Pakti me italianët dhe tradhtia që iu bë ushtarëve italianë

Albforumi

Primus registratum
Pakti me italianët dhe tradhtia që iu bë ushtarëve italianë

Unë, përkthyesja e bisedës mes Hoxhës dhe Palermos

Enver Hoxha, në shënimet e tij që ka lënë, e përshkruan pritjen që i bëri gjeneral Azzit dhe zëvendësit të tij që e shoqëronte.

Ndër të tjera ai shkruan: “Pas përshëndetjeve të rastit u fola për ndryshimet dhe gjendjen në qeverinë musoliniane, të cilën e kishte marrë në dorë Badaglio, si dhe për situatën e ushtrisë dhe të komandës italiane në Shqipëri.

Theksova se dorëzimi i forcave italiane ishte rruga e nderit, duke marrë pjesë tok me ne në luftë kundër gjermanëve.

Ne, – u thashë – mund të firmosim së bashku një deklaratë, ku t’u bëjmë thirrje edhe forcave të tjera italiane që nuk janë dorëzuar akoma, të bashkohen me ne. Pas kësaj t’i pyesim një nga një dhe kush dëshiron të luftojë, le t’i mbajë pushkët, kush nuk dëshiron të luftojë të dorëzojë armën, por të qëndrojë në thellësi të zonave tona të çliruara dhe atje të punojë tok me fshatarët për të nxjerrë bukën për veten e vet, për të ndihmuar edhe luftën. Ramë dakord me Azzin për këtë gjë”.

Siç është e njohur, Azzi u ndihmua nga ne që nëpërmjet Vlorës, me mjetet e aleatëve anglo-amerikanë, që lëviznin ilegalisht në mes dy brigjeve tona, të rikthehet në atdhe, kurse ushtarë e nënoficerë, sidomos specialistë të disa armëve të divizionit “Firenze” të gjeneral Azzit, morën pjesë e luftuan mirë në atë që u quajt beteja e parë me gjermanët, ku dështuan dhe mbeti peng nipi i Geringut, ndërsa disa prej tyre vazhduan të luftojnë si partizanë.

Po bëj një kapërcim në kohë për të përmendur një takim tjetër të Enverit me një personalitet të lartë ushtarak e politik italian, ku kam qenë prezente edhe unë.

Pas çlirimit, në mars 1945, erdhi për të tërhequr trupat italiane që u dorëzuan te ne, nënsekretari i shtetit për luftën Mario Palermo. Megjithëse ai ishte komunist, bënte pjesë në qeverinë e re italiane, ku komunistët kishin poste me rëndësi, si Toliati, që në atë kohë ishte ministër i Drejtësisë.

Se çfarë takimesh e bisedimesh janë bërë me këtë funksionar të lartë të Ministrisë së Luftës Italiane me ministritë tona përkatëse, si të Jashtme, të Mbrojtjes, apo ushtarakët tanë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, unë nuk di të them gjë.

Unë po përshkruaj pak takimin që bëri Enveri me Mario Palermon në shtëpinë tonë, për përmbajtjen e të cilit ka shënime nga ai, por jo që u bë në shtëpi. Po pse u bë në shtëpi?

Së pari është ajo që thotë vetë Enveri: “ne e pritëm mirë atë jo më tepër si personalitet qeveritar, por si shok komunist…”. Fakti që u prit në shtëpi nuk qe një rast i jashtëzakonshëm, sepse, jo vetëm në ato muajt e parë pas çlirimit, por edhe për një kohë më të gjatë, Komiteti Qendror i PKSH-së, nuk kishte ende një seli të caktuar pune e mbledhjesh.

Është e njohur që edhe Byroja Politike, në 3-4 vitet e para pas çlirimit, i bënte mbledhjet në shtëpinë tonë. Por mënyra se si u organizua dhe u zhvillua ky takim, dëshmon edhe për afërsinë e shoqërinë e sinqertë që Enveri donte t’i tregonte këtij shoku komunist e luftëtar të shquar të rezistencës antifashiste, që vinte nga vendi me të cilin kishim qenë për pesë vjet në luftë të pamëshirshme.

Mundet që edhe interesat e të dy palëve, në ato vite të para, e donin që marrëdhëniet e brishta shtetërore të mos kompromentoheshin nga marrëdhënia partiake. Enveri çoi makinën e tij që e pruri mikun Mario Palermo në shtëpinë tonë.

Ai erdhi i pashoqëruar. Oficeri ynë “dezhurn” e shoqëroi deri në krye të shkallëve të katit të dytë, ku e priste Enveri bashkë me mua. Edhe pritja, jo në sallonin e pritjes së katit të parë, por në studion e tij, një dhomë modeste e “zhveshur”, si të gjitha ambientet e shtëpisë në ato muajt e parë pas çlirimit, poshtë vetëm me parket, pa tapete, pa perde, pa asnjë zbukurim, tablo etj., madje edhe pa ngrohje, sepse qymyrguri ishte i pakët dhe ai i Kërrabës ishte i dobët.

Dhoma-studio, ku pritëm mikun, kishte vetëm një tavolinë të thjeshtë pune dhe një kënd me nja tre kolltukë, ku lexonim, bisedonim, apo çlodheshim në kohën e lirë. Edhe prezenca ime në këtë takim dhe porosia e Enverit që kafenë ta servirja unë, gjë që s’e kisha bërë në asnjë rast, mendoj se kish për qëllim që këtij takimi t’i jepte një pamje sa më intime shoqërore.

Gjithë takimi u zhvillua në italisht. Në qoftë se Enveri më mori në këtë takim edhe si përkthyese e tij për të dhënë më me saktësi ndonjë formulim a ndonjë shprehje që atij nuk i kujtohej aty për aty, roli im në këtë drejtim qe pothuajse krejt i panevojshëm. Biseda vazhdoi rrjedhshëm, me ngrohtësi e mirëkuptim të plotë.

Enveri i foli mbi qëndrimin e Partisë sonë e të shtetit të ri për të ardhmen e vendit e për perspektivat e tij. I foli edhe për dëmet që i shkaktuan Shqipërisë pushtuesit fashistë dhe luftën e ashpër që bëri populli shqiptar.

Siç është njohur në dokumentet shtetërore “me Palermon nënshkruam edhe një protokoll-thuhet në shënimet historike të Enverit-i cili përcaktonte procedurën e transferimit të trupave italiane që gjendeshin në Shqipëri për në Itali”. Në atë kohë Enveri ishte Kryeministër, ministër i Jashtëm e ministër i Mbrojtjes. Nuk e di në cilin nga këto dikastere u nënshkrua ky protokoll.

Në bazë të tij, të gjithë ushtarët që nuk kishin luftuar, hipën në anijet që erdhën nga Italia, kurse ushtarët italianë me komandantët e tyre që kishin luftuar tok me njësitë tona partizane, si dhe në batalionin e tyre “Gramshi”, u përcollën nga ana e shtetit tonë dhe bashkëluftëtarëve shqiptarë miq të tyre, me nderime dhe të gjithë të armatosur.

Por akti i shëmtuar i çarmatosjes së këtyre bijve, që luftuan kundër fashizmit, i cili e kishte zhytur në turp e gjak atdheun e popullin e tyre, porsa këta vunë këmbën në tokën e tyre, në portin e Barit, qe jo vetëm një goditje hileqare e misionit që i kishin ngarkuar një luftëtari të shquar të Rezistencës Antifashiste italiane, Mario Palermo, por dëshmon se forcat në krye të shtetit italian i kishin ende fashistët e Musolinit. Ata ia kishin frikën lëvizjes antifashiste partizane, sidomos në Italinë e Veriut dhe patën frikë se partizanët italianë, të posakthyer nga Shqipëria do të bashkoheshin me ta.

Një nga ish-komandantët e batalionit “Gramshi”, tregonte: “Një shoku im i vjetër shqiptar më tha: ‘Kur do të arrini në Itali do t’ju çarmatosin, prandaj, sa t’ju çarmatosin, na i lini neve’. Unë nuk desha ta besoj një gjë të tillë…Kur në Durrës erdhi lajmi që në Bari ishin çarmatosur të gjithë, mbeta aq keq, sa nuk kisha më kurajën të shikoja në sy shokët e mi shqiptarë”.

Kurse partizani Mario Fantaci dëshmon: “Kur arritëm në Bari, komandanti i divizionit, Cavallotto e gjithë të tijtë u çarmatosën e u keqtrajtuan, sikur të ishin banditë…Por një zhgënjim edhe më të thellë provuam në Romë, gjatë vizitave tona zyrtare në ministri të ndryshme…

Shumë nga përgjegjësit e disfatës sonë ishin akoma në postet e tyre!…divizioni ynë nuk u pranua të përfshihet në ushtrinë e vendit e ky qe shpërblimi i dhënë për mbajtjen lart të emrit të atdheut jashtë…”.(Shekulli)

XXHL6SL9x_0

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22470. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22470

Top