Pakti i sindikatave, si u nda pasuria e punëtorëve

Pakti i sindikatave, si u nda pasuria e punëtorëve

Dokumentet, zbardhen marrëveshjet mes krerëve të sindikatave në korrik 1994

Pak ditë më parë, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi projektligjin për kalimin e pronave të sindikatave në pronësi të shtetit, duke i bërë të pavlefshme kontratat që sindikatat kishin lidhur me investitorët.

Sipas projektligjit, shteti bëhet pronar i qindra objekteve, kryesisht ish-shtëpive të pushimit që tashmë janë bërë hotele, dhe investitorët duhet të kompensohen nga sindikatat për investimet që kanë bërë. Hartuesit e projektligjit, të nisur nga një ide e kryeministrit Berisha, hedhur në gusht 2009, iu referuan një ligji të miratuar në vitin 1998, sipas të cilit pas marrjes së pronave nën administrim, sindikatat nuk kanë të drejtë që të bëjnë tjetërsim të tyre deri në vitin 2020.

Siç do të dalë edhe nga dokumentet që posedon gazeta “Shekulli”, një pjesë e mirë e pasurisë së sindikatave janë shitur, një pjesë janë lëshuar me qira, ndërsa ka edhe prona të tjera mbi të cilat nuk është kryer asnjë veprim, duke i lënë në gjendjen e fillim viteve 90-të.

Gjithçka që është bërë me pronat e ish-Bashkimeve Profesionale, që më vonë u kaluan në pronësi të sindikatave të shumta, lidhet me emrin e Sali Berishës. Ishte ai si President i Shqipërisë në 1992, që firmosi kalimin e tyre në duar “sindikalistësh”, ndërsa pas 17 viteve është po ai që në rolin e kryeministrit kërkon rimarrjen e tyre në pronësi të shtetit.

Por, përgjatë kësaj kohe të trazuar të kapitalizmit të egër shqiptar, pronat e ish-Bashkimeve Profesionale janë tjetërsuar ose janë dhënë me qira, në kundërshtim me ligjin. Ish-kampet dhe shtëpitë e pushimit shfrytëzohen nga pronarët ose persona të tjerë, që i kanë marrë me qira.

Dekreti i ish-presidentit Sali Berisha ndau gjithsej 165 objekte, rreth 60 mijë metra katrorë ndërtime me vlerë 139 miliardë e 192 mijë lekë, si dhe 20 milionë lekë që ishin atëherë gjendje në llogarinë bankare të ish-Bashkimeve Profesionale dhe një sasi e pallogaritshme inventari e kancelarish.

Pasuria u nda mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Sindikatës së Pavarur të Minatorëve dhe asaj të Naftës. Pas ndarjes së realizuar në 1994, 30% e objekteve të ndara u shitën, 20% u dhanë me qira, shumica ish-kampe të punëtorëve dhe shtëpitë e pushimit në disa qytete, ndërsa rreth 17% e pronave të sindikatave u shkatërruan gjatë trazirave të vitit 1997.

“Shekulli” sjell sot dokumentet origjinale të marrëveshjes mes krerëve të sindikatave, dekretin e firmosur nga ish-presidenti Berisha dhe legalizimin e lëvizjes sindikaliste nga ish-presidenti i fundit komunist Ramiz Alia në vitin 1991.

Më poshtë është akt-marrëveshja e bërë në një zyrë noteriale në Tiranë në shkurt 1994, ku firmëtarë dhe përfitues janë krerët e grupimeve sindikaliste. Siç shihet edhe nga dokumenti, pasuria e ish-Bashkimeve Profesionale ndahet mes sindikatave deri në detajet më të vogla.

Akt-marrëveshje
Mbi pjesëtimin vullnetar të pasurisë
Mbajtur sot më datën 24.2.1994 ndërmjet sindikatave:
Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë
Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë
Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Naftës
Sindikatës së Pavarur të Porteve
Sindikatës së Bashkuar të Pavarur të Minatorëve, Gjeologëve dhe Pasuruesve të Shqipërisë,
mbi zbatimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, nr. 204, datë 5.6.1992. Duke qenë se në akt-marrëveshjen e datës 10.10.1992 u ra dakord vetëm për ndarjen ideale proporcionale dhe nuk u bë ndarja fizike e pasurisë, sindikatat nënshkruese të kësaj akt-marrëveshjeje, vendosën të realizojnë ndarjen fizike si më poshtë:
Kampet e pushimit:
BSPSH
1. Kampi i Sarandës (komplet)
2. Kampi i Durrësit (godina e madhe në formë L, sipas skicës)
3. Kampi Dhërmi (godina e re sipas skicës)
4. Kampi i Dajtit (godina e madhe e kampit të pionierëve me 300 vende dhe vila me 25 vende, që janë në dispozicion të shoqërisë së përbashkët “Dajtel” si dhe trualli e territori prej tetë hektarësh që i bashkangjiten), dhe zyra e prenotimeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
5. Kampi i Voskopojës
6. Kampi i Divjakës (komplet)
7. Kampi i Golemit (komplet)
8. Kampi i Shirokës (godina e pionierëve, 2/3 sipas skicës)
9. Kampi i Pionierëve Durrës (magazinat, sipas skicës ½)
10. Kampi i Qafë Shtamës (komplet)
11. Kampi i Razmës (komplet)
12. Kampi i Çajupit (komplet)
13. Kampi i Pogradecit (godina dykatëshe, çerdhja dhe kopshti)

Konfederata
1. Kampi i Durrësit (godina e kuadrove, nr. 1 sipas skicës)
2. Kampi i Dhërmiut (të gjitha godinat e kampit të vjetër)
3. Kampi i Shëngjinit (komplet godinat)
4. Kampi i Shirokës (godina e Kampit të pionierëve, 1/3 sipas skicës)
5. Kampi i Korçës (komplet)
6. Kampi i Pogradecit (godina nr. 2)
7. Kampi i punëtorëve Dajt
8. Gjinar (komplet)
9. Kampi i Pionierëve Durrës (magazine, sipas skicës, ½)

SP e Punonjësve të Naftës
1. Kampi i Pionierëve Vlorë

Sindikata e Bashkuar e Minatorëve, Gjeologëve dhe Pasuruesve të Shqipërisë
1. Kampi i Punëtorëve Pogradec (ish-godina e kuadrove me gjithë objektet brenda rrethimit, sipas skicës)
2. Kampi i Pionierëve Durrës, pa objektet dhe territorin që i mbeten në pronësi BSPSH-së dhe KSSH-së (sipas skicës)
3. 2000 (dymijë) metra katrorë në territorin e Kampit të Himarës, sipas skicës bashkangjitur.
(Vijon)

Në pronësi të çdo sindikate, sipas kësaj ndarjeje, vihen godinat, trualli përkatës, mjetet themelore, dhe inventari i imët, të cilat në rastet kur një kamp ndahet midis dy ose më shumë sindikatave, ndarja bëhet sipas përqindjes së pjesëtimit të kampit.

Kampi i Vlorës do të jetë në pronësi të përbashkët mes BSPSH dhe KSSH, të cilat kanë të drejtën e kontrollit të përbashkët, ose të veçantë, të thirrjes në raport për problemet e administrimit dhe të veprimtarisë ekonomiko-financiare si dhe të vendimit për këto probleme.

Vendimet e marra në mënyrë të njëanshme, janë të paligjshme.
Të ardhurat nga Kampi i Vlorës, ndahen direkt nga drejtoria e tij çdo tremujor, në mënyrë të barabartë: 50% BSPSH dhe 50% KSSH. Drejtorisë së Kampit i lihet 25% e fitimit për vazhdimin e aktivitetit të kampit.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe hipotekimin, fondet që janë gjendje në numrin e llogarisë së Drejtorisë së Shtëpive të Pushimit, ndahen sipas raporteve që parashikohen në akt-marrëveshjen e datës 10.10.1992.

Mbas hipotekimit të pasurisë nga çdo sindikatë, Drejtoria e Shtëpive të Pushimit, pushon së ekzistuari dhe mjetet themelore dhe inventari i imët iu ndahen sindikatave, sipas përqindjes së caktuar në akt-marrëveshjen e datës 10.10.1992.

Objektet e Kulturës për qytetin e Tiranës ndahen si më poshtë:
BSPSH
1. Shtypshkronja “Sindikata” (ish-Poligrafia “11 Shkurti”).
2. Pallati i Kulturës Kamëz
3. Pallati i Kulturës në kombinatin “Josif Pashko” me 150 vende
4. Ofiçina e ish-BSPSH (50%, sipas skicës bashkangjitur).

KSSH
1. Pallati i Kulturës “Tekstilisti”
2. Pallati i Kulturës Marikaj
3. Ofiçina e ish-BSPSH-së (50% sipas skicës)

SP e Punonjësve të Naftës
1. Shtëpia e Kulturës Valias
2. Shtëpia e Kulturës Mushqeta
3. Shtëpia e Kulturës Kërrabë

Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi” ndahet në natyrë midis BSPSH-së dhe KSSH-së në raportet: 55% BSPSH dhe 45% KSSH; duke përfshirë në këtë ndarje të gjitha ambientet që janë sot në pronësi e në përdorim nga sindikatat (KSSH katin e tretë dhe BSPSH katin e dytë.

Kati i parë dhe anekset e tjera ndahen në natyrë sipas përqindjeve 55% BSPSH dhe 45% KSSH, sipas skicës). Ambientet e tjera të këtij pallati, që mund të merren më vonë, ndahen përsëri në natyrë, sipas përqindjeve të mësipërme.

Salla e shfaqjeve dhe e mbledhjeve të këtij pallati mbetet në pronësi e përdorim të përbashkët sipas përqindjeve përkatëse të mësipërme. Ajo administrohet nga punonjësi i caktuar nga të dyja palët, pa nxjerrë pengesa për veprimtarinë e njëri-tjetrit.

Kur ajo jepet me qira, të ardhurat ndahen sipas përqindjeve menjëherë dhe direkt nga punonjësi i caktuar për administrimin e saj, sipas përqindjeve 55% dhe 45%. Të gjitha vendimet për administrimin e kësaj salle merren bashkërisht.

Në rast se ndonjë nga objektet e lartpërmendura humbet për arsye pretendimesh pronësie nga të tretët, sindikatës së dëmtuar i bëhet kompensimi në përqindje nga sindikatat e tjera, pjesëmarrëse në këtë marrëveshje.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe hipotekimin e objekteve, brenda pesë ditëve ndahen fondet që janë gjendje në QAOKS, dega e Tiranës, sipas përqindjes së akt-marrëveshjes datë 10.10.1992. Pas hipotekimit të pasurisë nga çdo sindikatë, dega e QAOKS për Tiranën, pushon së ekzistuari dhe mjetet themelore e inventari i imët që ajo disponon, ndahen sipas akt-marrëveshjes së datës 10.10.1992.

Kjo akt-marrëveshje do të pasohet nga një aktmarrëveshje tjetër për ndarjen e objekteve të tjera kulturore (pallate e shtëpi kulture, salla lojërash etj.), që nuk janë përmendur në këtë aktmarrëveshje, e cila do të shënojë ndarjen përfundimtare fizike të të gjithë pasurisë, pronë e sindikatave të Shqipërisë.

Aktmarrëveshja e mësipërme, pasi gjendet në përputhje me vullnetin e palëve, nënshkruhet dhe vuloset rregullisht prej tyre.

Nënshkruesit KSSH, Kastriot Muço, SBPMGJPSH Gëzim Kalaja, BSPSH Valer Xheka. SP e Punonjësve të Naftës Nentor Xhemali, SP e Sporteve Pëllumb Leka
Tiranë 28 shkurt 1994

Dekreti i Ramiz Alisë që ligjëroi sindikatat

Ish-presidenti i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia, më datë 12 tetor l991, me anë të një dekreti vendosi “vdekjen” e ish-Bashkimeve Profesionale dhe lindjen e sindikatave. Ligji nr. 7516 i datës 7 tetor 1991, do të shfuqizohej më pas në korrik 1995, nga presidenti Sali Berisha, por për katër vjet ajo që ishte për t’u bërë, ishte kryer dhe sindikatat kishin marrë gjithçka që zotëronin ish-Bashkimet Profesionale, sigurisht jo në interes të sindikalistëve.

Sipas ligjit të Alisë, sindikatat në Republikën e Shqipërisë janë organizata shoqërore, që krijohen si bashkime vullnetare të punonjësve për mbrojtjen e të drejtave e të interesave të tyre ekonomike, profesionale e sociale dhe se organizimi dhe veprimtaria e tyre është e lirë dhe e garantuar me ligj.

Sipas nenit 14, Sindikatat janë persona juridikë dhe kanë pasuri dhe ushtrojnë aktivitet ekonomik për kryerjen e veprimtarisë së tyre. Burimet materiale e financiare të sindikatave do të vinin nga kuotat e anëtarësisë, çdo pasuri tjetër e fituar në mënyrë të ligjshme dhe të ardhurat nga veprimtaria ekonomike e social-kulturore.

Dekreti i Berishës për ndarjen e pronave

DEKRET PER PASURINE E SINDIKATAVE
Në mbështetje të pikës 19 të nenit 28, të ligjit nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
D E K R E T O J:

Neni 1

Sindikatat në Republikën e Shqipërisë kanë pasuri dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike e social-kulturore, duke hyrë në marrëdhënie juridike e civile me persona juridikë e fizikë, vendas e të huaj, për të kryer veprimtari sindikale dhe për edukimin profesional të punonjësve.

Neni 2

Pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme që shërben për veprimtarinë sindikale dhe edukimin profesional e sindikal të punonjësve, si shtëpi pushimi, shtëpi kulture e parqe sportive, salla mbledhjesh e veprimtarish, sanatoriume për punonjësit, librari, biblioteka, ndërtesa shkollimi, makineri, pajisje dhe inventar i imët, është në pronësi të sindikatave.

Ndarja e kësaj pasurie bëhet me marrëveshje ndërmjet sindikatave në përpjestim me numrin e anëtarëve të tyre, brenda muajit qershor të vitit 1992. Mosmarrëveshjet që lidhen me ndarjen e pasurisë, zgjidhen nga gjykata.

Neni 3

Pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme dhe vlerat monetare të ish-Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë të bllokohen, të inventarizohen dhe të vlerësohen nga një komision i ngritur nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, duke marrë si bazë gjendjen faktike të muajit mars të vitit 1991.

Neni 4

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Tiranë, më 5.6.1992
Nr. i dekretit: 204
PRESIDENTI I REPUBLIKES
SALI BERISHA(Shekulli)

GZ4nxmVTSWo

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23549. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23549

Top