Nje perkthim i Kur'anit i vitit 1921 ne gjuhen Shqipe

Teolog

Moderator
Anëtar i Shtabit
Me sa dimë deri tani, përkthimi i mirëfilltë i Kuranit në shqipe zë fill në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Ilo M. Qafëzezi përktheu dhe botoi gjashtë sure më 1921*. Më 1929 H. Ibrahim Dalliu jo vetëm përktheu, por edhe komentoi shtatë sure. H. Ibrahim Dalliu qe specialist i Islamit e i Kuranit. I.M.Qafëzezi nuk qe specialist i Kuranit; nuk qe as musliman. Çfarë e shtyu njeriun e letrave të ndërmerrte përkthimin dhe botimin e Kuranit, e thotë vetë në parathënien e botimit të tij: “I shtyjtur prej dëshirës që, tani pak-së-paku, është koha të dihet se cila është ajo “cipë qèpe” misterióze që i ndan fetarisht Shqipëtarët Muhamedanë nga vëllézërit e tyre të Krishterë, po jap të përkthyer Shqip Kuranin, nga gjuha Inglize.
Afërmentsh, përkthimi im do të ketë disa të meta, mbasi nuk është bërë drejtpërdrejt prej origjinálit Arabisht. Po shqiptarët e mirë, atdhetarët që s’janë veshur trashë me fanatizm fetár, e-do-puna të m’ i falin. Përkthimi im dëshiroj të jetë një fillesë e atí që do të bênet i sosur paskëndaj. Të jetë një ndihmë, sado e pakët për atë teolog që do të ketë fatbardhësinë të përkthenjë Kuranin nga Arabishtja.
I shpërhódha ato që thonë disa se të përkthyerit e Kuranit ndê gjuhë tjatër është gjynah i math.Qysh mundim t’u vëmë-vesh të tillavet fjalë që-s’ kanë-vënt, kur sot-për-sot Kurani gjendet i përkthyer afro ndër një duzinë gjuhë të tjera, edhe posa që ná kemi aq të madhe nevojë ta kemi të përkthyer ndë gjuhën amtare”.
Ndërmarrja e I.M. Qafëzezit është, sigurisht qëllimmirë e besëmirë. Për shqiptarët, të cilitdo besimi qofshin, u jep në dorë një libër të madh, librin epokëbërës.
Edhe në gjuhë të tjera evropiane (latinishte, frëngjishte, gjermanishte, rusishte etj.) jomuslimanë kanë përkthyer Kuran. Por ka pasur nga ata, si Maraçi (Maracci) që dha më 1689 një version të Kuranit me tekstin arab e me komente të mbledhura qëllimisht andej-këtej, për të përcjellë përshtypjen më të keqe të mundshme për Islamin në Evropë. Përkthimi i Xhorxh Seilit (George Sale) në anglishte, më 1737 u mbështet në versionin e Maraçit, madje edhe në shënimet e komentet e tij. Përkthimi i Palmerit (E.H. Palmer) më 1876 vjen me idenë që Kurani na u dashka përkthyer në gjuhën bisedore (!), kur dihet që Kurani është në një arabishte klasike të stilit të lartë, shumë të pastër e shumë të pasur (Kurani, 16:103). I.M. Qafëzezi nuk i bën e nuk i ka në mendje të tilla gabime, pakujdesi a keqdashje për të fshehur bukurinë e madhështinë e gjuhës origjinale të Kuranit dhe udhëheqësinë e tij universale e të gjithmonshme. Sigurisht, specialisti i Kuranit mund të thotë fjalën e vet, por unë si lexues them më duket se ka përkthyer fort mirë, se nuk ka kapërcime, shpërngulje kuptimi, ndonjë fjali të errët etj.
I.M. Qafëzezi nuk është musliman, por nuk është antimusliman. Po të kishte qenë antimusliman e sigurisht edhe joatdhetar (ai nuk i ndan shqiptarët dhe shqipen), do ta kishte përkthyer Kuranin në një gjuhë bisedore, a thjesht, në idiolektin e tij e kështu do të humbiste madhështia e stilit të arabishtes klasike. Jo. Ai u largohet trajtave të ngushta, periferike krahinore. Ai përkthen me të folmen e kultivuar të gjysmës së parë të shekullit XX, me koinenë letrare toske, por ka edhe fjalë e shprehje të variantit letrar të gegërishtes ose formime të tij mbi bazën e gegërishtes (shokëni, e mir-kandshme, i mbrapëm, mirëbamës, hangërsi, kjoft lark, të pamët, naltësim, e papërlyeme, i ngulmë, i mbrapëm, i madhëniëshëm etj.), çka të jep përshtypjen se ashtu si rilindësit, bën “përpjekje për kapërcimin e kufijve dialektorë, për të treguar se nuk mungon njësia gjuhësore në truallin e shqipes” (M. Samara, Histori e gjuhës letrare shqipe, Tiranë, 2005, f. 104). Ai nuk përkthen sa për t’u treguar shqiptarëve një libër që quhet Kuran. Përkthimi i tij është i kujdesshëm. Ai është i kujdesshëm edhe në drejtshkrimin e fjalëve. Ai nuk e paraqet të vështirë Kuranin. Stili i tij është i përpunuar e i krehur. Natyrisht, po të kishte pasur përkthimi shpjegime e komentime për ajete a çështje të veçanta, do të kishim pasur edhe mendjen e tij dhe besoj, edhe vlerësimin e tij midis shumë mendjeve dhe vlerësimeve të tjera në botë për Kuranin. Megjithatë, mjafton edhe përkthimi sepse Kurani është vetë komentimi i tij më i mirë. Si? Një krahasim i kujdesshëm i një ajeti ose fragmenti të Kuranit hedh dritë mbi një ajet a fragment tjetër, çka e bën më të lehtë kuptimin e tij, natyrisht, duke e lexuar e studiuar atë. I.M. Qafëzezi ishte njeri i letrave e përkthimi i tij është vepër diturore. Ai u drejtohet shqiptarëve, në radhë të parë atyre që nuk dinë arabisht. Merita e tij e madhe është: ai është ndër të parët që i njohu mirëfilli shqiptarët me Kuranin. Kurani është përkthyer nga gjuha angleze, siç e thotë vetë I.M. Qafëzezi në parathënien e tij.
Siç dihet, kur përkthehet Kuran, nuk mund të mos kihen parasysh vështirësitë më të para:
1. Mundet që fjalët e tekstit arab, pra të Kuranit (i cili siç dihet është si në shek. VII) të kenë fituar kuptime të reja (se gjuha zhvillohet pandërprerë) nga ato të kohës së Profetit a të sahabëve. Kjo do të thotë që në çështjet gjuhësore e përgjithësisht, filologjike, filologët e komentuesit më të hershëm janë më të besuar. Kjo do të thotë më në fund që zbërthimet e tyre kuptimore janë e duhet të jenë të pranueshme. Nuk dimë sa e ka pasur parasysh këtë përkthyesi anglez i Kuranit, por për I.M. Qafëzezin puna ka qenë gjithsesi e dyfishtë, sepse ka pasur të bëjë me tri struktura gjuhësore, me tri semantika gjuhësore: arabisht-anglisht-shqip.
2. Siç dihet, në arabishten klasike, kuptimi i rrënjës së fjalës është kaq përfshirës, sa është e vështirë të përdorësh të njëjtën fjalë të prejardhur në një gjuhë tjetër sipas tekstit arab. Me fjalë të tjera, duhet parë jo kuptimi themelor i fjalës arabe, por ngjyrimi i prejardhjes kuptimore, sidomos, kur përkthehet letërsi fetare e veçanërisht, kur përkthehet Kuran. Unë nuk jam specialist as i Islamit, as i Kuranit dhe as i përkthimit, por një shembull kuptimplotë i punës diturore dhe i kujdesit gjuhësor të I.M.Qafëzezit do të ishte përkthimi i Bismillahi-rr Rrahmani-rr Rrahim. Në letërsinë tonë fetare është përkthyer “Në emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Mëshirues e Mëshirëbërës (përveçse nga pikëpamja gjuhësore janë dysorë (dublete), sinonime pa asnjë dallim kuptimor), nuk e japin të plotë nocionin për mëshirën e Allahut. Me aq, mëshira e Allahut është shumë e kufizuar. Mirëpo mëshira e Allahut nuk është e kufizuar; ajo përfshin gjithkënd e gjithçka; mëshira e Allahut është, gjithashtu, e plotë: Allahu e çon mëshirën e tij deri në fund. Unë kam pasur rastin në vitet ’90 të shekullit të kaluar ta përktheja: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”. Nuk është kjo ajo që dua të nxjerr në pah, por të them që jam mrekulluar këto ditë kur kam parë që I.M. Qafëzezi, që më 1921, e përkthen Rrahim me Mëshirëplotë (mundet edhe Rrahman ta kishte përkthyer me i Gjithëmëshirshëm). Një shembull tjetër: Për të mos e ngatërruar lexuesi nocionin “që i përket gjithë botës” me nocionin tjetër “që ndodh në këtë botë, që është i kësaj bote, që nuk është i jetës së Përtejme, tokësor”, autori përdor mbiemrin botësor: të mira botësore (nocioni i parë shenjohet, siç dihet me mbiemrin botëror).
 

Teolog

Moderator
Anëtar i Shtabit
Përkthimi i I.M.Qafëzezit nuk është i fjalëpërfjalshëm. Po të kishte qenë i tillë, nuk do t’i përçonte dot te lexuesi përmbajtjen dhe idetë e librit. Shih p.sh. Fatihanë:
KAPTINË I. (Sura)
NDËRHYRJE (Fâtiha)
Shpërfaqur ndë Meqé
NDË EMËR TË FORT MËSHIRËPLOTIT PERËNDI
1. Lavdi i kjoftë Perëndisë; Zoti i gjithë Krijatyravet.
2. Fort mëshirëploti;
3. Mbreti i ditës së gjyqit.
4. Ty të adhurojmë, edhe prej teje lypim ndihmë.
5. Udhë-hiqna ndë rrugën e drejtë.
6. Ndë rrugën e atyre mbë të cilët ke qenë hirëplot;
7. Jo ndë (rrugën) të atyre kundër të cilëvet ke marë mërí, as ndë të atyre që écën jashtë-udhës.
Tipar i gjuhës së përkthimit është përpjekja për pastërtinë e leksikut (fjalorit). Ligjërimi i tij vijon traditën e Rilindjes. Shih, p.sh. kuvendesë (për bisedë etj.), shtijesinë(për magji), ndërmjetime ndërmjetoj, faqeza “në prani të të tjerëve”, falësim (për Haxhillëk), therore“vend ku theret kurbani; therëtore”, ndahem (për divorcohem), ndihmëtar, mendimtoj(për meditoj), ngulmëroj (përinsistoj), përfit (për avantazh), shtëpiar (për familjar), pasnikëri(për posteritet) etj.
Autori i përkthimit shfrytëzon fjalë të qëndrueshme të ligjërimit popullor: të pabesët, besëmirët, çivos (u ka çivosur zemrat nga çivi,-a), sindëkur, i pamënt, drejtazi, kërcëllimë (kërcëllima e rrufesë), lakërishta, shumëvjetësh (lopë shumë-vjetshe), cufnis (ka cufnisur ujë...), mënjanazi, kallëzoj, besëtar (pasi u bejtët besëtarë), sëndisem, gjindje, paqoj, përunjem, i përunjur (i përunjur te Perëndia), lypanjar, gjaksi, dëshmim, dredhëtoj, afër-mentsh “afërmendsh”, mirëdashje (mirëdashje për prindërit), përshtyj (i përshtyjnë njerëzit), dymëzoj “dyfishoj” (dymëzoj punën), dymëzisht, shqizmë“shkazmë, shkarëzimë”, i mjaftëm, i padrojë, shgjakësim “zhgjakësim”, ndorësoj e ndorësohem “dorëzoj e dorëzohem”, hirësoj, gjyrmëroj “gjurmëroj, gjurmoj”,ngulmëroj “ngulmoj”, vëzhgëlloj “vështroj; përgjoj”, i sadoshëm “i mjaftueshëm”, rrungullisem “rrokullisem”, i pikëtuar “i pikëlluar”, sakaqëherë, vragë “monopat”, gjithëkohësh “gjithmonë” etj.
Bie në sy përpjekja për të përzgjedhur mjete gjuhësore maksimalisht shprehëse. Kështu, ai përdor dendur folje me parashtesën për- e shpër- me kuptim intensiv (përjap, përkaptoj, përhyp, përshtyj, përprish, përnxjerr, shpërfaq “zbuloj para të tjerëve”, shpërudhoj “shpenzoj, harxhoj”,shpërhedh etj.) për të theksuar a përveçuar kuptimisht a stilistikisht një veprim.
Fjalët e I.M.Qafëzezit nuk janë të ngarkuara me kuptime sepse togfjalëshi i zgjedhur e paraqet saktë kuptimin e kërkuar (gjuhësisht: janë thëniet, togfjalëshat që tregojnë pa dykuptimësi përmbajtjen e një fjale): i papërlyem (gra të papërlyeme), i përprishur (e kopiojnë të përprishur librin), i qëndruarshëm (janë të qëndruarshëm në falje), përunjem (Atij do t’i përunjemi), shpërudhoj (ata që shpërudhojnë), shtëpiar (shokëninë tuaj shtëpiare), i madhëniëshëm (betim i madhëniëshëm), kobimërisht (punojnë kobimërisht), ëmbëlsoj (ëmbëlsoj vuajtjet), shpërhedhës (të mos jesh shpërhedhës = “... plëngprishës”), i gjërësishëm (me mëshirë të gjërësishme) etj.
Në fushën e termave dhe përgjithësisht, të fetarizmave, autori ka parapëlqyer fjalën vendëse a formimin brenda shqipes (shih p.sh. shpërfaqje ose zbulesë për revelatë, i Gjithëfuqishëm, Mëshirëplotë, mugëlz (krahaso mugull, burbuqe), falje në vend të namaz, besëtar “besimtar”, hirëplot, hirësoj, mbivëzhgëlloj “mbivështroj” (Perëndia mbivëzhgëllon) etj.
Autori i përkthimit krijon vetë ose gjen mjaft fjalë me brumin e shqipes e sipas rregullave fjalëformuese të shqipes, shumë prej tyre me vlerë letrare potenciale edhe për gjuhën shqipe standarde:kamatoj “marr kamatë”, hamësi “të qenët hamës”, kthjelltas, lindjak “i linduri”, bashkëdashje, i gjithëdijshëm për i gjithëditur, lavdikotë, sybutë “i urtë”, urtash “i urtë”, zemërgëzuar, zemërkthjellët, zemërkthjellësi, fevërtetë, besëvërtetë, besëdrejtë, besëligësi, armikëri, i tekdoqenëshëm, mëkatefalës, fitimplotë, kobimërisht, kobimtar, keqpërflas, mendjedhënës, përgjamë “përngjasim, shëmbëlltyrë”, gënjeshtërsi, rremërisht “duke përdorur rrena” (shpif rremërisht), shëmbëllsor “shembullsor”, i panomësh “i palejuar / krahaso nom,-i, bashkëkuptim, dhuratëri, paligjësi, njeridashës, poterezezë “gjëmë etj.”, ndyrërisht, porosishkelës, mendjedhënës, i gjerësishëm (me mëshirë të gjerësishme), ndërhyrje, për hyrje, hapje, fillim (i një vepre letrareetj.) fatërisht etj.
Qëllimi kryesor i përkthyesit ka qenë t’ia bënte të qartë lexuesit kuptimin e saktë të ajetit. Për këtë arsye, kur përdor një krijim të tij a një fjalë të huaj, jep me poshtëshënim një fjalë tjetër, një parafrazim a një shpjegim qartësues; shih, p.sh. burbuqzat për mugëlzat, vullnet për volëndim, divorcohem për ndahem, prezent për faqeza, koha e Haxhillëkut për falësim etj.
Natyrisht, për arsye që dihen, autori nuk mund t’i shpëtonte përdorimit të ndonjë fjale krahinore nga e folmja e tij (tipi rhyj “hyj”), përdorimit të fjalës Perëndi në vend të Allah ose Zot, të ndonjë fjale të huaj, p.sh. skriptura për Shkrime të Shenjta etj., por këto nuk ia ulin aspak vlerën përkthimit. Ai ka prurë një dritë të fuqishme nga dritat e lavdishme të Kuranit. Përkthimi i tij është i pranueshëm. Besojmë do të ishte e udhës që ky përkthim të ribotohej, si më 1921, por, mbase me ndonjë vështrim tekstologjik. Nga një specialist i arabishtes dhe i Kuranit mund të shtohej teksti arab për çdo ajet, siç bëhet zakonisht për përkthimet e sotme të Kuranit në gjuhë të ndryshme të botës.
Prof. dr. Hajri Shehu



Shih: G. Shpuza, Përkthyesi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe, në “Drita Islame”, dhjetor 1995.
* Ilo Mitkë Qafëzezi (1882-1964). Gjurmues dhe studiues në fushën e kulturës dhe të historisë. Jetoi një kohë të gjatë në mërgim. Pasi u kthye më 1924 në atdhe, punoi si mësues. Përktheu, përshtati, përpunoi e hartoi në një gjuhë popullore vepra të ndryshme historike, letrare, folklorike etj., dhe broshura popullarizuese shkencore. Mund të përmendet “Historia e Ali Pashë Tepelenës”. Zhvilloi gjurmime sistematike për dokumente, shkrime, figura të historisë e të kulturës shqiptare të shek. XVIII, sidomos të qendrave si Voskopoja, Berati, Vithkuqi, Korça, zbuloi kopje të veprave dorëshkrim të Th. Kavaliotit etj. Hartoi studimin “Kontribut në historinë e arsimit dhe të kulturës në Shqipëri në shekujt XVII-XIX (1617-1902) që u botua (1926) bashkë me komedinë “Dhaskal Gjoka”. Hartoi një monografi të gjerë mbetur në dorëshkrim “Protopapë Theodhor Nastas Kavalioti, Skoliarku i Akademisë së Voskopojës 1748-1789”. (Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 886).
Gjuhë e përbashkët (nga greqishtja koine “i përbashkët”).
 

Al-Punk

Still here
Me aq sa po e shoh une, perkthim ka qene shume adapt per gjuhen e atehershme dhe fjalorin e perdorur. Te pakten nga sa po lexoj me siper dhe shembujt e permendur.
 
Top