën 67 Përparim Gjeka; Arqile Ciko në Lushnjë, Asqeri Asllani në Libofshë dhe Luan Ahmetaj në Mallakstër.
 

altin zaka

Primus registratum
Re: Plerat italiane ne Shqiperi

keshtu do e zhvillojme turizmin ne shqiperi....mjer shqiperia per politikanet gango qe ka.. <img src="/pf/images/graemlins/laugh.gif" alt="" />
 

komino

Valoris scriptorum
mbetje radioaktive ne shqiperi

Instituti i Fizikës Bërthamore ka zbuluar disa herë ngarkesa me skrap radioaktiv në doganat e Tiranës dhe Durrësit

Alarmi, skrap radioaktiv në Shqipëri

“Rrezik përbën skrapi që vjen nga Kosova e Maqedonia. Kemi zbuluar 9 burime radioaktive gjatë këtij viti”

Lindita Çela

TIRANË- Në Shqipëri qarkullon skrap i kontaminuar me lëndë radioaktive. Alarmi vjen nga Instituti i Fizikës Bërthamore në Tiranë, i cili vetëm gjatë këtij viti ka zbuluar nëntë burime radioaktive mes skrapit të importuar në pikat doganore të Durrësit dhe Tiranës. Lajmi bëhet i ditur për “Shekullin” nga drejtori i Institutit të Fizikës Bërthamore, Fatos Ylli, institut ky i vetmi që bën monitorimin e nivelit të përqendrimit të radioaktivitetit në vendin tonë. Megjithëse specialistët e institutit të Fizikës Bërthamore garantojnë se territori i Republikës së Shqipërisë është i mbrojtur dhe i kontrolluar nga përqendrimi i lartë i radioaktivitetit në ajër, në tokë dhe ujë, një gjë të tillë nuk mund të thuhet për tregtinë e skrapit. Madje, specialistët iu “bien” kambanave të alarmit për kontrollimin e kësaj tregtie, ku janë zbuluar burime radioaktive me nivel të lartë përqendrimi.
***
E ndërsa janë bllokuar 9 raste të hekurit të tregtuar si skrap me nivel të lartë radioaktiviteti, rrezik më të madh duket se përbën skrapi që qarkullon pa u kontrolluar nëpër territorin e vendit tonë. Sipas drejtorit të institutit të Fizikës Bërthamore, rastet janë konstatuar gjatë këtij vitit në dy nga pikat doganore më të mëdha të vendit, atë të Tiranës dhe të Durrësit. Ndërkohë që në pikat e tjera doganore të vendit, Instituti i Fizikës Bërthamore nuk ka specialistë të tij për të bërë monitorimin e llojit të skrapit që futet në vendin tonë. Madje edhe në pikën doganore të Qafë- Thanës nuk funksionon monitorimi, megjithëse është ngritur një qendër portabël për kontrollimin e nivelit të radioaktivitetit. “ Përveç skrapit që përftohet nga uzinat, ndërmarrjet apo dhe objekte të ushtrisë shqiptare, ku janë përdorur burime radioaktive, një rrezik të madh përbën dhe skrapi që vjen në Shqipëri nga Kosova apo Maqedonia. Vetëm gjatë këtij viti kemi zbuluar rreth 9 burime radioaktive të fuqishme në skrapet që përgatiten të tregtohen ”-shton Fatos Ylli. Sipas tij, nga monitorimi i skrapit janë konstatuar burime që janë marrë nga industria shqiptare para viteve ‘90, ku bashkë me pjesën metalike janë tregtuar si skrap edhe burimet radioaktive që kanë qenë të instaluara në makineri të ndryshme. “Ajo që është më shqetësuese, është fakti që së fundmi janë konstatuar burime që nuk janë në inventarin kombëtar të burimeve radioaktive. Pra janë burime që duhet të kenë hyrë në mënyrë të paligjshme. Shqetësimi është se këto burime kanë hyrë në mënyrë ilegale dhe asnjëri nuk e di se ku mund të shkrihen këto materiale, në Elbasan apo në qytete të tjera. Pikërisht shkrirja e këtyre burimeve rrit rrezikshmërinë jo vetëm të kontaminimit të furrave, por edhe të ambientit përreth ”,- shton më tej profesor Ylli për “Shekullin”.
***
Drejtori i Institutit të Fizikës Bërthamore tregon se ka ndodhur disa herë që maune apo edhe vaporë të ngarkuar me skrap janë kthyer nga Itali, për shkak se në to është konstatuar përqendrim i lartë radioaktiviteti. Sipas Yllit, ka raste që përfaqësues të bizneseve që merren me tregtinë e skrapit kanë thirrur specialistët për të bërë monitorimin e skrapit, por shqetësues është tregtia ilegale, ku shteti duhet të ndërhyjë të vejë nën kontroll këtë biznes. Në fakt, askush nga institucionet shqiptare nuk të thotë me saktësi sasinë e skrapit të eksportuar nga Shqipëria. Vitet e fundit, eksporti i skrapit është bërë një nga bizneset më fitimprurëse në vendin tonë, edhe pse ende qëndron në formën e monopolit që ndahet midis një numri të vogël kompanish. Shqipëria eksporton në vit një sasi totale skrapi që llogaritet të jetë rreth 80 mijë ton. Ndërsa në Drejtorinë e Doganave Shqiptare është tepër e vështirë të gjesh të dhëna konkrete, lidhur me eksportin e skrapit, pasi një sasi e konsiderueshme e tij nuk deklarohet. Po sipas të dhënave nga kjo drejtori, gjatë këtij 9 -mujori janë eksportuar 47 mije e 505 ton skrap dhe vitin e kaluar mbi rreth 40 mijë tonë.

www.shekulli.com.al
 

komino

Valoris scriptorum
Re: mbetje radioaktive ne shqiperi

nderkohe eshte zbuluar nje trafik mbetjesh te rrezikshme nga italia drejt kines
 
Top