Përhapja e librit shqip - problem shqetësues

Ullmar Qvick

Primus registratum
Përhapja e librit shqip - problem shqetësues

Tregu i librit është një treg me vështirësi të shumta, dihet, dhe kjo ndikon edhe në mundësitë e publikut për të siguruar libra me vlerë. Këtu në Suedi shtëpitë botuese shumë herë merren kryesisht me vlerësime ekonomike se me punë kulturore...dhe shumë libra mbeten të pabotuar.Dhe shqiptarët e shpërndarë nëpër botë si dhe të huajtë e pakët që lexojnë libra shqip kanë vështirësi të gjejnë botimet e reja.

Kam një rekomandim: Një furnizues i mirë kur kemi të bëjmë me librat e posabotuar është z. Estref Bega me firmën e tij BOTIMPEX. Unë e njoh shumë mirë Estrefin, kam shijuar në disa raste mikpritjen e tij shembullore, dhe gjatë viteve ai më ka ndihmuar bujarisht me vëllime që më nevojiten, qoftë me karakter shkencor, qoftë të letërsisë artistike.

Shërbimi i bibliotekave të Suedisë e ka zgjedhur BOTIMPEX-in si furnizues librash nga Shqipëria për arsye se marrëdhëniet me këtë firmë janë të sigurta dhe shumë korrekte.

Të gjitha të dhënat, duke përfshirë edhe listat mujore të librave të rinj që furnizohen, mund të gjeni duke përdorur motorin e kërkimit për fjalën "botimpex". Portali i BOTIMPEX-it, pra, është një enciklopedi e vogël për libërdashësit shqiptar.

Më e vështirë duket situata në lidhje me Kosovën. Më përpara kam pasur kontakte të mira me Shtëpinë Botuese "Rilindja", por sot për sot nuk di si mund të furnizohemi me libra nga Kosova në mënyrë të rregullt dhe pa probleme me dërgimet.

Ju kam ofruar disa të dhëna këtu, në të njëjtën kohë kërkoj ndihmë nga ata që kanë më shumë përvojë në lidhje me librat nga Kosova.

Rinia shqiptare në mërgim ka mundësi të jashtëzakonshme të marrë impulse të reja përmes letërsisë moderne që botohet në vendlindje. Në të njëjtën kohë ne duhet të përkrahim botuesit dhe eksportuesit e librave, sepse ata janë shumë të varur nga interesimi drejtpërdrejt i lexuesve. Bile bile mund të thuhet se përkrahja e librit shqip është një detyrë patriotike për shqiptarin në përgjithësi dhe për intelektualin në vecanti!

Ullmar Qvick
 
Top