Re: Papunesia
www.biznesi.com.al
Koment
Dilema mes inflacionit dhe punësimit
Korelacioni midis inflacionit dhe papunësisë përbën dilemën themelore të politikës ekonomike botërore, çka nënkupton se askush nga politikanët nuk mund të krenohet që "zbut" inflacionin duke "egërsuar" papunësinë
Nga Mitro Çela / Data (20-11-2003)
Ideja për të shkruar për dilemën mes inflacionit dhe punësimit më shtyn të bëj “qepjen” e disa shënimeve hedhur tej e këndej. Shënimi i parë, nga revista "The Economist". Viti 1999. Një artikull me titull befasues: "A ka vdekur inflacioni?" Pa ta shohim? Çfarë mbahet mend nga skenarët ekonomikë të viteve '70-'80? Një "vullkan ekonomik" me emrin inflacion që "përpinte" rrogat dhe pensionet. Çmimet e naftës, mishit, automjeteve "gdhiheshin" dhe nuk "ngryseshin", d.m.th. ndryshonin brenda natës…Në vazhdim artikulli tregon për një ekonomist anglez me emrin Roger Bootle. Ai ka botuar një libër me titull: "Vdekja e inflacionit". Me pak radhë, sipas revistës "The Economist", libri ka këtë përmbajtje: Teknologjitë e reja dhe globalizmi në tregti e ka bërë inflacionin "vullkan inekzistent". Ekonomistët nuk i tremben më inflacionit. Globalizmi e ka zbutur inflacionin…”
Shënimi i dytë, nga relacioni i buxhetit të shtetit për vitin 2002. "E kemi bërë zap inflacionin me përvojën tonë dhe ndihmën e FMN-së, duke stabilizuar çmimet e mallrave dhe shërbimeve.” Shënimi i tretë nga zoti Triechel, ish-shefi i zyrës së FMN-së në Tiranë. “Duke u larguar nga Tirana, do të kujtoj “mrekullinë” e ekonomisë shqiptare në uljen e inflacionit!” Pasi “nakatosa” shënimet, jam i gatshëm të “gatuaj” tezat dhe hipotezat për inflacionin. Hapi i parë i punës: Vëzhgimi i katër marrëveshjeve me FMN-në. Sa për kulturë, dy janë firmosur nga qeveria “Meksi”. Dy nga qeveritë socialiste. Po të bësh disa retushe, në të gjitha marrëveshjet, ekspertët e FMN-së kanë ngulur këmbë dhe qeveritarët blu e rozë janë bindur në zbatimin e reformave të shtrëngura monetare për të bërë “zap” inflacionin. Dhe, në fakt, duke filluar nga viti 1994 inflacioni në Shqipëri është vënë nën “pranga”. Sipas shifrave, “kurorën e dafinës” më shumë e kanë merituar socialistët. Viti më i mbarë për qeverinë “Meksi” mbahet 1995, kur inflacioni arriti 6 për qind nga 236 për qind që ishte në vitin 1992. Qeveritë socialiste “rekordin” e arritën në vitin 1999, kur inflacioni arriti minus 1 për qind, nga 42 për qind që e morën në vitin 1997.
“Zbutja” e inflacionit është bërë me një kosto tepër të lartë. FMN-ja në marrëveshjet me qeveritë shqiptare ka vendosur “veton” për tri kushte. Së pari, bllokimin e pagave dhe të pesioneve, ose ngritjen e tyre me “pikatore”. Së dyti, kufizimin e dhënies së kredive për bizesmenët. Së treti, shkurtimi i punonjësve buxhetorë. Në këto shkurtime “barra” më e rëndë i ka takuar qeverisë “Meksi”. Në vitin 1992 ishin 280 mijë punonjës. Kur mori “stafetën” qeveria socialiste në vitin 1997, gjeti 160 mijë punonjës. Sot kjo shifër ka zbritur në 110 mijë punonjës, ku përfshihen nëpunës, arsimtarë, policë, ushtarakë, deputetë, ministra, diplomatë etj.
Pasi folëm për inflacionin le t’i kthehemi papunësisë. Korelacioni midis inflacionit dhe papunësisë përbën dilemën themelore të politikës ekonomike botërore. Kjo do të thotë se askush nga politikanët nuk mund të krenohet që "zbut" inflacionin duke "egërsuar" papunësinë. Këtë e tregon edhe një përvojë amerikane. Në fillimin e viteve '80, politikanët amerikanë nisën një betejë kundër inflacionit. Fituan. Inflacioni u vu nën pranga. Por pasojat ishin të rënda në një tregues tjetër të ekonomisë amerikane. Papunësia nga 6,1 për qind më 1970 u ngjit në 9,5 për qind më 1982. Dhe qeveria amerikane ndryshoi kursin...
Le të kthehemi në Shqipëri. Çfarë “direktivash” mund të lexosh për punësimin? Në programet e qeverisë pothuajse nuk gjen asgjë. Vetëm partiakët flasin “pa doganë”. Në qershor të vitit 1997, në prag të zgjedhjeve zoti Nano deklaroi se brenda katër vjetësh do të hapen 250 mijë vende pune. Kur u bë bilanci, doli se ishin shtuar edhe disa mijëra të papunë të tjerë. Në maj të vitit 2001, në Kongresin e PS-së ishte vetë zoti Nano që bëri dy deklarata. Së pari, do të hapen 150 mijë vende të reja pune. Së dyti, niveli i papunësisë do të zbresë në 10 për qind, në standardet europiane. Pas katër vjetësh zyrtarisht niveli i papunësisë është 15,8 për qind?! Por çfarë tregon realiteti?
Lashë mënjanë kompjuterin dhe mora rrugën drejt tregut të punës. Ishte i rralluar. Një pjesë e njerëzve kishin gjetur punë. Disa ishin mërzitur duke pritur. Më të duruarit qëndronin ende, edhe pse dielli ishte ngjitur në zenit. M’u afrua një mesoburrë te xhami i makinës: “A doni punë, zotni!” M’u duk vetja sikur isha një nga personazhet e tregimeve të Migjenit. Për të dalë nga sëkëlldia, zbrita nga makina.
Unë:-Pse kaq pak të papunë sot? Mos vallë qeveria ka hapur vende të reja pune?
Ai:-Qeveria na ka lënë në mëshirë të fatit. Për të parë se sa vende të reja pune ka hapur qeveria, hajde në mëngjes të shohësh turmën e njerëzve që kërkojnë punë...
Lashë i tronditur “tregun e punës” dhe nisa të englendisem me teoritë për punësimin dhe inflacionin. Mes shumë autorëve shkëlqen modeli i ndërtuar nga ekonomisti neozelandes Philips për raportet midis papunësisë dhe inflacionit. Ai pasi analizoi të dhënat statistikore të një shekulli në disa vende të botës, hartoi grafikisht një kurbë për lidhjet mes këtyre dy treguesve. Sipas ekonomistit të njohur, këta tregues shkojnë në krah të kundërt. Kur rritet papunësia, ulet inflacioni. Dhe e kundërta. Merita e politikave ekonomike të një qeverie qëndron në faktin se sa e aftë është të vendosë një ekuilibër mes këtyre dy treguesve. Në raport me kurbën e Philipsit në vendin tonë kemi një paradoks ose mrekulli. Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri ulen njëkohësisht të dy treguesit: si inflacioni dhe niveli i papunësisë?! Mrekullitë në ekonomi janë shumë të rralla dhe kanë ndodhur në Gjermaninë dhe Japoninë e pas Luftës së Dytë Botërore; tek “Dragonjtë e Azisë”-Koreja e Jugut, Tajvan, Singapor, Hong-Kong- në vitet 70. Siç do të shohim në analizën në vazhdim, kemi të bëjmë me një paradoks!
Në raportin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2001 theksohet: “Edhe pse u prishën ndërtimet pa leje në gjithë vendin, edhe pse u futën në tregun e punës mijëra studentë që përfunduan shkollën, numri i të papunëve njohu rënie të vazhdueshme...Deri në vitin 2001 në fshat ishin të regjistruar 761 mijë të punësuar. Vitin e kaluar, sipas regjistrimit të ri të popullsisë, në fshat kanë punuar 526 mijë punonjës. Kjo do të thotë se drejt qyteteve kanë vërshuar rreth 235 mijë të papunë!” Morali: Praktikisht asnjë ekonomi nuk mund t’u shpëtojë ligjësive të teorisë së Philipsit. Të papunët e kanë “skalitur” edhe në Shqipëri kurbën e ekonomistit të njohur. Këtë tregojnë edhe shifrat që kanë zënë vend në raportin e guvernatorit. Këtë tregojnë edhe reportazhet nga Kuçova, Elbasani a Shkodra. Niveli i papunësisë është nga 30 për qind në 40 për qind!