Pasardhës të bujqve a gjuetarëve, jemi ne? - [Astrit Lulushi's Blog]

admin

Administrator
Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Gjatë vitit 2012, shkenca botërore u përqëndruar edhe në Shqipëri. Për shembull, në muajin prill, një grup shkencëtarësh arkeologë e antropologë nga Universiteti i Cincinnatit (SHBA) zbuloi vendbanimin bujqësor më të hershëm në Evropë, në Vashtëmi (Shqipëria juglindore).

Mendohet se vendbanimi i zbuluar në Vashtëmi i përket viteve 7 mijë p.e.s. Gjatë asaj periudhe, bujqësia në kontinent ishte pak e zhvilluar – evropianët e asaj kohe merreshin me gjueti dhe mbështeteshin për ushqim kryesisht në bimë e kafshë të eksportuara nga Lindja e Afërt. Por në Vashtëmi, shkencëtarët gjetën fosile drithërash bazë, përfshi elb; eshtra kafshës të zbutura si derr, dele, dhi; por edhe dre, derr të egër, lepur, breshkë, disa lloje peshku dhe ngjala. Bazuar në këto fakte, shkencëtarët thonë se banorët e asaj periudhe në Vashtëmi, kishin një rrjet të gjerë burimesh ushqimore, dhe nuk ishin krejtësisht të varur në kultura bujqësore e kafshë shtëpiake nga Lindja e Afërt, siç është menduar gjerësisht deri tani. Por ç’do të thotë ky zbulim për mbarë Evropën e asaj periudhe?
Për më shumë se një shekull debati shkencor ishte përqëndruar rreth çështjes nëse evropianët e sotëm janë pasardhësit e gjahtarëve apo të fermerëve të hershëm. Per herë të parë – tani që shkencëtarët janë në gjendje të krahasojnë gjenet e evropianëve të saj periudhe, thonë se disa lloje të ADN-së thjesht nuk përputhen – pavarësisht se janë të zakonshme tek evropianët e sotëm.
Gjatë vitit 2012, analiza të ADN-së të skeleteve të lashtë, treguan se fermerët e parë të Evropës nuk ishin pasardhësit e njerëzve që mbijetuan periudhën e fundit të akullnajave, por erdhën në zonat kryesore të Evropës Qendrore dhe Lindore rreth 7500 vjet më parë, duke sjellë me vete bimë kultivuese dhe kafshë shtëpiake.
Shkencëtarët në Gjermani, analizuan ADN-në e eshtrave të lashta të gjetura në zona ku kishin jetuar njerëz që ishin marrë me gjueti, dhe të eshtrave të gjetura në zonat e njohura për bujqësi të herëshme; ata krahasuan ADN-të me ato të evropianëve të sotëm dhe arritën në përfundimin se ekzistojnë pak dëshmi për një lidhje të drejtpërdrejtë gjenetike midis gjahtarëve dhe fermerëve të hershëm, dhe se 82 për qind e llojeve të gjetura në mtDNA të gjahtarëve janë relativisht të rralla tek evropianët e sotëm.
Për më shumë se një shekull, arkeologët, linguistët, antropologët dhe së fundi, gjenetistët, kanë argumentuar se paraardhësit e evropianëve jetojnë tek evropianët e sotëm. Shkencëtarët e dinë se evropianët, para dhe pas epokës së fundit të akullnajave, arritën të mbijetojnë duke u marrë gjueti. Ata dinë gjithashtu se bujqësia në Evropë erdhi nga Lindja e Afërt rreth 9 mijë vjet më parë, duke bërë të mundur rritjen 100-fish të sasisë së ushqimit. Por deri në çfarë shkalle evropianët e sotëm rrjedhin nga këto dy grupeve (grupit që mbijetoi epokën e akullt dhe grupi që erdhi nga Lindja e Afërt) këtë shkencëtarët ende nuk e kanë të qartë.
Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Mainzit, së bashku me hulumtuesit nga universitet (University College London) dhe Kembrixh, kanë gjetur se fermerët e parë në Europë nuk mund të ketë qenë pasardhësit e gjuetarëve, as edhe të fermerëve migrantë nga Lindja e Afërt, por një përzierje e të dyja.
Mendohet se njerëzit arritën në Evropë 45 mijë vjet më parë dhe zëvendësuan Neandertalët. Nga ajo periudhë, evropianët gjuetarë përjetuan shumë ndryshime klimatike, përfshi epokën e fundit të akullnajave, dhe pas përfundimit të kësaj epoke, rreth 11 mijë vjet më parë, stili gjuetar i jetesës mbijetoi për rreth 2 mijë vjet, por pastaj u zëvendësua gradualisht nga mënyra bujqësore e jetesës. Pyetja është nëse ky ndryshim erdhi në Evropë nga njerëz të rinj, apo thjesht nga ideja e vendasve për t’u marrë me bujqësi. Disa shkencëtarë besojnë se gjuetarët ishin të parët e Evropës, dhe fermerët janë të ardhur.

b.gif
 
Top