OSSH, plan për të shkurtuar punonjësit

OSSH, plan për të shkurtuar punonjësit

Ishte paralajmëruar me kohë dhe tashmë është gati për tu bërë realitet. Plani për të shkurtuar punonjësit e OSSH do të vihet në zbatim paralelisht me zhvillimin e investimeve në stacionet elektrike dhe drejtoritë rajonale. Aktualisht, në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes punojnë rreth 6400 vetë, numër tepër i lartë në raport me abonentët që konsumojnë energji elektrike. Investitori i huaj që ka marrë në pronësi OSSH-në do të shpenzojë rreth 200 milionë euro në drejtim të modernizimit të rrjetit elektrik. Investimet do të synojnë gjithmonë e më shumë informatizimin dhe veprimet elektronike, duke shmangur gradualisht nevojën e forcës punëtore. Të paktën kështu ka ndodhur në vendet e rajonit, ku pas privatizimit, me futjen e teknologjisë së re, është parë e arsyeshme një numër më i vogël punonjësish. Faza e parë do të prekë faturistët e qendrave të mëdha të vendit, ku parashikohet një informatizim dhe kontroll i të dhënave nga degët kryesore. Gradualisht do të shkurtohen edhe drejtoritë rajonale, që kontrollojnë dhe menaxhojnë stacionet elektrike. Nga 12 drejtori që janë aktualisht, mendohet të punohet me tri të tilla, të pozicionuara në veri-qendër-jug. Përveç stafit që gjeti pas privatizimit, “CEZ-Albania” e zgjeroi organikën, duke krijuar struktura paralele brenda saj. Veprimet me zgjerimit e organikës duket se kanë qenë të nxituara për çekët e OSSH-së, pasi më vonë kanë reflektuar për ndryshim të stafit.
Investimet dhe reduktimi
Shkurtimi i punonjësve do të argumentohet me planin për të futur teknologji të re dhe moderne. Nga raporti auditues mbi humbjet e energjisë elektrike, CEZ konstaton se shumë veprime me të dhënat ose regjistrimet kryhen ende me sistem manual, ndërsa në pjesën dërrmuese të vendit procesi i punës përmban standard të ulët. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, në prag privatizimi të OSSH-së kishte paralajmëruar për largimin nga puna të të paktën 4 mijë punonjësve. Qëndrimi i Rulit u dha duke marrë si shembull vendet e tjera dhe standardi që përdoret (numër punonjësit në raport me abonentët). Ende pa u mbyllur kontrata e shitjes te CEZ, në OSSH nisi vala e testimeve mbi punonjësit, duke iu përmbajtur tri parimeve bazë. Faza e testimit u gjykua si rasti më i mirë për të nisur shkurtimet, aq më tepër kur qeveria nxori vendimin “mbi trajtimin e punonjësve që dalin në reformë pas privatizimit të OSSH”. Në fakt, ndodhën shumë pak largime nga puna, kryesisht kryetarë degësh në rrethe. Ardhja e CEZ qetësoi situatën, pasi jo vetëm që nuk largoi njëri nga puna, por e zgjeroi stafin. Tashmë plani ka ndryshuar dhe reforma e vështirë së shpejti do të nisë.
Privatizimi i vështirë
Privatizimi i OSSH është konsideruar shumë i suksesshëm nga qeveria, nisur dhe nga kushtet e vështira ku ndodhej kompania. Për më shumë se tetë muaj u negociua me çekët e CEZ për të gjetur marrëveshjen e duhur, sidomos në çështjen e borxheve që OSSH trashëgonte në kohën kur ishte pronë e shtetit. CEZ u shpall fituese e tenderit për ofertën 102 milionë euro dhe plan investimi rreth 200 milionë euro. Sa i takon qeverisë, kontrolli i saj mbi aksionet e OSSH-së është 24 për qind, duke ruajtur një vend domethënës në Këshillin Mbikëqyrës, e cila kontrollohet nga CEZ.(Shqip)</p>
Bwm0NP-yfYc

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23970. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23970
 
Top