ostivar, pesë ditët e një kolonie artistike

ostivar, pesë ditët e një kolonie artistike

Gostivari është i qetë në një ditë të diele. Për më tepër, orët e para të mëngjesit i kanë gjetur banorët ende në rrugë, në ekspozita apo koncerte të ndryshme. Kanë festuar Natën e Bardhë. Mbërrijmë në orët e pasdites. Rrugëtimi Tiranë-Gostivar është nxitur nga një tjetër veprimtari artistike. Për të gjashtin vit, nga dhjetë vjet jetë të saj, Shoqata e Artistëve Figurativë të Maqedonisë, “Draudacum”, ka çelur ekspozitën “Kolonia artistike 08″, një aktivitet traditë tashmë. Në ambientin e galerisë së Pallatit të Kulturës, vendosur në katin e dytë të godinës, janë ekspozuar punët e 23 artistëve (piktorë e fotografë), të realizuara një vit më parë, në një ambient të përbashkët në periferi të qytetit. Mbrëmja e 27 shtatorit shënon një shpërfaqje të krijimeve të 2008-ës dhe një mirëseardhje për artistët e rinj të kolonisë “Gostivari 09″. Ata të një viti më parë dhe ata që sapo kanë mbërritur në Gostivar për tiu bashkuar kolonisë artistike, takohen teksa kundrojnë tablotë apo fotografitë e ekspozuara. Brenda mureve të asaj galerie të vogël zhvillohet një dialogim intim arti. “Sikur të mundesha të shpjegoja atë që dua të them, sdo kisha nevojë të merresha me art”. Ky citat i Augusto Pieronit e ndihmon kryetarin e shoqatës “Draudacum” (mban emrin e vjetër me të cilin besohet se është quajtur shekuj më parë Gostivari), Osman Demiri, të motivojë bashkimin e këtyre artistëve në një shprehje të përbashkët artistike, pavarësisht se nga janë e nga vijnë. Në fakt ka aromë Ballkani. Sivjet janë 15 artistë nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Turqia, Bosnja e Hercegovina dhe Bullgaria. “Secili prej tyre sjell me vete një copëz kulturë nga vendi që vjen. Ky aktivitet shërben gjithashtu për një shkëmbim përvojash mes pjesëmarrësve, të ftuar nga vende të ndryshme”, theksoi Demiri në ceremoninë e çeljes së ekspozitës. Në kuptimin e tyre kjo koloni quhet një bashkim miqësor për të bërë art. Motoja e tyre përkon edhe me konotacionin që një legjendë e vjetër i jep emrit të qytetit. Sipas saj, qyteti është quajtur i tillë në kohën e sundimtarit Vukashin. Meqë ka pasur një numër të madh të vizitorëve dhe miqve nëpër këto vise edhe gjatë periudhës së sundimit të turqve, në turqishte vendin e kanë thirrur Gostivar, “Qyteti i miqve”. Gostivari cilësohet sot si qytet shqiptar. Atmosfera të bind edhe më shumë. Ndërsa në shifra zyrtare, statistikat e publikuara në faqen zyrtare të Komunës së Gostivarit, mbështetëse e këtij aktiviteti, shqiptarët përbëjnë 66.6% të popullsisë, 19.5% maqedonasit dhe pjesa tjetër janë turq, romë, serbë, vlleh, boshnjakë e të tjerë. Pas një tryeze me bisedë të shtruar, artistët e kolonisë “Gostivar 09″ zhvendosen në Mavrov. Një zonë e njohur turistike. Mëngjesi i së hënës shënon edhe fillimin e punës. Për të dytin vit radhazi, hotel “Medenica” (në shqip merr kuptimin “mjaltore”) shërben si ambienti pritës. Ndodhet përballë liqenit të Mavrovës, rreth 25 kilometra larg qytetit. Duket një ambient i përshtatshëm për të krijuar. Paksa i veçuar nga zhurma e aktivitetit të përditshëm, me një panoramë që nxit mendimin. Rrotull, rruga është e mbushur me vila të tipit alpin, ndërtuar mes pemëve të larta. Kjo zonë tërheq turistët veçanërisht në dimër. Një dhomë e mbyllur, por edhe ambientet e jashtme të hotelit shërbejnë si vend pune për artistët. Ka komunikim brezash në këtë koloni. Gjen aty të rinj që sapo kanë mbaruar studimet apo janë në fillimet e tyre. Doriana Arapi nga Tirana (e kthyer pas studimeve në Firence), piktorja maqedonase Aneta Petrovca dhe Hilmiu, shqiptar i Maqedonisë, janë tre prej këtyre të rinjve. Ky ngërthim brezash ka qenë edhe në vitet e shkuara. Natyrshëm kjo eksperiencë, veç procesit individual krijues, parashikon që gjatë ditëve të qëndrimit në këtë koloni të ketë një shkëmbim mendimesh e përvojash. “Është një klithje e fortë në këtë vorbull të shurdhët ballkanike, një vulë e fortë se vetëm kjo mënyrë e punës dhe bashkëjetesës mund të pijë ujë”, shënon në tekstin e katalogut që prezanton ekspozitën, kryetari i shoqatës, fotografi Osman Demiri. Kjo thënie merr aktualitet më shumë se kurrë. Kur këto ditë akademikët shqiptarë dhe maqedonas shkëmbejnë replika në distancë për enciklopedinë që fyente shqiptarët, nëse reagimet kanë mbërritur në nivele qeveritarësh e në protesta studentore, në këtë koloni, artistët shqiptarë dhe maqedonas shtrohen në një bisedë që rrek më së pari artin e më tej edhe shoqërinë. Në këtë proces nuk njihen kufijtë. Nga ana tjetër, ky aktivitet është një rast i mirë për të qenë i pranishëm në një proces krijues. Të shohësh ngjizjen, fazat e punës e më tej veprat e përfunduara, në të cilat mbartin tashmë një identitet artistik. Në fakt, të vendosur në periferi, kolonia artistike qëndron edhe pak larg një publiku më të gjerë. Penelatat e para u hodhën rreth orëve të mesditës së të hënës. Në një zgjedhje vetjake të ngjyrave, të subjektit apo edhe të teknikës, kanavaca fillon të ngjyroset. Sot, është dita e fundit e kolonisë artistike. Secili prej artistëve duhet të ketë përfunduar dy punë. Kjo eksperiencë, për ata përfundon këtu, për tu takuar në çeljen e ekspozitës së vitit të ardhshëm e për ti dhënë startin kolonisë artistike “Gostivar 2010″.(Shqip)</p>
Yt48xhhB6Us

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23262. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23262
 
Top