Para Flamurtari :)

Al-Punk

Still here
Një atmosferë si me Barcelonën e dikurshme. Ajo duket se po parapërgatitet në Vlorë, teksa ndeshja e kthimit të Flamurtarit është shumë pranë. Sot në stadium kishte lëvizje. Dikush jepte dorën e fundit në tribunën kryesore, e dikush tjetër ndodhej përballë. Po kaq impenjim kishin edhe drejtuesit e klubit, të cilët konfirmojnë se gjithçka është gati. Ndeshja e fundit e kampionatit për Flamurtarin, la më shumë se shijen e keqe pas. Dhjetëra stola u thyen, nën një pamje të shëmtuar më tepër të ecurisë së kampionatit, sesa asaj që mbeti pas për ditë të tëra në stadiumin e Vlorës. Por duket se fitorja jashtë kufijve ka ndryshuar deri dhe mentalitetin e tifozerisë, njohur për sharjet, e deri kundërpërgjigjet në kufijtë e barcaletës “arbitri nuk kishte motër”. Veç pjesës së njohur të tifozerisë që nuk ka lënë radhë pa ndjekur ekipin e zemrës, grupe të rinjsh janë aktivizuar përkrah tyre, duke u vetërenditur tek “ultrasit”.

Parapërgatitjet, “Kuq e zi”-të edhe në rrugë
Pasfitorja duket se ka mobilizuar edhe më shumë në përgatitje tifozët e Flamurtarit. Ethet janë të dukshme tek shumë të rinj, të cilët nuk kanë vonuar thirrjet për të dalë deri me marshime në rrugë. Ndërsa ndeshja nis në ora 16.30, ata kanë hedhur idenë për një marshim me këngë nga Kali i Trojës deri tek stadium, që do të nisi dy orë para ndeshjes. Ajo që bie në sy janë thirrjet për t’ju bashkuar “Flotës Kuq e Zi”. Së bashku me thirrjet, të rinjtë tifozë kanë sugjeruar edhe veshjet. “ Fanella apo bluzë të kuq ose të zezë. Lejohen vetëm mosha +15vjeç”

Ndeshja, Spektakël në ajër me ngjyrat e Flamurtarit
Ngjyrat e Flamurtarit do të valëviten edhe në ajër. Klubi i futbollit Flamurtari dhe Flota Kuq e Zi janë duke parë mundësinë e bashkëpunimit me Eagles Aero Klub për të patur një velë me ngjyrat kuq e zi dhe logon e Flamurtarit për gjithë sezonin e ardhshëm të futbollit. Për ndeshjen e të enjtes, Piloti Instruktor i Eagles Aero Klub, Auron Rrokaj do te kryejë një fluturim velë me motor, duke valëvitur në ajër një shirit pëlhure 10 m të gjatë me ngjyrat kuq e zi dhe logon e Flamurtarit. Për shkaqe organizative e specifika teknike, nuk dihet nëse do e arrijnë ta realizojnë shiritin deri të enjten. Nëse jo, Aeroklubi i Shqiponjave do ta kryejë fluturimin me një flamur kuq e zi me shqiponjën dykrerëshe, me gjatësi 5 m dhe ulja do të bëhet në fushën e stadiumit. Një fluturim i tillë, për arsye sigurie të pilotit e të spektatorëve, kërkon kushte atmosferike perfekte. Nëse të enjten kushtet aerologjike nuk do të jenë perfekte, fluturimi nuk do të kryhet.

Biletat në stadium. VIP-at do të paguajnë 4 herë më shumë
Për të parë ndeshjen në tribunën qëndrore do të duhen 2 mijë lekë të rinj dhe një tifoz tjetër do të mund të ndjekë atë kundrejt një vlere prej 500 lekë të reja. Çmimet e biletave janë fiksuar në këto shifra. Edhe pse nuk kanë munguar zërat për tarifat, brenda klubit ato quhen mëse normale për një ndeshje ndërkombëtare, ndërkohë që vetë klubit i është dashur të sjellë stadiumin në gjendjen e mëparshme dhe tarifat do të ndihmonin për këtë.

Geri Çipi: Jemi shumë pranë kualifikimit

Pas ndeshjes me Skënderbeun, stadiumi ishte i dëmtuar. Si po ecin parapërgatitjet?
Ditën e nesërme kemi vetëm disa punime të vogla për të mbyllur totalisht rikonstruksionin e stadiumit, pasi mbas ndeshjes me ekipin e Skënderbeut pothuajse i gjithë stadiumi u dëmtua. Kemi bërë një punë të madhe në pak ditë dhe kemi pregatitur një stadium bashkëkohor me të gjitha kushtet që kërkon Uefa e Fifa. Është ky stadiumi që i duhet një ekipi për të bërë ndeshje kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa kemi marrë të drejtën e liçensimit nga Uefa për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare në stadiumin tonë.

-Pavarësisht këshillit bashkiak, prefekti anulloi kalimin e Flamurtarit në sha. Ju penalizon kjo?
Asgjë s’e pengon ekipin për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare ashtu edhe për sezonin e ri të kampionatit. Ngërçi i krijuar është midis Bashkisë së Vlorës e Prefekturës, por shpresoj e mendoj që dhe prefekti ta ketë parë atë jehonë që nuk i ka munguar kurrë klubit të futbollit Flamurtari, dhe që të jetë dashamirës e të firmosë një shoqëri aksionere.

-Cilat do të jenë pikësynimet tuja?
Siç u pa në sezionin e kaluar, ne i hodhëm hapat e matur dhe arritëm aty ku arritëm paçka se titulli kampion i Shqipërisë na u vodh. Sivjet ne kemi hedhur hapin e parë në kompeticionet ndërkombëtare me marrjen e rezultatit të kënaqshëm në Podgoricë. Do të thoja që jemi shumë pranë kualifikimit të këtij turi dhe mendojmë seriozisht për ndeshjen e ardhshme.

Flota “Kuq e Zi”, ftesa për të mësuar këngët për Flamurtarin
Prej ditësh të rinjtë kanë bërë thirrje që të përmirësojnë “repertorin” (këtë herë me këngë), por edhe me lëvizje koreografike kushtuar tërësisht mbështetjes së ekipit. Të rijtë kanë bërë thirrje edhe për krijimin e një mentaliteti të ri, ku nga radhët e stadiumit të mbizotëronin këngë për ekipin e zemrës. Ende nuk dihet sa do të funksionojë “skema” në radhët e të rinjve tifozë, por rreshtat e parë janë shkruar:

Me ty në të mira
Me ty në të këqija
Gjithmonë do jemi krenar’
Për fanellën vija-vija
Për ty do bërtas
Për ty do këndoj
Kuqezi gjithmonë, kudoooo!
I dua vlonjatët
E dua kët’ emër
E dua Flamurtarin
Me shpirt e me zemër!
 
Top