Orkez Prushi, kampioni i dyfishtë bodybuilding

Orkez Prushi, kampioni i dyfishtë bodybuilding

Orkez Prushi është kampioni i dyfishtë në “Bodybuilding 2009″, i shpallur në edicionin e sivjetshëm, që zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, ku merrnin pjesë 20 sportistë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Ai i rrëmben të dy titujt, atë të kampionit kombëtar dhe të kampionit absolut mbarëkombëtar. Kjo ishe hera e parë që Shqipëria i bënte të vetët të dy trofetë, pasi ky sport deri tani dominohej nga billderat kosovarë. Që në moshë të vogël, përkrah të qenit një nxënës shembullor në shkollë, tek ai kishte spikatur dashuria e madhe për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Por mundësia për ta ushtruar atë në një mënyrë më profesionale iu dha në moshën 17-vjeçare, kur emigroi në Gjermani, ku do të kalonte 16 vitet e ardhshme të jetës së tij. Pikërisht këtu ai do të shkollohej dhe më pas diplomohej për Antropologji-Psikologji, po paralelisht do të niste të luante edhe futboll. Një ekip i të rriturve në vendin ku banonte e zbuloi si një sulmues me të dhëna të mira, por mosha e tij e vogël e detyroi të kalonte tek ekipi i të rinjve. Dashuria për bodybuilding do të lindte krejt rastësisht. Në një stacion treni, një femër e njohur në Gjermani si kampionia e saposhpallur e bodybuilding, Venera Sherner, u shfaq në dritaren nga ku pa një djalë të veshur në kanotiere, që të lejonte lehtësisht të dalloje një trup të bukur. “Më thirri nga dritarja dhe më ftoi të stërvitesha në palestrën ku ajo ushtrohej”, kujton Prushi. Pas disa muajsh stërvitje, ky sport i hyri në gjak. “Është sporti i shkarkimit të energjive më të mëdha të të rinjve”, thekson kampioni. Në Gjermani e përdori më shumë si një hobi, por si profesionist ai e ushtroi vetëm kur u kthye në Shqipëri në 2006-ën. Këtu mori pjesë për herë të parë në një kampionat bodybuilding, që ishte më shumë një provë për të testuar potencialin e tij. Pas kësaj ai e kuptoi më së miri thelbin e fjalës “bodybuilding”, ndaj që atëherë vendosi ti përkushtohej seriozisht. “Fillova eksplorimin e kësaj shkence, si shkenca më komplekse e të qenit arkitekt i vetvetes, rrëfen ai me pasion. Duhet ta ndërtosh, të hedhësh skicat e vizionit, të kujdesesh për detajet, të jesh sportisti me vullnet të hekurt, të jesh dietologu i vetvetes”. Ushqimi është arsenali kryesor i një billderi si ai. “Duhet të jesh kritiku i vetvetes, sqaron Prushi më tej, sepse je nën vëzhgimin e pasqyrës, me syrin tënd kritik sheh ecurinë e këtij procesi, duke qenë gjithmonë realist. Një billder nuk duhet të jetë kurrë i kënaqur me veten. Vjen një moment kur kupton kufirin e forcës së imagjinatës dhe syri kërkon në thellësi të dimensionit të të paarritshmes”. Dhe sigurisht më kryesorja është se duhet të jesh artist, sepse ky sport prezanton edhe një art. “Sado në paraqitje ky fizik duket agresiv, ai duhet të shkrihet në harmoninë e linjave simetrike, që artisti duhet të prezantojë gjatë pozimit të tij në skenë”, shpjegon kampioni 36-vjeçar. Falë përkushtimit maksimal, në kampionatin e 2007-ës ai u shpall kampion i Shqipërisë dhe nënkampion mbarëkombëtar. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria zinte vendin e dytë. Në kampionatin e 2008-ës, për shkak të një defekti teknik zuri vendin e dytë në kampionatin kombëtar dhe mbarëkombëtar. Në 2009 vjen edhe suksesi i madh si kampion i dyfishtë. Ndërsa tani Prushi po përgatitet që në muajin prill të marrë pjesë në kampionatin Ballkanik të Bodybuilding.(Shqip)</p>
4HmvXa2MPRM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24990. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24990
 
Top