Pasurite e politikaneve dhe deklarimi i tyre

Pasurite e politikaneve dhe deklarimi i tyre

TIRANË – Politikanët shqiptarë nuk kanë patur ndryshime të mëdha në pasuritë e tyre brenda një viti. Nga maji i 2004-ës, kur ata bënë publike për herë të parë pasuritë e tyre në një deklaratë që e dorëzuan pranë Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Verifikimit të Pasurive, shumica e tyre ka lëvizje të vogla në kursimet vetjake, por vihet re se disa prej tyre kanë jetuar vetëm me pagat që ata kanë marrë dhe të ardhurat e bashkëshorteve në disa raste të tjera. I pari në listë, kryeministri Fatos Nano, përveç pronësisë së një Master Card, në të cilën një vit më parë kishte 3139,07 euro, këtë vit vihet re se ajo është shtuar në 5 043 euro si dhe 308 177 lekë, kursime korrente këto në një llogari rrjedhëse në Raiffeisen Bank ashtu si e para. Ndërsa bashkëshortja e tij, këtë vit deklaron se shoqëria e saj “Joy Travel”, nuk zotëron më asnjë kuotë në shoqërinë Alba Copter, pasi ka bërë shitje të kuotave prej 50% që zotëronte, ortakut tjetër të shoqërisë. Ajo deklaron një fitim nga “Joy Travel” rreth 15 323 280 lekë, që do të thotë më i ulët se një vit më parë, kur rezultonte rreth 25 654 012 lekë fitimi neto i kompanisë “Joy Travel” sh.p.k. Ndërsa kapitali i kësaj shoqërie nga 21 654 593 që ka qenë në maj të vitit të kaluar, sivjet ka shkuar në 32 843 430 lekë, sipas bilanit të saj, e po kështu bashkëshortja e kryeministrit deklaron se ka bërë një tërheqje nga të ardhurat e kësaj shoqërie prej rreth 1 milion lekë.

Berisha
Kryetari i opozitës nuk ka ndonjë ndryshim në deklaratën e tij të pasurisë. Rroga vazhdon të mbetet po ajo si deputet i Kuvendit me 1 381 215 lekë dhe paga e bashkëshortes po ajo e një viti më parë. Berisha është i vetmi politikan që, sipas deklaratës së pasurisë, nuk ka asnjë llogari bankare e që rezulton të jetë sërish më i varfri, ashtu si një vit më parë, ku ai, përveç pagës, kishte deklaruar edhe një shtëpi 69 m2 në Tiranë, ku zotëronte 33% të saj.

Moisiu
Presidenti Alfred Moisiu deklaron se i ka dhuruar shtëpinë vajzës së tij, Mirela, në shtator të vitit 2004, e po në këtë muaj, urdhër-pagesë të Byrosë shqiptare të sigurimit nr. 110 datë 22.10.2004 ai dhe nusja e djalit u zhdëmtuan për pasojë të vdekjes në një aksident rrugor të djalit Admirit, dhe ai vetë ka marrë gjysmën e zhdëmtimit prej 2 184 757 lekë. Ndërsa gjendja në kesh është 1 milion lekë. Presidenti vazhdon të marrë pagën prej 2 225 880 dhe njëkohësisht vajza e tij, Mirela, merr pagën 240 000 lekë në fshatin SOS. Për këtë vit ai ka përfituar përqindjet e interesave më dollarë amerikanë deklaruar më parë prej shumës 974,74 $ në Bankën Amerikane, përqindjet e interesave në lekë shqiptare të deklaruara më parë në Raiffeisen Bank prej shumës 69 070 lekë, si dhe përqindjet e interesave të depozitës së vajzës në lekë shqiptare të deklaruara më parë prej shumës 700 000 lekë me 6,8% në Bankën Kombëtare të Greqisë.

Ruçi
Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, deklaron se nuk ka ndonjë ndryshim të pasurive të tij të paluajtshme dhe të luajtshme. Sipas kësaj deklarate, Ruçi vetë merr pagën prej 1 523 364 si deputet. Ndërsa bashkëshortja e tij merr 853 057 lekë nga puna e saj në Ministrinë e Financave dhe tek Avokati i Popullit. Ndërsa djali, Ledian Ruçi, deri në gusht 2004 ka marrë një pagë 137 820 si shofer i Kuvendit, ndërsa tani është student.

Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaron se tashmë merr vetëm pagën e Kuvendit prej 1 735 404 lekë, si dhe ka për të shlyer një hua bankare në Bankën Italo-Shqiptare, shuma e pashlyer e së cilës tashmë është 44 532 dollarë, ndërkohë që është shlyer deri tani 19 809 dollarë.

Shpëtim Idrizi
Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Shpëtim Idrizi, në deklaratën e këtij viti shënon se ka blerë një apartament nga kursimet e vitit 2003, ndërsa gjatë vitit 2004 është blerë shtëpi në Durrës me sipërfaqe 82 m2 me çmim 1 milion e 400 mijë lekë të reja, por në pronësi të bashkëshortes së tij. Idrizi ka një llogari bankare me vlerë 964 071 lekë në Raifaizen Bank dhe gjendje kesh 500 mijë lekë të reja. Idrizi ka marrë edhe një kredi bankare në Bankën e Shqipërisë që vazhdon ta paguajë, gjithsej 3 milionë lekë për 30 vjet me interes 1%, ku kanë mbetur pa u shlyer edhe 2 468 568 lekë.


Xhoana Nano ka deklaruar se i ka shitur ortakut shoqërinë “Albakopter”

Nano ka 5 043 euro, Xhoana ka
fituar 15 323 280 lekë nga “Joy Travel”
 

MLK

Primus registratum
Re: Pasurite e politikaneve dhe deklarimi i tyre

Pa hyre ne supozime ku faktet jane teper te veshtira te gjehen çfare konstatoni ne deklarimin e pasurise tek politikane e mesiperm? Une per vete them qe ka disa gjera qe nuk shkojne apo ndofta gazeta i ka prezntuar jo ne formen e duhur!
 
Top