Omonia nis spastrimet, largon njerëzit e Berishës

Omonia nis spastrimet, largon njerëzit e Berishës

Pas përjashtimit të Spiro Kserës, radha e kreut të degës së Sarandës</p>


“Omonia” nis valën e shkarkimeve ndaj drejtuesve të lartë të shoqatës që janë shprehur pro Berishës. Duket se sinjalet e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, për spastrime nga “devijatorët”, po zënë vend. Pas vendimit për përjashtimin e ministrit aktual Spiro Kserës, ka marrë fund “ngrirja” e Kristaq Kalit, kreut të organizatës së “Omonias” për degën e Sarandës. Ai ishte pezulluar prej disa muajsh, qëkurse dha të gjitha sinjalet se mbështeste ish-ministrin Kosta Barka në lëvizjet e tij politike brenda PBDNJ-së dhe “Omonias”, deri në kandidimin e tij për deputet në fushatën zgjedhore të qershorit 2009. Një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës politike të minoritetit etnik grek, e mbajtur në selinë e saj në Sarandë, ka zyrtarizuar shkarkimin dhe zëvendësimin e tij. E drejtuar nga Vasil Bollano, kryetar i këtij këshilli, njëherësh edhe kryebashkiak i Himarës, mbledhja ka arritur shpejt dhe pa debat, në vendimin për shkarkimin e Kalit, pothuaj me të njëjtën procedurë dhe me të njëjtat argumente, me të cilat u bë shkarkimi i ish-prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera, aktualisht ministër i Punës në kabinetin qeveritar “Berisha 2″. Bollano tha se Kali prej kohësh nuk ishte realisht në pozicionin e kryetarit të degës së “Omonias” për Sarandën, pasi vetë e kishte shpërdoruar dhe braktisur këtë detyrë, që i ishte besuar nga forumet përkatëse, me pozicionimet e hapura kundër kursit dhe në dëm të interesave të minoritetit etnik grek. Më tej, Bollano ka deklaruar se “ky ka qenë një zëvendësim i parakohshëm dhe i domosdoshëm”. Për të pranishmit në mbledhjen e thirrur në Sarandë, anëtarë të këshillit të përgjithshëm, nuk iu tha ndonjë gjë konkrete në argumentim të përcaktimeve të bëra në adresë të Kalit, pasi të gjithë e kishin fshirë nga lista e “të besuarve”, që përpara muajit qershor, kur kryetari Bollano, me të drejtën e kryetarit të organizatës së grekëve të Shqipërisë, e kishte pezulluar nga detyra e kryetarit lokal Kristaq Kalin. Mësohet se ky i fundit nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e fundit, që mori vendimin e shkarkimit të tij. Që nga koha “e ngrirjes”, ai nuk ka shkelur në zyrat e selisë së “Omonias” në Sarandë. Shkaku ishte bërë pozicioni i tij, si pjesë e fraksionit që mbështeti në fushatën zgjedhore kandidaturën e ish-ministrit Barka, i cili vetë është stigmatizuar nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, si “i shitur” te Berisha dhe Partia Demokratike e Sali Berishës. Megjithëse Barka iu paraqit zgjedhësve si kandidat për deputet i PD-së dhe jo i PBDNJ-së, në zgjedhjet e 28 qershorit, si në takimet zgjedhore që pati me votuesit edhe në posterat e vet, ai ngulmoi tu bënte të qartë atyre se kishte me vete edhe omonistët e vërtetë dhe se “në PD kam marrë me vete edhe flamurin e Omonias”. Me gjithë këtë, Dule ka dhënë sinjalin që “Omonia” pas përjashtimit të Barkës, organizata që dihet se është në themel të PBDNJ-së, duhet të pastrohet edhe nga “devijatorë” të tjerë e mbështetës të tyre. Kreu i kësaj organizate, Vasil Bollano, ka organizuar pikërisht këtë në Gjirokastër e pas saj në Sarandë, duke zyrtarizuar shkarkimin përfundimtar nga postet e kryetarëve të degëve lokale, fillimisht të Spiro Kserës në Gjirokastër e disa orë më vonë edhe të Kristaq Kalit në Sarandë. Qysh nga koha e pezullimit verbal nga Bollano, katër muaj më parë, Kristaq Kali ka deklaruar se “unë jam kryetar i ligjshëm i Omonias së Sarandës, do apo nuk do Dule, do apo nuk do Bollano”. Ai ka sqaruar se kjo nuk ka qenë një këmbëngulje e kotë dhe punë dëshire, por sepse ai mbart votëbesimin e konferencës së organizatës në Sarandë. “Pikërisht ajo që më ka zgjedhur ka edhe legjitimitetin të më shkarkojë dhe jo kryetari, apo ata që i rrinë në rresht për një atij”, thotë Kali. Sipas këtij arsyetimi, ai vazhdon të jetë kryetar i ligjshëm, pavarësisht nga emra të tjerë që votohen e dalin në krye në mënyrë të sforcuar dhe pa respektuar votën e anëtarësisë së degës së “Omonias” në Sarandë. Mbledhja më e fundit e këshillit të përgjithshëm të “Omonias”, i mbledhur në Sarandë, ka vendosur me votim që detyra e kryetarit të degës së Sarandës të merret nga Leonidha Papa, deri tani përgjegjës i zyrës së shtypit i organizatës “Omonia”.(Shqip)</p>
EbgtRHr2u6c

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22702. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22702
 
Top