Piloti i RENEA-s: Plumbat na çanë serbatorin, si u ula në arën e misrit

TIRANE-Kishte dy mënyre për të vdekur, ose nga plumbat që na qëllonin, ose të vazhdonim fluturimin dhe të shpërthente helikopteri, pasi kishim humbur karburant". Në një rrëfim për "Gazeta Shqiptare", komisar Xhemali, tregon se si helikopteri i sektorit Special të Helikopterëve në repartin RENEA u qëllua më shumë se 30 herë gjatë aksionit për asgjësimin e lëndës narkotike në zonën e Dukagjinit. "Marrja e vendimeve në kohën e duhur dhe në mënyrë gjakftohtë na ka shpëtuar nga ajo situatë", pohon komisari. Për herë të parë 'GSH' boton sot edhe fotografitë ku duken pjesët e helikopterit të dëmtuara nga plumbat.

Z. Xhemal, çfarë ka ndodhur ditën që ju qëlluan?

Ka qenë data 22 gusht kur ndodhi ngjarja. Kishim marrë urdhër që helikopteri ynë të nisej nga Shkodra për në fshatin Plan. Ngritja e helikopterit është bërë në orën 11:40 minuta nga qyteti i Shkodrës. Kemi fluturuar për 15 minuta dhe kemi mbërritur në fshatin Plan. Aty kemi lënë dy efektivët e policisë që kishim me vete. Madje, kam zbritur edhe unë me kolegun tjetër që kisha në bord. Bashkë me efektivët kemi parë se ku ishin vendosur trupat e tjerë dhe pasi i kemi evidentuar forcat e policisë u kemi thënë efektivëve që do largoheshim pasi kaq ishte misioni ynë. Në orën 12:02 minuta kemi bërë ngritje nga fshati Plan dhe pas 15-20 sekondash, pasi ne jemi ngritur kemi dëgjuar dy të shtënat e para. Dhe pas disa sekondash kemi dëgjuar edhe të shtënat e tjera.
Sa herë ju kanë qëlluar?
Na kanë qëlluar më shumë se 30 herë. Nga krismat që dëgjova m`u krijua përshtypja se na qëllonin me dy armë të ndryshme. Një lloj arme me të cilën na kanë qëlluar mendoj se ka qenë kallashi, ndërsa për llojin tjetër të armës nuk e përcaktoj dot.
Nga e kuptuat se ju qëlluan?
E kuptuam se helikopteri ynë ishte qëlluar, pasi 2-3 sekonda pasi na kishin qëlluar ndjemë erën e vajgurit që po përhapej përreth dhe kuptuam se nga plumbat na ishte çarë rezervuari dhe tubi i karburantit të helikopterit.
Si arritët të shpëtonit nga plumbat që ju qëlluan? Do të marr një shembull analog për të kuptuar se si e kaluam atë situatë. Të ka ndodhur ndonjëherë që të kalosh një kryqëzim në rrugë pa e pasur mendjen dhe kur ke dalë në anën tjetër të rrugës t`i bësh pyetjen vetes se si ke arritur ta kalosh rrugën? Kështu na ka ndodhur edhe neve atë ditë. Edhe tani kur e kujtoj të gjithë situatën më duket si një ëndërr. Por, mendoj se ishte një vullnet i Zotit që ne t`ia dilnim mbanë.
Patët frikë në ato momente? Jo, nuk mund ta quajmë frikë. Por, ishte një situatë delikate. Unë e njihja zonën e Dukagjinit dhe të Malësisë së Shkodrës, sepse kam shkuar edhe herë të tjera në atë zonë që kam dërguar ndihma dhe në moment e mblodha veten bashkë me kolegun tjetër dhe falë gjakftohtësisë dhe veprimeve të koordinuara në kohë dhe ashtu siç duhej, ishin ato që na shpëtuan nga ajo situatë. Kryerja e të gjitha veprimeve me gjakftohtësi nga ana jonë na shpëtuan nga vdekja.
Çfarë menduat kur plumbat ju goditën?
Gjatë krismave të para, në ato kushte mendova se vdekja mund të na vinte në dy mënyra. Në ato rrethana që ishim kishim dy mundësi që të vdisnim, ose nga plumbat që vinin me breshëri në drejtim të helikopterit tonë, ose të vazhdonim fluturimin dhe helikopteri të merrte flakë, pasi gjatë gjithë kohës na rridhte karburanti. Megjithatë, ne morëm vendimin që të vazhdonim fluturimin dhe të uleshim në një vend të përshtatshëm. Para kishim një përrua dhe kolegu më tha të uleshim aty, por mua m`u duk pak terren i thepisur dhe vendosëm që më mirë të uleshim në një zonë tjetër. Dhe pas kësaj u ulëm në fshatin Mgull, mbi arën me misër të një banori të këtij fshati. Ishte çdo gjë si një ëndërr që nuk e dinim si do përfundonte. Kur u ulëm mbi misër, helika priste misrin i cili ishte 3 metra para nesh dhe ne prisnim se kur do ndalonte dhe çdo gjë do merrte fund. Kur helikopteri ndaloi, pamë se çdo gjë kishte mbaruar më së miri. Nëse do isha në një situatë normale, kurrsesi nuk do isha ulur mbi atë arë për shkak të rrezikut që na priste, por ja që atë ditë helikopteri u ul dhe u vendos aq mirë në tokë, sikur ta kishim vendosur vetë me dorë në atë pozicion, pasi mbrapa helikopterit ishte gardhi i arës dhe ne nuk e kishim prekur, në pjesën para helikopteri mund të prekte murin rrethues të shtëpisë, por nuk e prekëm, prandaj them se ulja ishte një mrekulli.
Çfarë bëtë pasi u ulët në tokë?
Kur u ulëm kryefamiljari i banesës ku u ulëm na doli bashkë me familjen e tij, që dua ta theksoj ishin njerëz që na kanë ndihmuar shumë. Pasi ata na ndihmuan që të merrnim nga helikopteri ato që na duheshin, kam komunikuar vetë në telefon me drejtuesit e policisë dhe konkretisht me nëndrejtorin e policisë, Altin Qato dhe pas këtij komunikimi na thanë që të mos bënim asgjë, derisa të vinin forcat policore. Helikopterin e lamë aty, derisa dy ditë më parë u zhvendos.

(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
 

Dreamer

Under the Dome
Ne Dukagjin ska hyre Turku as Malazezi e keta vajten me helikopter dy veta hahahahaha
Mendoj qe pjestaret e atij missionit te pamundur :D ne Histori kan pasur noten 3- :D
 
Top