''Plas sherri për listat''

Me pak minuta diferencë nga njëri-tjetri, deputetët e Partisë Socialiste kanë mësyrë në disa njësi bashkiake të kryeqytetit, duke kërkuar ndryshimet që po bëhen në listat zgjedhore pas 8 marsit, datë prej të cilës, sipas Kodit Zgjedhor, nuk lejohen më regjistrime të reja përvec disa rasteve të vecanta.
tahiri-listat.jpg

Socialistët pretendojnë, sic kanë vënë në dukje në të gjitha daljet e fundit, se po bëhen regjistrime fiktive me synimin për të manipuluar zgjedhjet e 8 majit.

Tek njësia numër tre kanë qenë Erjon Brace dhe Ilir Gjoni, të cilët kanë debatuar ashpër me Ilir Kokonën, që do të jetë kandidati i LSI në këtë zonë.

“Ka një afat njëmujor. Ajo që ne kërkojmë është kjo, përse ju nuk e bëni këtë gjë? Po kërkoj sa njerëz janë shtuar në regjistër”, ka deklaruar Brace gjatë debatit.

“Kërkesa që kemi bërë ne si njësi numër tre është të kemi akses në këto lista për t’i verifikuar. Por përgjigjia ka qenë negative”, ka shtuar pas tij deputeti Ilir Gjoni.

Probleme ka patur edhe në njësinë numër 6, edhe kjo e drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim e ku për socialistët ka qenë deputeti Saimir Tahiri.

“Do më japësh listën? Dua listën”, i ka kërkuar Tahiri punonjëses së njësisë bashkiake, e cila nga ana e saj është përgjigjur: “Jo, bëje kërkesën me shkrim”.

“Po sjellin mercenarë elektoralë që të votojnë për PD dhe LSI”, ka thënë më tej Tahiri, pas tentativës së tij të dështuar.

Post demonstrimi i socialistëve në këtë njësi bashkiake ka përfunduar me shoqërimin e tre banorëve të zonës, të cilët mbështesnin deputetin e PS.

Ndërkohë, deputeti Namik Dokle ka qenë në njësinë bashkiake numër 11, në Laprakë, Eduard Shalsi në njësinë numër 8 dhe Ledi Shamku tek njësia numër 10.

“Jemi të vendosur të mbrojmë të drejtën e shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme”, ka deklaruar Shalsi.
 
Top