Nje udhetim ne Bjeshket e Tropojes

Ildri

Forumium maestatis
1342011847-lugina_tropojes.jpg
Stanet në bjeshkët e Tropojës

Stanet janë “shtëpia” e pushimeve për tropojanët. Ato ndërtohen në lartësi, në mal, larg shtëpisë. Në varësi të bjeshkës ndërtohet edhe stani, ku me dërrasa, ku më gurë e ku me plastmasë. Brenda në stan ka mjetet e domosdoshme, patjetër që është një stufë që ngroh me dru, ndërsa “krevatet” bëhen me dërrasa dhe këmbët e tyre janë shkopinj të ngulur në tokë. Të gjithë flenë bashkë të renditur njëri pas tjetrit. Pjesët e tjera të stanit janë të ndryshme, është çështje organizimi dhe mundësish. Bjeshkëtarët qëndrojnë në stane për një periudhë nga një muaj deri në katër, ose e thënë ndryshe deri në momentin që prishet koha. Ka ndodhur që ka rënë dëborë dhe i ka bllokuar në bjeshkë (janë raste të rralla).

Përse dilet në bjeshkë?

Për të punuar dhe për të mbledhur bylmet. Të rinjtë, studentët nga Tropoja, punojnë gjatë gjithë verës dhe sigurojnë lekët për fillimin e vitit të ri shkollor. Lodhen aq shumë gjatë pushimeve, saqë shpesh herë thonë “mos, erdhën pushimet”. Ata mbledhin boronica, çaj dhe rrënjë. Të tria këto shiten dhe janë të kushtueshme. Dita e tyre fillon sapo zbardh mëngjesi dhe përfundon sapo bie nata.

Ndërsa bagëtitë kanë ushqim të bollshëm dhe prodhojnë më shumë qumësht, kështu amvisat përgatisin djathë, gjizë, gjalpë dhe të gjitha bulmetrat, të cilat më pas i shesin.

A dalin të gjithë në të njëjtën bjeshkë?

Jo. Zonat janë të ndara, secili fshat apo fis ka bjeshkën e tij. Në bjeshkët e afërta është bërë e mundur që të dilet edhe me makinë, por në bjeshkët më të largëta është e pamundur, pasi kalohet nga maja në majë për të shkuar në zonën e caktuar. Largësia nga fshati në bjeshkë varion nga dy deri në nëntë orë. Nëntë orë larg është bjeshka që quhet Korita.

Tjetër...

Në bjeshkë mbillen edhe patate. Jo vetëm që mbillen, por edhe bëhen shumë. Kështu ka ndodhur që një patate të peshojë dy kilogramë. Rrethohet një pjesë toke, në mënyrë që të mos hynë bagëtitë, mbillen kur dilet në bjeshkë dhe nxirren kur zbret përfundimisht nga bjeshka.

Çfarë mund të bësh në bjeshkë?

Asgjë, përveçse të punosh. Kuptohet që nuk ka drita, si rezultat as televizor, radio apo diçka tjetër të ngjashme. Telefoni nuk ka valë, me përjashtim të disa pikave kyçe, të cilat ndodhen larg staneve. E thënë ndryshe, je i shkëputur plotësisht nga çdo gjë.

Si ushqehen bjeshkëtarët?

Baza e ushqimit janë bulmetrat dhe mishi. Por bëhen edhe zbritje të njëpasnjëshme me kalë dhe merren edhe produkte të tjera. Ka anët e saj pozitive në shëndetin e njeriut. Ajri i pastër, uji i ftohtë, ushqyerja me boronica të njoma të cilat ndikojnë pozitivisht në gjak, etj. U këshillohet personave që janë të sëmurë në mushkëri që të kalojnë dy javë në bjeshkë.

Stani është i rrethuar me gardh përpara. Kjo sepse në batanije hapen boronicat, pasi mblidhen, për t’u tharë e më pas për t’u shitur. Gardhi shërben për të penguar bagëtinë që t’i dëmtojnë.

Ditë e veçantë

Në datën shtatë gusht, të gjithë bjeshkëtarët, nga të gjitha bjeshkët, mblidhen në majën e Shkëlzenit. Kjo datë është datë e veçantë dhe ngjitjes në Shkëlzen i bashkohen edhe turistë apo vizitorë të ndryshëm në Tropojë. Mu në majë të Shkëlzenit është një varr, në të cilin njerëzit besojnë dhe luten. Thuhet se ai ka fuqi të mbinatyrshme dhe ka bërë shumë mrekulli. Janë të shumtë njerëzit që e besojnë këtë gjë. Në fakt, aty nuk është varrosur asnjë njeri, por thuhet se një njeriu “të mirë” i ka rënë një pikë gjaku në atë vend. Ka histori të ndryshme që tregojnë se ai varr ka fuqi të mbinatyrshme. Megjithatë atë ditë nuk shkojnë vetëm ata që besojnë, por të rinjtë e shfrytëzojnë për piknik atë ditë, bëjnë gara me kuaj, më pas luajnë në një fushë që ndodhet rrëzë majës.

Boronica ndihmon në:përmirësim të shikimit, pastrim të arterieve me shumë antioksidues për mbrojtje ndaj sëmundjeve, forcim të enëve të gjakut, shtim të memories, ndalim të infeksioneve të traktit urinar, kthim mbrapsht të rënies së aftësive mendore dhe fizike të lidhura me moshën, ndihmon në kontrollimin të peshës trupore. Boronica parandalon dëmtimin e syrit, ndihmon në shikim personat që janë miopë. Konsumimi i boronicës përmirëson qarkullimin e gjakut. Boronica gjen përdorim të mirë në çrregullimet e stomakut e të zorrëve, kundër diarresë. E kombinuar me bimë të tjera përdoret edhe në mjekimin e diabeti. Për qëllime mjekësore, bimës i përdoren frytet e gjethet në gjendje të tharë. Shkencëtarët tregojnë se boronicat mund të lehtësojnë dëmtimet e muskujve, që vijnë si pasojë e ushtrimeve të tepruara. Për shkak të përmbajtjes së pasur me polifenole, boronicat mund të ulin dukshëm stresin oksidues, që çon edhe deri te dëmtimi i muskujve.

“Livadhi i vogël”

Ka këtë emër pasi ndodhet në mes të shkëmbinjve dhe është e mbuluar me bar dhe boronica. Është shumë e vështirë të shkosh, aty pasi mund të rrëshqasësh. “Livadhi i Vogël” ndodhet përballë staneve.

Çfarë është “tella”?

“Tellë” quhet vendi ku janë të gjitha stanet. Stanet janë të grupuara janë pranë njëri-tjetrit. Qëndrojnë të grupuar edhe për të ndihmuar njëri-tjetrin, por edhe për t’u mbrojtur nga kafshët e egra. Dihet që ka, pasi bjeshkët janë në lartësi të mëdha, ndonjëherë duken ujqërit, por barinjtë janë të armatosur prandaj dhe ata qëndrojnë larg staneve, larg “tellës”.

“Kaçubeti”

Skifteri, shpendi grabitqar, në dialektin tropojan quhet “kaçubet”. Edhe ajo pjesë që shikoni në foto ka formën e një kaçubeti prandaj dhe bjeshkëtarët e quajnë me këtë emër. Vetëm në “kaçubet” ka valë telefoni, prandaj pothuajse çdo ditë banorët dalin në atë pikë për t’u lidhur me të afërmit e tyre që ndodhen në shtëpi.
 
Top