Opozita të kontribuojë për reformat

Opozita të kontribuojë për reformat

Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi dje mbledhjen e grupit parlamentar për të riftuar opozitën të kthehet në Kuvend. Gjithsesi, kreu i qeverisë nuk tregoi shenja të një ndryshimi në qëndrimin e tij për të mos hapur kutitë e votimit në qarqet e kërkuara nga opozita. Punimet e Kuvendit kanë afërsisht një muaj që kanë nisur dhe mungesa e debatit mes mazhorancës e opozitës vihet re dukshëm, pasi kjo e fundit ka zgjedhur skemën e bojkotit deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara. Berisha i kërkoi opozitës të dëshmojë realisht nëse është “pro” liberalizimit të vizave për shqiptarët apo kundër saj. Sipas shefit të qeverisë, nëse opozita është pro këtij procesi ajo duhet ta dëshmojë atë me praninë në Kuvend dhe me kontributin e saj për kryerjen e reformave të nevojshme. Po kështu, Kryeministri i ka lënë opozitës dorë të lirë për të kontribuuar në përmirësimin e Kodit Zgjedhor. “Liberalizimi i vizave do të bëhet. Ne do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe kriteret, por është në interesin më të mirë të opozitës që të dëshmojë me praninë e saj se nuk është kundër këtij procesi, se është në mbështetje të këtij procesi. Është gabim tia lësh të gjithë meritën njërës palë. Të urdhërojë, sepse kanë shansin për të kontribuuar në këtë proces”, tha Berisha. Kryeministri i bëri thirrje opozitës ta ndërpresë bojkotin dhe të paraqitet në Kuvend, por nuk ka dhënë asnjë sinjal nëse e pranon apo jo hapjen e kutive të votimit. Berisha shfrytëzoi mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për tua bërë të qartë deputetëve qëndrimin në raport me opozitën. Veç apelit për të marrë pjesë në Kuvend, Berisha nuk hezitojë ti bëjë edhe disa premtime opozitës, si ndryshimin e Kodit Zgjedhor, apo edhe se do të dëgjonte me çdo kusht zërin e socialistëve në Parlament. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar, deklaroi edhe njëherë se kryefjalë e qeverisjes së tij do të jenë sërish reformat, kryesisht në zbutjen e varfërisë në vend dhe rritjen e eficensës së fondeve të administratës lokale. Lidhur me këtë, Kryeministri garantoi se qeveria do të rrisë grantin për vendorët. Qëndrimi i Kryeministrit për rritjen e fondit për bashkitë dhe komunat erdhi pas akuzave të Edi Ramës, se qeveria po pengon grantet për pushtetin lokal. Berisha premtoi se do të financojë çdo projekt të vendorëve dhe se do të rrisë grantet për ta. Por, siç paralajmëroi kreu i qeverisë, asnjë fond nuk do të shkojë për fryrje të administratës. Në mbledhjen e deputetëve demokratë, Berisha theksoi se reformat kërkojnë dhe e kanë të nevojshme oponencën në Parlament, ndërsa premtoi se zëri i opozitës do të dëgjohet me seriozitetin më të madh. “Në ato rekomandime të OSBE-ODIHR-it, opozita do të ketë zë kryesor”, u shpreh Berisha. Në mbledhjen e djeshme të grupit të Partisë Demokratike, Sali Berisha vuri në dukje se qeveria parashikon një skemë të re në ndihmë të të varfërve, pasi, sipas tij, po abuzohet masivisht me ndihmën ekonomike. Kryeministri premtoi se do të nxjerrë çdo familje nga mjerimi. “Do nxjerrim çdo familje nga varfëria. Do të përgatisim një skemë të re për të varfrit”, u shpreh Berisha para deputetëve demokratë.(Shqip)</p>
i3SbW1blcRM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/politike/opozita-te-kontribuoje-per-reformat.html. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/politike/opozita-te-kontribuoje-per-reformat.html
 
Top